Policia ka vijuar me verifikimet në lidhje me ngjarjen e ndodhur në fshatin Qatrom, ku humbën jetën dy kushërinj. Lidhur me këtë ngjarje ka filluar procedimi penal ndaj 3 personave: Administratorit të Shoqërisë e cila ka shfrytëzuar tokën, ndaj ish-Kryetarit të Komunës Drenovë, si edhe Administratorit të kësaj Njësie Administrative, të cilët akuzohen për “shpërdorim detyre” .
Njoftimi i plotë i policisë:
Në vijim të hetimeve të kryera, në lidhje me ngjarjen e ndodhur më datë 19.08.2016, në fshatin Qatrom, në të cilën humbën jetën shtetasit A.T dhe R.T, duke u mbytur në vendin e quajtur “Gropa e Danielit”, ju sqarojmë se :
Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve të Korrupsionit, në Drejtorinë Vendore të Policisë Korçë, filluan procedimin për veprën penale: “Shpërdorimi i tokës”, ndaj shtetasit: V.K, 53 vjeç, banues në Korçë, me detyrë Administrator i një shoqërie private, në fushën e qeramikës.
Nga verifikimet e kryera, kjo shoqëri ka rezultuar me mangësi në dokumentacionin e paraqitur, si edhe në mënyrën e shfrytëzimit të tokës, pikërisht në gropën ku humbën jetën dy kushërinjtë.
Gjithashtu ka filluar procedimi në gjendje të lirë, për veprën penale, “shpërdorimi i detyrës”, në ngarkim të shtetasve :
F.S, 57 vjeç, banues në Korçë, me detyrë ish-Kryetar i Komunës Drenovë.
M.M, 31 vjeç, banues në fshatin Qatrom, me detyrë Administrator i Njësisë Administrative Drenovë.
Shtetasit e lartpërmendur, duke qenë me detyrë Kryetar dhe Administrator, dyshohet se nuk kanë marrë masat e nevojshme, për kontrollin e aktivitetit të ushtruar, në territorin e kësaj njësie.
Materialet për veprime të mëtejshme hetimore, i kaluan Prokurorisë të Rrethit Gjyqësor Korçë.