Kokëdhima: Emërimi i kandidatëve për deputetë nga kryetari është një fenomen negativ, duhet të marrë fund

0
199

Koço Kokëdhima kërkoi në Asamblenë e Vlorës që kandidatët për deputetë në zgjedhjet e ardhshme parlamentare të zgjidhen me parimin “një anëtar, një votë”. Pasi i dha fund miqësisë me Edi Ramën, Kokëdhima u bind se emërimi i kandidatëve për deputetë nga kryetari është një fenomen negative dhe që duhet të marrë fund. Për t’i bindur socialistët e Vlorës se ka të drejtë, Sekretari për Organizimin dhe Emigracionin në PS i përshkroi deputetët socialistë si “figura të papëlqyeshme” dhe që “nuk gëzojnë asnjë respekt nga zgjedhësit”.

Sa figura deputetësh janë të papëlqyeshme për njerëzit, sa shumë deputetë nuk gëzojnë asnjë respekt dhe asnjë vlerësim nga zgjedhësit e megjithatë ata ndërrojnë qarqet çdo katër vjet dhe vazhdojnë të rrinë në parlament. Si vijnë këta njerëz, si bëhen deputetë këta njerëz? Secili nga ne ka në imagjinatë shembuj të ndryshëm dhe emra që nuk do mund të përzgjidheshin kurrë në lista nëqoftëse do pyeteshin zgjedhësit. Si e bëjnë të mundur këta persona që hop dhe të jenë në krye të nivelit të përfaqësimit të qytetarëve. Arsyeja është shumë e thjeshtë: sepse nuk diskutohet me bazën e partisë dhe me qytetarët. Ja pse insistoj unë në këtë çështje”

Në fjalën e tij në Asamblenë e Vlorës, ish deputeti sqaroi hamendësimet se bashkë me miqësinë me Edi Ramën, mori fund edhe qëndrimi i tij në Partinë Socialiste.

“Kokëdhima është më i majtë se të gjithë ata që thonë që do shkojë këtej, do shkojë andej, është më socialist se të gjithë ata që predikojnë se në cilën parti do të vejë Kokëdhima. Unë do të insistoj për ta zhvilluar dhe për ta bashkuar të majtën e Shqipërisë. E majta në Shqipëri i ka të gjitha kushtet dhe të gjithë luksin të planifikojë qeverisje dhe zhvillim afatgjatë të vendit. Nëse ne bashkojmë dhe modernizojmë të majtën mund t’ia dalim të mos i shndërrojmë institucionet e shtetit si tani, në inkubatorë votash përmes punësimeve partiake e jashtë kërkesave profesionale. PS-ja ka detyrimin që t’u japë mundësi qytetarëve që të luajnë rol për fatin e tyre, t’u japë mundësi qytetarëve dhe anëtarëve të thjeshtë të PS-së që të marrin pjesë në politikëbërje dhe në qeverisje”. U shpreh ish deputeti.

Por në momentin që Kokëdhima ka marrë fjalën, kryetari i FRESSH-it të Vlorës, Klajdi Myzaferaj, njëkohësisht edhe Drejtori i Qendrës së Formimit Profesional në Vlorë u largua nga salla bashkë më tre vartës të tij. Myzaferaj është shprehur se nuk dëshiron që të dëgjojë Kokëdhimën dhe ka kërkuar që edhe të pranishmit e tjerë të dalin nga salla. “Përveç tre pasuesve të tij, asnjë person tjetër nuk ka dalë nga salla” shkruan gazeta Shekulli që e përshkruan këtë moment një inskenim nga mediat që sulmojnë Koço Kokëdhimën.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency