Financat, zhgënjen 8-mujori, bie ritmi i të ardhurave

0
221

–   Dikasteri i Arben Ahmetajt fajëson bashkitë se nuk po mbledhin taksat, qytetarët ankohen nga super-taksat e Erjon Veliajt…

 

Ervin Kaduku

 

Për periudhën janar-gusht, qeveria mblodhi 265.7 miliardë lekë të ardhura nga taksat dhe burimet e tjera financiare. Kjo shifër është 7 për qind më e lartë se sa ajo e vitit të kaluar. Por nëse krahasohen me planin, të ardhurat janë 1.2 për qind më të ulëta nga sa ishte parashikuar, ose 4.5 miliardë lekë më pak. Sipas Ministrisë së Financave, mosrealizimi i detyrohet kryesisht të ardhurave jotatimore dhe ecurisë së dobët të pushtetit vendor. Nuk kuptohet se për kë e kanë fjalën, po të mbash parasysh se Bashkia e Tiranës i ka mbingarkuar, si privatët, ashtu edhe qytetarët, me super-taksa…
Ndërsa të ardhurat tatimore, ato që mblidhen nga Tatimet dhe Doganat, si dhe kontributet e sigurimeve shoqërore janë realizuar në masën 99.8 për qind.
Sipas Ministrisë së Financave, zërin me ecurinë më të mirë e ka patur tatimi mbi fitimin. Të ardhurat nga kjo taksë ishin 3.4 miliardë lekë më të larta se plani dhe po kaq mbi ato të vitit të kaluar, duke dëshmuar për rritje të fitimeve të deklaruara nga bizneset.
Por nëse tatimi korporativ ka patur një ecuri dukshëm më të mirë se pritshmëritë, ai mbi vlerën e shtuar ka rezultuar poshtë tyre. Edhe pse krahasuar me një vit më parë, të ardhurat nga TVSH-ja janë më të larta, ndaj planit të këtij viti ato rezultojnë 2.3 miliardë lekë më pak. Ecuri më të ulët se plani kanë patur edhe të ardhurat nga taksat nacionale, ndërsa tatimi mbi të ardhurat personale vazhdon të performojë pozitivisht.
Për gjithë vitin qeveria ka parashikuar të mbledhë 415 miliardë lekë të ardhura në buxhet, për të financuar planin e shpenzimeve publike.

Në gusht 2016 u mblodhën gjithsej 32.56 miliardë lekë, nga 32.38 miliardë lekë në të njëjtën periudhë të një viti më parë, pra pothuajse në të njëjtat nivele. Gushti 2016 ishte muaji më i dobët i këtij viti, që nga shkurti, ndërsa muaji më i mirë ka qenë korriku, me 34.9 miliardë lekë të ardhura.

Në total, për 8 mujorin, të ardhurat nga tatimet e doganat ishin 181.6 miliardë lekë, me një zgjerim prej 8.4% me bazë vjetore.  Ecurinë më të mirë e kanë pasur të ardhurat nga tatim fitimi që janë zgjeruar me 18.8%, kryesisht si rrjedhojë e këstit mujor që derdhte Bankers Petroleum, por që nuk do e paguajë më, pasi auditori i dha të drejtë kompanisë në konfliktin me tatimet, si dhe performancës së mirë të shoqërive energjetike, si OSHEE, apo KESH.

Të ardhurat nga TVSH janë rritur me 6.8% për periudhën janar-gusht, në raport me 8 mujorin e një viti më parë. Akciza u zgjerua me 6.2%, si rrjedhojë e rritjes së importeve të mallrave të akcizës dhe tatimi mbi të ardhurat personale me 12.1%.

Ecuri të mirë shënuan dhe sigurimet shoqërore e shëndetësore, me zgjerim përkatësisht me 12.6 dhe 12.7%, megjithatë duhet pritur si do të jetë ecuria e tyre, pasi Gjykata Kushtetuese shfuqizoi pagat e referencës për profesionet e lira. Vendosja e tyre nga janari rriti ndjeshëm sigurimet që duhet të paguanin profesionistët, duke ndikuar pozitivisht në këtë zë.

Buxheti është penalizuar nga rënia e të ardhurave jo tatimore, teksa Banka e Shqipërisë derdh fitime minimale, ndërsa këtë vit nuk ka arkëtime të jashtëzakonshme nga licensat celulare, siç ndodhi vitin e kaluar.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency