Votim historik e patriotik/ LSI, Vasili: Treguam se konsensusi s’është tabu, artificet u zëvendësuan nga dialogu sy më sy

0
113

 

Çarje në koalicion?,Vasili: Konsensusi nuk rrëzon koalicionin sepse besoj se ai nuk është një ditë ndarjeje, por është një ditë bashkimi

 

Ambrozia Meta

 

Kreu i grupit parlamentar të Lëvizjes Socialiste për Integrim Petrit Vasili, disa orë pas miratimit të reformës në drejtësi e cilësoi votimin konsensual si produkt të një konsensusi patriotik. “Dje parlamenti shqiptar realizoi një votim unikal, qoftë në historinë e tij, por qoftë edhe në historinë e pluralizmit shqiptar. Një votim i cili u arrit dhe ishte produkt sinjifikativ i një konsensusi patriotik dhe historik. Një konsensus i cili i bashkoi shqiptarët, i bëri që të ndihen më të sigurtë në vendin e tyre. Ndaj, nga sot edhe politika shqiptare nxjerr mësime të tjera për të kuptuar që të gjithë muret dhe të gjitha ndasitë e panevojshme, artificiale, dritëshkurtra të cilat e mbajnë në vend atdheun tonë të përbashkët, janë të padobishme, ndërsa parja në sy me njëri-tjetrin dhe vënia në tavolinë e gjerave parimore është gjithmonë një moment bashkimi,” – tha ai. Vasili u dha fund dyshimeve për prishjen e koalicionit PS- LSI duke theksuar se konsensusi nuk rrëzon koalicione.  “Konsensusi nuk besoj se rrëzon koalicionin sepse besoj se konsensusi nuk është një ditë ndarjeje, por është një ditë bashkimi. Ne kemi votuar të 140 për reformën në drejtësi dhe ku të gjitha votat e përbashkëta të PS dhe LSI kanë qenë në atë sallë dhe besoj që edhe këtu ka një provë se si mund të sillesh në mënyrë të përgjegjshme në politikë jashtë çdo lloj llogarie të vogël,” – nënvizoi kreu i grupit parlamentar të Lëvizjes Socialiste për Integrim.

 

 

Qëndrimi

 

SipasVasilit  zbatimi në praktikë i reformës së miratuar ditën e djeshme nuk do të jetë një proces i lehtë. “Natyrisht kemi hyrë në një fazë të re. Lëvizja Socialiste për Integrim, po me të njëjtin principalitet, po me të njëjtën vendosmëri dhe po me të njëjtin konstruktivitet do të shërbejë dhe do të jetë aktive në mënyrë të jashtëzakonshme edhe në procesin tepër të rëndësishëm, por edhe jo të lehtë të zbatimit në praktikë të saj.Por besoj që këto qëndrime parimore, në vijimësi edhe këtë proces do ta ndihmojnë në mënyrë që edhe në praktikë të konsolidojë këtë sistem drejtësie që ne projektuam dje me këtë reformë madhore – nënvizoi ai. I pyetur nga gazetarët për  rolin e kreut të Kuvendit Ilir Meta,si negociator në marrëveshjen e arritur  Vasili u shpreh se ishte një veprim shembullor. “Besoj që ishte një veprim shembullor se si çdo figurë institucionale duke vepruar në radhë të parë me patriotizëm dhe në radhë të dytë duke demonstruar se kur atdheun e duam më shumë se çdo gjë dhe çdo llogarie të vogël politike, mund të bëhen gjëra të mëdha dhe mund të arrihen dhe të tilla, jo vetëm konsensuse të këtij dimensioni, por edhe votime të tilla ku të 140 deputetët kanë dalë të lehtësuar nga salla e parlamentit dhe i kanë parë qytetarët në sy më të qetë se sa një ditë më pare,” – bëri me dije ai. Pyetjes nëse Meta do ta lëjë detyrën e kreut të Kuvendit, pas deklaratës së një ditë më parë ku tha se do japë dorëheqjen, Vasili iu përgjigj duke thënë se një qendrim politik i tillë do ta mbahej nga kryeparlamentari në rast re reforma do kalonte me 94 vota. “Besoj që 140 votat e kanë edhe përgjigjen brenda për pyetjen tuaj,” –u shpreh për mediat kreu i Grupit Parlamentar të LSI -së.
 

Biseda telefonike me Kukan

 

Meta: Konsensusi vendimtar për suksesin e reformës

 

Kryeparlamentari Ilir Meta zhvilloi ditën e djeshme një bisedë telefonike me eurodeputetin Eduard Kukan me të cilin shprehu bindjen se konsensusi mes palëve poltike ishte vendimtar për finalizimin me sukses të reformës në drejtësi. “Konsensusi mes palëve ka qenë vendimtar për suksesin e Reformës në Drejtësi,” – tha kryetari i Parlamentit. Meta falenderoi europarlamentarin Kukan për mbështetjen e vazhdueshme duke e cilësuar të rëndësishëm rolin e tij dhe të partisë Popullore Europiane. “Shqipëria është më europiane se dje”, – tha numri një i Kuvendit gjatë bisedës telefonike me eurodeputetin Kukan. Kreu  i Kuvendit Ilir Meta është cilësuar si kryenegociator për bisedimet e ditëve të fundit, pasi mori në dorë frerët e ngërçit politik dhe uli palët në një tryezë. Të dielën e shkuar në një konferencë për shtyp Meta ftoi në një takim 5 palësh ambasadorin e SHBA – së Lu, Ambasadoren e BE – së Vlahutin, kryemiministrin Rama dhe kryedemokratin Lulzim Basha. Ftesa, e cila rezultoi më pas një takim tre palësh mes Metës, Bashës dhe Ramës ishte hapi i parë për atë që do të sillte më vonë marrëveshjen dhe zgjidhjen e ngërçit. Takimi i tre liderëve politikë shërbeu për të vendosur 3 negociatorët të cilët mbi bazën e  propozimit hibrid të ndihmës sekretares Nuland dhe rekomandimeve të Venecias arritën një marrëveshje e cila u prish disa orë pasi liderët poltikë në vend e duartokitën. Megjithatë Meta nuk hoqi dorë. Në limit të kohës, mëngjesin e 21 korrikut  ai mblodhi Konferencën e kryetarëve ku palët vendosën impelemtimin e rekomandimit të Komsionerit Hahn. Duke mos e ndalur hapin, lideri i Lëvizjes Sociliaste për Integrim ftoi një tjetër tryezë negociatash mes dy ambasadorëve dhe zotit Basha në përpjekje për të realizuar atë që kishte premtuar gjithmonë, një reformë gjithpërfshirëse. Pas rreth 8 orësh negociatash ai u bë katalizator i marrëveshjes së shumëkërkuar dhe u ul në karrigen e kryeparlamentarit për të votuar reformën, me konsensus patriotic, siç kishte premtuar.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here