Dramat në jetën e Fatmirës/ 46-vjeçarja tregon vuajtjet: Si e martova vajzën që luante me kukulla

0
225

Drama në jetën e Fatmirës nisi në vitin 1980-të kur familja e saj u internua në Lushnje, atje ku për herë të parë u përball me skamjen që e detyroi të kërkonte ushqim nëpër kazane. Ajo tregoi se i ati rrinte i alkoolizuar, ndërsa fill pas kthimit në Tiranë kalvari i vuajtjeve u shtua, babai i vdes, nëna po ashtu, një vëlla i vritet në ’97, ndërsa një tjetër i vdes nga përdorimi i drogës. Fatmira e gjen veten jetime, me një martesë të lënë pas, nga e cila kishte edhe një vajzë, që u detyrua ta “braktisë” në Shtëpinë e Fëmijës.

“E mbaj mend si sot kur erdhi polici tek dera e klasës dhe i tha mësueses, Fatmira do iki në internim në fshatrat e Lushnjes…se babi pinte raki, rrihte edhe mamin. Atje jeta ishte shumë e vështirë, mamin e babin i futën në punë për të bërë kanale. Unë shkoja me mamin. Atje kishte vetëm gurë. Një ditë ishim pa bukë, mami nuk kishte bërë grosh. Vura një mushama në kokë shkova në kazan, kur doja të merrja bukën rashë në kazan…”,- tregon 46-vjeçarja. Sot ajo është 46-vjeçe dhe ka arritur të shkëputet nga droga dhe jeta e rrugës. Ka vendosur të rrëfejë historinë e saj të dhimbshme në emisionin “Me Zemër të Hapur” në News 24 për të treguar se ka gjithmonë një dritë në fund të tunelit. “Ishte vëllai im ai që ma ofroi drogën. Ai e pinte me cigare dhe e zinte gjumi, isha kurioze pse atë e zinte gjumi dhe kështu e fillova edhe unë…Jeta e rrugës të çon tek droga, por tani kam ndryshuar”,- tha ajo më tej. Por ndërsa tregonte me lot në sy, arsyet që e detyruan të braktiste vajzën për 14-vjet dhe pastaj ta detyronte të martohej në moshën 14- vjeçare, e bija telefonon në studion e emisionit dhe e fal për çdo gjë. “Pasi u ktheva nga internimi u martova, isha e vogël. Nuk desha të martohesha po ishte shok i ngushtë i vëllait tim, ishte kosovar…Ndejta 8 muaj, mbeta shtatzënë, por na nxorën nga banesa ku jetonim. Ai mbeti pa shtëpi dhe unë po ashtu. E linda Mirandën në rrugë, e lashë në jetimore… I them të më falë nëse mundet. E martova kalama, ishte 14-vjeçe kur e martova, kur shkoi tek burri luante me kukulla”,- tregoi Fatmira më tej. “E kam falur se ajo ka vuajtur shumë! Unë kam një jetë të mirë. Mamin e dua shumë”. Këto fjalë të vajzës i ngrohen zemrën dhe e bënë më të fortë, ndërsa kërkon të përmirësojë diçka në jetë. Ajo kërkoi sot që Bashkia e Tiranës ta ndihmonte me një punë. “Kam 7 muaj pa drita në kasollen që jetoj, lahem me ujë të ftohtë, Sado që kam kërkuar nuk kam gjetur një punë. Të vëjë dorën në zemër Erjon Veliaj të më gjejë një punë…’,- apeloi ajo sot në News 24. Fatmira thotë se është vullnetare në qendrën e rehabilitimit “Aksion Plus”, ndërsa përfiton vetëm 17 mijë lekë të vjetra nga asistenca.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here