Lëvizja e Kokëdhimës në Partinë Socialiste: “Katharsis”, revoltë apo furtunë në gotë uji

0
267

Ish-deputeti socialist , aktualisht anëtar i Asamblesë Kombëtare të kësaj force Koço Kokëdhima deklaroi dje se do të krijojë një lëvizje brenda rradhëve të selisë së purpurt e cila sipas tij do të luftojë për zgjedhje të lira dhe të ndershme së pari brenda Partisë Socialiste. “Jam socialist dhe jam i qartë në atë çfarë flas dhe do të shtroj pikëpamjet e mia. Mund të shtrohet pyetja se a mund të ndërtohet një lëvizje, e cila të jetë kundër establishmentit politik aktual? Në Shqipëri nuk bëhen zgjedhje të lira dhe të ndershme.

Ne duhet të kemi një sistem shumë të mirë elektoral, ku votimi të bëhet në mënyrë elektronike. Nëse do të vazhdojmë kështu siç jemi, asnjëherë nuk do të mbarojë korrupsioni në këtë vend. Nëse vazhdohet kështu, nuk do të mbarojnë përmbytjet dhe as problemet në këtë vend. Ka 25 vjet që përmbytet Vlora, sepse fondet publike nuk menaxhohen mirë. Unë them që ky realitet duhet të ndryshojë. Skenat e numërimit të votës është ndër skenat më të tmerrshme që ka Shqipëria… Funksionarët duhet të zgjidhen nga ana e anëtarësisë dhe jo nga ana e kryetarit. Deputetët, sot e kësaj dite i braktisin qytetarët, për shkak se ata punojnë për kryetarin e partisë, sepse ai i zgjedh.

Këta deputetë nuk janë zëri i bazës së partisë, por janë punëtorë, janë të bindurit e kryetarit. Mendoj se këto ide janë shumë të rëndësishme për progresin e vendit tone….Anëtarësisë së partisë nuk i duhet mohuar zëri, siç aktualisht ndodh në vend. Ajo parti që nuk pyet anëtarësinë, nuk është parti demokratike. Unë kam për të luftuar për të arritur këto standarde. Unë kam për të zhvilluar një lëvizje brenda Partisë Socialiste, që synon reformimin e saj dhe të arrihet që çdo anëtar të votojë.”, tha Kokëdhima duke bërë të ditur disa nga piketat kryesore të lëvizjes së tij në emisionin “studio e hapur”.

Duke ditur se Kokëdhima është një ndër socialistët me influencë të fortë në Jug të vendit por edhe me lidhje  për t’u marrë në konsideratë në Tiranë, pritet që lëvizja e tij në PS të kriojë disa pasojë. A do mund Kokëdhima të arrijë deri aty sa të krijojë katharsinin e tretë brenda PS-së? Apo do mundohet që me lëvizjen e tij të revoltojë të pakënaqurit me reformat dhe vendimarrjet aktuale të kryesocialistit e ndjekësve të tij të ngushtë Ruçi &Co? Apo mos ndoshta kjo lëvizje e Kokëdhimës do të rezultojë në fund vetëm një furtunë në një gotë uji, duke mos arritur asnjë rezultat?

Të gjitha këto pikëpyetje pritet të marrin përgjigje në ditët, javët e muajt në vijim, pasi Kokëdhima ka bërë të ditur se makinerisë së tij ( lëvizja e re) brenda PS-së do ja ndezë ingranazhet shumë shpejt. Mbetet për tu parë se sa forcë do ketë kjo makineri për të ecur përpara në rrugën e shtruar me asfalt të purpurt. Kjo duket se do jetë edhe beteja finale e Kokëdhimës brenda PS-së që pritet të ketë tre rezultate: arritja e rezultateve të lëvizjes mund ta ripërfshijë brenda rradhëve; lëvizja mund të krijojë një “pol” të ri brenda PS-së ; lëvizja mund të çojë në ndarjen përfundimtare mes Kokëdhimës dhe PS-së së Ramës.

Ndërkohë  i pyetur nga gazetarët lidhur me deklaratat e djeshme të Koço Kokëdhimës se do ketë lëvizje brenda Partisë Socialiste, ministri i Brendshëm Tahiri, njëkohësisht kryetari i PS-së së Tiranës u shpreh se: “Unë nuk kam shumë kohë për t’u marrë me llafe pazari. Unë po merrem me punë”./standard.al

 

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here