U arrestua për kultivim droge, lirohet nga burgu me 10 milionë lekë garanci kreu i Njësisë Administrative të Pultit

0
192

Kreu i Njësisë Administrative të Pultit në Malësinë e Madhe, Tom Marku ka fituar lirinë nga Gjykata e Apelit në Shkodër, ndërsa akuzohej për mbjellje kanabisi dhe shpërdorim detyre. Vendimi është marrë nga togat e zeza, pasi një muaj më parë ai u vu në pranga nën akuzën e shpërdorimit të detyrës dhe prodhim e mbajtje pa leje të armëve të gjuetisë sportive si dhe atë të kultivimit të bimëve narkotike. Ditën e djeshme administratori i Pultit 60-vjeçari Marku ka lënë qelitë e burgut. Ndërkohë për të fituar lirinë 60-vjeçari la si garanci bankare shumën prej 10 milion lekë të vjetra. Në fund të muajit gusht, gjatë kontrollit të ushtruar në Njësinë Administrative të Pultit, uniformat blu gjetën dhe asgjësuan rreth 20 mijë bimë kanabis sativa, ndërsa në një banesë të braktisur por në pronësi të prindërve të Markut, policia gjeti dhe sekuestroi një sasi prej 1 kg e 303 gramë lëndë narkotike. Po kështu gjatë kontrollit të banesës së Markut, blutë e Shkodrës gjetën dhe një armë gjahu shotgan me 6 fishekë. Administratori i Njësisë së Pultit, gjatë seancave të zhvilluara në Gjykatën e Shkallës së Parë në Shkodër, ka mohuar akuzuat e ngritura ndaj tij. Ai ka mohuar kategorikisht se droga që është gjetur në banesë, të ishte e tija, pasi prej rreth 20 vitesh nuk jetonte më aty. “Për sa i përket shtëpisë, prej 20 vitesh nuk kam shkelur atje. As kam tapi, asgjë. Ka qenë banesa e prindërve, por prej kaq vitesh është e braktisur. Lidhur me armën, unë asnjëherë nuk kam mbajtur as armë gjahu, as ndonjë armë tjetër, ajo që është gjetur në banesë është e vëllait tim. Sa i përket bimës narkotike, as për ta pare se kam parë ndonjëherë dhe as që e njoh”, kështu është shprehur Marku gjatë seancave të mëparshme në Gjykatën e Shkallës së Parë. Administratori Tom Marku, përfundoi në prangat e policisë më 30 gusht të këtij viti bashkë me të, në pranga përfundoi edhe kryeplaku i fshatit, pasi kishte si detyrim ligjor të kallëzonte mbi parcelat e kultivuara në zonën që ai mbulonte.

Operacioni

Gjatë aksionit anti-kanabis që u zhvillua më 30 gusht të këtij viti në Shkodër, ku u përfshinë rreth 200 forca policore, është arrestuar Tom Marku, kryetari i njësisë Administrative Pult në Shkodër. Burime zyrtare policore bënë me dije se në banesën e tij u gjetën 1 kg e 303 gramë lanë narkotike kanabis sativa e tharë në formën e boçes si dhe një armë gjahu tip shotgan me gjashtë fishekë. Marku u arrestua nga policia pasi mbi të rëndonin akuzat për veprat penale “Kultivimi i bimëve narkotike”, “Prodhim dhe shitja e narkotikëve”, “Shpërdorim i detyrës” dhe “Prodhim dhe mbajtje pa leje e armëve të gjuetisë sportive”. Administratori i Pultit Tom Marku, më herët ka mbajtur mandatin e këshilltarit në këshillin bashkiak të Shkodrës, por pak muaj pas betimit dha dorëheqjen për t’u emëruar nga kryebashkiakja Voltana Ademi në detyrën e administratorit të Pultit. Ditën e djeshme ai fitoi lirinë nga Gjykata e Apelit në Shkodër.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency