1-vjetori i “superman and the toy store”

0
189

1-vjetori i “spider and the toy store”

Çfarë (nuk) solli Veliaj në Tiranë, dualiteti mes kryebashkiakut dhe aspiratës si kryesocialist

Nga gjobat për PD tek debati e konflikti për Këndin e Lojërave e protesta përballë Gjykatës

Gëzim Saliu

Erion Veliaj mbushi 1 vit në krye të Bashkisë së Tiranë. Në këto 12 muaj të qeverisjes së tij në kryeqytet shumë kush mund të analizojë e të vë në peshore premtimet e tij para elektorale dhe zbatimin e tyre. Por për të qenë sa më realist do ishte e padrejtë nëse në këtë shkrim do të përfshiheshim në analizën e atyre premtimeve që kërkojnë edhe më shumë koha ose ndoshta do të duhet të presim deri në fund të mandatit për  të dhënë më pas verdiktin. Nga ana tjetër analizimi i vetëm i disa prej premtimeve që ishin pjesë e këtij viti të parë do konsiderohej i pjesshëm, megjithëse disa pika kryesore do ti evidentojmë më poshtë. Në këtë formë 1-vjetorin e “lalit” ( siç pëlqen të thërritet dhe të thërrasë miqtë kryebashkiaku) do ta analizojmë në ato çështje dhe vendime që janë më shumë të njohura për publikun dhe që kanë hasur diskutim të gjerë.

erion-veliaj-foto-ivana-dervishi

Nisja e Erionit

Marrja e detyrës së kryebashkiakut të Tiranës, duke vënë theksin sigurisht tek rezultat i thellë ndaj kundërshtarit të së djathtës, ishte një “exhibition” thuajse perfekt nga ana e Veliaj. Në ditën e betimit si qytetari numër 1 i kryeqytetit ai shkoi në këmbë në Bashki i ndjekur nga disa këshilltarë socialistë. Pas betimit, Veliaj mbajti një fjalim ku tha se do ishte kryebashkiaku i gjithë qytetarëve të Tiranës pavarësisht ngjyrimeve partiake, megjithëse koha tregoi se këto ngjyrime u theksuan jo pak në kryerjen e detyrës nga ana e tij. Në të njëjtën linjë të “exhibition”-it, Veliaj zgjodhi që ditën e parë të punës ta niste duke shkuar në punë me urban dhe duke rregulluar orën e Sahatit të Tiranës. Pas një javë në detyrën e tij, kryebashkiaku shpalli aksionin “luftë zhulit për Tiranën e pastër”, aksion që nisi me pastrimin e koshave të plehrave, me vendosje e disa banjove publike në zona të ndryshme të kryeqytetit si edhe me përpilimin e disa masave. Këto të fundit u bënë edhe subjekt humori në rrjete sociale, pasi përmes tyre kryebashkiaku vendoste 20.000 lekë gjobë për urinim në publik dhe pështyrjen. Por pavarësisht kësaj pike, nuk mund të mohohet se nisja e aksionit dha  disa rezultate që ndikuan në pastrimin e kryeqytetit në zona të dukshme të tij. Ndonëse Veliaj ka folur shpesh për trajtim të njëjtë të Bashkisë si në qendër dhe periferi, aq më tepër që me ndarjen e re territoriale Tirana e administruar prej tij shkon deri në Krrabë, realiteti ka treguar në këto 12 muaj se është bërë shumë pak në këtë aspekt. Përballja e parë e fortë e Veliajt me qytetarët do të niste dy muaj pasi kishte nisur detyrën në saj të disa vendimmarrjeve të tij për shkarkime të shumta në institucionet e zyrat që vareshin prej bashkisë. Në një ndër këto raste ishte goditja me shpullë e Veliajt në zyrën e tij nga gruaja e pushuar nga puna.  Punëtorja e magazinës në atë kohë nuk nguroi të godiste me shkelm edhe shefen e kabinetit, e cila më pas bëri denoncimin. Në këtë muaj kryetari i Bashkisë së Tiranës nisi një furtunë të vërtetë shkarkimesh në Ujësjellësin e Tiranës duke marrë mbi vete akuza të shumta për njëanshmëri politike në vendimmarrjen e tij. Por pjesa kulminante e 5 muajve të parë të Erion Veliajt në detyrën e kryebashkiakut do të ishte gjoba e vendosur ndaj Partisë Demokratike pas protestës së 8 dhjetorit 2015.  Bashkia e Tiranës  gjobiti në atë kohë Partinë Demokratike me 163 milionë lekë të vjetra për të gjitha dëmet e shkaktuara në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit” dhe pranë Ministrisë së Brendshme gjatë protestë. Por vetëm dy ditë më vonë polici Besnik Karaj emri i të cilit rezultonte mbi fletë e gjobës bëri kallëzim në Prokurori duke pretenduar se firma e tij ishte falsifikuar dhe se ai nuk ka lëshuar asnjë gjobë. Ndaj tij nisi një valë akuzash nga kryebashkiaku Veliaj, i cili e lidhi reagimin e tij me faktin se Karaj ishte i biri i kryetarit të demokratëve të Fushë Krujës. Por pavarësisht kundër akuzave mes palëve, ishin ekspertët e laboratorit të Policisë Shkencore, pranë ministrisë së Brendshme, që vërtetuar se gjoba e Bashkisë së Tiranës për dëmet në protestën e 8 dhjetorit ishte e falsifikuar.

 

veliaj spider

Parku i Lojërave te Liqeni

Viti 2016 nisi me të njëjtën frymë nga ana e kryebashkiakut Veliaj, i cili shpeshherë përmes daljeve të tij publike nuk nguronte të imitonte stilin e Presidentit Obama në mënyrën e sjelljes dhe veprimit. Megjithatë pasja e një modeli politik nuk përbën blasfemi, aq më tepër në rastin  e Veliajt i cili njihet si një njeri që “show”-n dhe ekzibicionin në publik e ka armën e tij më të fortë. Problematika më e madhe kryebashkiakut të Tiranës do të niste pasi të zbulohej plani i Bashkisë për ndërtimin e një parku lojërash në Liqenin Artificial Kundërshtia e menjëhershme e një grupimi të shoqërisë civile u mor lehtë nga Veliaj, i cili në reagimin e parë lidhur me këtë diskutim foli shkurt e nuk i mori fort parasysh qëndrimet kundër. Por në ditët e javët në vazhdim vala e kundërshtisë ndaj betonizimit të mushkërisë së kryeqytetit do të rritej mjaft. Një temp të fuqishëm lëvizja do të fitonte pas zbulimit në media të planit paraprak të Bashkisë së Tiranës e cila pranë Parkut të Lojërave kishte menduar ndërtimin e një lokali. Kjo pikë shtoi edhe më shumë tensionin mes palëve, ku nga njëra anë qëndronte kryebashkiaku Veliaj dhe PS e nga ana tjetër anëtarët e shoqërisë civile që kishin edhe mbështetjen e demokratëve. Më vonë zyrtarë të Bashkisë do të pohonin në publik se pjesa e ndërtimit të bar kafesë pranë Parkut ishte hequr nga projekti. Por gjithsesi ky pohim nuk e ç’tensionoi situatën mes palëve, pasi protesta e grupimit që qëndroi i vendosur pranë vendit ku  ngrit Parku i lojërave vazhdoi deri në fund. Për ditë e natë me radhë ata qëndruan në zonë duk mbrojtur Parkun nga betonizimi. Por duket se Veliaj nga ana e tij ishte i vendosur për ta bërë realitet projektin e tij dhe në ndihmë të tij nuk nguroi të përfshinte forcat e policisë. Rrethimi i zonës ku do të bëhej ndërtimi i këndit të lojërave i dha edhe më shumë tension situatës, pasi aktivistët me ndihmën e qytetarëve të ndryshëm të kryeqytetit arritën ta shembin atë. Dhe për thuajse një javë më pas, situata në Liqenin artificial u kthye në një arenë “lufte” me aktivistëve që kërkonin të mbronin Parkun nga betoni dhe kryebashkiakut që donte me çdo kusht ndërtimin e tij. Ndërhyrja e kreut të shtetit Bujar Nishani që doli në krah aktivistëve u pa me sy vëngër nga ana e kryebashkiakut, i cili nuk nguroi ta quante Presidentin lodër në duart e të tjerëve apo edhe “hajdut”. Por ndërkohë që palët ishin në kulmin e tensionit mes tyre, betoni pak e nga pak hidhej çdo ditë në Parkun e Liqenit. Përpos rezistencës së aktivistëve të cilët në ditët e fundit të betejës u lanë në baltë nga qytetarët, Bashkia nuk la asnjë shteg për diskutime apo tërheqje. Në fund, kryebashkiakut Veliaj i doli e tija dhe Këndi i Lojërave u ndërtua dhe u inaugurua në 1 qershor.

 

13315300_10154239933396926_6469397827229570628_n

Protesta te Gjykata

Një tjetër ngjarje e “shënuar” në itinerarin 12 mujor të Veliajt në postin e kryebashkiakut të Tiranës ishte edhe protesta që ai zhvilloi në muajin maj përpara Gjykatës Administrative lidhur me pallatin 17 katësh te diga e Liqenit. Protesta e kryetarit të bashkisë, një grupi deputetësh të PS dhe zyrtarëve të bashkisë, kundër Gjykatës së Apelit, për një çështje në të cilën bashkia ishte vetë palë, u cilësua si e para në llojin e saj ku një institucion shtetëror  zhvillon protesta ndaj një institucioni tjetër të pavarur.  Me gjithë akuzat e ardhura në ato kohë nga ana e kreut të shtetit, Partisë Demokratike dhe juristëve të ndryshëm, Veliaj e cilësoi si të drejtë legjitime protestën e tij para Gjykatës dhe deklaratat nominale ndaj saj si “markatë”. Pikërisht në këtë çështje, konfliktualiteti mes kryebashkiakut të Tiranës dhe Presidentit arriti kulmin. Në këtë debat Veliaj pati mbështetjen e Ramës i cili e cilësoi si normale protestën e tij para Gjykatës Administrative duke theksuar,: “Dikush t’u tregojë shejtan-budallenjve ndonjë pamje nga manifestimet e panumërta të guvernatorëve e të bashkiakëve para gjykatave amerikane”. Ndërkohë kryebashkiaku nga ana e tij rriti nivelin e akuzave dhe gjuhës së ashpër ndaj Presidentit duke e akuzuar se po mbronte familjarët e tij në këtë çështje. “Janë gjyqtarë, të cilët sapo janë caktuar nga Presidenti i Republikës posaçërisht për këtë gjyq, në këtë trupë që është e blinduar me familjarët e tyre”. Akuzave të Veliajt, kreu i shteti ju përgjigj me një padi për shpifje e ndërsa seanca vazhdon ende në ditët e sotme.

 

Veliaj-Femijet

Gara e pandalshme me Tahirin dhe ëndrra e kryesocialistit

Pavarësisht se ka marrë detyrën si kryebashkiak prej 1 viti, në këto 12 muaj Erion Veliaj nuk ka ndalur për asnjë sekondë vazhdimësinë e ecurisë së strategjisë së tij që lidhet me të ardhmen në PS. Prej kohësh Veliaj së bashku me ministrin e Brendshëm Saimir Tahiri janë cilësuar si dy pasardhësit më të mundshëm të Ramës në krye të Partisë Socialiste. Ngjitja e Veliajt në PS ka qenë vërtetë e lavdërueshme në aspektin politik pasi për shumë pak vite ish-kreu i G-99 arrit të merrte një sërë postesh të rëndësishme në forcën më të madhe politike. Fillimisht mori postin e sekretarit për Ruininë dhe Emigracionit dhe më pas sapo të majtët erdhën në pushte Veliaj u zgjodh si ministër i Mirëqënies Sociale. Por plani i kryebashkiakut të Tiranës nuk ndalet me kaq pasi synimi kryesor i Veliajt është karrigia e Ramës. Por për të ecur në këtë pikë ai mkë parë duhet të përballet me garuesin e brendshëm Saimir Tahiri. Në vitin e fundit nuk ka munguar përballja nën rrogoz mes kryetarit të Bashkisë së Tiranës dhe ministrit të Brendshëm. “Lufta” e zhvilluar në Kongresin e PS-së për anëtarët e Asamblessë së Tiranës e cila më pas detyroi një takim “sqarues” mes Ramës, Ruçit, Veliajt dhe Tahirit ishte një ndër përballjet underground mes tyre. Shfaqja thuajse hapur e rivalitetit u bë me rastin e festës së 1 qershorit. Në kohën kur Veliaj doli si fitues në publik pas ndërtimit të Parkut të lojërave dhe me bluzën e tij “Toy-Store” po gëzonte më fëmijët në sy të kamerave, ishte Tahiri që i rrëmbeu një pjesë të festës. Pikërisht në këtë ditë e madje thuajse në të njëjtin orar ministri i brendshëm surprizoi fëmijët e sëmurë të shtruar në spital, ku forcat speciale të veshur si heronjtë vizatimorë spider-man dhe Batman i dhuruan fëmijëve momente të gëzueshme dhe hareje. Tahiri dhe Veliaj dhuruan atë kohë një “show” për publikun, që më shumë se një “dhuratë” në ditën e fëmijëve ishte një tentativë  për të minimizuar “arritjet” e secilit. Gara mes dy të “infiltruarve” në PS nga kryesocialisti Rama, u shfaq atë ditë pa dorashka dhe me shumë gjasë në ditët, javët e muajt në zhvillim do të jetë edhe më e fortë. Zhvillimet pas zgjedhjeve të 2017-ës ose edhe më parë nëse ka zgjedhje të parakohshme do jenë interesante edhe në këtë kontekst. Një humbje e PS-së do të bënte që Rama të dorëzonte stafetën e kryetarit pas 12 vitesh në këtë post dhe me shumë gjasë përballja do ishte mes Veliajt dhe Tahirit. Por deri atëherë ka ende kohë dhe zhvillimet mund të jenë të llojeve të ndryshme, ndonëse planet dhe lëvizjet e kryebashkiakut dhe ministrit të Brendshëm kanë nisur prej kohësh.

 

lali-erixx

 

Bilanci

Veliaj: Nga muaji gusht Tirana do të pësojë një transformim të jashtëzakonshëm

Një vit nga betimi i tij për drejtimin e Tiranës, Erion Veliaj prezantoi dje projektet konkrete dhe strategjike infrastuktuore, ndërtime në institucione edukimi dhe arsimit dhe rikualifikimet urbane. Në muaj gusht, tha ai do të nisë projekti për kthimin e sheshit Skëndërbej në pedonale, ku theksoi se ambicia e Bashkisë është që ky shesh të jetë hapësira më e madhe në Ballkan për qytetarët. “Duke filluar nga muaji gusht do të pësojë një transformim të jashtëzakonshëm. Do të jetë zona më e madhe pedonale në Ballkan. Kam vendosur të mos humbasim asnjë sekond për implementimin e këtij projekti për ti dhënë Tiranës më në fund një shesh dhe jo një kartodrom”.  Plani urbanistik i Tiranës, theksoi Veliaj, pritet të kaloj për miratim në shtator, në sesion e ri të këshillit bashkiak. “Mirëpres që Këshilli Bashkiak të hapë diskutimin për planin e përgjithshëm vendor, ta kalojmë në shtator ose në fillim fare të vjeshtës”.  Punimet për zgjatimin e bulevardit të ri, sipas bashkisë po ecin me ritme të kënaqshme për ti dhënë zonës nga ish-stacioni i trenit deri në Paskuqan në një impuls të zhvillimit ekonomik. Ndërtimi i dy unazave, përveç atyre ekzistuese, plani për korsitë e bicikletave, krijimi i hapësirës më të madhe të gjelbër për Tiranën pylli orbital,  janë projektet e tjera me rëndësi të bashkisë.

 

2016-07-29-PHOTO-00000002

PD: Erion Veliaj ka vetëm fjalë, një vit korrupsion e varfëri në Tiranë

Këshilltarët e Partisë Demokratike në Bashkinë e Tiranës denoncuan dje atë që e cilësuan shoë-n e radhës së kryetarit të Bashkisë, Erion Veliajt për bilancin një vjeçar në detyrë. Sipas Akil Krajës, në një vit Erion Veliaj ka vetëm fjalë ndërkohë që Tirana po vuan për shkak të papërgjegjshmërisë dhe korrupsionit të kreut të bashkisë. Kraja denoncoi mosmbajtjen e premtimeve, rritjen e çmimit të biletës, betonizimin e parkut të liqenit, tenderat korruptivë, heqjen nga puna të 500 punonjësve menjëherë, ngritjen e agjensive që po zhvatis Tiranën. “Në një vit Erion Veliaj ka gënjyer qytetarët. Tha që çmimi i biletave të autobuzëve nuk do të rriten dhe ato u rritën. Tha që taksat do të uleshin dhe ato u rritën. Ai tha se tek liqeni nuk do të pritet asnjë pemë por sot ka një dëshmi tjetër për masakrën që ndodh atje. Ai premtoi që gjatë një viti do të ketë ndalim të ndërtimeve por sot në Tiranë ka kantiere nga më të mëdhatë ku me monstruozi është ai tek stadium Qemal Stafa dhe ngritjen e një gradaçele. Erion Veliaj tha se në një vit do të ishte avokat i qytetarëve por nuk ndodhi kështu. Ai dha në mënyrë të paligjshme një koncension në Parkun Rinia duke e kthyer në një shesh betoni për një parkim nëntokësor. Në një vit ka bërë krejt të imagjinueshmen por nuk mbaroi pasi si me fshesë ka pushuar 500 punonjës së Bashkisë së Tiranës, në UKT e kështu me radhë  dhe shkoi deri aty sa falsifikoi një dokument të Bashkisë së Tiranës. Por korrupsioni nuk ndalet dhe ka shkuar edhe në shumëfishimin e agjensive të cilat vetëm rrisin taksimin e qytetarëve për të bërë skema vjedhjeje. Tirana parking, një agjensi e krijuar rishtazi dhe sot po grabit qytetarët e Tiranës me parkingun ndërkohë që karta e rezidentit nuk është miratuar akoma. Eco Tirana, një agjensi për manaxhimin e mbetjeve e madje që do të tregtojë mbetjet duke bërë një monopol dhe druajmë se do të ketë edhe import nga Italia. Si u zgjodh kompania??! ”, tha Kraja. Ndërkohë Këshilltari Mateo Spaho u shpreh se Erion Veliaj e ka varfëruar qytetin duke rritur me 50 milionë dollarë taksat për biznesin. “Ai rrit taksa të ndryshme dhe veprat publike ia bëjnë sipërmarrës fshehurazi si ajo në rrugën Dritan Hoxha, që sot nuk e dimë se kush janë. Erion Veliaj bën tendera jo transparentë. Firmat nuk konkurojnë por i jepen në mënyrë të drejtpërdrejtë firmave të preferuara, në shkelje të rregullave e ligjeve. Erion Veliaj merret me të dobëtit e të vobektit pasi i persekuton tregtarët e vegjel. Bëhet kjo për të liruar hapësirat publike?! Kurrsesi jo. Kjo bëhet për të kioskëzuar Tiranën, për të vendosur të reja çdo 100 metra dhe ato merren koncension në Bashki duke lënë atje kushedi se çfarë falenderimi. Erion Veliaj ka vetëm fjalë sepse mund të bënte shumë dhe ka shpenzuar 0 lekë për nxitjen e punësimit, 0 lekë për të rinjtë, 0 lekë për moshat e treta. Erion Veliaj ka vetëm fjalë”, tha Spaho./ Standard.al

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here