66 kg kanabis e sekuestruar dhe 868 bimë të asgjesuara është bilanci i katër operacioneve antidrogë nga policia e Fierit. Po kështu blutë kanë vënë në pranga 2 persona për drogën si dhe janë shpallur në kërkim dy të tjerë.
Në Fier, finalizimi i operacioneve antidrogë të koduar “Çerveni” dhe “Pojani” çoi në zbulimin dhe sekuestrimin e 13 kg e 340 gram lëndë narkotike e dyshuar Cannabis Sativa e futur në dy thasë të mbështjellë me letër natribani. Lënda narkotike u gjet gjatë kontrollit në stanin e shtetasit Sh.L, 46 vjeçnë fshatin Çerven.Gjithashtu u gjetën dhe asgjësuan 92 bimë narkotike të dyshuara kanabis.
Ndërkaq nga kontrolli i ushtruar në Pojan në banesën e shtetasit Z.B, 46 vjeç, u gjetën dhe sekuestruan 52 kg e 660 gram lëndë narkotike e dyshuar Cannabis Sattiva.Gjithashtu në baçen e këtij shtetasi u gjetën të mbjella 51 bimë narkotike të dyshuara Cannabis Sattiva.Policia ka shpallur në kërkim të dy autorët dhe po punon për kapjen e tyre.
Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Fier për veprat penale “Prodhim dhe shitje e narkotikëve” dhe “Kultivimi i bimëve narkotike”.
Në Patos u arrestua në flagrancë shtetasi Demiklajd Shatëri, 20 vjeç, banues në fshatin Plyk, Fier.
Arrestimi i këtij shtetasi u bë pasi gjatë kontrollit ne tokën e tij në fshatin Plyk u gjetën dhe asgjësuan 100 bimë narkotike të dyshuara Cannabis Sattiva.
Në Lushnje u arrestua në flagrancë shtetasi Xhelal Mezini, 71 vjeç, banues në fshatin Karbunarë e Madhe. Arrestimi i këtij shtetasi u bë pasi nga kontrolli i ushtruar në oborrin e banesës së tij i’u gjetën e asgjësuan 7(shtatë) bimë narkotike të dyshuara Cannabis Sattiva.
Në Mallakastër, nga kontrolli i ushtruar prej efektivëve të policisë në fshatrat Drizar, Kremenar, Ngraçie dhe Kraps u gjetën dhe asgjësuan 618 bimë narkotike të dyshuara Cannabis Sattiva.Policia po punon për identifikimin dhe kapjen e kultivuesve.