Basha në Qytetin Studenti: Zgjedhjet e ardhshme, 35% e deputetëve do jenë nga rinia

0
180

Kreu i Partisë Demokratike Lulzim Basha ka risjellë sot në kujtesë lëvizjen e dhjetorit të vitit 1990 që nisi nga Qyteti Studenti, pikërisht me një takim në këtë qytet.

I rrethuar nga dhjetëra të rinj, Basha tha se Partia Demokratike është akoma partia e shpresës së shqiptarëve si para 26 vitesh që do të sjellë lirinë dhe demokracinë e privatizuar. Ai tha se sot vetëm një grusht njerëzish servilë mund të ecin përpara dhe se politika është kapur nga një grusht pushtetarësh që mendojnë vetëm për pushtetin e tyre.

“Nuk ecën përpara sipërmarrësi i ndershëm por ecën përpara i forti, i forti i katundit, i qytetit dhe i kryeministrisë. I plotfuqishmi që pushtetin që iu takon qytetarëve e ka uzurpuar për veten e tij. Vetëm një grusht servilësh mund të shkojnë përpara. Një politikë e kapur peng nga një grusht pushtetarësh që mendojnë vetëm për pushtetin e tyre dhe jo për qytetarët. Një ekonomi kombëtare e rrënuar nga mungesa e konkurrencës ku kulti i të fortit ka mbytur ëndrrën e sipërmarrjes së lirë mbi meritën dhe aftësinë. Sot shqiptarët presin nga ky shesh jo nga mesazhin tim, por mesazhin tuaj. Mesazhin se ne rinia shqiptare nuk e pranojmë më këtë gjendje, se ne refuzojmë të jemi skllevër”, theksoi Basha.

Kreu i PD e ka pasur kryefjalë të tijën ‘lirinë’. Ai tha se zgjidhja për gjendjen ku ndodhet vendi është pikërisht liria për t’u shprehur.

“Dua t’ju them nga ky shesh i frymëzimit për liri dhe demokraci se liria si zgjidhja për gjendjen e tmerrshme ku ndodhet vendi fillon nga shtëpia juaj. Nga liria për të shprehur zërin tuaj pa asnjë kompleks. Liria për të mos qenë servilë të kryetarit, liria për të qenë forca e ndryshimit”, tha ai, ndërsa të rinjtë e pranishëm kanë shpërthyer në ovacione dhe thirrje “Lulzim Basha”.

Kreu i PD-së theksoi se kjo është betejë për të sjellë lirinë dhe demokracinë.

“Kjo nuk është një betejë thjesht dhe vetëm për të sjellë PD-në në pushtet. Është betejë për të sjellë lirinë dhe demokracinë. Sot liria është privatizuar. Beteja e rinisë shqiptare që sot i dhatë zë me pjesëmarrjen tuaj është t’ia kthejmë këtë liri shqiptarëve, t’ia kthejmë Shqipërinë shqiptarëve përmes fuqizimit të shqiptarëve. Lindëm jo si parti e partisë, por si një parti e shpresës për çdo shqiptar. Jemi prapë ajo parti pas 26 vjetësh, me arritjet dhe gabimet tona. Por jemi prapë parti e shpresës për çdo shqiptar”, deklaroi lideri i PD.

Basha iu bëri edhe një premtim të rinjve, kur tha se 35% e grupit të PD do jenë të rinj.
“Reflektimi im për rininë i qartë. 35% e grupit të PD do të vijë nga ju dhe do t’i zgjidhni ju lirisht me votën tuaj, sipas aftësisë së tyre, sipas bindjes suaj. Pushtet për qytetarët dhe jo për politikanët”, theksoi ai.

Basha ka theksuar se pas 26 vitesh Europa, liria dhe demokracia mbeten thjesht aspirata, të paplotësuara. Ndaj ai i bëri thirrje të rinjve që të marrin në dorë fatet e vendit.

“Njeriu duhet të reflektojë për gabimet, e kundërshtarit por edhe të vetat. Sot nuk kemi demokraci, por autokraci, sundim për veten tënde, pushtet i pakufizuar në duart e Kryeministrit”, tha Basha.

Kryedemokrati ka ndarë me të rinjtë reflektimet e veta dhe ka deklaruar se çfarë është ai në gjendje të bëjë për të qenë në lartësinë e shpresës së të rinjve. Basha tha se të rinjtë do të kenë rrugën e hapur për të promovuar vlerat e tyre dhe për të ardhur një ditë në krye të PD-së.

“26 vite më parë, heronjtë tanë e hapën rrugën. Sot ju bëj apel ju të rinjve, pas 26 vitesh a jeni gati të merrni në dorë fatin e vendit. Para 26 vitesh ekzistonin dy botë, bota e Bllokut, dhe nga ana tjetër Shqipëria reale. Edhe sot është kështu, ka një botë me krokodilë të korrupsionit, dhe një botë tjetër me njerëz në varfëri, pa mundësi, pa shëndetësi, të rinj pa të ardhme. Janë dy botë, dhe njësoj si para 2+ vitesh, kur udhëheqësi krenohej se jemi populli më i mirë ushqyer, ndërsa shqiptarët nuk merrnin as vlerat kryesore ushqimore.

Edhe sot kryeministri ju kujton të lexoni raporte, për të bërë të zezën të bardhë. Por e zeza e bardhë nuk bëhet me propagandë e mashtrim. Liria dhe rinia janë të lidhura ngushtë me njëri-tjetrën.

Duhet të përqafojmë vlerat europiane, ku të gjithë të jenë të barabartë para ligjit. liria është vlera me të cilën do të ecim përpara. Unë do bëj gjithçka që liria në PD t’ju japë mundësinë të shpalosni vlerat tuaja më të mirë. Mundësi që të arrini sa më shumë, edhe kreun e Partisë Demokratike. Ky do të jetë misioni im në qeverisje nesër”, tha Basha.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here