Analiza/ Konventa e LSI, mesazhet për 2017-ën dhe lënia “në pritje” e PS-së për koalicionin

0
337

Pse duken të (pa)mundura shanset e një koalicioni mes PD e LSI, qëndrimet e palëve politike

Ambrozia Meta

Në të njëjtën studio ku deklaroi muaj më parë, se PD do të bëjë koalicion me çdo forcë politike që ndan të njëjtat vlera me demokratët përfshirë këtu edhe LSI, Lulzim Basha tha të enjten e shkuar prerazi se opozita nuk do të bashkohet në një koalicion elektoral me partinë e Ilir Metës. Duke ndërprerë çdo flirt të mëparshëm me LSI -në, në ditët e fundit, kur PD po përpiqet të rinisë nga fillimi raportet me qytetarët, duket se reflektimi i Bashës nuk ka qenë vetëm për gabimet e të djathtëve gjatë viteve të qeverisjes. Ai bëri me dije se antagonizmi i PD- së, për një bashkim me LSI -në,  vjen pasi kjo parti ka qenë në një bashkëqeverisje 3 vjeçare me PS- në dhe sipas kryedemokratit ajo është fajtore për politikat e qeverisë, të cilat opozita i cilësonë të dështuara. “ Patjetër që Partia Demokratike do të përballet me një koalicion, me një aleancë më të gjerë me këtë qeveri të dështuar, pa përfshirë LSI. PD nuk do të bëjë koalicion me Lëvizjen Socialiste për Integrim. Nuk ka koalicion me LSI. Ajo për të cilën kam folur është për aleancë për të siguruar zgjedhje të lira dhe të ndershme dhe që të sigurohen këto duhen plotësuar disa etapa përsa i preket, shitjes së votës, financimit të partive politike, qeverisje teknike, për të garantuar që Saimir Tahiri dhe droga nuk do të vendosë për rezultatin. Por koalicionet, partitë do i bëjnë sipas programit të tyre. Dhe programi, vlerat dhe gjithçka ka ndodhur këto tre vite, automatikisht përjashtojnë një nga dy faktorët e qeverisjes, që është LSI,”-tha Basha, të enjten e kaluar, duke prerë shpresat për një ribashkim të mundshëm me partnerin  e dikurshëm.

Qëndrimi

Në kulmin e zhvillimeve politike, pakënaqësive, detyrimeve dhe presioneve, më i papërmbajtur është treguar kryeministri Rama. Prej muajsh ai  ka shfaqur dëshirën për të vazhduar bashkëjetesën  me LSI-në, por duket se pritja për një “PO” nga Ilir Meta nuk ka qenë e ëmbël. Ndryshe nga kryeministri i cili shprehu bindjen se pas zgjedhjeve të brendshme në LSI do të vendosej fati i koalicionit, kryeparlamentari  duket se nuk ngut për të vendosur. Ndryshe nga Rama, i kthyer tashmë në një njeri pa impulsivitet të tepruar politik e mediatik, Meta ka qenë më i ftohtë në lidhje me fatin e koalicionit. Ndërsa shefi i qeverisë fliste këtë të enjte në studio televizive, për një koalicion me 3 kryetarë, Meta e cilësoi këtë një mënyrë për transparencë dhe kolegjialitet, por përsëri la tymnajë për të ardhmen politike të së majtës. Duke i krijuar një stuhi shpirtore kryeministrit, Meta deklaroi 2 ditë më parë, në Konventën Kombëtare Zgjedhore të LSI – së, Koalicioni PS – LSI ka potencial për të realizuar premtimet. Por një ditë më pas, pa përfunduar akoma entuziasmi i kryesocialistit, lideri i LSI-së u shpreh se fjalën finale për çështjen e koalicionit do ta ketë Konventa Kombëtare Zgjedhore. Pasiguria e këtyre muajve të fundit, luhatjet e vazhdueshme dhe qëndrimet e kundërta në një sërë çështjesh të rëndësishme mes dy aleteve duket se stimulojnë deklarata të qëllimshme të Edi Ramës. Këtë të enjte, ai deklaroi se koalicioni do të ketë 3 kryetarë, duke nxjerrë nga “harresa politike” ku e kishte futur që prej zgjedhjeve të Dibrës, aleatin Shpëtim Idrizi. Gati me dënesë, Rama i kujtoi Metës se ai ka dhe një aleat tjetër, të cilin mund ta integrojë fare mirë, ashtu siç bëri në Dibër, ku anëtarë të PDIU-së u panë të angazhohen në fushatën për zgjedhjet lokale, më shumë se partia e Metës.

Në këto kushte do të mbetet mister ende për pak kohë përgjigja e LSI-së lidhur me pozicionimin e ardhshëm të saj në kuadër të koalicionit parazgedhor. Shanset e vendimmarrjes së LSI-së nisin që nga mundësia e vazhdimit të bashkëpunimit me PS-në deri tek hyrja në zgjedhje si pjesë kryesuese e një poli të tretë ose edhe garimi i vetëm. Çdo gjë mbetet në pritje, megjithëse burimet flasin se në PS janë ndezur që tani “dritat” e festës. Mirëpo në politikë, shumica e festimeve paraprake kanë rezultuar dështuese, sic ishte edhe ajo ditë prilli e 2013-ës, kur dukej se lidhja e LSI-në me PD-në ishte në ditët më të mira dhe rezultati më pas dihet nga çdokush.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here