Dorëhiqet Haxhinasto, vjen Dervishaj/ Lëvizjet në qeveri, ndryshimet s’ndalen: Preken tre ministri, zbardhen negociatat

0
356

Haxhinasto u dorëhoq për shkak të angazhimit që pritet të ketë me programin e ri në LSI

 

Gëzim Saliu

 

 

Edmond Haxhinasto dha dje dorëheqjen nga posti i tij si Ministër i Transporteve dhe Infrastrukturës. Sipas burimeve zyrtare, arsye kryesore e kësaj vendimmarrje të Haxhinastos ka qenë angazhimi i tij i mëtejshëm në programin e  LSI. Po ashtu kjo forcë bëri të ditur dje se në vend të Haxhinstos, vendin e ministrit të Transporteve në qeveri do ta marrë Sokol Dervishaj, i cili deri më tani ka mbajtur postin e shefit të kabinetit pranë Kuvendit të Shqipërisë. Kjo lëvizje e brendshme e LSI-së në kabinetin qeveritar vjen vetëm pak ditë pas drekës që zhvilloi kryeparlamentari Meta me kryeministrin Rama.

 

Ministri i Transportit Edmond Haxhinasto, duke folur per gazetaret pas nje takimi me Drejtorine e Transportit Rrugor ne Tirane, ku ka komentuar ne lidhje me rendesine qe ka reforma ne transport, pasi sipas tij, kjo reforme do beje te mundur rritjen e sigurise publike dhe jetes se qytetareve qe udhetojne cdo dite.

Dorëheqja

 

Lajm i dorëheqjes së Edmon Haxhinastos nga ministria e Transporteve u bë i ditur fillimisht nga Kryeministri, ku ish-ministri i LSI kishte paraqitur dorëheqjen tek kreu i qeverisë Rama. “Ministri Haxhinasto i ka paraqitur sot kryeministrit doreheqjen e tij nga detyra, per shkak te angazhimit te metejshem ne parti. Kryeministri e ka falenderuar ministrin e infrastruktures e transporteve per punen e bere ne krye te dikasterit, kontributin e tij aktiv ne skuadren qeveritare dhe bashkepunimin shume te mire me te” thuhej në njoftimin e shpërndarë nga kryeministria.më pas Haxhinasto ka zhvilluar një takim të shkurtër në kryesinë e Kuvendit me kryeparlamentarin Meta. Në takim ishin të pranishëm edhe një pjesë e mirë e deputetëve të LSI, ku Haxhinasto u ka sqaruar arsyet e dorëheqjes. Ndërkohë gjatë paradites  dorëheqja iu prezantua edhe stafit të tij në Ministrinë e Transporteve. Nga ana e saj LSI përmes kreut të grupit parlamentar Petrit Vasili konfirmoi se dorëheqja e ministrit Edmond Haxhinasto lidhej me angazhime elektorale brenda  partisë. Vasili konfirmoi gjithashtu se Haxhonasto do të pasohej nga Sokol Dervishaj. Kjo është lëvizja e dytë e brendshme në qeveri që vjen nga LSI. Më parë në nëntor të vitit 2015, ish-ministri i Drejtësisë Nasip Nacco dha dorëheqjen nga posti i tij dhe u zëvendësua nga Ylli Manjani.

 

Sokol-dervishaj

 

Kush është Sokol Dervishaj

Sokol Dervishaj është anëtar themelues dhe anëtar i Kryesisë i Lëvizjes Socialiste për Integrim. Ka ushtruar detyrën e Zv.Ministrit të Punëve të Jashtme, Zv.Ministrit të Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjisë, si dhe ka qenë i zgjedhur Kryetar i Këshillit Bashkiak të Tiranës. Është diplomuar në Universitetin e Tiranës, Fakulteti i Gjuhëve të Huaja, Master në Studime Ndërkombëtare në “King’s College” (Londër), Studime Strategjike në Kolegjin Mbretëror Të Studimeve të Mbrojtjes (Londër), ka ndjekur Kursin e Nivelit të Lartë në Kolegjin Mbretëror të Shkencave Ushtarake (Britani e Madhe), Politika Publike në Shkollën e Qeverisjes të Universitetit të Harvardit. Ka ndjekur Programin e Marrëdhënieve Trans-Atlantike të “German Marshall Fund” të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, si dhe Programin e Lidershipit të Vizitorit Ndërkombëtar të Departamentit Amerikan të Shtetit.

 

 

20160707131550982646

Ja cilat kanë qenë ndryshimet e qeverisë Rama në tre vite

 

1- Më 1 Gusht 2014 Ilirjan Celibashi dha dorëheqjen si Ministër për marrëdhëniet me parlamentin. Në vend të tij, kryeministri Rama emëroi Ermonela Felaj

2- Në prill 2015 Erion Veliaj iku nga posti i ministrit të Mirëqënies Sociale për shkak se garoi për kreun e bashkisë Tiranë. Në krye të Ministrisë së Rinisë u vendos nga Rama, Blendi Klosi

3- Më 9 Nëntor 2015 Nasip Naço dha dorëheqjen si ministri i Drejtësisë  dhe në vend të tij LSI emëroi Ylli Manjanin

4- Më 16 Shkurt 2016  Rama zëvendëson Shkëlqim Canin me Arben Ahmetajn në krye të ministrisë së Financave. Milva Ekonomi e emëroi në krye të Ministrit të Ekonomisë, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes duke zëvendësuar Arben Ahmetajn

5- Më 2 shtator 2016 dha dorëheqjen ministri i Transporteve Edmond Haxhinasto

 

 

Ndryshimet nuk ndalen

Lëvizjet në qeveri prekin tre ministri, negociatat në koalicion për emrat

 

Përfliten disa variante të rikompozimit të qeverisë “Rama” e cila deri më tani në pjesën më të madhe të saj është prekur më shumë nga dorëheqjet individuale se nga lëvizjet e vendosura nga Rama

 

Gëzim Saliu

 

 

Dorëheqja e Edmond Haxhinastos dhe zëvendësimi i tij me Sokol Dervishajn nuk pritet të jetë i vetmi ndryshim që do pësojë qeveria në këtë vjeshtë. Burime pranë dy forcave kryesore të majta bëjnë të ditur se dy liderët e koalicionit qeveritar kanë diskutuar edhe për disa lëvizje të tjera në kabinetin qeveritar që priten të konkretizohen më mirë pas mbylljes së zgjedhjeve në Dibër. Palët janë duke diskutuar disa variante dhe alternativa për ndryshim e ndërsa krahas PS dhe LSI në “lojë” është përfshirë edhe PDIU e Shpëtim Idrizit. Lëvizjet në qeveri mund të vijnë edhe si një “kartë” e re e mazhorancës për ti dhënë një fytyrë të re ekzekutivit kur kujtojmë se vetëm 9 muaj më pas do të zhvillohen zgjedhjet e përgjithshme parlamentare të vitit 2017. Shanset që PS dhe LSI të shkojnë sërish bashkë në zgjedhje janë rritur kohët e fundit, pas furtunës që kaloi koalicioni në mesin e muajit korrik me diskutimet për reformën në drejtësi. Takimi në Durrës mes kryeministrit dhe kryeparlamentarit dhe më pas dreka e disa ditëve më parë tregon, aq sa mund të duket nga maja e ajsbergut, se marrëdhëniet në koalicionin e majtë janë qetësuar dhe se palët janë rikthyer sërish në kohët e paqes.

 

Emrat e përfolur

 

Përfliten disa variante të rikompozimit të qeverisë “Rama” e cila deri më tani në pjesën më të madhe të saj është prekur më shumë nga dorëheqjet individuale se nga lëvizjet e vendosura nga kryeministri. Këto të fundit përfshijnë vetëm largimin e Shkëlqim Canit nga posti i ministrit të Financave dhe zëvendësimit të tij me Arben Ahmetaj e në vend të këtij të fundit te ministria e Ekonomisë u vendos Milva Ekonomi. Ndërkohë një ndër alternativat që përflitet në oborret partiake të PS e LSI si pjesë e lëvizjeve që pritet të ndodhin në kabinetin qeveritar është ajo që prek postin e ministrit të Brendshëm. Sipas këtij varianti thuhet se Saimir Tahiri do të largohet nga posti i tij për tu zëvendësuar nga sekretari i përgjithshëm i LSI Luan Rama. Vetë Tahiri sipas këtij skenari përflitet se mund të marrë postin e ministrit të Drejtësisë. Ndërkaq emri i Luan Ramës është përfolur mjaft edhe në postin e ministrit të Mbrojtjes, vend i cili mbulohet aktualisht nga ministrja Mimi Kodheli. Por sipas një tjetër skenari do të jetë PS ajo që do të bëjë lëvizjen këtë herë ,duke kërkuar postin e ministrit të Drejtësisë. Pjesë e këtij skenari mendohet të jetë ish-kryeministri Pandeli Majko, i cili do zgjidhet nga Rama në postin e ministrit të Drejtësisë. Ky skenar duket pak i vështirë për t’u realizuar për tre arsye: Së pari vështirë së Pandeli Majko do të pranonte një post ministri për një periudhë kaq të shkurtër. Së dyti , ministria e Drejtësisë i ka takuar në këto tre vite LSI-së dhe duket e vështirë që tani, aq më tepër që reforma në drejtësi u mbyll, kjo ministri t’i kalojë PS-së. Së treti, në këtë ministri tashmë është bërë një lëvizje, ku Nasip Naço u dorëhoq nga posti dhe u zëvendësua thuajse 10 muaj më parë nga Ylli Manjani.

Ndërkohë sipas një tjetër skenari, lëvizjet në qeveri do  prekin ministritë që deri më tani kanë qenë në plan të dytë në qeverinë “Rama”. Kështu pritet të largohet ministrja e Inovacionit dhe Administratës Publike, Milena Harito për t’u zëvendësuar nga një përfaqësues i PDIU, forcë e cila po kërkon me ngulm që prej nisjes së bashkëpunimit me të majtët një vend në qeveri. Një tjetër lëvizje në bazë këtij skenari është edhe ajo tek Ministria e Kulturës, ku Mirela Kumbaro pritet të zëvendësohet nga brenda rradhëve të PS. Ndërkohë sipas një tjetër skenari, që përflitet nga rradhët e PDIU, në ministrinë e Kulturës pritet të vijë Mesila Dode, ish-deputetja e PD që prej disa muajsh ka kaluar në rradhët e partisë së Shpëtim Idrizit. Po ashtu lëvizje pritet të ketë edhe tek Ministria e Zhvillimit Urban, ku pavarësisht se Eglantina Gjermeni dallohet si një ndër ministret e preferuara nga Rama, duket se kërkesat në rritje do të detyrojnë kreun e qeverisë që të prekë këtë dikaster. Ndërkohë lëvizja më shumë e përfolur është ajo e ministrisë së Shëndetësisë, ku kritikat ndaj Ilir Beqjes nuk kanë të ndalur jo vetëm nga rradhët e opozitës dhe qytetarëve, por edhe nga brenda koalicionit. Mundësia që kreu i grupit parlamentar i LSI-së Petrit Vasili të jetë zëvendësuesi i Beqjes po bëhet gjithnjë më zëshme në godinën e Kryeministrisë. Por në rast se kjo lëvizje ndodh, atëherë LSI do jetë e detyruar të lëshojë një nga ministritë e saj për PS-në, duke respektuar kështu marrëveshjen e ndarjes së posteve. Sipas gjasave, pjesë e kësaj lëvizje shkëmbyese mes dy forcave kryesore mund të jetë ministria e Bujqësisë ose ajo e Mjedisit.

 

Kryetari i PD, Lulzim Basha, duke folur gjate nje konference shtypi, ku ka akuzuar kryeministrin Edi Rama, se nuk ofron asnje zgjidhje per krizen ekonomike ne vend./r/n/r/nLeader of the Democratic Party Lulzim Basha, speaks during a press conference, where has accused Prime Minister Edi Rama, it offers no solution to the economic crisis in the country.

 

Dorëheqja e Haxhinastos

Basha: Ndryshimi nuk sjell gëzim, shqiptarët presin largimin e Ramës

 

“Varka e shpuar e qeverisë nuk është më në gjendje të përballojë as detyrat më akute të qeverisjes që janë rendi dhe siguria, në radhë të parë, lufta kundër krimit, shteti ligjor dhe respektimi i të drejtave elementare të qytetarëve”

 

Ambrozia Meta

 

 

Kryedemokrati Lulzim Basha deklaroi se lajmi i dorëheqjes së ministrit të Infrastrukturës dhe Transportit, Edmond Haxhinasto, është një ndryshim që nuk sjell as gëzim as shpresë. Shefi i selisë blu u shpreh se shqiptarët presin largimin  e kryeministrit Rama, ndërsa e cilësoi Rilindjen si skemë për të vjedhur pasuritë e shqiptarëve. “Ndryshimet në qeveri nuk sjellin as gëzim, as shpresë. Nuk sjellin gëzim sepse të gjithë e dinë që batërdia me tenderat publikë, me koncesionet dhe mënyrat e tjera për të vjedhur buxhetin e shqiptarëve, që për tre vite ka rezultuar në zhdukjen e mbi tre miliardë eurove, nuk do të ndalojë por do të vazhdojë e do të intensifikohet.Nuk ka shpresë nga ky ndryshim në qeveri apo nga ndryshime të tjera sepse të gjithë e dinë se përkeqësimi i thellë i jetës së shqiptarëve me taksa të rritura, me rënien e fuqisë blerëse, me shpunësimin dhe varfërimin masiv si rezultat i politikave të qeverisë “Rama” nuk ka asnjë shans të ndryshojë tashmë që qeveria është në ditët e saj të fundit.Ndryshimi i vërtetë që do të ngjallte shpresë dhe gëzim tek shumica e shqptarëve, jo vetëm tek opozita, do të ishte largimi i Edi Ramës.Njeriu i cili jo vetëm dështoi të përmbushë edhe një premtim të vetëm para shqiptarëve, por që provoi se rilindja e tij nuk ishte gjë tjetër veçse skema për të vjedhur pasuritë e shqiptarëve, bregdetin e shqiptarëve, mineralet, shërbimet, tenderat.Ishte projekti për t’i dorëzuar Shqipërinë krimit që e ka mbuluar me drogë nga jugu në veri. Ishte projekti për ti detyruar shqiptarët të zgjedhin midis varfërisë, burgut apo emigracionit,” – nënvizoi lideri demokrat.

 

Qëndrimi

 

Në deklaratën para gazetarëve, lideri i të djathtëve tha se qeveria ka humbur çdo legjitimitet moral e politik dhe nuk është më në gjendje të vendosë rend dhe siguri në vend. “Për opozitën shqiptare, për Partinë Demokratike, për alternativën tonë është një tregues i qartë që qeveria ka humbur çdo legjitimitet moral dhe politik. Se varka e shpuar e qeverisë nuk është më në gjendje të përballojë as detyrat më akute të qeverisjes që janë rendi dhe siguria, në radhë të parë, lufta kundër krimit, shteti ligjor dhe respektimi i të drejtave elementare të qytetarëve. Por është kthyer në armiken kryesore të shqiptarëve, me papunësinë e shtuar, me varfërinë e thelluar, me krimin e veshur me pushtet.Ndaj shqiptarët po bashkohen nga dita në ditë në një koalicion të madh që i tejkalon vijat  dhe profilet politike, për të realizuar ndryshimin e vërtet që funksionon për ta, jo për partitë politike, as për koalicionet. Dhe ky ndryshim i vërtetë fillon me largimin e Edi Ramës,’’ – theksoi kreu demokrat.

 

 

rama-berisha6

Berisha: Rama do largohet si çeço,  nuk e mbulon dot vjedhjen me largimin e Haxhinastos

 

Ish – kryeministri Sali Berisha, e cilësoi largimin e Edmond Haxhinastos nga portofoli i Infrastrukturës dhe Transportit, si një formë të kryeministrit Rama për të mbuluar vjedhjet që ka bërë. Për Berishën, Rama kërkon të lajë duart pasi dështoi në ndërtimin e infrastrukturës. “Me largimin e Haxhinastos, Edi Rama kërkon të lajë duart si Pilati, me dështimin e tij total me atë që është dhe promotor i zhvillimit të një vendi; ndërtimi i infrastrukturës. Pasi ka shpenzuar 210 miliardë leke, pra mbi 2 miliardë dollarë për investime, nuk është në gjëndje t’i tregojë shqiptarëve qoftë dhe një segment, qoftë dhe një kilometër rrugë të rëndësishme të ndërtuar në tre vjet. Ndërkohë i rikujtoj shqiptarëve se me 2.1 miliardë dollarë janë ndërtuar gjatë viteve të mëparëshme Rruga e Kombit, Autostrada Ibë-Elbasan dhe Tuneli i Krrabës, Autostrada Lushnje -Fier dhe Levan – Vlorë dhe Autostrada Levan – Tepelenë përfshi këtu edhe Rrugën e Bregut. Le t’i marrin të gjithë faturat e t’i shohin, të pyesin shqiptarët atëherë. Po nuk e mbulon dot me largimin e Haxhinastos vjedhjen e tmerrshme që ka bërë Rama, sepse, ku shkuan 2.1 miliardë dollarë investime,” – theksoi Berisha. Ish – kryeministri komentoi edhe premtimet për Rrugën e Arbrit, duke theksuar se Rama prishi marrëveshjen me firmën kineze, dhe pavarësisht deklaratave të fundit  nuk ka për të përfunduar këtë rrugë. “Rruga e Arbërit u ndërtua në 32 km nga qeveria e mëparëshme, përfshi një nga segmentet më të vështira të saj që është segmenti i Tujanit. Mbetën pa ndërtuar për arsye strikt teknike, sepse tuneli Murrizit nuk mund të ndërtohej në kuotën e caktuar sipas një kompanie daneze. Atëherë u la që të bëhej riprojektimi i tunelit dhe u bë. Lamë gati marrëveshjen me kinezët po Edi Rama e futi në qorsokaqe, donte pare. Qeveria kineze ka nisur një hetim për këtë. Nëse ky hetim e përfshin apo nuk e përfshin kreun e qeverisë shqiptare, nuk kam informacion por ka lidhje krejtësisht me problemin e rrugës së Arbërit. Ndaj dhe jam i bindur që Edi Rama nuk ndërton kurrë Rrugën e Arbërit,” – tha ai. Berisha paralajmëroi edhe largimin e kreu të qeverisë, duke thekuasr se ai do të iki patjetër. “ Ka marrë garanci nga Arben Noka, nga Ymer Lala, nga Emil Shullazi, dhe nga të gjithë këta bajlozët e krimit dhe të malavitës. Por, do largohet si çeço dhe me një këmbë,” – nënvizoi ish kryeministri Berisha.

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here