“Përzënia” e FMN/ Zbulohet arsyeja, Fondi i kërkoi qeverisë “Rama” pagesën e detyrimeve të prapambetura

0
214

Fondi Monetar kërkon që të paguhen detyrimet e prapambetura, të krijuara sërish nga Ekzekutivi Rama, nuk disburson këstin e kredisë së radhës pa monitoruar rezultatet

Ervin Kaduku

Me daljen publike të drejtuesve të ministrisë shqiptare të Financave dhe përfaqësuesve të Fondit Monetar Ndërkombëtar, në një konferencë të përbashkët shtypi dje, në përfundim të vizitës së misionit të radhës në Tiranë të FMN, bëhet më se e qartë deklarata e disa javëve më parë e kryefinancierit Arben Ahmetaj. FMN është shprehur qartë dhe hapur: Qeveria Rama ka bërë të njejtin veprim ai Ekzekutivi Berisha, duke krijuar borxhe të reja, me faturat e papaguara për investime publike ndaj privatëve.

Por, këtu ka disa dallime thelbësore. Së pari, nuk e kuptojmë se ku janë bërë këto investime nga qeveria Rama, për të cilat nuk paska lekë për të paguar punimet? Fjala është vetëm për rregullimet e qendrave të disa qyteteve? Pasi rrugë, autostrada, porte, aeroporte e të tjera vepra si këto nuk po sheh njeri, ndërkohë që gazsjellësi TAP dhe HEC-et mbi Devoll janë investime të privatëve, për më tepër të kontraktuara gjatë qeverisë Berisha. Dhe, së dyti, ndryshe nga Ekzekutivi i mëparshëm, qeveria Rama ka marrë kredi për të paguar borxhet dhe, me sa duket, po kërkon prapë kredi për të paguar borxhe të reja.

Por FMN ka edhe një konflikt tjetër me qeverinë shqiptare aktualisht. Kjo e fundit është shprehur me entusiazëm se do të rritë paga e pensione në vitin elektoral, por veç rritjes së borxhit publik nuk duket në horizont asnjë rrugë tjetër për të siguruar fondet. Përfaqësuesja e Fondit Monetar Ndërkombëtar FMN Anita Tuladhar bëri të ditur se Fondi e ka pranuar në parim se qeveria ka hapësirë fiskale për një “rritje modeste të pagave dhe pensioneve” por kërkoi që kjo rritje të shoqërohet me kursime të tjera në fondin e pagave të qeverisë, duke sugjeruar se një zgjidhje për këtë situatë është që vendet vakante në administratën publike të mos plotësohen dhe që pagat e papaguara për këto vende vakante të përdoren për të rritur pagat për të tjerat. Por FMN e bëri të qartë se nuk dëshiron të shohë rritje të peshës së pagave të sektorit publik në shpenzimet e përgjithshme buxhetore, një masë që rrezikon të shkaktojë deficit buxhetor në vijimësi.“Pagat si përqindje e Prodhimit të Brendshëm Bruto nuk duhet të rriten,” tha përfaqësuesja e FMN Tuladhar dje. Gjatë viteve të fundit, qeveria ka shpenzuar mesatarisht 70 miliardë lekë (500 milionë euro) për pagat e rreth 100 mijë të punësuarve në sektorin publik. Shtimi i këtyre shpenzimeve siç premton qeveria vitin e ardhshëm me mbi 10 për qind e vë buxhetin e shtetit në pasiguri për të ardhmen, veçanërisht në rast se shpenzime të tjera të pashmangshme si shpenzimet për interesa, rriten papritur.

Ndërkohë, qeveria ka detajuar politikën për rritjen e pagave të administratës. Projekti tashmë është gati për në Kuvend, si pjesë e projektbuxhetit të vitit 2017. Rritja mesatare e pagës për sektorët kryesorë – arsimin, shëndetësinë dhe Policinë e Shtetit, do të jetë me 10%, ndërsa për punonjësit e administratës qendrore 7%. Kosto vjetore për këtë rritjen është 7.5 miliardë lekë, por duke qenë se kjo politikë do të aplikohet në muajin mars, kosto reale në buxhetin e 2017 nga kjo rritje do të jetë 6.2 miliardë lekë.

Nga kjo rritje do të përfitojnë 110 000 punonjës, nga të cilët 81 mijë punonjës janë buxhetorë dhe rreth 29 mijë punonjës të tjerë janë mjekë, infermierë dhe punonjës mësimorë të universiteteve publikë.

Politika e rritjes së pagave do të bëhet e diferencuar duke i dhënë prioritet kryesisht pagës minimale, pagës në sistemin arsimor dhe shëndetësor, pagës së administratës publike, si dhe pagës së punonjësve në sistemin e Policisë së Shtetit.

Paga minimale do të rritet me 36.3% ose me 8 000 lekë/muaj. Numri total i përfituesve nga rritja e pagës minimale në administratën buxhetore për vitin 2017 është rreth 6 900 punonjës dhe fondi i nevojshëm nga kjo rritje është rreth 1 miliard lekë në vit. Rritja e pagës në sistemin arsimor publik parauniversitar dhe universitar do të jetë me 10%. Numri i përfituesve është gjithsej 38 000 punonjës mësimorë. Fondi i parashikuar për t’u akorduar për këtë qëllim arrin në 1.8 miliardë lekë. Gjithashtu, kjo rritje page do të financohet nga buxheti i shtetit edhe për 8000 punonjës të tjerë mësimorë që janë në varësi të bashkive, duke shtuar financimin e grantit në masën 500 milionë lekë. Rritja e pagës në sistemin shëndetësor publik do të jetë 10%. Numri i përfituesve është gjithsej 18 500 mjekë dhe infermierë. Fondi i parashikuar për t’u akorduar për këtë qëllim arrin në 1.5 miliardë lekë, sqaron Ministria e Financave.

Rritja e pagave të punonjësve të Policisë së Shtetit do të jetë me 10%. Numri i përfituesve është rreth 10 000 punonjës policie dhe fondi i parashikuar për t’u akorduar për këtë qëllim arrin në 800 milionë lekë.

Ndërsa rritjen e pagës së nëpunësve të Administratës Publike mesatarisht me 7%.

Por Fondi Monetar Ndërkombëtar, ndonëse deklaroi se “ka rënë dakord parimisht në nivel stafi”, theksoi gjithashtu “mënyrën e pazakontë të këtij misioni”, që sipas Tuladhar, përfshin rishikimin e nëntë dhe të dhjetë të programit të ndihmës. “Do të ketë një mision tjetër të FMN-së në janar para se dokumenti t’i paraqitet për miratim bordit të FMN-së,” deklaroi Tuladhar. Bordi i Drejtorëve të Fondit Monetar Ndërkombëtar është institucioni që miraton lëvrimin e kësteve të kredisë që Shqipëria po merr nga fondi. Rrjedhimisht, Shqipëria do të mund t’i tërheqë paratë e fondit vetëm nëse misioni tjetër në janar do të arrijë konsensusin. Qeveria aktuale nënshkroi një marrëveshje ndihme me Fondin Monetar Ndërkombëtar në dhjetor 2013, në bazë të së cilës, Shqipërisë i jepen 370 milionë euro në shkëmbim të reformave të rekomanduara nga FMN. Kësti i fundit u dha në shtator dhe totali i kredisë së disbursuar është 298 milionë euro. Qeveria aktuale ka bërë të ditur se nuk ka ndër mend ta rishikojë marrëveshjen me Fondin Monetar Ndërkombëtar në vitin e ardhshëm. Në mungesë të një marrëveshjeje, marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Fondit do të ulen në nivelin e bisedimeve këshilluese të herëpashershme. Në këtë mënyrë, merret mbrapsht edhe një nga premtimet e bujshme të para tre vjetëve, bërë nga vetë Edi Rana, se FMN-ja do të vendosej në “vendin e dyhur” në Shqipëri, por faktikisht Fondit do t’i rezervohet i njejti rol, që kishte edhe në kohën e qeverisë së djathtë.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here