Nuk ka shpëtim për gjyqtarët e korruptuar, kush del me probleme gjatë vetingut dosja kalon te SPAK

0
131

Nuk ka shpëtim për gjyqtarët dhe prokurorët e përfshirë në afera korruptive. Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian e kanë marrë shumë seriozisht luftën ndaj korrupsionit dhe për këtë arsye shtatori pritet që të vijë me surpriza. Lëvizja e parë do të jetë procesi i vetingut të gjyqtarëve, ku të gjithë do i nënshtrohen skanerit të pasurisë, punës së deritanishme dhe figurës. Sipas ligjit të vetingut, kushdo që nuk justifikon dot pasurinë, që ka pasur kontakte me kriminelë dhe ka shkelur ligjin gjatë ushtrimit të detyrës do të duhet që ta mbyllë këtu karrierën, mirëpo nuk do të jetë kaq e thjeshtë për ata që kanë bërë vërtet shkelje. Sipas kontakteve me anëtarë të komisionit të reformës në drejtësi, në rast se gjatë vetingut rezulton se dikush ka fshehur pasurinë, apo ka abuzuar me detyrën gjatë këtyre viteve, atëherë, ai do të duhet që të japë llogari para Prokurorisë Speciale. Askush nuk do i shpëtojë drejtësisë me nisjen e reformës në gjyqësor dhe ligjet janë ndërtuar në mënyrë të tillë që të mos ketë asnjë mënyrë arsyetimi. Sa i takon vetingut, ILDKP do të dorëzojë të dhënat e pasurisë për secilin gjyqtar dhe atje ku ajo mendon se ka shkelje atij do i bëhet një kontroll i imtësishëm. Ndërkohë, nga ana tjetër, në ligjin për SPAK thuhet se hetimet nisin që në momentin që ka një indicie, mjafton dhe nga dëshmia e një individi. Në këtë mënyrë çdo gjyqtar që do rezultojë me probleme nga vetingu, do të duhet që të justifikohet se si e ka vënë deri më tani pasurinë që ka. Për këtë arsye pritet që në ditët në vijim të ketë dorëheqje masive. E vetmja mënyrë për të shmangur vetingun është dorëheqja dhe në mënyrë që të shmanget zbulimi i pasurisë, pritet që të ketë një sërë dorëheqjesh.

 

Shembulli kroat

 

Për luftën ndaj korrupsionit në Shqipëri do të ndiqet shembulli kroat. Sipas burimeve, në shtator dhe në muajt e tjerë prokurorë të ndryshëm do të vijnë në vendin tonë dhe të trajnojnë prokurorët shqiptarë. Bëhet fjalë për një fond që do të akordojë Bashkimi Evropian me qëllim dhënien e asistencës së tyre. Aktualisht, BE ka akorduar një fond dhe zyra kroate kundër korrupsionit është pjesë e fondeve IPA. Vendi ynë ka përfituar nga këto fonde dhe në këtë kuadër EURALIUS prej muajsh ka sjellë në vendin tonë një sërë prokurorësh, përfshirë dhe ata që arrestuan ish-kryeministrin Sanader. Pra, BE do të ofrojë fonde për trajnime dhe madje do të sjellë vetë ekspertët nga Kroacia, por dhe vende të tjera si Rumania, etj., të cilët do japin asistencën e tyre. Sipas projektit aktual të fondeve IPA, Kroacia ka dhënë asistencën e saj kryesisht në fushën e përgjimeve dhe gjetjen e parave të pista jashtë vendit. Janë bërë një sërë seminaresh dhe pritet që në shtator të nisë një valë e re, duke u fokusuar te prokurorët dhe gjyqtarët që do jenë pjesë e Byrosë së Hetimit. Në SPAK do të ngrihet një departament i veçantë që do jetë i fokusuar te bashkëpunimi me jashtë. Mësohet se USKOK do japë ndihmën e tij në këtë departament, pasi janë të specializuar në pastrimin e parave dhe fshehjen e parave në bankat e huaja. Pra BE do të financojë në mënyrë që shembulli kroat të shtrihet dhe në vendin tonë.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here