Bllokimi i 6 ligjeve, juristët: Politikanët të trembur për shkak të aferave

0
151

Politika shqiptare ka nisur të trembet nga reforma në drejtësi dhe për këtë arsye ka nisur të nxjerr justifikime për bllokimin e 6 ligjeve që shoqërojnë ndryshimet kushtetuese. Kështu mendojnë disa prej juristëve më të njohur në vend, sa i takon vendimit për shtyrjen sërish të ligjeve. Ndonëse paketa e emergjencës duhej të miratohej që në korrik, sërish ligjet nuk janë miratuar dhe sipas juristëve, politika nuk ka as vullnet dhe as ndonjë dëshirë që të bëjë miratimin e tyre. Ata shprehen se shkaku kryesor është frika nga reforma. Juristët thonë se politikanët i tremben reformës në drejtësi, dhe asnjëra palë nuk ka interes që reforma të nisë të japë efektet e para. Avokati Idajet Beqiri, në një prononcim për gazetën “Sot”, tha se 6 ligjet kanë frikësuar të korruptuarit e politikës, dhe prandaj nuk janë të gatshëm të japin votën. “Reforma në drejtësi, hapat e hedhura deri tani, ndryshimet kushtetuese, ligji i vetingut, projektligjet për Këshillin e Lartë Gjyqësor, për Këshillin e Lartë të Prokurorisë, për Prokurorinë Speciale, Për Organizimin Gjyqësor etj, kanë tundur nga themelet të korruptuarit e politikës dhe të sistemit gjyqësor. Ata janë bërë të flasin me vete, sepse të gjitha skenarët që kishin përgatitur për ta deformuar, për ta sabotuar dhe për ta futur në kalendat greke zbatimin e kësaj reforme, u janë djegur në duar”, u shpreh Beqiri. Por tashmë reformën nuk do të mundet dot ta pengojë as qeveria, pas këmbënguljes së SHBA dhe BE. “Reforma në drejtësi tashmë është futur në një rrjedhë logjike dhe normale, sa e ka të pamundur ta pengojë edhe vet qeveria aktuale, që e inicioi dhe po e udhëheq atë. Reforma në drejtësi, e thellë, sikurse është konceptuar dhe po finalizohet prej ekspertëve të mirënjohur dhe me autoritet profesional shqiptar dhe të huaj, është tashmë në dorë të shqiptarëve, të cilët, edhe për shkak se më shumë se sa kanë humbur, nuk humbasin më, janë të gatshëm të sakrifikojnë për të bërë realitet të kapshëm reformimin e sistemit gjyqësor”, tha Beqiri.

Mungesa e vullnetit

Avokati Sajmir Vishaj, në një prononcim për gazetën “Sot”, u shpreh se miratimi i 6 ligjeve u shty për shkak të mungesës së numrave, që do të thotë se shumë deputetë janë kundër zbatimit të reformës. “Ligjet janë shtyrë se nuk janë numrat. Pra s’ka konsensus të gjerë që reforma të zbatohet. Politikanët që frikësohen nga Reforma në Drejtësi janë ata që nuk e duan këtë reformë. Deri më sot nuk kemi asnjë ministër të dënuar për çështje penale sepse çështjet pushohen për shkak të detyrës. Politika ka ushtruar gjithmonë presion ndaj gjykatave dhe prokurorinë”, tha Vishaj. Ndërsa juristi Sokol Hazizaj është shprehur se ishte e parashikueshme që 6 ligjet do të sillnin konflikt të ri politik ashtu siç ndodhi me ndryshimet kushtetuese. Kjo sepse politikanët nuk kanë vullnet për ta implementuar këtë reformë. “Ndryshimet kushtetuese ishin të nxituara, ezaurimi i saj në praktikë dhe shoqërimi me ligjet e tjera organike do të ketë vështirësitë e saj, të cilat do ta thellojnë më tepër konfliktin politik. Politikës sot i intereson vetëm aseti për të rrëmbyer çdo lloj pushteti përtej ekzekutivit”, tha Hazizaj.

Cilësia e reformës

Për avokatin Jordan Daci, shtyrja e ligjeve për miratim dhe debatet janë në favor të një reforme, e cila duhet të jetë e mirëmenduar. Ai thotë se forcat politike të bashkëpunojnë, që të nxjerrin një produkt sa më të mirë. “Unë nuk mendoj që ka një qëllim nga një forcë politike për të penguar zbatimin e reformës në drejtësi. Fakti që forcat kryesore po “përdorin” reformën për axhendën e tyre politike, nuk do të thotë që ato po e pengojnë. Gjykoj që debatet që zhvillohen për çështjet e rëndësishme, i shërbejnë kauzës dhe mundësojnë përmirësimin e akteve përsa kohë kemi të bëjmë me forca politike bashkëpunuese dhe jo destruktive. Gjykoj që kjo çështje në fakt, duhet të ishte shumë më tepër teknike sesa ka qenë deri më tani dhe fare pak politike. Parashikimi më datë 6 tetor, mund të jetë rrjedhojë e axhendës parlamentare dhe nuk më duket ndonjë vonesë, e cila duhet të cilësohet si e tillë! Një gjë është e sigurt, reforma të tilla, duhet të jenë të mirëmenduara, mirëdiskutuara dhe të gjithëpranuara!”, u shpreh Daci.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency