Hyn në fuqi ligji i vetingut, pas 5 ditësh nis puna për zbatimin e tij

0
139

Ligji i shumë kontestuar dhe i kundërshtuar nga opozita, ai i vetingut ka hyrë dje në fuqi. Presidenti Bujar Nishani e ka kaluar në heshtje ligjin “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”, dhe për këtë i ka ardhur në ndihmë edhe pjesëmarrja e tij në Samitin e OKB në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Kushtetuta e Shqipërisë parashikon që Presidenti ka 21 ditë kohë për të dekretuar një ligj, afat  që përfundoi dje, më 20 shtator. Në ditën e fundit, në të cilën Presidenti do të duhej të shprehej për një ndër ligjet më të rëndësishme të reformës në drejtësi, Bujar Nishani e dekreton, por e ka kaluar atë duke shfrytëzuar përcaktimet kushtetuese, sipas të cilave një ligj i miratuar nga Parlamenti vlerësohet si i pranuar nga Presidenti edhe në rastin kur ai nuk dekretohet. Në këto kushte, ligji që synon të pastrojë drejtësinë nga prokurorët dhe gjyqtarët e korruptuar, vijon procedurat e hyrjes në fuqi dhe zbatimit. Ndryshe nga ligjet e tjera, vetingu që u miratua në një seancë të jashtëzakonshme parlamentare, më 30 gusht, hynë në fuqi në momentin e botimit të tij në Fletoren Zyrtare. Procedura normale të hyrjes në fuqi të një ligji është 15 ditë pasi botohet në Fletoren Zyrtare, por nisur nga urgjenca për zbatimin e tij, vetingu kalon në momentin që botohet .

Ndërkohë, Partia Demokratike ka kundërshtuar dhe nuk e ka votuar ligjin e vetingut me argumentin se shkelte Kushtetutën e re që u miratua më 21 korrik. PD ka paralajmëruar se do ta çojë ligjin për ankimin në Gjykatën Kushtetuese, por edhe nuk dihet si do të veprojë selia blu. Kjo pritet të qartësohet në ditët në vijim. Ligji i vetingut është konsideruar ndër më të rëndësishmit sa i përket zbatimit ose efekteve konkrete që do të ketë reforma në drejtësi. Ky ligj parashikon klauzolat konkretet të kontrolleve të imtësishme të gjithë trupës së gjyqtarëve dhe prokurorive në Shqipëri. Ata që nuk do të kalojnë dot testin e vetingut, përjashtohen nga sistemi i ri i drejtësisë. Trupa e re e drejtësisë, duke iu nënshtruar ligjit, do të kontrollohet për pasurimin dhe burimet e krijimit të saj, lidhjet me elementë të krimit dhe aftësive të tyre për të ushtruar profesionin. Për këtë proces do të ngrihen dy organe të posaçme, që është Komisioni i Pavarur i Kualifikimit dhe Kolegji i Posaçëm i Apelimit. Ky proces do të mbështetet nga ekspertë ndërkombëtarë. Sipas ligjit, pas 5 ditësh, Byroja e Kuvendit  duhet të miratojë: fondin limit të nevojshëm; termat e referencës për zhvillimin e sistemit elektronik dhe ofrimit të shërbimit: si dhe procedurat e nevojshme të prokurimit në përjashtim të rregullave të parashikuara në legjislacionin në fuqi të prokurimit publik.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency