Reforma në drejtësi fut në kaos drejtësinë shqiptare, braktisen hetimet për dosjet e rëndësishme

0
181

Reforma në drejtësi dhe veçanërisht ligji i vetingut ka futur në kaos drejtësinë shqiptare, por veçanërisht prokurorinë. Në ditët në vijim pritet të nisin procedurat për rivlerësimin e pjesëtarëve të organit të akuzës dhe mësohet se shumica janë në panik, pasi presin që të largohen. Kjo ka bërë që një pjesë e madhe e prokurorëve, veçanërisht të Prokurorisë së Përgjithshme dhe të Tiranës, të braktisin hetimet për dosjet e rëndësishme. Gazeta u interesua pranë organit qendror të akuzës për të marrë informacion mbi hetimet për një sërë zyrtarësh të rëndësishëm, të cilët janë kallëzuar, por deri më tani nuk ka asnjë lëvizje. Mësohet se prokurorët kanë braktisur hetimet pasi presin që shumë shpejt të largohen. Sipas burimeve të sigurta nga Prokuroria e Përgjithshme, asnjë dosje e rëndësishme nuk po hetohet, nga ato të korrupsionit, te dosjet e emrave të rëndësishëm të krimit. Të gjitha janë braktisur, pasi prokurorët kanë nisur të neglizhojnë punën, duke e ditur se me reformën gjithçka do ndryshojë. Pak ditë më parë, prokuroria lëshoi akuza ndaj Kuvendit se me ndryshimet kushtetuese ka bllokuar punën e saj, pasi mungojnë dispozitat. Por teksa Kuvendi dhe vetë Ministri i Drejtësisë deklaruan se puna duhet të vijojë normalisht me ligjet aktuale, asnjë prej dosjeve të rëndësishme nuk është hapur pas kthimit nga pushimet. Sipas burimeve të sigurta nga Prokuroria e Përgjithshme dhe ajo e Tiranës, shumë prokurorë janë trembur dhe demoralizuar nga reforma. Për këtë arsye, ata kanë braktisur hetimet, teksa një numër tjetër po mendojnë dorëheqjen. Duket se prokuroria është mbërthyer nga kaosi dhe paniku i reformës, duke bërë që të mos ketë asnjë hetim dhe gjithçka të realizohet nga SPAK dhe pas reformës në drejtësi.

Largimi i prokurorëve

Presidenti Bujar Nishani pritet që të kalojë në heshtje ligjin për vetingun. Kjo do të thotë se gjatë kësaj jave, ai do nisë zbatimin dhe në këtë mënyrë nis numërimi mbrapsht për prokurorët dhe gjyqtarët në vend. Kjo duket se ka trembur qindra prokurorë, të cilët mund të kenë abuzuar me detyrën. Në bazë të vetingut do kontrollohet puna gjatë këtyre viteve, do kontrollohet pasuria dhe pastërtia e figurës. Dihet se të gjithë njerëzit e drejtësisë janë me pasuri gjigante dhe kjo duket se ka sjellë panik. Sipas burimeve shumë të sigurta, shumë prokurorë kanë nisur të mendojnë dorëheqjen, me qëllim që të mos u zbulohen aferat. Ndërsa një numër tjetër i madh janë të bindur se me vetingun do largohen. Zyrtarë të Prokurorisë së Përgjithshme thanë për gazetën se të gjithë janë duke punuar sikur të ishte dita e tyre e fundit. Askush nuk po u jep rëndësi hetimeve, por po ndjekin formalisht detyrimet derisa të nisë zbatimi i reformës dhe të rikonfigurohet nga e para prokuroria. SHBA dhe BE kanë paralajmëruar se do të ketë shumë dorëheqje me nisjen e reformës në drejtësi. Sapo të nisë vetingu duket se këto dorëheqje do të jenë masive, si në radhët e prokurorëve ashtu dhe në radhët e gjyqtarëve.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency