Starti konservator i zgjedhjeve në PD

0
121

Nga Nebil Çika

nebil cika 2 Më në fund partia me e madhe e opozitës dhe të djathtës shqiptare, PD, ka nisur me procesin e shumëpritur të zgjedhjeve të brendshme. Ky zhvillim ka ngjallur shumë interes nga anëtarësia, elektorati dhe opinioni publik dhe konsiderohet shumë i rëndësishëm për të ardhmen politike dhe elektorale të kësaj partie. Nga trendi i zgjedhjeve në dy rrethet e para të vendit, Sarandë e Lushnjë, mund të themi se kemi një start “konservator” të këtij procesi kaq të debatuar që pas rënies nga pushtetit të PD-së në zgjedhjet e qershorit 2013. Në të dyja degët u votuan për kryetar përfaqësues të spikatur që vinin ne këtë garë me histori e kontribute të konsoliduar gjë që bëri edhe diferencën me kandidate e tjerë. Mendoj se përparësia e tyre e tyre edhi për shkak të asaj që ata përfaqësonin si familje e individ brenda dhe jashtë PD në zonat ku shtrihen degët që ata do të drejtojnë. Kontributi politik ne PD dhe veçanërisht karta morale morën veçanërisht vlerësim nga votuesit të cilët ndoshta për herë të parë votuan tërësisht të lirë për preferencat e tyre në politikën lokale. Sigurisht që i gjithë ky proces u mundësua nga kushtet për një garë të lirë të aplikuar e theksuar nga lideri i ri i PD-së Lulzim Basha i pranishëm vetë në këtë proces. Dua të theksoj se procesi zgjedhor u çlirua shumë nga tensioni falë dy zhvillimeve shumë pozitive që i paraprinë këtij procesi. Rikonstruksioni i anëtarësisë, duke e hapur PD-në për çdo qytetar që e gjen veten politikisht tek ajo dhe urdhëresa e kryetarit Basha që u ndalon kandidimin atyre që për një arsye apo tjetrën janë përgjegjës për disfatën politike të 23 qershorit 2013. Sigurisht që me “të thatin mund të jetë djegur edhe ndonjë fije bar i njomë”, por reformat, edhe ato brenda partive, kanë koston e tyre të llogaritur nga iniciuesit e tyre. Mendoj se këto dy lëvizje të z. Basha krijuan kushte për një proces zgjedhor me të qetë dhe me të drejtë në PD, objektiv që me dy zgjedhjet e para duket se është i arritur. Dy risitë që përmenda i mundësuan PD-së një formatim të shpejtë, pasi shmangja e përgjegjësve politikë të humbjes nga gara riktheu në aktivë militantët dhe veprimtaret e mërzitur të PD, ndërkohë që procesi i hapur i anëtarësimeve u dha mundësi të tjerëve të gjejnë veten politikisht tek PD, të bëhen pjesë aktive e saj. Sigurisht që ky proces ka edhe nuancat e tij abuzive e spekulative, por rëndësi ka rregulli dhe mendësia për të mos penguar askënd t’i bashkohet politikisht partisë më të madhe të opozitës. Situata bëhet me komode e sidomos më e sinqertë edhe për faktin se PD-ja është në opozitë, situatë që ngushton shumë hapësirat për spekulantët që e shfrytëzojnë anëtarësinë në PD për interesa të ngushta personale, kryesisht punësimi apo privilegje të tjera të pushtetit. Ky fenomen mund të ngrejë kokë në degët ku PD ka pushtetin lokal, por dihet që në shumicën e vendit ajo është edhe në këtë aspekt në opozitë.

Procesi i hapur i zgjedhjeve ka hapur debati dhe diskutimi të konsiderueshëm brenda PD si dhe ka krijuara risi që garat e tjera brenda kësaj partie në të kaluarën nuk i kanë pasur. Formatimi dhe liberalizimi i anëtarësimit bëri të mundur një lloj hapjeje edhe për sa i përket garës, gjë që shprehet me përpjekjet për përfaqësim politik në lidershipin lokal të individëve e grupimeve të ndryshme brenda saj. Nëse do të mund të bëja një ndarje “teknike”, arrij të dalloj dy kategori individësh apo politikanësh lokal e qendror që po garojnë për drejtimin e ri në të gjitha nivelet të PD-së. Do t’i pagëzoj “konservatore” dhe liberal duke iu referuar një fjalori të ri politik që ka filluar të artikulohet në PD nga politikanë e drejtues apo nga aspirant të tillë. Mendoj se pjesa “konservatore” përfaqësohet nga përfaqësuesit e shtrezes tradicionale antikomuniste shqiptare dhe nga militantet fanatikë të PD-së (qëndrestarët) që nuk i janë ndarë PD në ditë të mira e të këqija. Pas ndalimit të kandidimit në struktura drejtuese të përgjegjësve të humbjes qe 2013 nga z. Basha, konservatorët e mbetur në garë janë ata që në masë nuk kanë përfituar nga pushteti i PD-së, pavarësisht kontributit të tyre të gjatë e të spikatur tek jo patri. Nga na tjetër janë “liberalet” nuk e kam këtë përcaktim vetëm për shkaqe ideologjike, pasi një pjesë e tyre mund të jenë edhe me mendime politike konservatore, por po i kategorizoj kështu, duke përdorur si kornizë mënyrën se si ata janë ofruar apo po mundohen në PD të implementohen në këtë proces, gjë që i dallon ata nga “konservatorët”, shumica e të cilëve janë aty që nga fillimi apo kanë dëshmuar deri më tani sakrifica, mbështetjen dhe besnikërinë e tyre për PD-në dhe politikën e saj. “Liberalët” në fakt kanë filluar të afrohen apo më mirë të identifikohen si demokratë pas ardhjes në pushtet të PD-së në vitin 2005. Një pjesë e tyre kanë qenë edhe më parë, por për arsye nga më të ndryshmet, por jo politike apo ideologjike, ishin larguar prej saj, sidomos pas vitit 1997. Shumica e tyre u afruan si pjesë e administratës shtetërore apo edhe hapjes që PD bëri në politikat e saj të përfaqësimit politik nga viti 2005 e këtej. Inventarizimi i ri i PD nxori në pah një fenomen jo të panjohur në Shqipëri, fiktiviteti në anëtarësim të asaj pjese që e lidhte këtë angazhim me përfitimet e pushtetit, kryesisht punësimin, individë që e ndërprenë aktivizimin në PD sapo ajo ra nga pushteti. Po sigurisht jo të gjithë vepruan kështu, një pjesë aktive në politike dhe administratë, kryesisht në stafet e kabinetet politike të ministrave dhe drejtuesve të tjerë të shtetit që e kishin përjetuar këtë në njëfarë mënyre si angazhim politik, të mbetur si “peshku pa ujë”, pas rënies së qeverisë demokratike, i kthyen sytë nga PD-ja dhe angazhimi në të si mundësi e aktivizimit të mëtejshëm politik. Ishte pa dyshim një forcë e konsiderueshme që nuk mund të neglizhohej dhe hapja që z. Basha i bëri anëtarësisë së PD-së u mundësoi atyre një integrim të shpejtë në PD, tani edhe formalisht. E krahasuar më mënyrën dhe funksionimin e “konservatorëve” në PD, kjo hyrje e “liberalëve” në PD ngjan më shumë si një hyrje nga dera e pasme e saj. Them kështu, pasi kjo kategori e re aktivistësh politikë e njeh PD-në në pushtet, ku evidentimi si aktivist i saj kishte në një mënyre apo tjetër përfitimet e tij. E thënë ndryshe, erdhën tek PD-ja “me lugë në brez”. Opozita është tjetër gjë. T’i bashkohesh PD-së në opozitë, madje pa i llogaritur fare përfitimet që mund të marrësh kur ajo të vijë në pushtet, është pa dyshim një sakrificë që “konservatorët” e kanë provuar me kohë.

Nuk dua në asnjë mënyrë që këto që them të merren si kritika apo vlerësime për njërën apo tjetër kategori. Shënimi im është vetëm një konstatim dhe këndvështrim imi nga jashtë për atë që po ndodh në PD dhe procesin e saj të brendshëm zgjedhor. Jo vetëm nga starti, por edhe nga një analizë e thjeshtë logjike, duket qartë që “konservatorët” do ta dominojnë procesin e zgjedhjeve të strukturave në PD, nëse ai do të jetë deri në fund kaq i lirë. Mendoj se ata kanë shumë përparësi nga “liberalët”. Ajo që po dominon këto zgjedhje si kartë fituese është besimi të individi që mendohet se e përfaqëson më mirë PD-në dhe politikën e saj. Dhe siç dihet besimi mbështetet mbi provën. Përfaqësuesit e konservatorëve në garë si kryetarët e zgjedhur të Sarandës dhe Lushnjës e kanë kaluar provën e zjarrit. Jo një, por disa madje shumë të vështira si ajo e opozitës 1997-2005. Liberalët e ardhur kryesisht nga pushteti në opozitë nuk e kanë një mundësi të tillë besomini gjë që i bën ata të pabesueshëm tek anëtarësia e PD-së. Nëse do të isha anëtar i PD-së, ashtu si Shën Pjetri në Bibël, do t’u kërkoja “liberalëve” “plagën”. “Vënia e dorës në plagë” është elementi thelbësor i besimit ne Bibël, por “liberalët” e PD-së nuk e kanë ende një të tillë. Konservatorët përkundrazi kanë shumë të tilla, madje edhe plagë prej vërteti, të cila mund dhe po i demonstrojnë si shenja të besimit për garën e tyre në PD. Personalisht do t’i rekomandoj Lul Bashës t’u ofronte “liberalëve” përfshi edhe këshilltarëve të tij të këtij grupimi, modelin e tij si, z. Basha erdhi në PD në një moment të vështirë në opozitë, përpara “betejës finale” të 2005-ës. Fitoi si deputet në një nga zonat më të majta të Tiranës, gjë që mund të konsiderohet si “plaga” e parë e tij në PD, udhëhoqi fitoren e PD-së në Elbasanin në 2009 për të mbërritur tek “plaga” tjetër, ajo më e thella më e dukshmja, fitorja ndaj Edi Ramës në garën për Tiranën. Janë pikërisht këto plagë që i dhanë atij besimin e anëtarësisë për zgjedhjen e tij në krye të PD-së dhe autoritetin për ta drejtuar atë. Po të njëjtat “plagë” i japin të drejtën morale edhe anëtarësisë se PD-së për t’i kërkuar kujtdo tjetër që kërkon të bëjë karrierë në PD, të tregojë së pari… “plagët”.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency