Petrit Vasili: Nuk është koha për rishikim koalicioni, reforma në drejtësi dhe ekonomia më të rëndësishme

0
217

Kryetari i Grupit Parlamentar të LSI, Petrit Vasili, ka deklaruar dje se nuk është koha për rishikim të koalicionit. Duke folur në një intervistë për  “Report TV”, ai iu përgjigj në një farë mënyre deklaratës së kryeministrit Edi Rama, i cili kërkoi që palët të ulen dhe të vendosin për fatin e bashkëpunimit në zgjedhjet e ardhshme. Mirëpo Petrit Vasili deklaroi dje se ka gjëra më të rëndësishme se koalicioni. “Kemi një vit impenjativ përpara, nuk është koha e duhur për të folur për koalicionin. Kemi përpara aplikimin e reformës në drejtësi. Kërkohet një shtysë e re e ekonomisë. Rëndësi ka ku do jetë Shqipëria në 2017 dhe jo ku do të jetë koalicioni. Në përmbyllje të reformave do të ulemi dhe të diskutojmë që të nxjerrim konkluzione për të ardhmen e koalicionit”, deklaroi Vasili.

Edhe pse Rama këmbëngul që të ulen sa më shpejt përfaqësuesit e dy koalicioneve, për Vasilin nuk ka një datë se kur mund të ndodhë një gjë e tillë. “Reforma në drejtësi dhe reforma territoriale, janë reforma të mëdha të këtij koalicioni, i cili ka qenë promotor i këtyre reformave”, ka deklaruar Vasili. I pyetur nëse ky koalicion është më i miri në këto 25 vite, Vasili tha se e vërteta absolute nuk ekziston as në shkencë. Sa i takon zgjedhjes së presidentit, ai tha se në marrëveshjen e lidhur mes dy palëve nuk përfshihet kjo çështje. Vasili theksoi se marrëveshja është për të qeverisur vendin dhe presidenca nuk është qeverisja e vendit, duke konfirmuar se aktualisht zgjedhja e kreut të ri të shtetit nuk është në axhendën e dy partive. Vasili ka folur edhe për reformën zgjedhore ku theksoi se nuk kemi të bëjmë me një reformë, por me një ligj zgjedhor që do rishikohet sipas rekomandimeve të OSBE-ODHIR. Reagimi i Vasilit erdhi pas deklaratës së kreut të LSI, Ilir Meta, duke përforcuar qëndrimin e kësaj force politike. Teksa Rama kërkon me ngulm që palët të ulen dhe të bisedojnë, duket se nuk po ndodh kështu me LSI, e cila po vë në pikëpyetje aleancën edhe në zgjedhjet e ardhshme.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency