Prapaskenat e “ARMO”/ Anët e “errëta” të privatizimit, misteri që fshihet pas kompanisë

0
239

15050187_1274090892641232_577220210_n15050044_1274090849307903_1339182902_n

Shpërthimi në Drenovë

Shpërthen edhe një tjetër pus nafte. Reagon kompania: Ngjarja ndodhi nga ikja e energjisë

Lidhur me ngjarjen prokuroria ka nisur hetimet për veprën “shkelje të rregullave në punë”. Reagon Inspektorati Shtetëror Teknik: Nuk janë respektuar rregullat teknike të shfrytëzimit

Besar Bajraktaraj

Ngjarja e rëndë e cila ndodhi mbrëmjen e të enjtes nga shpërthimi në uzinën e naftës në Ballsh, ku si pasojë mbeti i vdekur një person dhe u plagosën 6 kolegët e punës ka pasuar edhe me një ngjarje tjetër të rëndë. Shpërthimi në rafinerinë e naftës u pasua edhe me shpërthimin e një pusi nafte në Drenovë të Mallakastrës. Banorët e zonës janë alarmuar nga shpërthimi, i cili ndodhi në Ballsh në uzinën e naftës. Nga shpërthimi i fuqishëm, sasi të mëdha gazi dhe nafte kanë vërshuar jashtë. Situata është ka vijuar të jetë problematike, pasi edhe zjarrfikësit nuk kanë mundur të ndërhyjnë për shkak të rrezikshmërisë së lartë. Shpërthimi  ndodhi pas shpërthimit të një valvule të pompës së hidrogjenit, e cila më pas u shoqërua edhe me flakë të mëdha. Pas shpërthimit uzina u përfshi nga flakët. Situata u vu nën kontroll me mbërritjen e zjarrfikësve nga Ballshi, Fieri, Tirana dhe Vlora. Në momentet e zjarrit, në uzinë ishin në turn 300 punonjës, të cilët u larguan me shpejtësi nga ambientet e punës. Pas ngjarjes së rëndë në vendin e ngjarjes shkuan Ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj si dhe ai i Energjetikës, Damian Gjiknuri. Në një prononcim për mediat, Gjiknuri tha se Inspektorati Shtetëror Teknik, Policia e Shtetit, të gjitha po kryejnë hetimet për të gjetur shkakun e kësaj ngjarjeje. Ministri tha se nga informacionet që kishte marrë, kemi të bëjmë me shpërthimin e një bombole tek reparti i hidrogjenit. Lidhur me këtë ngjarje dje ka reaguar edhe kompania e ku ndodhi shpërthimi, e cila ka fajësuar ikjen e energjisë si shkak i shpërthimit. Më pas ka reaguar edhe Inspektorati Shtetëror Teknik, i cili deklaroi se nuk janë respektuar rregullat teknike të shfrytëzimit. Lidhur me këtë ngjarje mësohet se prokuroria ka nisur edhe hetimet. Organi i akuzës po heton për veprën “shkelje të rregullave në punë”.

Shpërthimi në rafinerinë e Ballshit

Shpërthimi në rafinerinë e Ballshit ndodhi mbrëmjen e të enjtes rreth orës 21:30 në kohën kur edhe po ndërrohej turni. Ngjarja ndodhi në repartin nr.3 në seksionin 92. Ngjarja u shkaktua nga shpërthimi i një valvule të pompës së hidrogjenit e cila më pas u shoqërua edhe me flakë të mëdha, duke shkaktuar kështu një viktimë dhe 6 të plagosur. Të plagosurit u dërguan menjëherë në spital tek reparti i djegieve ku u mësua se të plagosurit u dërguan në reanimacion, ku dy prej tyre ndodhen në gjende të rëndë.  Shpërthimi në rafinerinë e naftës në Ballsh ndodhi gjatë kohës kur po ndërrohej turni. Kështu ka deklaruar zjarrfikësi që u erdhi në ndihmë të plagosurve, Gramoz Fejzo, por për fat të keq mbeti edhe vet i lënduar. Fejzo ka rrëfyer  momentet e vështira me të cilat iu desh të përballej gjatë operacionit të ndërhyrjes për ndihmë. “Shpërthimi në momentin që ndërroheshin turnet. Unë isha i pari që ju erdha në ndihmë. Shpërtheu bombola e hidrogjenit. Në momentin që ndodhi shpërthimi ishin 6 veta”, pohoi zjarrfikësi. Ndërkohë, drejtoresha e spitalit të Fierit, Brunilda Çami bëri me dije se në spital u paraqitën 6 të plagosur. “Në spitalin e Fier u paraqitën 6 të plagosur. 4 u dërguan në repartin e djegieve në Tiranë. një zjarrfikës u largua nga spitali pasi mori mjekimin”, tha Çami.

Prokuroria fillon hetimet pas shpërthimit

Prokuroria e Fierit ka nisur hetimet në lidhje me shpërthimin e ndodhur në uzinën e përpunimit të naftës në Ballsh ku humbi jetën 40 vjeçari Shkelqim Muça dhe u plagosën pesë te tjerë.

Hetimet janë përqendruar tek vepra penale e “shkeljes së rregullave të sigurisë në punë”, deri në përcaktimin e shkaqeve të vërteta të ngjarjes. Mësohet se fillimisht prokuroria ka urdhëruar që të kryhen të gjitha akt-ekspertizat teknike për të përcaktuar shkakun e vërtetë të shpërthimit, duke angazhuar një grup ekspertësh. Që prej orëve të parë të mëngjesit ka vijuar marrja në pyetje e punonjësve të plagosur si dhe drejtuesit e kompanisë. Ende nuk ka konfirmim për të ndaluarit, pasi prokuroria është në pritje të ekspertizës për të dalë më një konkluzion për ngjarjen. Burime nga grupi hetimor bëjnë me dije se akuzat e shkeljes së rregullave të sigurisë në punë është akuza e paraprake e nisur, ndërsa pritet konkluzionet e ekspertizave te shpërthimit për të përcaktuar përgjegjësitë e tjera ndaj drejtuesve të kompanisë. Në lidhje me ngjarjen ka reaguar Inspektorati Shtetëror Teknik dhe Industrial. Sipas konkluzionit të këtij institucioni, ngjarja ka ndodhur për shkak të mos respektimit të rregullave teknike të shfrytëzimit dhe gjatë vënies në punë të impiantit te hidropastrimit. Presioni i hidrogjenit është rritur 3 herë mbi normalen në mënyrë të menjëhershme dhe se nuk ka funksionuar valvola e sigurimit të pajisjes. Reagim ka patur edhe nga vete kompania e shfrytëzimit IRTC e cila ka përcaktuar si shkak ndërprerjen e paparalajmëruar të energjisë.

Reagon kompania ku ndodhi shpërthimi

Lidhur me ngjarjen e ndodhur të enjten, dje reagoi edhe kompania që administron rafinerinë ku ndodhi edhe shpërthimi i valvulës së hidrogjenit, duke shkaktuar 1 viktimë dhe 6 të plagosur.  Shoqëria IRTC u shpreh se shkak për incidentin e rëndë është bërë ndërprerja e paparalajmëruar energjisë, mosfunksionimi i linjës rezerve të energjisë, si dhe një gabim njerëzor gjatë rivënies ne punë të repartit të hidro­pastrimit. Me anë të një deklarate për mediat, IRTC shpreh dhimbjen dhe solidaritetin me familjarët për humbjen e parakohshme të njeriut të dashur dhe thotë se do të jetë pranë tyre në këtë moment të vështirë dhe do të bëjë gjithçka që është e mundur për ndihmuar ata për kaluar këtë fatkeqësi. “Rreth orës: 22:30, në Rafinerinë e Ballshit ka ndodhur një incident i izoluar për shkak të shpërthimit të një prej depozitave të hidrogjenit me një kapacitet rreth 40m3, dhe fatkeqësisht si pasoje e këtij incidenti ka humbur jetën një punëtor si dhe janë plagosur 6 të tjerë. IRTC shpreh dhimbjen dhe solidaritetin me familjarët për humbjen e parakohshme të njeriut të dashur dhe bashkëpunëtorit tone të vyer për shkak të këtij incidenti. IRTC do të jetë pranë tyre në këtë moment të vështirë dhe do të bëjë gjithçka që është e mundur për ndihmuar ata për kaluar këtë fatkeqësi. Ky incident është shkaktuar nga ndërprerja e paparalajmëruar energjisë (çuditërisht është ndërprere 2 here brenda tre ditëve), mosfunksionimi i linjës rezerve te energjisë si dhe për shkak të një gabimi njerëzor gjate rivënies ne punë të repartit të hidro­pastrimit.  Incidenti ka prekur vetëm një depozitë hidrogjeni me një kapacitet rreth 40m3, e cila përdoret vetëm në rast e rivënies në punë të këtij reparti. Rafineria është rikthyer në funksion të plotë pas izolimit të këtij incidenti fatkeq të cilin do ta trajtojmë me solidaritetin dhe në respekt të plotë të të gjitha kërkesave ligjore dhe dinjitetit të punës dhe jetës. Duam të falënderojmë të gjithë punonjësit për punën dhe sakrificën e jashtëzakonshme për izolimin e incidentit në një kohe shumë shkurtër. Jemi të angazhuar të garantojmë siguri të plotë gjate ushtrimit të aktivitetit në rafineri në përputhje me standardet dhe praktikat me te mira”, thuhet në reagimin e kompanisë.

ISHTI: Nuk janë respektuar rregullat teknike të shfrytëzimit

Lidhur me ngjarjen e rëndë ku humbi jetën një punëtor i rafinerisë së naftës në Ballsh dhe u plagosen edhe 6 të tjerë ka reaguar edhe Inspektorati Shtetëror Teknik. Sipas ISHTI-së, ngjarja ndodhi gjatë vënies në punë të impiantit të hidropastrimit të karburanteve, pasi nuk ishin respektuar rregullat teknike të shfrytëzimit. “Ngjarja në impiantin e hidropastrimit të karburanteve për shkak të mosrespektimit të rregullave teknike të shfrytëzimit. Ngjarja gjatë procesit të manovrimit për vënien në punë të separatorit të presionit të ulët. Ngjarja ka ndodhur gjatë vënies në punë të impiantit të hidropastrimit. U rrit presioni me hidrogjen 3 herë mbi normalen. Presioni i punës së pajisjes u rrit ne mënyrë të menjëhershme dhe nuk funksionoi valvula e sigurimit të pajisjes që bën mbrojtjen e saj. Konkluzionet e ISHTI-t për ngjarjen do ti vihen ne dispozicion Prokurorisë për kryerjen e hetimeve prej saj. Do jete prokuroria ajo e cila përmes hetimeve do te zbardhe plotësisht ngjarjen.”, pohohet në reagimin e ISHTI-së.

download download-1 download-2

Ngjarja në Ballsh

Një i vdekur dhe 6 të plagosur, mjekët: 4 pacientë me 40% djegie, dy në reanimacion

Dëshmitarët në vendin e ngjarjes janë shprehur se që në mëngjesin e së enjtes kishin folur për valvulën e prishur, ndërsa ngjarja kishte ndodhur gjatë ndërrimit të turnit

PD: Privatizimi i ARMO-s klientelist. PS: Opozita përdor ngjarjen për kapital politik

Një shpërthim i fuqishëm ka ndodhur në një uzinë përpunimi nafte në Ballsh të Fierit. Ngjarja ndodhi rreth orës 22 00 të mbrëmjes së enjtes 10 nëntor,  duke shkaktuar një i vdekur, 6 të plagosur. Viktima është Shkëlqim Muça 40 vjeç, baba i 5 fëmijëve, ndërsa të plagosurit janë dërguan  në spitalin e Fierit ku kanë marrë mjekimin e parë dhe më pas janë transportuar për në repartin e djegie plastikës në Tiranë. Sipas dëshmitarëve në vendin e ngjarjes shkak i kësaj ngjarje ka qenë shpërthimi i valvulës së pompës së hidrogjenit që është shoqëruar me flakë të mëdha. “Shpërtheu në moment, nuk kishte shenja, ishte e papritur. Nxorëm një viktimë atje, nga zjarri nga gazi nga hidrogjeni. Ishin 6 veta që po ndërronim turnin” tha dëshmitari. Pra sipas dëshmitarit shpërthimi ka ndodhur gjatë ndërrimit të turnit, ndërsa punonjësit e kësaj uzine bënë të ditur se më herët gjatë ditës së djeshme kishin shprehur ankesa për problemet që shfaqte valvula. “Në mëngjes folëm për valvulën e prishur”, tha ndër të tjera dëshmitari. Shpërthimi i parë, sipas dëshmisë së naftëtarëve, ka ndodhur në vitin 1984 dhe deri në vitin 2016 në aksidentin  e fundit kanë ndodhur 4 shpërthime. Punonjësit e vlerësojnë si një nga sektorët më me risk pasi bëhet pastrimi i naftës me hidrogjen.

Gjendja e pacientëve, mjekët:  4 të plagosur në QSUT me 40% djegie

Ndërsa sa i përket të plagosurve nga shpërthimi në rafinerinë e Ballshit  katër prej tyre po trajtohen në shërbimin e djegie plastikë në QSUT. Sipas shefit të shërbimit Gjergji Belba, djegiet janë në kokë dhe trup në masën 40%. Me e rëndë paraqitet gjendja për dy nga pacientët më të moshuar. 2 nga pacientët 65 vjeçar Viktor Proska dhe Aleks Tupe, të pa favorizuar nga mosha janë në gjendje më të rënduar shëndetësore dhe ndodhen në reanimacion, ndërsa 2 pacientët e tjerë Fatos Bushaj dhe Kovac Pashaj 44 vjeç dhe 53 vjeç paraqiten në gjendje më të stabilizuar. Shefi i Shërbimi Gjergji Belba u shpreh se pacientët kanë një shkallë djegie në trup dhe kokë në masën 40%. “ Djegiet janë në sipërfaqe 40%, 2 i kemi problematikë sepse është mosha e tyre rreth 65 vjeç dhe duan një kujdes më të madh. Por për prognozë shpresojmë që të jetë e zgjidhur dhe të bëhen mirë. Themi që ta përballojmë situatën, do të ndiqen ditë për ditë. Djegiet janë në kokë, fytyrë dhe duar. Dy të tjerët janë të moshës 44 vjeç, tjetri 53 dhe e përballojnë situatën” tha Mjeku.  Nga ana tjetër I pranishëm në QSUT ishte edhe ministri i Shëndetësisë Ilir Beqaj  ku tha se gjendja është e qëndrueshme. “ Ngjarja e rëndë, ka edhe një fatalitet. I shpreh ngushëllime familjes. Edhe të plagosurit kanë marrë kujdesin shëndetësor. Dua të falënderoj trupat mjekësor në Mallakastër, Fier dhe këtu në Tiranë që në kohë optimale pasi kanë dhënë ndihmën e parë i kanë sjellë në QSUT. Për momentin gjendja është e qëndrueshme. Këtu po marrin mjekimin dhe spitali i ka të gjitha ato që i dihen për këtë trajtim” tha Beqaj. Ndërsa një nga të plagosurit i cili është shtruar në QSUT zjarrfikësi tregoi përpjekjet për të shpëtuar 6 punonjësit e turnit, por për fat të keq kjo ngjarje ka rezultuar fatale për 40-vjeçarin Shkëlqim Muça. “ Shpërthimi ishte i papritur, nxorëm një viktimë nga zjarri, gazi, hidrogjeni. Një nga naftëtarët me një eksperiencë 30 vjeçare në rafinerinë e naftës tregon se sektori i hidropastrimit të karburanteve ka qenë probelamatik ndër vite dhe kanë ndodhur aksidentet të tilla fatale” tha zjarrfikësi.

Mallakastër, ju dha lamtumira naftëtarit që  vdiq nga shpërthimi i rafinerisë

I është dhënë lamtumira 42 vjeçarit Shkëlqim Muça, punonjës i Kombinatit të Përpunimit të Thellë të Naftës në Ballsh, i cili u përcoll mes lotësh për vdekjen e papritur, në banesën e fundit. Miqtë dhe të afërm të naftëtarit që prej të paktën 20 vitesh punonte në rafinerinë e përpunimit të thellë të naftës në Ballsh, teksa kanë ngushëlluar të afërmit, kanë shprehur shqetësim për 5 fëmijët e mitur të tij të mbetur jetim. Më herët viktimës Shlëqim Muça i kishte vdekur edhe bashkëshortja, ndërkohë që ai ishte burimi i vetëm i të ardhurave në familje” thanë familjarët.

Shpërthimi në Ballsh, një prej të plagosurve dilte dje në pension

Viktor Poska është një ndër të lënduarit nga shpërthimi në rafinerinë e përpunimit të naftës në Ballsh. Teknolog në profesion, Proska ka kaluar 40 vjet të jetës së tij duke punuar në një nga sektorët më të rrezikshëm në rafinerinë; në impiantin e hidropastrimit të karburantëve. Në jetën e tij ka kaluar mbi aksidente të ndryshme në punë, në rafinerinë e naftës që i ka mbijetuar dekadave pa investime të mirëfillta siç thonë dëshmitarët. Viktori ka lindur në 10 nëntor të vitit 1951, një ditë më parë ka festuar datëlindjen e tij të 65-të dhe do të dilte ne pension pasi të linte turnin e punës; që do të ishte me tragjiku për të. Për 10 minuta, Viktor Proska do të festonte dalje në pension pas 4 dekadash pune mes forcove fizike dhe vështirësive; por këto minuta ka qenë fatkeqe për të dhe familjen e tij.

basha-7

PD: Privatizimi i ARMO-s klientelist. PS: Opozita përdor ngjarjen për kapital politik

Shpërthimi në uzinën e naftës në Ballsh,  bëri që politikanët e vendit të mblidheshin dje në QSUT. Kreu i Partisë Demokratike Lulzim Basha, zëvendës kryeministri Pleshi,  ministri Beqaj, ministri Klosi etj,  vizituan dje 4 të plagosurit që janë të shtruar në repartin e djegies në QSUT. Basha hodhi dyshime mbi privatizimin e kompanisë ARMO, duke e quajtur atë klientelist. Por pasi dolën nga vizita që u bënë të plagosurve përfaqësuesit e  Partisë  Demokratike  nga njëra anë dhe ata të  mazhoranca nga ana tjetër  kanë shkëmbyer akuza të ndërsjellta për ngjarjen e ndodhur në rafinerinë e naftës në Ballsh. Partia Demokratike  hodhi dyshime se privatizimi i rafinerisë është bërë në mënyrë klienteliste, ku nuk zbatohet asnjë masë për sigurinë në punë. Ndërsa zv/kryeministri Peleshit tha se opozita e përdor ngjarjen thjesht për kapital politik.Pasi lanë dyert e spitalit ku vizituan 4 të plagosurit e ngjarjes së Ballshit, kryetari i opozitës Lulzim Basha dhe zv/kryeministri Niko Peleshi u përplasën me akuza për privatizimin e rafinerisë dhe kushtet e punës në të. Demokrati Basha shprehu dyshimet se privatizimi i rafinerisë është bërë në mënyrë klienteliste dhe nuk janë marrë masat për të zbatuar kushtet e sigurisë në punë. “Kemi dyshime të mëdha për përfitimet e jashtëzakonshme dhe ku shkojnë këto përfitime, se qartësisht nuk kanë shkuar për të përmirësuar sigurinë në një uzinë që kishte 6 muaj pa u ndezur. Kemi dyshimet tona të mëdha për sa i përket shfrytëzimit pa asnjë kriter të krahut të punës, të naftëtarëve. Kemi përgatitur prej dy javësh një kërkesë për një komision hetimor për këtë çështje. Ngjarja e sotme e kthen me forcë në vëmendje të opinionit publik domosdoshmërinë për zbardhjen e kësaj afere” tha Basha. Ndërsa zv/kryeministri, Niko Peleshi, pasi i shprehu ngushëllimet familjes së viktimës, tha se politikanët i shfrytëzojnë fatkeqësi të tilla për kapitale politike. “Kjo është një ngjarje që nuk do të lihet pa u hetuar, kanë filluar hetimet. Informacionet e para janë për një aksident, por ne nuk nxitojmë që të japim konkluzione, të shpallim fajtor dhe të kapitalizojmë siç mund të bëjnë të tjerët mbi ngjarjet e rënda” tha Peleshi. Ndërsa ministri i shëndetësisë Beqaj në lidhje me akuzat e Bashës për dyshime  mbi sigurinë në punë,  tha:  “Unë kam qenë i përqendruar tek ana mjekësore, ka një grup hetimor nga prokuroria që ka filluar hetimet por kryetari i opozitës e ka zakon t’ja futë kuturu, ai do ta shfrytëzojë për politikë është zgjedhja e tij”. Por në fund si Partia Demokratike po ashtu dhe mazhoranca garantuan se do të ndjekin në vijimësi çështjen dhe do të qëndrojnë pranë familjes së viktimës, të lënduarve dhe naftëtarëve.

armo-drejt-rishtetezimit-rafineria-e-mbytur-ne-borxhe-620x330 armo

Anët e “errëta” të privatizimit të ARMO-s, misteri që fshihet pas kompanisë

Askush nuk e njoftoi pronësinë e re të së vetmes kompani që përpunon naftën në Shqipëri. Konsorciumit që ka marrë në dorë ARMO-n, nuk ja di askush origjinën e pronarëve të saj

Historia e degradimit të ARMO-s, shoqërisë së vetme shqiptare të përpunimit të naftës nisi që pas privatizimit të saj nga Historia e Rezart Taçi me një vlerë prej 128.7 milion euro në vitin 2008. Borxhet e mëdha të krijuara ndaj bankave, tatimeve dhe furnitorëve bën që kjo kompani të ndërronte duar me një marrëveshje të në shkruar në gushtin e 2013-ës me një kompani azere të  quajtur Heaney Assets Corporation. Kjo kompani pagoi 35 milion euro për aksionet e Taçit në AMRA Oil, duke kontrolluar 85 përqind të ARMO-s. Ndërkohë pjesa tjetër e aksioneve mbeti në duart e qeverisë shqiptare. Po ashtu dokumentet e QKR tregonin se Heaney Assets kishte paguar edhe rreth 15 milion euro për disa nga firmat e tjera të Taçit si Europetrol, Taçi Oil dhe Kuid.

Të dhënat e bilancit të dorëzuar nga kompania për vitin 2013 flasin për të ardhura minimale dhe humbje tepër të mëdha, që janë dyfishuar, si rrjedhojë e zhvlerësimit të aseteve të kompanisë. Sipas të dhënave të raportuara në bilanc, të ardhurat e ARMO-s për vitin 2013 ishin 3.34 miliardë lekë (rreth 24 milionë euro), me një rënie prej 43% me bazë vjetore. Humbjet e kompanisë ishin tepër të mëdha, duke arritur në total 48 miliardë lekë (apo 344 milionë euro), nga 12 miliardë lekë që kishin qenë në vitin 2012. Humbjet operative u dyfishuan nga 11 miliardë lekë në 23 miliardë lekë në 2013-n, si rrjedhojë e rënies në vlerë të aktiveve financiare, shpenzimeve për provigjine dhe të tjera. Ndërkohë goditjen përfundimtare kompania e mori nga rivlerësimi i pronës, që i shkaktoi një humbje prej 24 miliardë lekësh, duke e dyfishuar humbjen në total. Në këtë formë Azerët e  Heaney Assets Corporation hoqën dorë nga pronësia në uzinën e përpunimit të thellë të naftës, ARMO, pavarësisht se, aktiviteti me ardhjen e tyre ishte trefishuar. Azerët nuk mundën të përmirësojnë situatën e trashëguar të borxheve në kompani, ndaj të ndodhur nën sekuestron e organeve tatimore dhe kompanive të tjera vendosën që të largohen.

Prej një kohe të gjatë kompani mbeti në formë gjysmake, duke hasur në probleme edhe më të mëdha. Në fillim vitin e 2016, ish-kryeminiitri Berisha duke ju referuar investigimit në media deklaronte se kryeministri Edi Rama, biznesmeni Besnik Sula dhe ministri Damian Gjiknuri kishin vjedhur 23 milionë euro nga Albpetrol. “U shitën 255 mije ton nafte me çmim 20% me lire sesa çmimi i burses. Cmim me te cilin shiste naften e vet Bankers Petroleum, duke bere keshtu qe kompania shteterore te fitonte 105 milione euro dhe jo 128 milione euro saç fitonte me shitjen e te njejtes sasi Bankers. Keshtu, Albpetrol ka humbur 23 milione euro nga shitja e naftes”, do të pohonte Berisha në atë kohë.

Ndërkohë më 1 shtator 2016 kompania Bankers Petrolium njoftoi zyrtarisht rikthimin në punë të rafinerisë së naftës ARMO, pas bllokimit disa mujor të saj për shkak të borxheve të mëdha që kishte akumuluar ndaj kreditorëve. Një shoqëri e quajtur Jonian rifajnin and Trejding company e regjistuar në bazë të ekstraktit të qendrës kombëtare të biznesit në ishujt Virgin, ishte ajo që premtoi rikthimin në punë të ARMO-s, duke shfrytëzuar përpunimin e naftës bruto në vend e më pas shitjen e saj në tregun shqiptar. Njoftimit i para dy muajve i Bankers fliste për një marrëveshje me shoqërinë offshore të regjistruar në QKB me 13 Qershor dhe ku në tremujorin e katërt do të niste shitja e 65 përqind të naftës tek rafineria vendase. Sipas marrëveshjes paratë do ti paguheshin kompanisë në avancë, ndërkohë që çmimi do bazohej në atë të eksportit, duke zbritur kostot e transportit dhe tarifat portuale.  Në fund të tremujorit të parë të 2016-s, detyrimet e Kompanisë “ARMO” ishin 595 milionë dollarë ose sa 5% e Prodhimit të Brendshëm Bruto të vendit.

Kompania e re dhe dyshimet

Vetëm pak ditë më parë në “standard” u botua analiza investiguese me titull  “ARMO fillon punë, po kush e vuri në punë”. Në këtë shkrim theksohej se pa dhënë asnjë sqarim se çfarë po ndodh në të vërtetë me rafinerinë e vetme të përpunimit të naftës në Shqipëri, qeveria shqiptare prezantoi investitorët e saj të rinj në një terr të plotë informativ. Nuk u shpjegua se çfarë ka ndodhur në të vërtetë me pronësinë e saj, si do të shlyhen detyrimet e kompanisë dhe çfarë zgjidhjeje do t’u jepet borxheve tatimore. Nuk ka ndodhur asnjë ndryshim në marrjen e aseteve nga përdoruesit e saj, ata vetëm po shfrytëzojnë këtë pasuri pa pasur asnjë kontratë të nënshkruar mbi vlerën e investimit dhe dhënien e borxheve, por vetëm premtime mediatike. Harry Seargent, i cili u prezantua si përfaqësues i grupit investitor, rezulton si një person, i cili ka mashtruar në marrëveshje tregtare në çështjet e naftës vetë ushtrinë amerikane. Në çdo artikull, në krah të tij del si bashkëpunëtor i afërt Mustafa Abu Nabaá, i cili është kreu i Këshillit Drejtues të kompanisë që po shfrytëzon ARMO-n”, thuhej  në shkrim.

Askush nuk e njoftoi pronësinë e re të së vetmes kompani që përpunon naftën në Shqipëri. Ionian Refining and Trading CO është konsorciumi që ka marrë në dorë ARMO-n, por askush nuk e di origjinën e pronarëve të saj. Qeveria nuk vonoi të tregonte menaxhimin e ri prej një firme amerikane, por dokumentet e kompanisë rezultojnë se ajo është themeluar në ishujt Virgin. Një bastion i palëkundur i mbretërive të fshehta financiare, ku fshehin paratë e pista qindra pushtetarë nga mbarë bota. Në datën 8 qershor, kompania Ionian Refining and Trading CO u regjistrua në Qendrën Kombëtare të Biznesit. Disa ditë më pas, dy degë të kësaj kompanie, me të njëjtin emër, hapin dy NIPT-e të tjerë për të bërë aktive kompaninë dhe në fusha të tjera. Fusha e zgjerimit të saj është shitblerja e pasurive të patundshme, përpunimi i lëndëve hidrokarbure dhe gazit dhe tregtimi i karburanteve.

Lajmin për ndryshimin e pronësisë së ndërmarrjes së vetme të përpunimit të naftës e dha përmes një njoftimi për shtyp kompania koncesionare e prodhimit të naftës në Patoz-Marinëz, Bankers Petrolium. Në mënyrë të tërthortë, Bankers njoftonte një marrëveshje të nënshkruar me firmën IRTC sh.a., ku do t’i jepte një pjesë të prodhimit për rafinimin e naftës dhe nënprodukteve të saj në uzinën e Fierit dhe Ballshit, rrjedhimisht ARMO-s. Të frikësuar nga detyrimet që kjo kompani mund të krijonte karshi saj, Bankers u kujdes që të marrë garanci për lëndën që do t’u shesë menaxherëve të rinj të ARMO-s, e cila nuk është pak, por 65% e prodhimit të saj.

Por ka qenë një këmbëngulje e qeverisë për të mundësuar këtë marrëveshje, në mënyrë që të vijonin punën punëtorët dhe rafineria të mos amortizohej tërësisht. Kanadezët nuk do t’ia shesin më shtrenjtë naftën konsorciumit të ri, por çmimi do të jetë i njëjtë me atë të eksportit duke zbritur kostot e transportit. Megjithatë askush nga qeveria nuk dha asnjë informacion lidhur me ndryshimin e shfrytëzuesve të rinj të ARMO-s. Ministria e Zhvillimit Ekonomik, Tregtisë dhe Turizmit është pronare e rafinerisë me 15% të aksioneve, po ashtu Ministria e Energjisë dhe Industrisë është përgjegjësja për ecurinë e rafinerisë, dhe e vetmja që dha një informacion të paplotë ishte ajo e Financave. Ministri i Financave nuk vonoi të shkonte në këtë rafineri dhe të jepte lajmin e mirë për ata që do të rinisnin punën. Hapja e rafinerisë ka në vetvete disa lajme të mira, jo vetëm për ekonominë shqiptare, por edhe për familjet tuaja dhe investitorët, të cilët dëshiroj t’i falënderoj që bënë të mundur rihapjen e rafinerisë dhe kthimin në punë të 1200 punëtorëve”, ka pohuar Ahmetaj.

Një kompani me një kapital aksioner prej 35 mijë dollarësh ka tashmë në përdorim rafinerinë e ARMO-s, madje përfaqësuesi i saj është zotuar se firma do të zgjidhë edhe problemet me palët e treta, të cilat nuk janë të pakta… “Jemi shumë entuziastë për rifillimin e punës së rafinerisë së madhe dhe që rikthyem të gjithë këta njerëz në punë në këtë industri. Doja të thoja që kjo ka qenë një çështje shumë e komplikuar, por pas operacioneve me bankat ne blemë kreditë dhe me disa investitorë të tjerë amerikanë. Ne kemi mbështetjen e qeverisë për të zgjidhur disa çështje të komplikuara që kanë mbetur dhe për të rivënë në jetë uzinën”, është shprehur në një deklaratë për mediat Harry Seargent, përfaqësues i kompanisë që po administron ARMO-n.

Me një këshill drejtues të përfaqësuar nga tre persona, Kompania IRTC ka zgjedhur në krye të saj një shtetas dominikan të lindur në Jordani për të qenë kryetar i Këshillit Drejtues të saj. Në statut, kompania kujdeset të shpjegojë se në aktivitetin e saj nuk e përjashton mundësinë e dhënies dhe marrjes me qira të pasurive të paluajtshme, edhe pse qëllimi kryesor është rafinimi i lëndëve hidrokarbure. Kjo pikë e rëndësishme e statutit, vendos një pikëpyetje të madhe për qëllimin e vërtetë të investitorëve të rinj, të cilët nuk përjashtojnë mundësinë e dhënies në përdorim të aseteve që kanë në palë të tjera. Po ashtu, vetë Bankers Petrolium nënvizonte që marrëveshja për të shitur lëndën që nxjerr nga nëntoka shqiptare zgjat deri në fund të vitit të ardhshëm.

Fondet

Askush nuk e di se cila është vlera e parave që administratorët e rinj paguan për të marrë në përdorim asetet e ARMO-s. Ministria e Zhvillimit Ekonomik, Tregtisë dhe Turizmit si pronare e 15% të aksioneve të kompanisë nuk ka kthyer përgjigje ndaj pyetjes se a është në dijeni për zhvillimin e një transaksioni shitjeje apo dhënie në përdorim të rafinerisë ARMO sh.a., si pronare e saj me 15% të aksioneve.

Sipas ligjit, përsa kohë që ARMO konsiderohet një sektor strategjik, ndryshimi i pronësisë nuk mund të bëhet dot me vënie sekuestro nga përmbarimi (i cili ka siguruar një vendim gjykate për vënien e sekuestros nga ana e bankave). Dy nga bankat që operojnë në Shqipëri, Credins dhe Raiffeisen, kanë kërkuar të marrin uzinën e Fierit dhe Ballshit me qëllim ekzekutimin e kredisë respektivisht prej 18 dhe 27 milionë dollarësh që ARMO mori në vitet e para të privatizimit, por edhe pse e kanë këtë të drejtë, askush nuk është interesuar për të blerë këto rafineri. Arsyeja është thjeshtë: ato nuk mund të jenë pronare të një sektori strategjik pa vendosur më parë Këshilli i Aksionerëve.

Por çfarë ka ndodhur në të vërtetë? Shoqëria përmbarimore EPSA ka depozituar urdhrat e sekuestros së rafinerisë dhe po ashtu ka tentuar të zhvillojë ankande për shitjen e aseteve të kompanisë, por askush nuk ka dhënë një ofertë për të blerë në asnjë prej ankandeve të zhvilluara. Bankat në fakt nuk kanë shitur asnjë aset të ARMO-s. EPSA në 19 shkurt dhe 23 mars zhvilloi dy ankande për llogari të Bankës Raiffeisen ndaj së cilës kompania ka një kredi të pakthyer prej 2.8 miliardë lekësh ose 20 milionë eurosh. Të dy ankandet dështuan. Me anë të dakordësisë së qeveritarëve, kompania offshore ka marrë miratimin e administratorit të shoqërisë për të përdorur asetet dhe për të rivënë në punë rafinerinë kundrejt shlyerjes së pagave të punonjësve dhe kryerjes së një investimi për përmirësimin e gjendjes së saj jo më të madh se 15 milionë dollarë. Pra, ARMO nuk është shitur por vetëm po shfrytëzohet nga një kompani e huaj, por se çfarë vlere po paguan si qira, askush nuk di ta thotë.

Detyrimet

Kompania audituese Deloitte ka audituar bilancin e ARMO-s të vitit 2013. Audituesi pa të gjitha bilancet në vite dhe gjeti mosrakordime shifrash në vlera të konsiderueshme. Rezultoi që kompania në katër vite kishte falsifikuar inventarët duke shmangur pagesën e taksave, por këtë aksionerët e rinj që blenë rafinerinë në gusht të 2013-s e konstatuan shumë vonë. Në bazë të rivlerësimit që u bë në bilancet e ARMO-s, detyrimet tatimore të shtyra arritën në 73 milionë dollarë. Sot kompania numëron këto detyrime në administratën shtetërore: 54 milionë dollarë janë tatim i shtyrë në vite, i cili është krijuar përpara vitit 2012, çka bën që të përfitojë nga amnistia fiskale. Ky detyrim është ulur për shkak të pagesës që kanë bërë pronarët në këtë periudhë. Por pavarësisht shlyerjes së tyre, kompania ka krijuar detyrim të ri prej 25 milionë dollarësh ndaj Drejtorisë së Doganave dhe 5 milionë dollarë ndaj tatimeve. Në total shuma e borxhit të saj ndaj buxhetit shkon në 85 milionë dollarë.

Por historia e borxheve nuk ndalet me kaq! Mbi ARMO-n janë depozituar deri më sot 33 urdhër sekuestro, të cilat e bëjnë të pashmangshëm ekzekutimin e tyre. Një tjetër “pre” e rafinerisë është edhe shoqëria shtetërore Albpetrol, që ka një histori të gjatë konfliktesh gjyqësore për naftën e papaguar, që datojnë që nga viti 2012.

 

Dy periudhat e mëdha të privatizimi në Shqipëri

Shqipëria ndahet në dy periudha përsa i përket privatizimeve , vitet 1990-1999 ku kryesisht u privatizuan ndërmarrjet e vogla e të mesme dhe periudha 2000-2010 e cilësuar si bumi i privatizimeve . Në vitet 2000 ( privatizimi i bankës tregtare kombëtare ) , 2004 (privatizimi i bankës së kursimeve ), 2007 (privatizimi i ALBtelekomit ) , 2008 (ARMO) , 2009 (Operatori i Shpërndarjes së Energjisë ).

download-3

Historiku i privatizimit të Albpetrol

Patos-Marineza është fusha më e madhe naftëmbajtëse e Shqipërisë e cila përfaqëson rreth 85% të burimeve të nëntokës vendase dhe konsiderohet si një nga rezervat më të mëdha të nëntokës në Europë. Për herë të parë u fol për privatizim në vitin 1993 ku qeveria e asaj kohe hyri në negociata me kompaninë angleze “Premier Oil” dhe një vit më vonë u lidh marrëveshja për Patos-Marinzën. Kompania Albpetrol dhe kompania angleze Premier Oil krijuan një ndërmarrje te përbashkët të quajtur Anglo-Albanian Petroleum.Në vitin 1998 këtë projekt e mbështeti edhe banka botërore duke e financuar e duke hyre si aksionere.

Por në Mars të vitit 2004 kompania Premier Oil vendosi të largohej papritur nga Shqipëria.

Pas një muaji vjen kompani e re, “Sakson Energy International”, ku vendi i origjinës së saj ishte ishujt Ceimen. Personi i autorizuar për marreveshjen Richard Ëadsëorth i ishte një prej manaxhereve të kompanisë Premier Oil në vitin 2001 dhe nga viti 2001-2004 ai ishte drejtor i projektit të zonës së Patos-Marinzës. Pas tre vitesh kompania ndryshoi emer nga Sakson në Bankers Petroleum ,të njëjtë me kompaninë mëmë në Kanada.  Ndërsa në kontratën e vitit 1994 me Premier Oil, ndarja e Prodhimit të naftës ishte në raportin: 15% Albpetroli dhe 85 % Premier Oil  në kontratën me kompaninë Saxon(Bankers) në vitin 2004 kompania shtetërore Albpetrol nuk merrte më 15 përqind në ndarjen e naftës bruto. Kontata kishte nje tjeter klauzole qe ne momentin e nenshkrimit ,ku thuhet se per sa kohe kompania nuk mbulon koston e investimeve ajo shmanget nga taksimi , pra tatim fitimi per te ishte zero .

Ndërkohë me ardhjen e qeverisë së majtë marrëdhëniet me Bankers u përkeqëesuan së tepërmi. Konflikti midis qeverisë shqiptare dhe Bankers Petroleum Ltd nisi pasi Drejtoria e Përgjithshme e Tatim Taksave, konstatoi pak kohë më parë se kompania kanadeze i detyrohej shtetit shqiptar 75 milionë dollarë taksa të pa paguara. Me këtë rast Gjykata e Apelit mori vendim që të bllokonte këtë shumë nga llogaritë e kompanisë. Por menjehërë Bankers Petroleum Ltd kërkoi një pezullim të këtij akti nga Dhoma Ndërkombëtare e Tregtisë. Sipas kompanisë kanadeze edhe pse Gjykata e Arbitrazhit nxori urdhër që autoritetet shqiptare të zhbllokojnë llogaritë e saj, ato nuk po e zbatojnë. Ndërkohë qeveria shqiptare deklaruar se do ta kalonë cështjen në arbitrazh ndërkombëtar dhe kështu bëri. Por qeveria dhe përkatësisht Agjensia Kombëtare e Burimeve Natyrore humbi betejen ligjore me kompaninë kanadeze prodhuese të naftës, “Bankers Petrolium”. Audituesit ndërkombëtar “Price Waterhouse Cooper” dhe “Navigant” pak kohë më parë me vendimin e tyre i dhanë të drejtë kompanisë Bankers, duke rrëzuar pretendimet e ngritura nga pala shqiptare. Vendimi e detyroi qeverinë shqiptare ti kthente kompanisë 37 milionë dollarë, vlerë që ajo ka derdhur deri me tani, nga fatura totale 57 milion dollarë që qeveria shqiptare pretendonte ti arkëtonte.

Kompania ARMO s’ka asnjë bilanc, nuk dihet asgjë për shoqërinë që e privatizoi

Pak kohë më parë emisioni investigativ “STOP” solli në vëmendje Kompaninë e naftës, “ARMO” dhe misterin që fshihej pas saj. Ish- ministri i Ekonomisë Zef Preçi në një intervistë hidhte dritë mbi këtë mister, duke shpjeguar problematikën e këtij privatizimi dhe vënë në pah disa pika të errëta . “Dihet që menaxhimi i kësaj prone publike pas privatizimit është bërë në mënyrë grabitqare. Gjatë tre viteve të fundit nuk ka një bilanc të kësaj kompanie. Kjo kompani është ndër borxhlinjtë më të mëdhenj në banka, pra zë një peshë të rëndësishme në kreditë e këqija. Po kështu dihet se kjo kompani zë një peshë shumë të rëndësishme në detyrimet fiskale të papaguara, por ndërkohë nuk është sqaruar as burimi i kapitalit të zotëruesve më të fundit të kësaj kompanie, vendas, të huaj, të përzier, të ligjshëm, të paligjshëm etj. Sepse deri më sot Shqipëria është nga të vetmet vende të botës që eksporton të gjithë sasinë e naftës që prodhon dhe importon gjithë sasinë e naftës që konsumon.”- tha ai. Po ashtu Precci ka theksuar se ende nuk ka një përgjigje se kush e bleu ARMO-n dhe mbi të gjitha çfarë po ndodh me borxhet e saj ndaj shtetit dhe bankave. “Marrja në dorëzim nga pronari apo pronarët e rinj bëhet kundrejt likuidimit, shlyerjes së menjëherëshme apo pjesë-pjesë, por duke zbardhur gjendjen e kompanisë… Shitja mund të realizohet sepse ai që e blen merr përsipër të shlyejë borxhet, detyrimet. Nëse dikush blen një kompani me detyrime, detyrimisht merr mbi vete detyrimet, dhe si rregull kur bëhet fjalë për pasuri të bllokuara bën zhbllokimin e tyre, dmth. që paguan palët ndaj të cilave detyrohet kompania në fjalë…. Në qoftë se vërtet është bërë, nëse nuk është një “flluskë sapuni”, si shumë të tjera, do të ishte e dëshirueshme që të hidhet dritë mbi transaksionet. Do të ishte lajm shumë i madh për të gjithë taksapaguesit shqiptarë, nëse Ministri i Financave ditën që inaguroi fillimin e punimeve të një kompanie private, që nuk është shumë normale, por ndodh në vende si Shqipëria, të thoshte se kjo kompani ka shlyer detyrimin prej 60 milionë euro apo më shumë, sa i detyrohet tatime taksave.”

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here