Raporti 2015/ Rriten rastet e abuzimeve seksuale me fëmijët, shumica brenda familjes

0
231

Në Shqipëri, si dhe në Evropë, numri më i lartë i abuzimeve seksuale me fëmijë, rezulton brenda rrethit të besimit të fëmijës

 

Sejrie Baleta

 

Rritja e rasteve të fëmijëve të abuzuar seksualisht, janë nga ato lajme të cilat kanë tronditur opinionin publik dhe që kanë lënë gjurmë në shpirtrat e të gjithëve. Shumë artikuj dhe kronika që flasin në lidhje me këto raste, tregojnë se numri i tyre është gjithnjë e në rritje.  Agjencia Shtetërore për Mbrojtjen e Të drejtave të Fëmijëve, ka publikuar raportin për vitin 2015 ku hidhet dritë mbi të tjera gjetje, të evidentuara mbi “Të Dhënat Vjetore të Punës së Njësive për Mbrojtjen e Fëmijëve”, për vitin 2015. Bazuar në ligjin Nr 10347 datë 4.11.2010 “Për Mbrojtjen e të Drejtave të Fëmijëve”, Agjencia Shtetërore për Mbrojtjen e të Drejtave të Fëmijëve (ASHMDF), ka përgjegjësi të monitorojë dhe të kontrollojë zbatimin e këtij ligji si dhe punën e Njësive për Mbrojtjen e Fëmijës (NJMF). NJMF-të raportojnë periodikisht çdo tre muaj dhe një herë në vit pranë ASHMDF. Në bazë të raportimit vjetor të NJMF-ve është hartuar raporti me të dhëna narrative dhe në shifra mbi punën dhe rastet e menaxhuara nga NJMF-të gjithë vitit 2015. Shifrat bazohen në raportimet e 124 NJMF apo 61% e NJMF në të gjithë vendin.

Raste të ndjekura nga Njësitë për Mbrojtjen e Fëmijës për vitin 2015

Raste në Total     1403

Raste të Reja         738

Raste të Mbyllura  285

Raste të Mbartura   380

Në rastet e menaxhuara rezulton se janë trajtuar fëmijë me problematika të ndryshme si: probleme ekonomike 645 raste, dhunë në familje 155 raste, trafikim 15 raste, fëmijë në situatë rruge 285 raste, aftësi e kufizuar 29 raste, braktisje shkollore 72 raste, mosregjistrim 35 raste si dhe problematika të tjera 60 raste. Nga të gjithë fëmijët e marrë në mbrojtje nga NJMF (1403 fëmijë), vetëm 555 fëmijë apo 40 % e tyre janë raportuar si fëmijë që kanë përjetuar një nga format e abuzimit, neglizhim 352 raste, abuzim psikologjik 106 raste, abuzim fizik 71 raste dhe abuzim seksual 26 raste. Për vitin 2015, nga informacioni  ka pasur nga 124 Njësi të Mbrojtjes së Fëmijëve rezulton se ato kanë trajtuar në total 1403 raste të fëmijëve që kanë pasur nevojë për mbrojtje. Nga këto, 555 kanë qenë raste të fëmijëve që kanë pësuar një formë abuzimi fizik, psikologjik, seksual apo neglizhimi, ndërsa 285 raste kanë qenë fëmijë në situatë rruge. Rastet e abuzimit seksual të menaxhuara nga NJMF-të kanë qenë 26 për vitin 2015, ndërsa kanë qenë 22 vetëm për 6-mujorin e parë të 2016-s.

Abuzuesit e fëmijëve

Në Shqipëri, si dhe në Evropë, numri më i lartë i abuzimeve seksuale me fëmijë, rezulton brenda rrethit të besimit të fëmijës. Me këtë koncept nënkuptohet jo vetëm familja, por edhe persona të afërm e të njohur nga fëmija dhe prindërit, të cilët kanë akses tek fëmija, siç mund të jenë mësuesi/ja, trajneri/ja, një i/e njohur i/e familjes, etj. Brenda rrethit të besimit një vend të rëndësishëm zënë abuzimet e kryera nga një anëtar i familjes së fëmijës, siç mund të jetë babai, njerku, xhaxhai, etj. Për shoqërinë tonë, të flasësh për një temë të tillë nuk është e lehtë, pasi në përgjithësi ne kemi një institucion familjar të fortë, ku fëmijët kanë një vend të privilegjuar. Megjithatë, siç tregoi edhe studimi që në vitin 2015, në Ditën Europiane për Mbrojtjen e Fëmijëve nga abuzimi seksual, që prezantuam në bashkëpunim me organizatën Terre des Hommes, abuzimet brenda familjes përfaqësojnë shumicën e rasteve të abuzimeve seksuale të fëmijëve shqiptarë. Megjithatë, ne si Agjenci kemi vështirësi të mbledhim të dhëna sistematike dhe të sakta mbi këtë fenomen, pasi kjo e dhënë nuk na raportohet sistematikisht.

Rastet e raportuara

Në përgjigje të kërkesës për informacion periodik, kanë raportuar 124 NJMF apo 61% e tyre. Nga totali i NJMF që kanë raportuar, 72 NJMF ose 58 % e tyre, kanë raportuar se nuk kanë ndjekur asnjë rast për vitin 2015. 52 NJMF që kanë raportuar ndjekjen e më shumë se 1 rasti, janë kryesisht NJMF e qyteteve kryesore të bashkive. Gjatë vitit 2015, NJMF kanë menaxhuar një numër total prej 1403 raste të fëmijëve në rrezik, të identifikuar nga NJMF dhe aktorë të tjerë. Nga këto, janë të identifikuar 738 raste të reja, rreth gjysma e rasteve të menaxhuara në total gjatë gjithë vitit. Në rastet e reja të identifikuara, 394 ishin femra dhe 344 meshkuj. Pjesa tjetër, janë raste të mbartura nga vitet e mëparshme. Numri më i madh i fëmijëve të rinj të identifikuar në nevojë për mbrojtje, i përket fëmijëve të grupmoshës 7-14 vjeç, rreth 373 raste të reja për vitin 2015Afërsisht gjysma e rasteve të reja të identifikuara janë fëmijë nga komunitetet rom dhe egjiptian. 200 fëmijë në rrezik janë identifikuar në komunitetin rom dhe 160 në komunitetin egjiptian.

Identifikimi i rasteve

Bazuar në kërkesat e formularit të ri, për herë të parë është mbledhur informacion me qëllim identifikimin e aktorëve më aktivë në referimin e rasteve të dhunës ndaj fëmijëve si dhe në bashkëpunimin me NJMF. Rastet janë identifikuar nga aktorë të ndryshëm në nivel vendor. Numri më i madh i rasteve është identifikuar nga vetë NJMF, 168 raste, por edhe institucionet arsimore kanë luajtur një rol të rëndësishëm në identifikim (106 raste). Ndonëse me shifra të vogla (4 raste), fëmijët vetë kanë referuar dhunën pranë strukturave përgjegjëse. Prindërit kanë raportuar 73 raste dhe OJF kanë referuar 71 raste. Mediat kanë pasur rol të rëndësishëm në identifikimin e rasteve të abuzimit të fëmijëve, duke ndihmuar NJMF dhe institucionet e tjera në veprimet e tyre për mbrojtjen e fëmijëve. Megjithatë janë vënë re edhe disa problematika në lidhje me ruajtjen e konfidencialitetit të fëmijës gjatë raportimeve të mediave. Shpesh mediat kanë përmendur detaje nga jeta private, banesa, emri i fëmijës dhe /ose prindërve, foto intervistime të të afërmve duke bërë lehtësisht të identifikueshëm fëmijën, duke shkelur të drejtën e tyre për privatësi, dhe duke penguar rehabilitimin e fëmijëve viktima.

Rastet në nivel rreziku

Sipas raportimeve, numri më i madh i rasteve të trajtuara kanë qenë raste me rrezikshmëri të ulët, 570 dhe me rrezikshmëri të mesme, 431 raste. NJMF kanë menaxhuar 167 raste me rrezikshmëri të lartë, ndërsa rastet emergjente të trajtuara janë 110 raste ose 8% e rasteve në total

Mënyra e vlerësimit të nivelit të rrezikut nga NJMF, nuk është shumë e qartë. Bazuar në komunikimet me NJMF, me qëllim ofrimin e mbështetjes teknike që ASHMDF ofron gjatë procesit të menaxhimit të rasteve, është konstatuar se shpesh NJMF bazohen në perceptimin e tyre mbi nivelin e rrezikut të rastit dhe rrallë herë bazohen në kriteret e përcaktuara në legjislacion. Kjo tregon nevojën për trajnim dhe ngritje të kapaciteteve të NJMF-ve me qëllim sigurimin e zbatimit të legjislacionit me korrektësi.

Abuzimi i fëmijëve

Abuzimi i fëmijëve përkufizohet si: “Abuzimi apo keqtrajtimi i fëmijëve përfshin të gjitha format e keqtrajtimit fizik dhe/ose emocional, abuzimin seksual, lënien pas dore apo trajtimin neglizhues, shfrytëzimin e fëmijës për qëllime përfitimi apo çdo lloj tjetër që shkakton dëmtim aktual apo të mundshëm të shëndetit, mbijetesës, zhvillimit apo dinjitetit në kontekstin e një marrëdhënie përgjegjësie, besimi apo pushteti.” (OBSH, 1999) Dallohen katër forma të keqtrajtimit të fëmijëve:

Abuzimi fizik;

Abuzimi seksual;

Abuzimi psikologjik;

Neglizhimi

Nga raportimi për rastet e ndjekura nga NJMF rezulton se 555 fëmijë kanë pësuar të paktën një nga llojet e abuzimit, ndër 1403 fëmijë të trajtuar nga NJMF gjatë 2015.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here