Analiza për aksidentet në vend/ Gjatë muajit tetor, 58 aksidente, 25 të vdekur dhe 50 të plagosur

0
256

Nga data 1 tetor deri më datën 30 tetor janë raportuar rreth 58 aksidente ku janë regjistruar edhe 50 të plagosur. Aksidenti më i rëndë është shënuar me datë 13 tetor në autostradën Tiranë-Durrës ku humbën jetën 4 persona

Besar Bajraktaraj

Aksidentet janë ngjarjet më tragjike për drejtuesit e mjeteve por jo vetëm, edhe për kalimtarët të cilët herë pas herë bien pre e aksidenteve, ndonëse të pafajshëm. Gjatë këtij muaji në një përllogaritje të bërë nga gazeta “Standard” mësohet se kanë ndodhur rreth 58 aksidente me 25 të vdekur dhe 50 të plagosur.  Një llogaritje e saktë mund të merrej nga instancat përkatëse lidhur me këtë muaj por duke qenë se muaji është në përfundim, mund të themi se edhe për kaq aksidente numri është i lartë. Aksidentet e ndodhur këtë muaj janë nga të gjitha kategoritë, ku mund të përmendim drejtues pa patentë, drejtues nën efektin e alkoolit, aksidente të shkaktuara nga drejtues policie, aksidente të përfshirë oficerë burgut, aksidente të shkaktuara nga rrethjet e shiu, nga shkarjet e dheut të rrugës, aksidente me lëvizje të mjeteve kundër sens, aksidente nga rënia e automjeteve në ujëra, aksidente për shkak të shkeljes së normave të shpejtësisë, etj. Aksidenti më tragjik i këtij muaji mund të konsiderohet aksidenti i ndodhur në datën 13 në autostradën Tiranë-Durrës ku shtetasi Dashnor Deliallisi përplasi për vdekje 3 shtetase të cilat udhëtonin në automjetin tjetër. Në këtë aksident humbi jetën edhe vetë Deliallisi.

Aksidentet e ndodhur në muajin tetor

Me datë një tetor janë regjistruar 3 aksidente. Aksidenti i parë është shkaktuar paraditen e një tetorit në bulevardin kryesor të qytetit të Kukësit, ku u përfshinë pesë makina. Fatmirësisht nga ky aksident nuk ka pasur të lënduar. Aksidenti tjetër është regjistruar në qytetin e Korçës ku një 16-vjeçar u aksidentuar për vdekje pranë varrezave të qytetit. U bë me dije se viktima ishte i riu me iniciale Q.H, banues në lagjen nr.4 të qytetit juglindor. Policia sqaroi se 16-vjeçari u aksidentua nga një automjet tip BMË i drejtuar nga shtetasi Muarrem Myftaraga, 25-vjeç banues në Korçë. Policia arrestoi drejtuesin e mjetit, që sipas bluve nuk kishte as leje drejtimi. Më pas një aksident tjetër është shkaktuar në qytetin Lushnjës ku një automjet ka dalë nga rruga duke shkaktuar një të vdekur dhe një të plagosur. Viktima është shtetasi A.D, 23 vjeç, banues në Kuçovë.

Me datë 2 tetor një aksident ku janë përfshirë 3 automjete, janë shkaktuar 2 të plagosur. Ngjarja ka ndodhur në aksin rrugor Golem-Kavajë. Në këtë aksident janë përfshirë tri makina ku u plagosen 2 persona.

Më pas me datë 3 tetor është shkaktuar edhe një tjetër aksident me plagosje të rëndë. Aksidenti në fjalë është regjistruar në aksin rrugor Koplik-Hani Hotit ku 13-vjeçar ka mbetur i plagosur rëndë. Mësohet se i aksidentuar ka ngelur 13-vjeçari me inicialet S.D, banues në Hot Malësi e Madhe, i cili u transportua në spital për ndihmën e nevojshme mjekësore.

Më datë 4 tetor një aksident tjetër është regjistruar ku nga përplasja e rëndë 2 automjete dukeshin thuajse të shkatërruara. Aksidenti ka ndodhur pasditen e datës 4 tetor në zonën e Mulletit në Tiranë. Për pasojë, një person ka mbetur i plagosur.

Me datë 5 tetor një aksident i rëndë ka ndodhur në zonën e Linzës në Tiranë. Mësohet se një automjet ka rënë nga 20 metra lartësi, çka ka qenë fatale për drejtuesin 24-vjeçar, Arbjon Sulaj.

Një ditë më pas me datën 6 tetor janë aksident ka ndodhur përballë Muzeut Kombëtar në Sheshin “Skënderbej”. Në aksident është përfshirë një urban, që u raportua të jetë ai i linjës së Sharrës dhe një makinë e trupit diplomatik me targë CD 42 001.

Me datë 7 tetor janë shkaktuar 3 aksidente me 1 të vdekur dhe 2 të plagosur. Aksidenti i parë ka ndodhur në Golem të Durrësit, ku ka mbetur i plagosur një 54-vjeçar. Më pas një tjetër aksident ka ndodhur në Librazhd, ku një makinë ka rrëshqitur dhe është përplasur me një fugon. Automjeti ka rrëshqitur për shkak të lagështirës në rrugë dhe është përplasur me një fugon pasagjerësh. Sipas dëshmitarëve nga vendi i ngjarjes në këtë datë, drejtuesi i autoveturës është plagosur rëndë dhe është dërguar në spital në gjendje kritike. Më pas gjatë pasdites së kësaj date një makinë ka dalë nga rruga duke shkaktuar humbjen e jetës ë 45-vjeçarit.  Ngjarja ka ndodhur rreth orës 16:40 në aksin Qafë Pllocë-Pogradec, teksa mjeti tip “Ford” i drejtuar nga J.Y, 45 vjeç, ka dalë nga rruga.

Më datë 8 tetor një aksident automobilistik ka ndodhur në qendër të Tiranës. Një automjet i ushtrisë është përplasur me një makinë tip “Citroen” në zonën pas Pallatit të Operas dhe Baletit. Fatmirësisht nga përplasja nuk ka patur të lënduar.

Më datë 9 tetor është regjistruar një tjetër aksident ku një 44-vjeçar ka mbetur i plagosur në aksin Sarandë-Delvinë,. Leonidha Qendro, banor i Sarandës ka qenë duke udhëtuar me motor, kur është përplasur me një automjet.

Me datë 10 tetor janë shënuar 5 aksidente, ku janë regjistruar 4 të plagosur dhe 1 të vdekur.
gjatë kësaj dite 4 aksidente janë shënuar në Shkodër si pasojë e kushteve atmosferike. Më pas aksidenti tjetër me pasojë vdekjen është shkaktuar në qytetin e Lushnjës. Një person i cili po udhëtonte me motor ka humbur jetën pasi u përplas nga një makinë policie. Ngjarja ka ndodhur mbrëmjen e datës 10 në aksin rrugor Lushnjë-Berat. Për pasojë u dëmtua shtetasi I.L i cili ndërroi jetë në Spitalin e Lushnjës.

Në datën 11 tetor janë shkaktuar 2 aksidente ku për pasojë janë plagosur 8 persona. Fillimisht pesë persona kanë mbetur të plagosur në një aksident automobilistik të ndodhur në lagjen 15 të Durrësit ku Altin Qokaj duke drejtuar mjetin tip Volsvagen me targa AA 839 GE është përplasur me mjetin tip Lançia me targa AA 116 HY me drejtues shtetasin M.Ç.  37-vjeç, banues në Durrës. Më pas në qytetin e Korçës tre persona janë plagosur rëndë si pasojë e një aksidenti automobilistik, në aksin rrugor Korçë-Pogradec. Tre makina janë përplasur me njëra-tjetrën, në fshatin Petrushë në Pogradec dhe për pasojë janë plagosur tre persona, të identifikuar si: Behar Kastrioti, Rafet Capollari dhe Redi Rustemlli. Paraprakisht u raportua se makinat kanë rrëshqitur për shkak të lagështirës në rrugë.

Ndërsa me datë 12 tetor një automjet ka dalë nga rruga në afërsi të liqenit të Shkopetit, në aksin Milot-Shkopet, duke lënë pas dy persona të plagosur. Automjeti ka dalë nga rruga por fatmirësisht nuk ka përfunduar në liqen, çka mund të kishte pasoja.

Ndërsa data 13 tetor mund të konsiderohet dhe data më e përgjakshme e këtij muaji pasi shtetasi Dashnor Deliallisi udhëtonte në autostradën Tiranë-Durrës në kundër sens ku përplasi për vdekje 3 shtetaset Greta Sherifi, Izabela Gega dhe Elona Xhuti të cilat ishin shoqe të ngushta. Ato ishin nisur në drejtim të Greqisë por u aksidentuan për vdekje nga shtetasi Deliallisi, ku vdiq edhe vetë. Aksidenti ndodhi pranë vendit të quajtur Sukth në afërsi të Durrësit. Shkaktari i aksidentit sipas ekspertizës rezultonte të ishte i pirë dhe i droguar. Ai udhëtonte me shpejtësi rreth 150 km/h.

Me datë 14 tetor janë shkaktuar 2 aksidente me pasojë vdekjen e një shtetasi. Në Has një shtetas është arrestuar pasi aksidentoi për vdekje një 47-vjeçar e më pas u largua nga vendngjarja. Më pas një aksidente është shënuar edhe në Tiranë ku një makinë është përplasur me një motor. Nga aksidenti automobilistik fatmirësisht nuk kishte të lënduar. Aksidenti ndodhi në rrugën Bardhyl ku një makinë u përplas me motor dhe sipas informacioneve të para shkaktarë ka qenë drejtuesi i motorit.

Me datë 15 tetor janë regjistruar 4 aksidente me 9 të plagosur dhe një të vdekur. Kështu një makinë përfundoi në ujërat e liqenit të Vaut të Dejës në Shkodrës. Drejtuesja e mjetit mësohet se ishte 19-vjecarja, Anila Fiku ,e cila ka pësuar lëndime të vogla. Më pas një aksident i rëndë ka ndodhur në aksin rrugor Peshkopi-Tiranë. Një autobus me udhëtarë është përplasur me një autoveturë në zonën e njohur si “Tre çezmat”, në aksin rrugor Shupenzë –Bulqizë çka ka sjellë plagosjen e të paktën 7 personave. Aksidenti tjetër është shënuar në Laprakë të Tiranës ku mbeti e vdekur një 58-vjeçare. Sipas policisë, viktima është 58-vjeçarja Age Beqiri.

Me datë 16 tetor janë regjistruar 3 aksidente me 1 të vdekur dhe një të plagosur. Në Shkodër një 50-vjeçar është plagosur rëndë, pasi makina me të cilën udhëtonte ka dalë nga rruga, duke përfunduar në një kanal. Shkaku i aksidentit është humbja e kontrollit të mjetit. Më pas në Durrës një 50-vjeçar ka humbur jetën pasi u përplas nga një automjet. Aksidenti ka ndodhur në rrugën e vjetër Plepa- Ndroq. Fatmirësisht nga ky aksident nuk ka pasur të lënduar.

Me datë 17 tetor një 63-vjeçar ka humbur jetën në Tiranë, pasi u përplas nga një automjet. Kalimtari u përplas për vdekje nga një makinë me targa AA 730 MP, në autostradën Tiranë-Durrës. Viktima ishte Hysen Vrapi.

Me 18 tetor janë shënuar 2 aksidente me 1 të plagosur dhe 2 të vdekur. Kështu një 74-vjeçar ka humbur jetën pasi është përplasur nga treni në afërsi të stacionit të këtij mjeti transporti në Shkodër. Aksidenti tjetër është shënuar në Tiranë ku një aksident tragjik i ka marrë jetën një 10-vjeçari, i cili ishte duke drejtuar biçikletën e tij teksa u përplas për vdekje nga një automjet.

Me datë 19 tetor janë shënuar 4 aksidente me 4 vdekur 2 plagosur. Në aksidentin e ndodhur në autostradën Tiranë-Durrës viktima e radhës është bërë një këmbësor, i cili po kalonte rrugën në autostradë. Bëhet fjalë për një endacak i cili ka zgjedhur të kalojë përmes autostradës Tiranë-Durrës 20 metra larg nga mbikalimi. Më pas aksidenti tjetër është shënuar në Korçë ku kanë humbur jetën dy punonjës të burgut të Drenovës dhe janë plagosur rëndë 2 kolegë të tyre dhe 1 person tjetër. Aksidenti tjetër është regjistruar në Tiranë, ku një makinë ka dalë nga rruga duke përfunduar në pjesën anësore të Lanës. Aksidenti ka ndodhur tek “Rruga e Elbasanit” dhe mendohet se shkaqet janë shpejtësia tej normave dhe lagështira në rrugë.  Ndërsa aksidenti tjetër është regjistruar në Skrapar ku një 58-vjeçar është aksidentuar me zetorin e tij, i cili e ka zënë poshtë duke i marrë jetën.

Me datë 20 tetor është shkaktuar një aksident ku djali i kryebashkiakut të Laçit përplasi makinën e policisë, duke shkaktuar 4 të plagosur. Ngjarja është regjistruar në aksin Fushë Krujë- Milot. Kevi Bardhi ka përplasur nga mbrapa makinën e policisë që mbante radarin. Për pasojë ka marrë dëmtime të rënda dhe është dërguar me urgjencë drejt spitalit të Traumës në Tiranë, njëri nga efektivët si dhe kanë mbetur të plagosur 3 qytetarë të tjerë, që po mbahen në spitalin e Lezhës.

Me datë 21 tetor janë regjistruar 4 aksidente me 2 të vdekur dhe 2 të plagosur. Aksidenti i parë ka ndodhur në Fushë Krujë-Vorë, me 2 të plagosur nga përplasja e makinës me betonierën. Më pas në Rinas, është aksidentuar 80-vjeçarja nga Benz-i, ku vdiq në spital . ndërsa në Shkdoër janë shënuar  2 aksidente në pak orë, ku për pasojë humbi jetën 70-vjeçari.

Me datë 23 janë shënuar 3 aksidente me 5 të plagosur. Në Korçë babai me djalin janë përplasur me motor. Ata janë përplasur nga shtetasi Bledi Hase, banues në fshatin Tren të Devollit, i cili në gjende të dehur është përplasur me një automjet, ndërsa vetë i jepte një motori. Më pas sërish në Korçë një i moshuar, teksa po kalonte rrugën, u përplas nga një automjet. 24-vjeçarja Elona Fezollari, duke drejtuar automjetin tip “Citroen” me targa AA668AK, përplasi 89-vjeçarin Todi Pia. Në aksidentin e tretë sërish babë e bir kanë mbetur të lënduar në një aksident të ndodhur në rrugën nacionale Korçë – Pogradec.

Më datë 24 tetor janë shënuar 2 aksidente me 2 të plagosur. Një i moshuar në Kavajë, u përplas nga një automjet, teksa lëvizte me biçikletë. Më pas në një tjetër aksident një i ri është arrestuar nga efektivët e Tiranës pasi është bërë shkak i një aksidenti. 18-vjeçari Ardit Gj po udhëtonte më një motor pa leje, kur u përplas nga një grua me makinë.

Më datë 25 tetor gjatë 24 orëve janë regjistruar aksidente me 5 të plagosur dhe një të vdekur. Aksidentet u regjistruan në aksin Burrel-Tiranë, në Lushnjë-Fier, në segmentin Pushim Shoferit- Krutje, në Lezhë-Laç dhe Shkodër-Velipojë.

Me datë 26 tetor një autobot ka dalë nga rruga në aksin rrugor Elbasan-Librazhd dhe ka rënë buzë lumit. Aksidenti ka ndodhur në vendin ku është shembur rruga, në Xibrakë. Nga aksidenti nuk pa pasur  të lënduar. Autoboti me targë AA RG84, që ishte i pangarkuar me naftë, vinte nga Tirana në drejtim të Korçës.

Me datë 27 tetor janë regjistruar 2 aksidente me 2 të vdekur dhe dy të plagosur. Në aksidentin e parë të ndodhur në Lushnjë-Rrogozhinë, humbi jetën një 74-vjeçar. Kalimtari me inicialet N.F, banues në lagjen “Loni Dhamo” ka ndërruar jetë pas përplasjes me mjetin. Viktima u përplas nga mjeti tip “Range Rover” me targa AA 948 LK, me drejtues Ardi Beharin, banues në Vlorë. Më pas një aksident i rëndë ka ndodhur në hyrje të qytetit të Krumës në rrethin e Hasit, ku dy automjete janë përplasur duke shkaktuar vdekjen e një të riu dhe plagosjen e tre të tjerëve. Si pasojë e përplasjes ka humbur jetën J.Sh., 22 vjeç, ndërsa janë plagosur shtetasit Xh.N., shtetasi A.Th., banues në Krumë dhe shtetasi B.N., banues në Kukës.

Më data 28 tetor një aksident rrugor ka ndodhur në autostradën Tiranë-Durrës. Një i ri ka përplasur një 50-vjeçar me biçikletë, teksa lëvizte në rrugën dytësore në drejtim të Durrësit me automjetin e tij me targë AA 645 NV. Ngjarja ka ndodhur në orën 12:40. I aksidentuari Selman Ndreca, rreth 50 vjeç, banues në Laknas, nuk ka mundur t’i mbijetojë plagëve të marra nga përplasje, dhe ka ndërruar jetë pa mundur të marrë ndihmën e shpejtë.

Më datë 30 tetor një aksident është regjistruar në zonën e Brrylit në kryeqytet. Sipas të dhënave, një kamion është përplasur me një automjet, i cili kishte hyrë në sens të kundërt.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here