Një nga librat më të hershëm të shkrimtarit dhe përkthyesit të njohur Hysen Sinani është botuar në Francë. “52 burra për një grua” përkthehet në frëngjisht me të njëjtin titull nga botimet franceze Societe des ecrivains. Sipas autorit Sinani, libri është vlerësuar nga botuesit për trajtimin e një teme të veçantë që lidhet me pabarazinë e gruas. Për herë të parë “52 burra për një grua” është botuar në formën e një tregimi në gazetën “Drita” në vitin 1975 dhe është vlerësuar nga dy shkrimtarë të njohur të kohës, Kolë Jakova dhe Ali Abdihoxha. Botuesit francezë e vlerësojnë librin e autorit shqiptar si një kronikë shoqërore me pamje uesterni. Gjatë publicitetit botuesi francez e njeh lexuesin me historinë e Shqipërisë. “Një grua, dy burra. Inkoshienca dhe arroganca. Një aksident dramatik dhe fillimi i luftës 1912, atëherë kur shqiptarët bëhen gati për t’u ngritur kundër forcave otomane. Në një qoshe të vogël të malësisë do të ndizet zjarri kur dy familje të përfshihen në një hakmarrje pa mëshirë. Duke u mbështetur në një plan të thellë e të menduar me histori Hysen Sinani na zhyt me mjeshtëri në një epokë të dhunshme të drejtuar nga lidhjet e gjakut dhe ku baruti bën ligjin”, shkruajnë ndër të tjera botime franceze Societe des ecrivains.
Hysen Sinani
Hysen Sinani lindi më 7 shkurt të vitit 1949, në Tiranë, është shkrimtar dhe përkthyes shqiptar. Është arsimuar në Tiranë, autodidakt. Ka kryer disa specializime në fushën e gazetarisë dhe botimeve. Në vitet 1964-1974 ka përvetësuar gjuhën franceze; 1974-1980 përvetësoi gjuhën italiane; 1990-1995 përvetësoi gjuhën greke. Hysen Sinani nëpër vite ka botuar shumë vepra të ndryshme letrare. Hysen sinani ka realizuar edhe shumë përkthime nga më dinjitozet e letërsisë botërore. Ka dhënë kontributet e veta edhe në fushën e leksikografisë: “Fjalor Greqisht-Shqip” me 20.000 fjalë; “Fjalor Shqip-Greqisht” me rreth 6.000 shprehje të përdorimit të përditshëm të gjuhës greke, etj. Aktualisht është kryetar i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë.