VIDEO/ Informatori i Artan Hoxhës, që u ekzekutua me plumb pas koke në Devoll: Pamjet që i morën jetën Landit të Mirasit

0
274

Gazetari Artan Hoxha ka rrëfyer në “Opinion” se një informator i tij në fshatin Koshnicë të Devollit, që e pati ndihmuar të hynte te parcelat e kanabisit është ekzekutuar me plumb pas koke, tre muaj pasi publikoi rrëfimin e tij në News24. Hoxha tregon momentin kur informatori i tha se ndihej i frikësuar, pasi nëse e shihnin me gazetarin me dylbi nga lart, do ta njihnin dhe do ta ekzekutonin. Hoxha publikoi videon ku informatori e shoqëron në parcela, duke shfaqur për herë të parë fytyrën dhe emrin e tij. Informatori i Hoxhës duket teksa e shoqëron gazetarin në parcelat e mbjella me kanabis të fshatit të tij, dhe rrëfyer se si zhvillohet aktiviteti ilegal në këtë zonë. Gazetari thotë se vrasja e informatorit të tij edhe sot e kësaj dite, nuk është zbuluar, ndonëse pasi publikoi historinë, policia ndërhyri dhe e asgjesoi kanabisin. “Gjatë vitit të kaluar ka qënë kjo situatë që është sot. Pas fushatës anti­kanabis u bë një konferencë. U dhanë disa shifra të policisë së shtetit, një shifër e madhe 99.2 përqind e sipërfaqes së identifikuar. Unë shkova në Devoll, në një fshat që nuk është shquar për mbjellje. Kishim dyshime për bashkëpunim me oficerë të policisë. Kisha dy informatorë që më ndihmuan të shkoja në parcela. Unë shkova me kamera standarte. Fiks tre muaj pasi hymë në këtë zonë, për shkak të konflikteve që janë në këtë zonë, personi në fjalë ishte i trembur që të më bashkëngjitej sepse mendonte që do ta vëzhgonin em dylbi nga lart. Për fat të keq, tre muaj më mbrapa në 19 Dhjetor, ky person është rrëmbyer në banesën e vet, është goditur me plumb pas koke dhe u hodh në kanal. Deri më sot kjo vrasje nuk është zbuluar. I vrari ishte personazh me lidhje të botës së trafikut. Nëse ai do të jetonte unë nuk do ta publikoja videon me fytyrën e tij”.­ deklaroi Hoxha. Informatori i Hoxhës quhej Jani Kollçinaku, ose ndryshe “Landi i Mirasit”, banues në Miras të Devollit. “Landi i Mirasit”, i njohur për lidhjet e tij me narkotrafikun u gjet i vrarë mëngjesin e 20 dhjetorit 2015 në krah të rrugës.Korçë­Devoll shumë larg banesës së tij, i qëlluar me një plumb në kokë. Çka ngriti dyshimin te policia se viktima është rrëmbyer dhe më pas ekzekutuar disa kilometra larg banesës së tij. INVESTIGIMI I HOXHES Në fakt, në muajin shtator 2015, menjëherë pas publikimit të parcelave të hashashit nga Artan Hoxha, vetë gazetari dhe operatori janë kërcënuar me një mesazh telefonik. Një mesazh kërcënues ka mbërritur në redaksinë e “News 24”, drejtuar gazetarëve të këtij televizioni. Mesazhi kërcënues mbërriti në një nga telefonat celularë të redaksisë dhe numri i takonte shtetit të Holandës. Ky kërcënim i drejtohej gazetarit Artan Hoxha dhe operatorit Ervin Daja, të cilët realizuan një reportazh në parcelat me hashash të pakorrur në Devoll. Në tekstin e mesazhit thuhej: ‘Për spektaklin që keni bërë me djersën dhe gjakun tonë do paguani me kokë. Çdo rrënjë dhe cent që na çuat dëm, do ta paguani. Faturën do ta paguajnë familjet dhe fëmijët tuaj. Do shihemi shumë shpejt, përshëndetje nga Holanda’. Mesazhi shkruhej nga numri 0031 615 538 xxx dhe për të redaksia njoftoi edhe policinë.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency