Kokëdhima për partinë “LIBRA” të Ben Blushit: Do t’i prishë punë PS-së

0
195

Ish-deputeti socialist Koço Kokëdhima mendon se largimi i deputetëve Ben Blushi dhe Mimoza Hafizi është humbje për PS-në.

Me anë të një statusi në “Facebook”, Kokëdhima shkruan se Blushi dhe Hafizi janë dy intelektualë me vlera e kontribute ndër vite për vendin dhe për Partinë Socialiste, ndërsa bën edhe një analizë të partisë së re LIBRA, që sipas tij do të mbledhë të majtë e socialistë të zhgënjyer.

Statusi i plotë i Kokëdhimës:

“Vizioni i LIBRA-s, zhgënjyes. Blushi dështoi të jepte kontributin e tij në PS, për zhvillimin e një kulture institucionale dhe për të instaluar një debat konstruktiv brenda saj. Largimi i Blushit dhe Hafizit është një humbje për Partinë Socialiste. Blushi dhe Hafizi janë dy intelektualë me vlera e kontribute ndër vite për vendin dhe për Partinë Socialiste.

Dje, Blushi promovoi partinë LIBRA. Kjo parti do të mobilizojë kryesisht të majtë e socialistë të zhgënjyer. LIBRA, është një përpjekje e respektueshme për pasurimin e debatit politik e kulturor dhe për përmirësimin e ofertës politike. Ajo erdhi edhe si pasojë e mungesës së demokracisë, parimeve, normave dhe rregullave të funksionimit e bashkëjetesës në diversitet mendimesh e solidaritet në Partinë Socialiste.

Nga divorci i Blushit dhe Hafizit me PS-në kuptohet edhe më mirë nevoja për reformimin e PS-së me qëllim që të eliminohet ekzistenca e atyre problemeve të mprehta që kanë partitë politike në vend, që shfaqen si mungesë e kulturës funksionale, si mungesë e standardeve bashkëkohore të menaxhimit të tyre, si mungesë e hapësirave që duhet t’u garantohen anëtarëve për debat, për t’u dëgjuar, për t’u përfshirë në çështjet më të rëndësishme të politikbërjes, qeverisjes dhe për t’u dhënë atyre mundësi dhe kushte për karrierë të shëndetshme e të merituar.

Në prezantimin e LIBRA-s, fjalimi i Blushit ishte zhgënjyes. Ai përshkohej nga konstatime sipërfaqësore dhe nga romantizmi i një shkrimtari. Mungoi qartësisht vizioni i tij për të ardhmen e vendit dhe për zgjidhjet që pret populli nga politika”, shkruan Kokëdhima.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here