Antenat e celularëve mbi pallate, specialistët japin alarmin: Dëme të mëdha mbi shëndetin e popullatës, shkak për depresion

0
176

Pas alarmit të ngritur nga Avokati i Popullit, Igli Totozani, në lidhje me problematikat që sjellin antenat e kompanive celulare mbi tarracat e pallateve, kanë reaguar edhe specialistë të fushës, të cilët thonë se dëmi në raste të tilla mund të jetë shumë i madh. Një pjesë e madhe e pallateve në vend kanë sipër tyre antena, teksa edhe pse specialistët prej kohësh kanë ngritur alarmin, Zyra e Mbrojtjes së Rrezatimeve, në varësi të ministrit të Shëndetësisë, Ilir Beqaj, nuk ka marrë asnjë masë. Ekspertët Kostandin Dollani dhe Shkëlqim Mema janë një në mendje se rrezatimi i antenave, kur është mbi normën e lejuar, shkakton probleme të mëdha në sistemin nervor të njerëzve, madje mund të shkojë deri aty sa mund të bëhet edhe shkak për depresion. Madje, Dollani, specialist në fushën e rrezatimeve, thotë se vazhdimisht ka sugjeruar që këto antena të jenë të paktën 20 metër larg banorëve, por që ky rekomandim në të shumtën e rasteve nuk është marrë parasysh. “Rreziku ekziston dhe është i madh, nëse  kalon normën e vendosur nga Bashkimi Evropian, 10 W për metër katror. Ne nuk kemi një monitorim për të thënë nëse vlerat e rrezatimit janë brenda normave. Edhe nëse janë mbi normën e lejuar nuk kemi si ta dimë. Kemi ekspertizën që vetë kompanitë celulare kanë bërë. Nuk i paragjykoj ekspertizat e tyre, por për të pasur një ekspertizë profesionale, por ato mbrojnë investimin e tyre”, thotë Kostandin Dollani për gazetën “SOT”. Më tej ai ndalet tek efektet direkte që kanë në organizmin e njeriut rrezatimi i këtyre antenave në momentin e kalimit të normës së tyre. “Së pari, antenat që na sjellin valë në celular pranë veshit krijojnë dëmtime të mëdha të sistemit nervor dhe kjo tashmë është e konfirmuar shkencërisht. Kjo është vetëm një pasojë, pasi efekte të tjera kanë të bëjnë me të gjithë organizmin duke filluar që nga problemet dhe luhatjet e tensionit dhe deri tek depresioni”, deklaron Kostandin Dollani. Sipas tij, është e nevojshme që të kryhet një kontroll më i shpeshtë i kompanive celulare, sidomos ndaj atyre që vendosin më tepër se një antenë në tarracat e pallateve, pasi në këtë rast pasojat mbi shëndetin e popullsisë janë më të mëdha.

Rreziku nga tumoret

 

Ndërkohë, Shkëlqim Mema, specialist në fushën e rrezatimit thekson se numri i antenave të kompanive celulare në kryeqytet është rritur ndjeshëm vitet e fundit dhe normalisht edhe pasojat shkojnë po në të njëjtin drejtim. Sipas tij, aktualisht në Tiranë janë më shumë se 250 antena celularësh nga kompani të ndryshme. “Problemi i elektromagnetizmit qëndron sepse është një ndotje e padukshme, nuk ka erë, por që shkakton rrezatim elektromagnetik veçanërisht të rëndë dhe të dëmshëm, duke rrezikuar për tumore, sidomos tek fëmijët, por edhe tek të rriturit, pasi të gjithë jemi përdorues të kësaj teknologjie (qofte edhe duke përdorur celularin)”, thotë Mema. Ndërkohë sipas specialistit Mema, çdo vit në vendin tonë evidentohen raste sëmundjesh, të cilat mund të kenë si burim pikërisht rrezatimin e antenave. “Është një problem që është ngritur herët në vend në lidhje me vendndodhjen e tyre. Dihet botërisht se ato kanë pasoja të mëdha në shëndetin e njeriut. Edhe njerëzit i kanë kundërshtuar me sa kanë pasur mundësi instalimin e tyre mbi tarracat e pallateve, por nuk kanë bërë asgjë për t’i ndaluar. E theksoj se ato nuk janë të dëmshme në momentin që kompania respekton normat e vendosura në mbarë botën, por fakti që në kryeqytet ka pasur një përhapje të gjerë të këtyre antenave e bën situatën shqetësuese”, vijon ai.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here