Shqipëria kthehet në Kolumbi të Europës, shtohen faktet dhe përgjegjësitë mbi ministrin Saimir Tahiri

0
160

Shqipëria është kthyer tashmë në Kolumbinë e Evropës. Teksa me qindra raporte ndërkombëtare kanë dhënë alarmin se e gjithë BE furnizohet nga vendi ynë me kanabis, duket se shtohen faktet dhe përgjegjësitë mbi ministrin Saimir Tahiri. Dje në mesditë u rrëzua një tjetër avion në brigjet shqiptare, i cili dyshohet se kishte ardhur në Shqipëri për trafik droge. Rreth orës 11:30, deputeti Flamur Noka deklaroi në Parlament se ishte rrëzuar një avion me drogë në Ishëm. Pas pak çastesh, policia e konfirmoi një gjë të tillë, por u shpreh se avioni nuk kishte asnjë lëndë të paligjshme në bord. Ishin banorët që rreth orës 08:45 lajmëruan policinë për avionin, e cila shkoi një orë me vonesë. Bëhet fjalë për një avion të vogël sportiv, ngjyrë e bardhë, tip “Piper” i ngjashëm me avionin që ra në Divjakë dhe që ishte i mbushur me kanabis. Pak çaste pas rënies, në vendngjarje mbërritën efektivët e policisë, agjentët e SHISH dhe përfaqësues të prokurorisë që bënë krehjen e zonës por nuk gjetën gjë. Më pas piloti u shoqërua nga policia, teksa menjëherë nisën hetimet nga Prokuroria e Krimeve të Rënda, pasi ka dyshime se avioni kishte ardhur në Shqipëri për të blerë drogë. Policia zbuloi se mjeti fluturues drejtohej nga shtetasi italian Guido Andrea Guidi, 69 vjeç. Ai ishte nisur nga Bari i Italisë. Gjatë dëshmisë në polici ai ka deklaruar se duke qenë se moti ishte i bukur kishte udhëtuar mbi det, por avioni i kishte dhënë defekt dhe në zonën e Ishmit kishte parë se ishte terreni më i mirë për t’u ulur.

Hoxha: Piloti pranon trafikun

Mbrëmjen e djeshme është bërë e ditur se piloti italian ka pranuar se kishte ardhur në Shqipëri për trafik droge. Ai ka rrëfyer para autoriteteve se kishte ardhur për të testuar pistën fillimisht dhe më pas do ktheje për të marrë 200 kg drogë. Kjo gjë u bë e ditur dje nga gazetari Artan hoxha në një emision. “Gjatë deklarimeve që ka dhënë sot pasdite shtetasi italian, ai ka deklaruar se kam ardhur në Shqipëri për të provuar nëse funksionon pista. Kam ardhur për të provuar pistën dhe plani im ka qenë që të kthehem dhe të transportoj një sasi prej 200 kg drogë”, tha ai.

Hetimet për trafik droge

Dyshimet e organeve hetimore janë se avioni ka ardhur në vendin tonë për t’u mbushur me kanabis, duke ripërsëritur rastin e Giorgio Riformatos. E para është se piloti italian ka hyrë në vendin tonë në mënyrë të jashtëligjshme, pasi sipas të dhënave të Alboctroll dhe të Aviacionit Civil, ai nuk kishte asnjë leje. Po ashtu dyshimet shtohen se avioni kishte të fikur transpoderin dhe radion, për të mos u pikasur nga radarët. Po ashtu nëse kishte probleme, duhej të lidhej me kullën e kontrollit. Elementi tjetër është se rreth 5 km që aty ndodhej Rinasi. Elementi më i dyshimtë është se në vendin ku u gjet avioni u zbulua një pistë dheu rreth 1.5 km. Toka ishte ngjeshur dhe gjatësia ishte e njëjtë me atë të një piste avioni. Për këtë arsye janë shoqëruar në polici katër persona që dyshohet se kanë bërë këtë gjë. Ata kanë thënë në polici se e kishin përgatitur për ta kthyer në qendër hipizmi, por këto deklarata kanë ngjallur dyshime. Faktet tregojnë se raportimet e mediave italiane se bëhet trafik me avionë, janë të vërteta. Në maj 2014 u kap një avion i ngjashëm i drejtuar nga Giorgio Riformato. Në bord, ai kishte 460 kilogram kanabis. Ndërkohë, në korrik 2015, në Itali u kap një avion i ngjashëm me 80 kilogram kanabis. Ai ishte nisur nga Vlora. Pra, faktet tregojnë se Shqipëria është kthyer në Kolumbi, por jo për kokainën, por për kanabisin.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency