Gjermania, poker golash ndaj Portugalisë

0
111

gjermani-portugaliPancerat kanë treguar forcën e tyre, duke mposhtur Portugalinë e Ronaldos me rezultatin bindës 4-0, në një ndeshje që u mbizotërua plotësisht nga ta

Një fillim i mirë për Gjermaninë dhe një ditë për të harruar për Portugalinë. Skuadra e drejtuar nga Lëvi ka arritur të fitojë me rezultatin e thellë 4-0 ndaj luzitanëve që nuk patën forcën e duhur për të reaguar. Gjermanët e patën mjaft të lehtë të depërtonin në mbrojtjen e brishtë të Portugalisë. Ndërsa nga ana tjetër as Ronaldo nuk arriti të çonte ekipin e tij drejt triumfit. Problemet që ylli madrilen ka pasur në gju duket se kanë ndikuar edhe në lojën e bërë nga sulmuesi. Kjo, pasi ndryshe nga ajo çfarë prisnim nuk pati shpërthime apo klas nga CR7. Një yll ndaj të cilit pritshmëritë janë shumë të larta, duke qenë se është edhe mbajtësi në fuqi i Topit të Artë. Kështu, sfida do të niste e qetë nga të dy krahët, për shkak në minutat e para skuadrat u munduan që të studiojnë lojën e njërit-tjetrit. Mirëpo ata që filluan të reagonin shpejt gjermanët. Të drejtuar nga Ozil dhe Kros, skuadra u mundua menjëherë që të krijonte aksionet e para në drejtim të mbrojtjes portugeze, që shfaqi probleme që në minutat e para. Rezultati nuk do të vononte shumë dhe do të vinte. Pas një aksioni në zonë, ishte Gëtze ai që do të rrëzohej nga Pereira. Arbitri ishte i mendimit që ishte penallti dhe akordoi 11-metërsh në favor të gjermanëve. Një pozicion i cili u kontestua nga portugezët, por që nuk ndryshoi mendimin e arbitrit. Përpara topit ishte Myler, ai që e ktheu 11-metërshin në gol, duke ekzaltuar kampin e pancerave. Ndeshja dukej sikur do të bëhej me interesante, pasi portugezët filluan të shkonin në drejtim të portës së Nojerit. Mirëpo dukej se në fazën e fundit ekipi i Bentos nuk arrinte të lidhej duke e pasur shumë të vështirë për të barazuar. Nga ana tjetër gjermanët fillojnë të administrojnë edhe më shumë topin në zonën e kundërshtarëve. Vetëm pas 20 minutash nga shënimi i golit të parë do të vinte edhe i dyti. Kësaj radhe ai që do të shënonte për gjermanët ishte Mat Humels. Shtatlarti i Borusias arriti që të mposhtte Pepen në një dyluftim në ajër, duke shënuar kështu emrin e tij në listën e golashënuesve. Ndeshja pritej të kishte më shumë grintë, por edhe rivalitet. Mirëpo me një Portugali e cila nuk lidhej dot në mesfushë dhe nuk arrinte asnjë rezultat në sulm, ishte e pamundur. Ronaldo nuk ishte në ditën e tij të mirë dhe problemi me gjurin duket se ndikonte mbi lojtarin, i cili ruhej shumë për të mos u sforcuar. Në minutën e 37-të do të kishim edhe një moment që duket se do të prishte edhe rrjedhën e lojës. Pas një konfrontimi midis Pepes dhe Mylerit arbitri do të ndëshkonte me të kuq mbrojtësin portugez që e la skuadrën e tij me 10 lojtarë. Një problem më tepër për skuadrën e Bentos që tashmë e shikonte veten edhe në disavantazh numerik. Një humbje e madh në mbrojtje që do të sillte edhe golin e tretë për skuadrën gjermane, e cila do të përfitonte nga epërsia numerike. Do të ishte përsëri Myler që do të shënonte duke barazuar kështu Nejmarin, Benzemanë, Van Persin dhe Robenin në listën e golashënuesve. Një gol që duket se vulosi gjithçka në pjesën e parë dhe kështu skuadrat do të shkonin drejt dhomave të zhveshjes me një hendek të madh. Pjesa e dytë nuk pati surpriza, për faktin se Portugalia ishte në ditë të keqe dhe nuk arriti dot që të bënte një përmbysje. Ronaldo u tregua pak më aktiv, duke pasur disa raste, por pa rezultat. Ndërsa pancerat mbizotëruan me mbajtjen e topit, duke qenë edhe më aktiv në sulm. Loja nuk kishte një ritëm të lartë, pasi dukej se rezultati ishte i fiksuar. Gjermanët do të shënonin edhe golin e katërt, përsëri me anë të Mylerit, që zë vendin kryesor në listën e golashënuesve. Me këtë fitore, Gjermania hedh hapa të rëndësishëm për kryesimin e grupit. Ndërsa Portugalia me këtë lojë të kryer duket se do ta ketë shumë të vështirë për të kaluar grupin. Duke parë lojën e bërë nga skuadra e Bentos do të jetë një detyrë e vështirë për të kaluar grupin.

 

Van Persi: Duhet të ruajmë qetësinë

Robin van Persi është shprehur se duhet të qëndrojnë me këmbë në tokë, pasi kanë edhe shumë punë për të bërë në këtë Botëror. Autori i dy golave në sfidën përballë “La Furia Roja” kërkon nga skuadra që të ruajë qetësinë dhe të përqendrohet tërësisht te ndeshja e radhës me Australinë që sipas mendimit të tij nuk do të jetë aspak e thjeshtë për Holandën. “E dimë që ndaj Spanjës kemi marrë një rezultat shumë të mirë. Mposhtëm skuadrën që ka fituar gjithçka në vitet e fundit megjithatë tani do të kemi përballë një ekip që zhvillon një tjetër stil loje. Gjithsesi, ky fakt nuk më shqetëson shumë pasi ne kemi një staf teknik të shkëlqyer dhe ata do të dinë si ta përgatisin edhe këtë ndeshje. Edhe pse mundën 5-1 Spanjën ndaj Australisë duhet të tregohemi të vëmendshëm pasi në Botëror nuk ka skuadra të lehta”. Më pas Van Persi thuri elozhe për trajnerin Luis van Gal që pas përfundimit të Botërorit do të bashkohet me të te Mançester Junajtid. “Van Gal është një trajner që ka fituar gjithçka. Ai respektohet dhe ka mbështetjen e të gjithëve. Midis tij dhe ne futbollistëve ka harmoni të plotë, dhe kjo gjë i jep një avantazh të madh skuadrës. Van Gal na mëson gjithmonë të respektojmë kundërshtarët tanë por jo t’i kemi frikë ata pasi Holanda është një ekip i madh dhe kjo u gjë u pa edhe në ndeshjen ndaj Spanjës”.

 

Shumaker zgjohet nga koma

Shumaker ka dalë nga gjendja e komës dhe pas 155 ditësh la spitalin e Grenoblës për t’u transferuar në një klinikë të specializuar për rehabilitimin! Lajmi është zyrtar dhe u publikua nëpërmjet një komunikate shtypi nga zëdhënësja e familjes Sabinë Kem, e cila lajmëroi. “Mikael la spitalin universitar të Grenoblës për të vijuar fazën e gjatë të rehabilitimit. Nuk është më në koma. Familja e tij dëshiron të falënderojë publikisht mjekët, infermierët, fizioterapistët e Grenoblës dhe të gjithë ata që ndihmuan Mikael menjëherë pas aksidentit. Në këto muaj është bërë një punë e shkëlqyer”. Pasi falënderoi edhe ata që shprehën në këtë muaj solidaritetin e tyre me kampionin gjerman, familja e Shumaker dëshiroi të theksonte se rehabilitimi i ish-pilotit do të vijojë larg vëmendjes mediatike. Veç të tjerash u bë e ditur se nuk do të jepen informacione të mëtejshme mbi gjendjen shëndetësore të 7 herë kampionit të Formula Një, mbi tipin e kurave që do t’iu nënshtrohet si dhe mbi vendndodhjen ku do të zhvillohet faza e rehabilitimit.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency