Ish-zyrtarët e Rinasit kishin kërkuar lirim nga burgu, gjykata rrëzon kërkesat

0
137

 

Gjykata për Krimet e Rënda rrëzoi dje kërkesën për lirim nga qelia të katër personave të arrestuar pas grabitjes së 1 milion eurove në Rinas, në 30 qershor 2016. Katër të dyshuarit për akuzën e “shpërdorimit të detyrës” iu drejtuan Krimeve të Rënda me një kërkesë për “lirim të menjëhershëm”, pas vendimit të Apelit për Krimet e Rënda të ditës së martë.

Në këtë vendim, Apeli rrëzoi kërkesën e Prokurorisë së Shkallës së Parë për caktim të masës së sigurisë “arrest në burg” ndaj tyre, por nuk urdhëroi lirim. Me pretendimin se masa e sigurisë ndaj tyre ishte shuar, drejtori i Shërbimeve Aeroportuale, Vangjel Nikolla, dhe punonjësit e shoqërisë ICTS, Bledar Blloshmi, Arben Karafili e Fadil Jonuzaj, kërkuan të lirohen nga masat shtrënguese në të cilat ndodhen. Në përfundim të katër seancave gjyqësore të njëpasnjëshme, të cilat zgjatën disa orë, Gjykata vendosi të rrëzojë kërkesën, duke lënë të pandryshuar masën “arrest shtëpie” për Vangjel Nikollën dhe masën “arrest në burg” për tre punonjësit e ICTS. Avokati Vladimir Meçi, përfaqësues ligjor i të dyshuarit Nikolla, apeloi nevojën e vëmendjes së institucioneve për këtë proces, ku po bëhet “pingpong” mes gjykatave. “Do t’u bëja thirrje të gjitha institucioneve që merren me mbrojtjen e të drejtave të njeriut, ministrit të Drejtësisë, Avokatit të Popullit, Komitetit Shqiptar të Helsinkit që të monitorojnë këtë proces, pasi janë katër persona që po mbahen haptazi në masë sigurie në mënyrë të kundërligjshme në burg. Sot ndaj tyre nuk ka masë sigurimi”, tha avokati Vladimir Meçi. Përfaqësuesit ligjorë të katër të dyshuarve për “shpërdorim të detyrës” thanë së do t’i drejtohen me të njëjtën kërkesë Gjykatës së Lartë, ku do t’i bëjnë rekurs vendimit të Apelit të ditës së martë. Vendimi i Apelit i shpallur në 2 korrik 2016, futi në një “ngërç” juridik situatën në të cilën ndodhen të arrestuarit për vjedhjen e 1 milion euro. Sipas avokatëve, klientët e tyre po qëndronin nën efektin e masave shtrënguese pa një vendim gjykate. Dosja në ngarkim të tyre u hetua fillimisht nga Prokuroria e Krujës. Me kërkesë të saj, Gjykata e Krujës caktoi masën “arrest në burg” për katër të arrestuarit pas ngjarjes. Më vonë dosja u kaloi për kompetencë Krimeve të Rënda, ku u bë rivlerësim i masave të sigurisë. Krimet e Rënda zbutën masën e sigurisë për të dyshuarin Nikolla dhe e lanë të pandryshuar për tre të tjerë. Avokatët pretendonin se vendimi i Apelit zhvlerësoi masat e sigurisë dhe se masat e dhëna nga Gjykata e Krujës e kishin humbur vlerën kur dosja kaloi për kompetencë te Krimet e Rënda.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here