“Prit edhe pak”/ Në 85-vjetorin e lindjes, Dritëro Agolli boton librin e tij të ri me poezi

0
640

E gjithë kjo javë është konsideruar si Java e Dritëro Agollit me rastin e 85 vjetorin e tij të lindjes

Shkrimtari Dritëro Agolli në 85-vjetorin e lindjes së tij do të na surprizojë me botimin e një libri të ri me poezi. “Prit edhe pak” titullohet libri, kopjen e parë të së cilit autori e ka marrë në dorë nga e bija Elona Agolli.  Vajza e Dritëro Agollit, rrëfen lumturinë dhe gëzimin e papërshkruar të Dritëro Agollit për daljen në dritë të librit të tij të ri, kur ajo i dorëzoi kopjen parë.Ndërsa libri “Prit edhe pak” pritet të hidhet në treg në ditën e lindjes së shkrimtarit, më 13 tetor, Elona ka postuar në statusin e saj në facebook disa çaste emocionuese, kur Agolli merr librin në dorë:Më tha vetë: “Hajde të puth në ballë. Më gëzove që më solle librin e parë të dalë nga shtypshkronja sot”, shkruan ajo. Në këto foto shihet sesi Dritëro Agolli i përkëdhelte fletët e librit të ri, si sheh shkronjat, vëzhgon kopertinën. Poezitë kanë qenë në dorëshkrim dhe botohen për herë të parë, dhe shumë prej tyre janë poezi dashurie, pohon vajza e shkrimtarit. Ja disa vargje nga libri i ri, të shkruara nga Dritero Agolli në moshën e rinisë për dashurinë:

“Dashuria fillimisht është e turbullt.

Dashuron, po cilin aspak s’është e qartë

Dhe agimi kur vjen është i mugët

Sendet s’kanë as formë e as trajtë.

Dita zbret dhe gjërat dalin të plota:Forma, trajta, konture e vija,

Dalëngadalë e tillë vjen bota,

Ja, fytyrën kështu e zbulon dashuria.”

E gjithë kjo javë është konsideruar si Java e Dritëro Agollit me rastin e 85 vjetorin e tij të lindjes, e cila nisi ditën e hënë me një ekspozitë të hapur në Bibliotekën Kombëtare, e titulluar “Migjeni i Dritëro Agollit”, pasi të dy emrat e letërsisë shqip, kanë lindur në të njëjtën ditë, në datën 13 Tetor. E bija, Elona Agolli, u përkujdes që në këtë ekspozitë të mos mungonin edhe elementët që përbëjnë këndin me kujtime të krijimtarisë së të atit, si makina e shkrimit dhe poezi e prozë, në formën e dorëshkrimit. Por e gjithë kjo javë do të vazhdojë me një mori aktivitetesh në nderim të shkrimtarit të shquar Dritëro Agolli.

Dritëro Agolli

Dritëro Agolli lindi në Menkulas të Devollit. Pasi mori mësimet e para në vendlindje, vazhdoi gjìmnazin e Gjirokastrës, një shkollë me mjaft traditë. Studimet e larta për letërsi i mbaroi në Petërburg. Ka punuar shumë kohë gazetar në gazetën e përditshme “Zëri i popullit”, dhe për shumë vjet ka qenë Kryetar i Lidhjes së shkrimtarëve dhe artistëve të Shqipërisë. Për tridhjetë vjet me radhë Dritëro Agolli u zgjodh deputet. Krijimtaria e tij letrare është mjaft e pasur në gjini e lloje të ndryshme: poezi, poema, tregime, novela, romane, drama, skenarë filmash etj. Është fitues i disa çmimeve dhe i nderimeve të tjera. Disa prej veprave më të rëndësishme të tij janë përkthyer në Perëndim e në Lindje. Dritëro Agolli hyri që në fillim në letërsinë shqiptare (vitet’60) si një protagonist i saj, duke i ndryshuar përmasën e së ardhmes. Në veprën e Agollit e pa veten si protagonist bujku dhe bariu, fshatari dhe studenti, malësori dhe fusharaku. Agolli i bë poeti i tokës dhe i dashurisë për të, shkrimtari i filozofisë dhe i dhimbjes njerëzore. Vepra letrare e Dritëro Agollit krijoi traditën e re të letërsisë shqiptare. Ajo na bën të ndihemi me dinjitet përballë botës së madhe. Shkrimtar i madh i një “gjuhe të vogël”, ai është po aq i dashur prej lexuesve bashkëkombas, sa dhe në metropolet e kulturës botërore. Dritëro Agolli dhe brezi i tij letrar (vitet ’60) nuk u paraqitën me ndonjë poetikë të re, sido që u diskutua mjaft edhe për rimën dhe ritmin, për vargun e lirë dhe vargun e rregullt, për “rreptësinë” e poezisë.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here