Festivali i RTSH-së/Bojken Lako: Turp të thuash që festivali “u pushtua” nga kosovarë, publiku pjesë e jurisë

0
299

Ja pse këngëtarët komercialë nuk po bëhen pjesë e festivalit. Kënga fituese do shoqërohet në Eurovision nga këngëtarët të cilët do të renditen në vendin e dytë dhe të tretë.

Intervistoi: Irini Meçe

Po afron edicioni i 55-të të Festivalit të Këngës në RTSH. Ndryshe nga vitet e tjera, edicioni i sivjetshëm do të ketë pesë producentë muzikorë të cilët do të jenë në rolin e udhëheqësit artistik. Ata janë kompozitorët Shpëtim Saraçi, Alfred Kaçinari, Florent Boshnjaku, Bojken Lako dhe Gent Rushi. Të pestë producentët kanë përzgjedhur 24 këngë që do të jenë garuese në këtë Festival nga 57 këngë që erdhën për t’u selektuar. Bojken Lako një nga producentët muzikorë vjen në këtë intervistë për gazetën “Standard” për të folur rreth përzgjedhjeve të këngëve që kanë bërë dhe rreth krijimtarisë muzikore të këngëtarëve. Gjithashtu ai foli rreth risive që do të ketë ky festival si dhe për t’ju dhënë përgjigje zërave “Festivali u “pushtua” nga kosovarë si dhe nga “veteranë” dhe jo nga këngëtarë që janë suksseshëm në Shqipëri dhe jashtë” që qarkulluan menjëherë pas publikimit të këngëve.

Javën e kaluar janë bërë publike 24 këngët garuese të Festivalit të 55-të i RTSH-së. Ju bashkë me 4 producentë të tjerë keni përzgjedhur këto këngë. Si është bërëpërzgjedhja e 24 këngëve dhe sa prej tyre erdhën gjithsej për të konkuruar?

Numri 24 ka qenë numri i caktuar nga pjesa administrative e Festivalit të RTSH-së. Numri i këngëve që erdhën për t’u selektuar ka qenë 57. Një strukturë e re që Festivali bëri këtë vit ishte vendosja e një komisioni të përbërë nga 5 producentë si Shpëtim Saraçi, Alfred Kaçinari, të cilët kanë qenë pjesë e stafit të realizimit të Festivalit të RTSH-së edhe në vitet e kaluara. Gjithashtu këtë vit në këtë strukturë të re të 5 producentëve që merren me kurimin e këngëve që do të marrin pjesë, jam edhe unë, muzikanti Gent Rrushi, kompozitori nga Kosova Florent Boshnjaku i cili është fituesi i këngës “Suus” para disa viteve. Ne patëm 2 role, edhe në përzgjedhjen e këngëve e cila nuk ishte aspak e thjeshtë sepse është një përgjegjësi në raport me ato këngë që s’kualifikohen . Gjithashtu ne në këto momente bëjmë pjesën e suportit artistik dhe teknik të këngëve që do të shkojnë në 2 netët gjysëm finale dhe më pas në natën finale, pra deri në shfaqjen në skenë. Më pas do të jetë një strukturë tjetër për përzgjedhjen e këngës fituese, të çmimit të dytë dhe çmimit të tretë dhe 2 çmimeve të tjera. Pra, do jenë disa juri, në mënyrë që të ketë shumë transparencë dhe dhe diversitet mendimesh.

Si ka qenë selektimi i këngëve dhe bashkëpunimi me 4 producentët e tjerë? A ka patur momente që nuk keni rënë dakord me gjykimin e tyre?

Normalisht që kemi patur momente që kemi rrahur mendime sepse flitet për një numër 57 këngësh, ku rreth 30 këngë ishin të një niveli të mirë. Mbase ka patur edhe hatërmbetje, por ishte thjesht një numër i kufizuar. Kemi rrahur mendime, por gjithmonë për produktivitetin e mëvonshëm. Për sa i përket harmonisë, është kënaqësi të bashkëpunoj me ta edhe pse vijmë nga rrugëtime muzikore jo të njëjta dhe që iu përkasim rrymave të ndryshme. Duke punuar bashkë me Alfred Kaçinarin, Shpëtim Saraçin që janë profesionistë, kanë një eksperiencë shumë të madhe ata marrin edhe idetë e mendimet e mia që nuk janë të rrahura dhe të shfaqura më parë në këtë eveniment. Por edhe me Florentin i cili përfaqëson një pjesë të këngëtarëve dhe muzikantëve më të mirë dhe Genti i cili i përket një tjetër formati muzikant, është një artist që bën pjesë në jazz-in alternativ dhe është shumë aktiv. Shija e të punuarit bashkë mes këtyre producentëve dhe muzikantëve që nuk kanë të njëjtat rrugë në pjesën e karrierës muzikore përbën edhe kënaqësi për gjithësecilin nga ne dhe besoj që puna jonë do të jetë edhe shumë produktive.

Pra, këto 24 këngët përzgjedhëse janë këngët më të mira që erdhën për të konkurruar në këtë festival?

Po, janë këngët më të mira. Edhe pse në këtë kohë që jetojmë sot shkruhet dhe komentohet pafund nga mediat, ku hedhin dyshimet apo mendimet e veta për pak zhurmë mediatike.

Ështëfolur qëFestivali i 55-tëdo tëvijëme risi dhe koncepte ndryshe qëdo tëmund tëkthejnëbesimin tek publiku shqiptar. Mund të na thoni më konkretisht si do të vijë sivjet ky festival?

Për sa i përket pjesës që unë mund të flas është pjesa muzikore. Unë do të bashkëpunoj me 4 producentë në fushën e produksionit muzikor. Njëra prej risive të këtij Festivali është që përveç këngës fituese e cila do të shkojë në Eurovision,do të jenë edhe këngëtarët të cilët do të renditen më këngët e tyre në vendin e dytë dhe të tretë pjesë e ekipit të Shqipërisë në Eurovision. Puna në këtë festival është shumë transparente, pasi në juri është shtuar edhe 40% e votave të publikut. Për sa i përket risive nga ana muzikale është pjesëmarrja e disa artistëve që nuk priten të jenë në këtë festival, por që sjellin muzikë të veçantë ndryshe nga ç’jemi mësuar të dëgjojmë. Kam një ndjesi të mirë dhe shumë shpresë që ajo zgjedhje që kemi bërë do t’ju pëlqejë.

Ne akoma nuk i kemi dëgjuar këngët që do të konkurrojnë në Festivalin e RTSH-së, por ju që i keni dëgjuar mund të na thoni se si është krijimtaria e tyre muzikore?

Krijimtarinë e këngëve do e shihni edhe vet ju, por një gjë që bën përshtypje këtë vit është që pothuajse të gjithë këngëtarët i përkasin një target moshe nga 20 deri në 29 vjeç dhe është e logjikshme sepse Festivali i RTSH-së së pari është një kompeticion dhe ata që konkurrojnë janë artistë të kësaj moshe të provuar dhe të konfirmuar përsa i përket talentit të tyre. Shumica e pjesëmarrësve vijnë nga talent show siç është The Voice apo X Factor. Këtë vit në festival është Tiri që fitoi vjet “The Voice”, Albulena Jashari pjesëtare e Etheve, Festina Mejzini dalë nga “X Factor”, Edea Demaliaj fituese e X Factor. Pra, këngëtarë të thjeshtë të dalë nga The Voice apo X Factor të cilët kanë lënë një gjurmë në skenë. Ka dhe disa krijime të veçanta këtë vit që nuk kanë qenë në vitet e kaluara që vijnë nga emra të njohur por që nuk kanë qenë pjesëmarrës nëpër kompeticione. Siç është Genc Salihu që është një ndër muzikantët më të mirë me një background dhe që vjen me një kulturë të fituar në Angli. Në këtë grup është edhe Edona Vatoci e cila eksperimenton shumë në muzikë alternative. Ka një pjesë të këngëve në fakt që janë shumë alternative në koncept muzikor. Linda Rakaj që vjen nga Franca, ish-liderja e grupit “Linda në botën e çudirave”, si dhe Xuxi.Është një pjesë tjetër e këngëve që ka ndjesi elektronike, një pjesë e këngëve të tjera që ruajnë prap atë natyrën klasike. Ka një lloj diversiteti muzikor në këtë festival.

Menjëherë pas publikimit të këngëve pjesëmarrëse në këtë festival janë ngritur debate dhe diskutime të ndryshme që në mesin e atyre këngëtarëve nuk shohim këngëtarë shumë të suksesshëm që janë të njohur e jashtë si Dafina Zeqiri, Flori, Alban Skënderaj apo edhe Era Istrefi që ka qenë shumë e diskutuar edhe në portalet e Eurovision. Si i shihni ju këto diskutime?

Siç e thashë e thash edhe më lart, Festivali i RTSH-së është një kompeticion. Era Istrefi dhe Dafina Zeqiri janë futur në një rrugë tjetër të muzikës komerciale, të industrisë konkrete muzikore, të biznesit. Era Istrefi më shumë është jashtë sesa është në Shqipëri. Festivali është një tjetër prerje. Këngëtarët shqiptarë vuajnë në pjesën e interpretimit dhe aftësive vokalistike, jo se nuk ka Era, padyshim do ishte shumë mirë nëse do vinte Era të konkurronte. Ka dhe vetë këngëtarë që nuk afrohen sepse ky është një kompeticion. Mbase në ndonjë moment tjetër të jetës për kënaqësi mund të marrin pjesë në festival. Në një pamje logjike, është një event që momentalisht nuk është në hapat që ato janë duke hedhur në industrinë e muzikës, janë në një tjetër dimension. Këngëtarë të suksesshëm kanë marr pjesë në këtë festival, por nuk mund të jenë gjithmonë këta emra nëpër festivale, duhet t’ju lemë hapësirë edhe të tjerëve dhe artistëve të rinj.

Gjithashtu shumë shkrime nëpër media kanë shkruar që Festivali i RTSH-së “u pushtua” nga kosovarë dhe “veteranë”. Si do e komentonit ju këtë?

Në radhë të parë është turp të thuash “u pushtua” nga kosovarë sepse i bie të thuash unë jam kolonjar, ti je korçar, dikush tjetër nga Tropoja etj. Kosova është një zonë e Shqipërisë dhe ata janë shqiptarë, përkundrazi duhet ta kemi për kënaqësi. Çfarë duhet ti themi Rita Orës që ka ikur që 3 vjeç në Angli? Pse kemi me kënaqësi atëherë që themi ajo është shqiptare? Dhe është turp për ata që shprehen kështu në këtë formë. Megjithatë kur të dëgjojnë këngët e tyre do të shohin që janë të kompozitorëve shqiptarë, pra një bashkëpunim mes këngëtarëve nga Kosova dhe kompozitorëve nga Shqipëria.

Pas prezantimit të këngëtarëve që do të garojnë në këtë kompeticion qarkulluan zëra që Flaka Krelani dhe Linda Halimi shihen si fituese të Festivalit të Këngës dhe si të denja për të na përfaqësuar në Eurosong. Çfarëpërgjigje do ju jepnit ju këtyre zërave?

Unë mendoj që duhet vlerësuar si fillim Festivali i 55-të i RTSH-së sepse nxjerr një pjesë të kulturës sonë shqiptare. E rëndësishme është pjesëmarrja dhe materiali i mirë në total në këtë festival. Çmimi final jepet nga një juri që përbëhet nga njerëz që kanë shijet e veta personale. Unë për shembull mund të vlerësoj muzikën time, por mund të mos i pëlqejë jurisë që nuk preferon këtë rrymë. Artistët shqiptarë duhen të kontribojnë me materiale cilësore për një kompeticion të drejtë artistik dhe jo ta shohin si trofe që të dërgon më tej si përfaqësues në Eurosong.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here