26-vjeçarja nga Kukësi: Vjehrra më mbyti fëmijën, ndërsa burri kalonte murin e shkonte te komshija

0
256

Një histori jete e dhimbshme e me plot vuajtje e tortura, as imagjinata nuk e do e krijonte kaq të mjeruar sa ç’e bëri realiteti jetën e kësaj 26-vjeçare nga Kukësi. Ajo shkruan për JOQ se ka parë tmerrin me sy.

“Nuk di nga t’ia nis sepse jeta ime nisi me një fatkeqësi, humba njërin prind dhe jeta ime u bë shumë e vështirë. Që e vogël rashë në depresion, nuk dilja, nuk flisja me njeri. Në shkollë kur shkoja më ofendonin, më thonin “ik moj jetime”. Shkoja në shtëpi mbyllesha në dhomë dhe vetëm qaja. Nuk kisha një shoqe ku të shprehesha, nëna më dhunonte nuk më linte të dilja, më torturonte si qeni, madje dhe më mbyllte me çelës.

Unë gjithmonë rrija në errësirë, nuk më linin as televizor të shikoja. Mbyllesha në dhomë dhe vetëm tek ditari shprehesha, ai ishte miku më i mirë. E gdhija natën duke krijuar poezi e tekste këngësh. Ëndërroja të bëhesha police, po nuk më lanë të shkoja në shkollë. Çdo ditë po çmendesha, me muaj nuk dilja nga shtëpia, kisha vetëm dhunë në shtëpi, nuk duroja dot gjithë atë stres, sa një dite u zgjova në mëngjes dhe çfarë të shihja, errësirë.

Shikimi më kishte ikur, mendoja që do mbetesha e verbër gjithmonë, por Allahu mendoi për mua dhe me solli shikimin. Oh zot qaja pa pushim, por e vetmuar nuk duroja dot, sa një ditë mu mërzit jeta dhe preva damarët. Sepse nuk kisha arsye të jetoj, askush nuk më donte, madje as nëna ime, as vëllezërit e mi, sepse më dhunonin shumë, pse isha femër.

As telefon nuk më linin të mbaja. Një herë erdhi kushërira ime, hapa Facebook dhe aty u njoha me një djalë që nuk e dija që do e kisha për fat. U lidhëm bashkë, i tregova për jetën time dhe pranoi që të martoheshim bashkë.

Unë doja të ikja nga shtëpia sepse nuk duroja dhunën, sepse isha shume e vetmuar, pa mbështetje, pa asgjë. Nejse po i bie shkurt sepse duhet një jetë, të tregoj. U fejuam të dy dhe i thashë të fejuarit dua të martohemi shpejt.

Ok pranoi. U martuam, po në fejesë nuk shkova tek burri, vetëm kur u martova atë ditë. Oh zot, ç’të shihja, i varfër deri në kulm, sa nuk më ra të fikët, mora frymë thellë dhe mbylla sytë e mendova s’ka gjë vetëm të jemi të lumtur asgjë nuk dua sepse isha shumë e vuajtur nga jeta.

Pas dy muajsh martesë ngela shtatzënë, vjehrra ime është shumë e keqe për çdo gjë fut hundët tek ne, sepse burri im është çun mamaje. Oh zot filloi jeta ime prapë skëterrë, ajo më torturonte,  edhe me barrë, laja, fshija pastroja me duart e mia. Shkoja në dhomë, mu hapnin kockat e vajtoja, kafshoja jastëkun mos të më dëgjonte njeri.

Ishte shumë e keqe, më thoshte hajt se je nuse ti, për këtë je martuar. Mezi mbaja veten, burri ishte në punë, as bukë nuk më jepte më thoshte, puno që të hash. Nuk e di, çmendesha nga mërzia, vetëm më vinte keq për fëmijën se unë do e vrisja veten.

Isha sëmurë njëherë, nuk zgjaste kokën të më shihte. Një ditë po hanim bukë unë e ajo, e hodhi bukën në tokë. I thashë pse e hodhe, se nuk është hale këtu, ajo ishte shumë e pisët as bukë mezi haja se më vinte për të vjellë. Kur i thashë ashtu, ajo u ngrit në këmbë e më shtyu përtokë.

Isha në muaj të gjashtë, oh zot filloi hemorragji. Ajo nga frika e mori burrin në telefon e i tha hajde se është rrëzuar nusja nga shkallët. Unë qaja nuk i thoja dot se nëna jote ma bëri këtë, se ajo i thoshte të ka fryrë nusja tek krevati. Oh njerëz nuk di ç’të them, humba fëmijën tim, doja ta vrisja me duart e mia kurvën. E urrej me shpirt është shumë shpirtkeqe.

Pas një viti ngela shtatzënë me një çun u gëzova shumë dhe me atë kam vuajtur shumë pa bukën e gojës, por zoti më ndihmoi e nxora në dritë. Kur linda çunin burri u ftoh shumë nga unë e vëreja që rrinte nëpër dhoma vetëm.

Një natë i vjen një sms në telefon, atë e kishte zënë gjumi. E hap unë ç’të shoh. Sa nuk më ra pika në tru, ishte goca e komshiut i thoshte kalo murin tani se jam vetëm. Unë nuk i bëra zë. Në mëngjes u bëra gati e ika nga shtëpia.

Nuk doja të rrija aty më sa shumë e doja, sa kam bërë për të, e kam respektuar në gjithçka. Familja më ktheu tek ai me zor, por unë jam betuar që nuk do ta dua më kurrë, sepse dashuria u shua që në atë moment kur pashë që ai më tradhtonte.

Tani më intereson vetëm ai engjëll, unë rri në këtë shtëpi, por rri si pastruese, vetëm për atë engjëll të vogël, sepse nuk ma japin dhe jam e detyruar të rri për të. Më ndihmoni o njerëz, jam në një gjendje shumë të keqe. Jam shumë e stresuar dhe kam frikë mos çmendem. Ai nuk do të ndahemi, i them ikim nga shtëpia, punojmë të dy, nuk dëgjon do të rrijë me familjen.

Nuk di çfarë të bëj, nuk kam mbështetje tek askush, i kam treguar familjes ata më kanë kthyer kurrizin, më thonë vetë e deshe. Të gjithë njerëzit e burrit më ofendojnë, i thonë ç’e do këtë grua të shëmtuar. Unë për vete nuk e mora burrin as për bukuri as të pasur, doja vetëm te isha e lumtur por qenka e shkruar të vuaj gjithmonë. Ju lutem më ndihmoni si t’ia bëj të marr fëmijën, të ik jashtë e të zhdukem, ku mos të më gjejë njeri, apo të qëndroj të vuaj gjithmonë.”/JOQ.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here