Pse merren borxhet e FMN-së kur do të paguajmë taksa shtesë për rrugët?

0
147

– Banorët dhe autoritetet e Kukësit në protestë kundër barrës së taksave, paralajmërojnë kallzimin penal për qeveritarët

 

 Ervin Kaduku

 

 

Rritja e barrës së taksave që po përvijohet në horizont me synim penalizimin financiar të zonës verilindore të vendit është një objektiv i mbrapshtë dhe ogurzi i qeverisë, që bëhet edhe më absurd ndërkohë që borxhet e FMN-së po kthehen në fasada ndërtesash e pedonale. Deputetët e Kukësit, drejtuesit vendorë e biznesi janë mbledhur dje për të kundërshtuar taksën e lajmëruar të Rrugës së Kombit, ndërkohë që kryetari i Bashkisë Kukës, Bashkim Shehu, paralajmëroi kallzim penal në Prokurori për ata që kanë konceptuar kontratën e dhënies me koncension të Rrugës së Kombit, si antiligjore dhe antiqytetare. Në një takim të zhvilluar dje në Kukës ata kanë unifikuar qëndrimin e tyre kundër vendosjes së taksës në Rrugën e Kombit dhe u janë drejtuar me një kërkesë qeverisë dhe institucioneve të tjera qendrore që kjo taksë të anulohet.

Në kërkesën e tyre ata paraqesin edhe argumentet se përse kjo taksë është antikombëtare dhe shkon kundër interesave të komunitetit, si dhe kundër zhvillimit ekonomik dhe turistik të vendit në tërësi. Në të kundërt, nëse për 10 ditë nuk ka një reflektim të qeverisë, paralajmërohen reagime të tjera publike deri te mosbindja civile. Biznesi në Kukës gjithashtu ka paralajmëruar bllokim tërsisht të aktivitetit ekonomiko-tregëtar në Kukës, Has e Tropojë e më pas protesta qytetare.

 

Ja deklarata e përbashkët e vendorëve dhe biznesit.

 

“Në takimin e organizuar nga shoqata ‘Biznesi për Biznesin’, në bashkëpunim me kryetarët e bashkive të Kukësit, Hasit e Tropojës, deputetët e Qarkut të Kukësit, përfaqësues të Avokatit të Popullit si dhe shoqërisë civile, të mbajtur në Kukës, me temë ‘Unifikim i qëndrimit për taksën në Rrugën e Kombit’, dolëm me qëndrimin e përbashkët kundër aplikimit të kësaj takse, për arsyet e mëposhtme:

1- Ndërtimi i Rrugës së Kombit është bërë me fonde publike, jo me koncesion

2- Mirëmbajtja e rrugëve paguhet si akcizë në çdo litër karburant

3- Kjo taksë nuk përputhet me strategjinë kombëtare të turizmit dhe shkakton humbje financiare për buxhetin e shtetit

4- Rajoni i Kukësit nuk ka një rrugë tjetër alternative që ta lidhë me pjesën tjetër të vendit

5- Taksa është antiekonomike, antikombëtare dhe burgosje e izolim për qarkun e Kukësit

Për këto arsye, ne i drejtohemi qeverisë shqiptare që ta konsiderojë kërkesën tonë për anulimin e taksës dhe do të presim reagimin e saj në një afat 10-ditor, përpara se, bashkarisht, të ndërmarrim hapa të tjerë të reagimit publik, mbyllje te bizneseve, deri ne mosbindje civile e protesta.

 

Borxhet

 

Miratimi i fundit nga Bordi i Drejtorëve të Fondit Monetar Ndërkombëtar për rishikimin e tetë të programit me Qeverinë shqiptare po shikohet në forma të ndryshme. Sipas Ministrit të Financave, Arben Ahmetaj, ky është një lajm i mirë për ekonominë shqiptare. Në një reagim në rrjetin social facebook, Ahmetaj e cilëson këtë miratim “një përgjigje e merituar për “kukuvajkat” që dëshirojnë vetëm skenarë të zinj për ekonominë e vendit”. Sipas tij, kjo konfirmoi edhe njëherë plotësimin e të gjithë kritereve të përformancës të vendosura në program. Kreu i Financave publike shprehet se kjo është një tjetër çertifikim i performancës, një tjetër argument i qartë për suksesin e programit të rimëkëmbjes së ekonomisë dhe konsolidimit fiskal në Shqipëri, një tjetër përgjigje e merituar për ata që nuk heqin dorë nga një skenar grek për vendin. Por në një tjetër anë krejt të kundërt e sheh përfaqësuesja e opozitës, deputetja e PD, Jorida Tabaku. Tabaku në një regim të saj shprehet, se qeveria po bën propagandë, me këtë miratim, pasi sipas saj, problematikat në ekonomi dhe në buxhetin e shtetit janë të mëdha. “Ashtu siç FMN thotë në deklaratën e saj, emergjente është zgjerimi i bazës tatimpaguese, e cila në të vërtetë në këto 3 vite është reduktuar ndjeshëm, si efekt i taksës progresive. Në një vend ku borxhi tatimor i kompanive shumë të mëdha është rritur me 79 mln USD, qeveria pretendon se një kredi e dhënë nga FMN dëshmon se vendi është në udhën e duhur”, shprehet në reagimin e saj Tabaku. Sipas deputetes së opozitës, qeveria nuk ka shpjeguar se sa nga kreditë e mëparshme kjo qeveri i ka shpenzuar në shërbim të qytetarëve dhe për investime publike? Të gjithë treguesit si me një papunësi në rritje, investime të huaja më të ulëtat në rajon dhe një rritje ekonomike si pasojë e investimeve përpara rilindjes, janë pasoja të pashmangshme të një politike fiskale që nga xhepi i qytetarëve ka marrë 450 mln USD në tre vite, shkruan Tabaku.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here