E shkuara si e tashme/ Bunker-mania, ylli me pesë cepa dhe integrimi evropian i Shqipërisë

0
361

bunkart2-9 bunkart2-10

Në këto tre vite të pushtetit të së majtës, ku përtej konfliktit të “zakonshëm” politik  është rikthyer në qendër të diskutimeve edhe debati i “së shkuarës”

E kaluara e Shqipërisë nën regjimin diktatorial komunist ka qenë temë kryesore e debatit politik që prej hapave të parë të demokracisë së vendit. Përplasjet mes demokratëve dhe socialistëve në këto 26 vite, përtej debatit të natyrshëm politik, ekonomik apo social, kanë si “kurorë” të betejës së tyre të shkuarën diktatoritale të vendit dhe remineshncat e saj. Por kjo betejë,  ka pasur ndër këto vite edhe “armëpushimet” e saj. Kështu nga nisja e viteve 2000 e në vazhdim, u duk se debat i “së shkuarës” u mënjanua, duke i lënë hapësirë të zgjeruar konfliktit politik për korrupsionin, ekonominë e vendit, rendin etj. Ndërkohë që nga viti 2005 e deri në 2013, nën qeverisjen e demokratëve, u shfaq një antagonizëm i thellë mes palëve politike në vend, i përqëndruar kryesisht tek situata financiara dhe proceset integruese. Me kalimin e viteve, targeti i betejës politike kaloi nga “lufta” ideologjike tek ajo ekonomiko-integruese, ku nuk munguan një mori akuzash e kundër akuzash për situatën financiare të vendit si edhe ecurinë drejt aspiratës evropiane. Megjithatë, në këto 8 vite mandat të pushtetit të demokratëve, debati i “së shkuarës” nuk ishte fare inekzistent. Në këto kohë, mazhoranca e djathtë propozoi ligjin e Lustracionit, i cili i rikthehej debatit të “përhershëm” mes palëve, por që u rrëzua nga Gjykata Kushtetuese. Kjo gjë e frenoi thellimin e diskutimeve në këtë çështje.

Por krejt ndryshe paraqitet situata në këto tre vite të pushtetit të së majtës, ku përtej konfliktit të “zakonshëm” politik  është rikthyer në qendër të diskutimeve edhe debati i “së shkuarës”. Kjo ka ardhur për arsye të ndryshme, ku rol kryesor kanë luajtur kryesisht akuzat e demokratëve për rastet e servirura nga qeveria si : shfaqjet e portretit të ish-diktatorit në ditën e dëshmorëve, dekorimi i persekutorëve nga ministria e Mbrojtjes apo edhe rikthimi i Bukerëve si vepra arti. Por nuk ka munguar edhe argumenti nga mazhoranca në këtë linjë, e cila e ka shtyrë edhe më shumë debatin për këto çështje. Në këtë pikë mjaftojmë të kujtojmë rastin e sjelljes së ligjit të hapjes së dosjeve të ish-sigurimit të shtetit ( pa i hyrë aspak analizës së brendësisë së ligjit). Po ashtu është e rëndësishme të nënvizohet edhe fakti i fundit sipas të cilit asnjë nga anëtarët që do të përfshihen në “komisionin” e hapjes së dosjeve së ish-regjimit nuk është nga rradhët e opozitës, pasi mazhoranca skualifikoi propozimin e saj në Parlament. Një tjetër debat ky që ka sjellë thellim të përplasjeve mes palëve lidhur me këtë çështje. Në të tilla  kushte, në Shqipëri vërehet se përtej debateve tradicionale politike për çështje të ndryshme që prekin vendin, politika i është rikthyer furishëm debatit të “ideologjisë”, përplasjeve për të shkuarën dhe akuzave e kundër akuzave për “vazhdim linje të komunizmit”. Një detaj i veccantë në gjithë këtë diskutim është fakti se sa herë që duket se një çështje e këtij debati po shkon drejt mbylljes, është vetë mazhoranca e majtë ajo që rihap diskutimin e rradhës. Sic ishte rasti i fundit me hapjen e “Bunker’Art-it” të rradhës nga qeveria, vepër e cila krahas vlerësimit nga njëra palë, mori një mori akuzash e replikash nga pala tjetër.

Pak histori (bunkeri)

Në fillim të vitit 1971 u zhvillua në Tiranë Plenumi i 12 i Komitetit Qendror të PPSH-së, i cili shqyrtoi tezat e Artit Ushtarak dhe projektet për Fortifikimin e vijave të mbrojtjes. Arti Ushtarak Popullor parashikonte që e gjithë Shqipëria të stërvitej dhe armatosej për t’i bërë ballë armikut ( më shumë se real, imagjinar). Modeli shqiptar i bunkerëve u realizua pasi u konsultuan të gjitha sistemet e mëparshme që nga vija Marzhino deri tek lufta në Vietnam. Sipas literaturës së kohës, bunkerët shqiptarë ishin të aftë të përballonin të gjitha armët e kohës, por edhe armët kimike dhe bërthamore me fuqi deri në 20 kiloton. Prodhimi i bunkerëve nisi menjëherë dhe prova e parë e tyre u krye në vitin 1975 në Grykën e Këlcyrës dhe prova e dytë u krye në Peldhja të Sarandës në vitin 1976. Brenda bunkerëve u vendosën kafshë të gjalla dhe më pas nisi bombardimi i zonës me armët më të rënda që kishte ushtria shqiptare. Bunkerët i rezistuan bombardimeve dhe kafshët brenda mbijetuan. Pas këtyre provave, Byroja Politike  e kohës vendosi atë që njihet si bunkerizimi i Shqipërisë. Fortifikimi masiv që nisi në vitin 1975 dhe vazhdoi deri në vitin 1985, kur vdiq ish-diktatori Enver Hoxha.

art-bunkeri bunka-art-1 rama-bunkerart

Bunkerët, si “konflikt interesi”

Në përurimin pak ditë më parë të Bunk’Art-it të dytë në vend, pas atij të hapur dy vjet më parë pranë Tufinës, kryeministri Edi Rama e cilësoi muzeun e nëndheut të diktaturës komuniste si një dëshmi te gjallë dhe shlyerje detyrimi për gjithë viktimat e terrorit.

I gjendur nën “tytën” e akuzave të vazhdueshme, jo vetëm nga opozita por edhe nga ish-të përdnjekurit apo edhe një pjesë e shoqëerisë civile për risjellje nostalgjike të dhunës së të shkruarës përmes ngritjes së Bunkerit, Rama tha se kritikuesit duhet ta qepin gojën e të vizitojnë “veprën”. “Ky bunker është hyrja në të parin memorial, i konceptuar mbi themel kushtuar kujtimit me mendje, zemër dhe sy viktimave të terrorit komunist, ndaj kushdo që ka folur në hava e gratis se ky është një bunker për të risjellë në formë shprehje nostalgjie dhunën e të kaluarës përmes të qëndruarit të tij në sheshin sipër ka detyrimin moral të vijë dhe ta vizitojë dhe të qepë gojën përballë kujtimit të viktimave, të cilat për herë të parë në historinë e 25 vjetëve kanë një hapësirë tu flasin njerëzve direkt, jo mes të tretëve”- ka pohuar Rama. Në këtë argumentim të kryeministrit, i cili është ripërsëritur më parë edhe në inaugurimin e ngritjes së Bunkerit të parë, haset një gjuhë e drujtë përkundrejt kritikëve, ndërsa nuk mungon dëshira për ta vlerësuar nismën e qeverisë si shkallën më të lartë të mbështetjes për përvuajturit e kohës së komunizmit. Megjithatë edhe në këtë nismë, nuk mungoi përgjigja e kritikëve, të cilët me një dron fluturues përreth zonës së uinistrisë së Brendshme, ku ndodhet edhe Bunk’Art-i 2,  publikuan një banderolë ku shkruhej “Edvin Kristaq Rama kërko falje për vrasjen Havzi Nelës”. Ky i fundit ishte një poet disidentë që më 10 gusht 1988 u var në qytetin e Kukësit  dhe ku mes tre anëtarëve të presidiumit popullor që nuk firmosën faljen e dënimet me vdekje të tij ishte edhe Kristaq Rama. Por përtej këtyre argumentimeve nga kreu I qeverisë apo reagimeve nga pala kundërshtuese ( të cilat me raste mund të jetë edhe ekstreme), tek praktika e përzgjedhura nga qeveria për rikthimin e Bunkerëve si vepra arti hasen disa paqartësi.

Së pari duhet të nënvizohet elementi që mund të cilësohet si “konflikt interesi” në gjithë këtë diskutim. Partia Socialiste ( pavarësisht modernizimimit të saj dhe ndryshimeve radikale me komunistët) është  paasardhëse e PKSH-së. Dhe në këto kushte, ndërmarrja e iniciativave të tilla padyshim lë hapësira dyshuese për vërtetësinë e “kauzës”, sidomos tek ato grupime që ende sot e shohin këtë forcë si pasuese të koministëve.

Së dyti, qeveria është vënë në qendër të akuzave nga opozita edhe për dhënien e tenderit të kësaj vepre ndaj një kompanie që cilësohet si kliente e qeverisë. E njëjta kompani ka fituear tenderin si për Buk-Art nr 1 ashtu edhe për atë numër 2.

Së treti dhe që përbën edhe faktin me të cuditshëm të këij diskutimi është se administratori dhe “ciceroni” i të dy Bunk’Art-eve është një shtetas italian! Edhe pak ditë më parë kur kryeministri inaguroi muzen e tunelit antibërthamor pranë Ministrisë së Brendshme ( i cili u ndërtua në vitet ‘80 për të qenë zyra dhe streha e zyrtarëve, në rast sulmi), Rama shoqërohej nga administrator italian, i cili nuk nguronte ti rrëfentë të “ftuarve special” detaje nga i gjithë tuneli nëntokësor. E në fakt duket më shumë se e habitshme se si një shtetas italian mund të shkojë deri aty sa të rrëfejë për vuajtjet e shqiptarëve në regjimin komunist!

Ndërkaq përtej kësaj dinamike, vlen të theksohet se praktika e ndjekur nga qeveria me rikthimin e Bunkerëve në vepra arti ka hasur në kritika edhe përtej vendit. Kështu profesore Lori Amy i Universitetit Jugor të Xhorxhias rreth një vit më parë në një intervistë për “Zërin e Amerikës” theksoi se në Shqipëri, kujtesa për krimet e komunizmit po shtypet në mënyrë brutale. Profesore Amy, theksoi në atë kohë se bunkeri në qendër të Tiranës nuk mund të shërbejë si simbol i identitetit kombëtar apo si vlerë për popullin. “Si mundet që ai të konvertohet në simbol të identitetit kombëtar, pra në një mënyrë që të kthehet në vlerë për popullin? Dhe këtu ne nuk flasim thjesht për njerëzit që u burgosën ose që jetuan në kampe internimi. Këtu po flasim për një vend të tërë, i cili deri në vitin 1991 bënte manovra ushtarake për të mposhtur imperializmin. Këta bunkerë ishin pjesë e jetës së përditshme, që krijonin paranojën se “ne do ta mposhtim armikun”. Këtë simbolizonin bunkerët për të gjithë vendin.”. Më tej ajo anlizonte se,: “Fashizmi prodhoi vepra të bukura arti, por që ishin të dhunshme, si pjesë e një ideologjie që përjetësonte dhunën. Nëse kjo është një vepër arti, përsëri pyetja që shtrohet është: Çfarë kuptimi ka dhe çfarë simbolizon ajo? Mendoni se si u ndërtuan ata bunkerë. Ata u ndërtuan në kohën kur vendi nuk kishte bukë të hante. Është çmenduri kur e mendon. Deri në vitin 1991 njerëzit stërviteshin në këta bunkerë kundër armiqve, që, sidoqoftë, nuk mund të mposhteshin dot me kallashnikovë të vjetër në struktura betoni”.

Në të njejtën logjikë nuk mund të mos nënvizohet fakti se për të ndërtuar këto bunkerë janë dashur vuajtje e madje humbje jete të shumë punëtarëve të thjeshtë, të cilët shfyrtëzoheshin nga regjimi i kohës.

prof-lori-amy dejgja-e-bunkerit

Bunkerët, ylli dhe integrimi

Këto kohë në vend është ndezur fort debati lidhur me integrimin e vendit dhe se kush nga palët e do më shumë aspiratën evropiane. Nga njëra anë mazhoranca qeverisëse me në krye kryeministrin Rama akuzon PD-në dhe gjyqtarët se po pengojnë reformën në drejtësi e detyrimisht hapjen e neogictave të vendit me BE-në. Por opozita nënvizon se problem i mos hapjes së negociatave qëndron tjetërkund dhe lidhet sipas saj me shqetësimet për mos zbatimin e dekriminalizimit, problemet me kanabisin si edhe mos mbyllja e reformës zgjedhore. Përtej debateve politike, ka qenë një deklaratë e fortë e kreut të çështjeve evropiane në Bundestagun gjerman, deputetit gjerman Krichbaum, i cili rënditi 7 pritshmëri që sipas tij duhej të plotësoheshin për të arritur deri tek hapaja e nmegociatave. Madje ai e tha hapur se grupi parlamentar i CDU/CSU së kancelares Merkel do votjë kundër në Bundestagun gjerman për hapjen e negociatave të Shqipërisë, duke vënë theksin tek rëndësia e përmbushjes së këtyre  pritshmërive.

Por ndërsa vendimi përfundimtar për negociatat pritet të merret nga mesi i dhjetorit, duket se debati i “së shkuarës” do vazhdojë të dominojë edhe të “ardhmen”. Dhe pyetja që lind në këtë diskutim kaotik është: A do na japin një shtysë bunkerët në rrugën drejt integrimit?!

Pyetja më së miri i shtrohet retorikës së përditshme politike, e cila thuajse çdo investim, vepër, shtrim rruge, lyerje pallati, blerje mobiliesh, marrje borxhi, e cfarëdëo lloj veprimi tjetër pushteti e lidh me frazën e famshme: “Ky ishte një hap i domodoshëm në rrugën drejt integrimit të vendit”. Në këtë kontekst, mund të pyesim: A do na ndihmojmë bunkerët për tu anëtarësuar në Bashkimin Evropian?

Në këtë mes, një tjetër diskutim interesant që i shtohet kolazhit të debatit të mësipërm është edhe veprimi më i fundit i kryeministrit të vendit. Vetëm pak ditë më parë në kuadër të festave të 28 dhe 29 nëntorit, kreu i qeverisë azhornoi foton e tij të kopertinës në rrjetin social “facebook”. Deri këtu do thoni se ku qëndron lajmi, pasi kryeministri dihet që është i apasionuar pas rrjeteve sociale. Por ajo që ra në sy në këtë foto ishte fakti se krahas shqiponjës së vizatuar me dorë nga vetë kreu i qeverisë, mes dy numrave të festave të shënuara të vendit, kryeministri kishte vizatuar edhe një yll me pesë cepa. Ky i fundit dihet që është shenjë e partizanëve dhe nga njëra anë askush nuk e mohon kontributin e vyer të LANÇ në çlirimin e vendit. Por ajo që çalon në këtë çështje është vendosja e këtij ylli përkrah edhe festës së Pavarësisë së vendit, që lidhet me 28 nëntorin e 1912, ngritjes në Vlorë të flamurit kombëtar nga Ismail Bej Qemali.

I pyetur lidhur me yllin më mes dhe i akuzuar nga ndjekësit e tij në rrjetin social për shtrembërim historie dhe qëndrim të njëanshëm, kryeministri dha këtë përgjigje: “Ai ylli eshte shenja e atyre qe dhane jeten qe edhe ti Ermir te besh hihihihi hahahaha si njeri i lire ne vendin tend, ndersa ajo shqiponja eshte shkaba dykrenare e flamurit te pavaresise dhe 28 nentori eshte data e ngritjes se atij flamuri, kurse 29 nentori eshte data e çlirimit te ketij vendi! Dhe e gjitha eshte nje kartoline e bere me dore, per t’u uruar thjesht keto dy festa te medha kombetare, te gjithe miqve te ketij rrjeti, pa dallim feje, krahine e ideje. Mos i ngaterro as shqiponjen e atyre qe sollen pavaresine dhe as yllin e atyre qe u vrane per lirine tende, me askend e me asgje qe ne kohe te zymta i beri edhe shqiponjen edhe yllin, simbole te dhunes ideologjike kunder lirise se njerezve te ketij vendi…”.

Ky shpjegim i kreut të qeverisë, argumenton vetëm një pjesë të fotos, pra vendosjen e yllit në kuadër të festës së 29 nëntorit. Por kur urimi i kryeministrit është për të dyja festat, atëherë përfshirja e yllit bash në mes të dy datave simbolike kombëtare të vendit, duket i tepërt. Po ashtu edhe argumentimi i Ramës, sipas të cilit, shqiponja e vizatuar me dorë përfaqëson 28 nëntorin dhe ylli në mes të datave shënon 29 nëntorin, çalon në të gjitha drejtimet. Të paktën në këtë çështje, kryeministri nuk duhej të kishte luajtur me ngjyrat e “provokimit” dhe “artit kontrovers”.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here