Furtunë në prokurori nga vetingu, mbi 50 prokurorë kanë abuzuar me detyrën

0
183

Ligji i vetingut pas 15 ditësh hyn në fuqi dhe brenda tetorit nis pastrimi i gjyqësorit dhe prokurorive. Pak ditë më parë, gazeta shkroi se prokuroria ka hyrë në kolaps nga frika e largimeve. Por pyetja që lind është: Sa do jetë numri i prokurorëve që do preken nga vetingu dhe cilat janë gjykatat ku ata operojnë? Sipas ligjit, do të hapen vendimet, dosjet e hetimore dhe çdo gjë tjetër që ka të bëjë me punën e tyre. Ata që janë më të riskuarit sigurisht që janë personat e gjetur me shkelje dhe që kanë abuzuar me detyrën e tyre. Por kush janë këta? Inspektimet në prokurori ushtrohen nga Ministria e Drejtësisë dhe ajo ka një bilanc të qartë të prokurorëve që nuk kanë ushtruar si duhet detyrën e tyre. Vetingu parashikon që do kontrollohen veprimtaritë e prokurorëve dhe gjyqtarëve të 3 viteve të fundit. Por teksa për gjyqtarët gazeta ka publikuar se janë rreth 200 gjyqtarë të gjetur me shkelje nga KLD, nga Ministria e Drejtësisë janë gjetur rreth 50 prokurorë gjatë tre viteve të fundit. Sipas raporteve, në vitin 2015 janë gjetur 24 prokurorë me shkelje. Në vitin 2014, 7 prej tyre dhe në vitin 2013 janë gjetur 19. Pra i bie 50 prokurorë që nuk kanë zbatuar si duhet ligjin. Është e përcaktuar qartë se do kontrollohet çdo dokument qoftë disiplinor, qoftë procesverbal, apo raport i cili tregon veprimtarinë e tij. Nëse vërtet do procedohet ashtu siç është parashikuar, 50 prokurorët në fjalë janë të parët që do preken.

Prokurorët e gjetur me shkelje

Raportet e Ministrisë së Drejtësisë tregojnë se gjatë vitit 2015numri i prokurorëve të gjetur me shkelje është më i lartë. Në këtë vit janë ushtruar kontrolle në disa prej prokurorive kryesore si: Në prokurorinë e Matit, Lezhës, Pogradecit, Elbasanit, Gjirokastrës, Tiranës apo dhe Korçës. Ndërsa në vitet e tjera janë ushtruar kontrolle në prokuroritë e Beratit, Sarandës, Vlorës, Shkodrës dhe Durrësit. Bëhet fjalë për 12 prokurori të gjetur me shkelje gjatë viteve 2013, 2014, 2015. Këto do jenë dhe prokuroritë që do spastrohen të parat nga vetingu. Sipas informacioneve, bazuar dhe në analizën e bërë para reformës në drejtësi, abuzimet më të mëdha janë në prokuroritë dhe gjykatat e rretheve. Për këtë arsye, ato do jenë të parat që do spastrohen.

Shkeljet e prokurorëve

Sa u takon shkeljeve që kanë bërë prokurorët, ato janë të disa llojeve. Ndër më kryesoret janë pushimet e befta të hetimeve, apo mosfillimi i procedimeve disiplinore. Po ashtu ka shkelje të tjera ku nuk ka pasur ankimime në apel, etj. Nëse shihen shembuj konkretë, në Prokurorinë e Elbasanit përgjatë 2015 një prokuror është gjetur me shkelje sa i takon pushimit të çështjeve. Në Prokurorinë e Tiranës janë gjetur shkelje për 2 prokurorë, të cilët në 6 raste nuk kanë nisur procedimet penale edhe pse të akuzuarit, sipas ministrisë, kanë kryer vepra penale. E njëjta gjë ka ndodhur dhe në prokuroritë e tjera, ku ka pushime të mistershme hetimesh, apo mosprocedim penal edhe pse veprat janë flagrante. Në të shumtën e rasteve, Prokurori i Përgjithshëm nuk ka marrë asnjë masë. Megjithatë përmes vetingut të gjithë janë të riskuar nga largimi.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency