Pika e ngërçit/ Ndërkombëtarët edhe rol zëdhënësi të publikut: Si mund të përjashtohen kandidatët pa fakte?!

0
156

meta-hahn

 

Meta, eurokomisionerit Hahn: Kompromisi pranë, do bëj gjithçka për të ruajtur frymën konsensuale

 

Apeli i Eurodeputetëve, PE: Shumë e rëndësishme të arrihet një marrëveshje, Hahn: Nëse nuk ka vendim, referendum

 

Kryetari i Kuvendit Ilir Meta zhvilloi dje në mbrëmje një bisedë telefonike me Komisionerin e BE për Politikat e Fqinjësisë Evropiane dhe Negociatat e Zgjerimit, Johannes Hahn me të cilin diskutuan mbi zhvillimet e fundit për miratimin e reformës në drejtësi.  Duke iu përgjigjur interesimit të Komisionerit Hahn mbi ecurinë e fazës përmbyllëse të miratimit të paketës kushtetuese për reformën në sistemin e drejtësisë, Kryetari i Kuvendit e informoi atë mbi takimin e djeshëm në Kryesinë e Kuvendit mes Kryetarëve të partive kryesore politike në vend dhe vuri në dukje se fryma konstruktive dhe progresi thelbësor i arritur gjatë bisedimeve në tryezën politike duhet përshëndetur pozitivisht nga të gjithë palët.  Meta e siguroi Hahn se pas deklaratave të djeshme dhe angazhimit të qartë të shprehur prej z. Rama dhe z. Basha, ekziston një predispozitë e shëndetshme për miratimin konsensual të reformës në drejtësi të enjten në 21 korrik 2016, paketë e cila është futur tashmë në rendin e ditës së Kuvendit.   Kryetari i Kuvendit theksoi gjatë bisedës telefonike me Komisionerin për Zgjerim se në cilësinë e Kryetarit të Kuvendit, do të bëjë gjithçka për të ruajtur frymën konsensuale e konstruktive për miratimin e paketës kushtetuese të enjten në seancë plenare, në interes të ruajtjes së stabilitetit politik të vendit dhe integrimit evropian të tij, si dhe në shërbim të suksesit të fazës së ardhshme të zbatimit të kësaj reforme të rëndësishme për Shqipërinë dhe qytetarët e saj.

 

Mbledhja e europarlamentarëve

 

Komisioni i Politikës së Jashtme në Parlamentin Europian diskutoi dje çështjen e  reformës në drejtësi. Eurodeputetët u shprehën të shqetësuar për situatën në Shqipëri, duke theksuar se është shumë e rëndësishme që të arrihet një marrëveshje. “  Është shumë e rëndësishme të arrihet një marrëveshje. Nëse nuk merret ky vendim më 21 korrik do të ketë probleme e ardhmja shqiptare në BE.” Ndërkaq në deklaratën e tij, komsioneri  i BE – së për Zgjerim, Johanes Hahn foli për mundësinë  e një referendumi në rast se nuk merret një vendim më 21 korrik.Hahn foli për pasojat negative që e presin vendin  në rast se kjo refromë nuk kalon. “E nevojshme që Reforma të miratohet me konsensus. Jemi përpjekur të kuptoj se çfarë është arritur në takimin e djeshëmPas miratimit të nis menjëherë zbatimin e Reformës.Jemi shumë afër marrëveshjes sa i përket procesit të Vettingut. Më 21 korrik duhet marrë vendim patjetër, pasi nuk kemi më kohë për të humbur. Nëse nuk merret vendim ka mundësi të diskutohet për referendum pasi mbi 90 % e popullsisë janë pro. Do të ishte shumë negative nëse nuk miratohet reforma në drejtësi. Ka pasur shumë shtyrje të negociatave dhe prespektiva e këtij vendi do të ketë efekte negative, mund të minoj prandaj na duhet të sigurohemi se ka sinjal të fortë për mundësinë e miratimit. Duhet patjetër të merret vendimi,” – theksoi ai. Thirrjen për një reformë konsensuale e përcolli edhe Kryetari i këtij Komisioni, Elmar Bruk i cili këmbënguli për dialog politik mes palëve që reforma të miratohet me konsensus. Ndërkaq eurodeputetja Tania Fajon e cilësoi reformën si një çështje të rëndësishme. “Politikanët shqiptarë nuk janë shumë të sigurt sa i përket imunitetit të tyre, dhe ndaj po bëhet e gjitha kjo, gjithë kjo vështirësi, sa i përket miratimit të reformës. Duhet kuptuar edhe pala shqiptare se është vërtet një çështje e rëndësishme – tha  Fajon.

 

 

Mes konsensusit dhe dështimit

Negociatat tri paleshe vazhdojnë, ekspertët e huaj largohen nga tryeza

 

Kryetarët e tri partive politike vendosën dje të rinisnin negociatat mes ekspertëve për të gjetur një marrëveshje për reformën në drejtësi. Që nga dreka e djeshme e deri në orët e vona të natës ekspertët e PS, LSI dhe PD vazhduan negociatat për të mundësuar një zgjidhje lidhur me vetëm dy pikat e fundit që pengojnë arritjen e konsensusit mes palëve Engjëll Agacci në emër të socialistëve, Ylli Manjani për LSI dhe Oerd Bylykbashi ne emër të PD rinisën serinë e gjatë të negociatave për të mundësuar kapërcimin e ngërçit. Por në këto negociata ndryshe nga dy netë më parë, nuk po marrin pjesë përfaqësuesit e Komisionit amerikan të Drejtësisë dhe Bashkimit Europian. Ata nuk u rikthyen më në tryezë pas dështimit të konsensusit të dy netëve më parë pasi sipas ekspertëve kërkesat e PD janë të papranueshme.  Ekspertët e misionit amerikan të drejtësisë dhe Bashkimit Europian u larguan në orën 3 të mëngjesit të djeshëm nga tryeza e negociatave. Gjatë ditës së djeshme, paralelisht me negociatat politike u vijua dje edhe me negociatat teknike, të cilat kanë më shumë gjasa të prodhojnë konsensusin mes palëve.

 

 

Komisionin e posaçëm

Neni për martesat gay nuk kalon me draftin për ndryshimet kushtetuese

 

Një ndër nenet që u la jashtë draftit të ndryshimeve kushtetuese për reformën në drejtësi nga Komisioni i posaçëm parlamentar ishte edhe ai i shumë diskutuari që i hapte rrugë martesave gay. Duke e cilësuar këtë paketë që i përket kapitullit të parë si jo të lidhur me punën e komisionit të posaçëm, socialisti Xhafajh tha se ato janë lënë jashtë draftit kushtetues që pritet të votohet nesër në Parlament. Lidhur me këtë vendim reagoi dje edhe deputetja e PDIU-së Mesila Doda e cila e cilësoi këtë si një lajm të mirë për vendin. “Sot u shfuqizua nga Komisioni i Posaçëm i Reformës ndryshimi Kushtetues që i hapte rrugën legalizimit të martesave gay. Kjo do të thotë se së bashku arritëm të ndalonim një ndryshim që mund të sillte një strukturë tjetër sociale, larg modelit të familjes natyrale e tradicionale. Falënderoj me ketë rast gjithë kolegët tanë deputetë që u bashkuan në kauzën Pro Familjes Natyrale, krerët e religjioneve dhe besimtaret”, tha ajo.

 

Negociatat për drejtësinë

 

Basha: Dikush se do votën e PD, duan ti japin ndërkombëtarëve rol zëdhendësi të opinionit

 

Dy pikat që janë bërë shkak për prishjen e negociatave mëngjesin e së martës janë e drejta e ndërkombëtarëve për të hequr kandidatë nga lista e aplikantëve  për procesin e vettingut, pa fakte dhe ankimimi i rolit të ekspertëve të SHBA-BE në Gjykatën Kushtetuese

 

Ambrozia Meta

 

Kryedemokrati Lulzim Basha shpjegoi ditën e djeshme se rreth orës 02:00 të mëngjesit të së martës, u arrit një marrëveshje e cila më pas u prish nga socialistët në dy çështje, të cilat ngelen për tu dakortësuar sërish. Basha bëri me dije se dy pikat që kanë prishur marrëveshjet mes palëve janë e drejta e ndërkombëtarë për të përjashtuar kandidatë pa arsye dhe ankimimi i rolit të ekspertëve të SHBA – BE –  në Gjykatën Kushtetuese. “U kërkua që Operacioni të ketë të drejtë të përjashtojë pa fakte kandidatë nga aplikimi. Kjo bie ndesh me kushtetutën. Një pretendim absurd, i papranueshëm. Po në qoftë se është një person I papranueshëm për opinionin publik? Duan t’i japin vëzhguesve ndërkombëtarë rolin e zëdhënësit të opinionit publik. Rikthimi te kjo pikë ishte për fat të keq sinjali i zhbërjes së marrëveshjes që ishte arritur tashmë. Pika e dytë ka të bëjë me mënyrën se si rregullohet prania e misionit ndërkombëtar dhe funksionimi i tij në Shqipëri. U kundërshtua me pretendime absurde, që një mision që funksionon në bazë të një marrëveshje të tillë mund të kontestohej në Gjykatën Kushtetuese. Mundësia që marrëveshja e ratifikuar për funksionimin e Misionit Ndërkombëtar të Vëzhgimit të kontestohet në Kushtetuese është zero,” – deklaroi shefi i opozitës. Sipas Bashës, është dikush që nuk e do votën e opozitës por emrin nuk e bëri publik për shkak se pranoi ftesën e  Ramës për të arritur një konsensus. “I kthej përgjigje pozitive Ramës pas deklaratës për konsensus. E ftoj të rinisim negociatat pa asnjë minutë. Nuk ka asnjë arsye juridike dhe politike të zhbllokë këto dy pengesa, e vetmja arsye është se dikush nuk e do reformen me votat e opozitës. Ai dikush do marrë faturën e plotë para qytetarëve, sepse PD i ka votat. Jemi gati ta mbyllim këtë process,” – tha kreu i PD – së.

 

Qëndrimi

Lideri demokrat shpjegoi marrëveshjen e arritur, deri në momentin që socialistët kundërshtuan këto dy pika. “Mënyra si do funksionojë Operacioni u zgjidh me një propozim të ardhur nga partnerët, të cilët propozuan që Operacioni të stacionohet pranë një prej dy organeve, Presidentit, apo Avokatit të Popullit që ai të marrë të gjitha aplikimet, të hartohet një listë e bardhe me ata që plotësojnë kriteret, një liste e gjelbër për ata që nuk plotësojnë kriteret dhe një listë e zezë për ata që ka dokumente fakte dhe prova. Të 3 listat administrohen nga organi që është Presidenti. Presidenti ia dërgon 3 listat një komisioni ad hoc në kuvend me 6 antarë. Ky komision ka mundësinë që me 4 nga 6 votat në qoftë se konstaton gabime materiale në listën e gjelbër kalon në listën e bardhë. Me 5 nga 6 vota nëse e sheh që ka gabime nga lista e zezë kalon në listën e bardhë. Lista i shkon komisionit ad hoc me 12 anëtarë dhe prej këtej me formulën hibride procesi vazhdon ashtu siç është. Ndërkohë kryeopozitari shpjegoi një listë kriteresh që duhet të plotësojnë kandidatët që lidhet me pastërtinë e figurës,aftësi profesionale,deklarimi i pasurisë, mos të ketë qenë pjesë e partive këto 20 vitet e fundit  dhe mos të kenë marrë pjesë në reformën në drejtësi. Lulzim Basha nuk pranoi të bënte komente për deklaratat e  ambasadorëve ndërsa u shpreh se në këtë zgjidhje është rimishëruar tërësisht rekomandimi 88 i Venecias.

 

 

pd-mbledhje-905x395

Mbledhja e grupit

 

Debate në PD, Patozi, Bregu, Selami dhe Cara: votim reformës. Basha: Rama prishi konsensusin

 

Kryedemokrati  Lulzim Basha thirri ditën e djeshme në një mbledhje jashtë rradhe grupin parlamentar demokrat. Rreth orës 18 e 20 depuetët demokratë u mblodhën në selinë blu, ndërkohë që debatet nuk kanë munguar. Deputetët Astrit Patozi, Eduard Selami dhe Majlinda Bregu ngritën zërin për të kërkuar një zgjidhje ndërkohë që janë shprehur se reforma duhet votuar. “ Ne duhet të dalim me një zgjidhje. Nuk mund ti shpallim luftë ambasadës së SHBA dhe t’i lëmë përralat me disversantë,-  u shpreh Bregu. Shqetësimin e ka shfaqur edhe deputeti Patozi i cili deklaroi se duhet llogaritur numrat dhe forcat. “Duhe ttë Llogarisim forcat, numrat, “Nuk mund të mbajmë në kurriz edhe njollën si anti perëndim dhe reforma të kalojë pa ato garancitë që thoni ju,”- tha ai. Deputeti Eduard Selami i cili më herët deklaroi votën pro reformës, tha në mbledhjen e grupit se demokratët janë futur në sherr me ndërkombëtarët. Nga ana tjetër kryedemokrati Lulzim Basha në një proponcim për mediat, pas mbledhjes, u shpreh se qëndrimi i grupit është unanim pro reformës në drejtësi dhe draftit hibrid ndërkohë që kërkoi reflektimin e socialistëve për të mbyllur edhe dy çështjet e fundit që mbajnë pezull konsensusin. Lideri i të djathtëve deklaroi se reforma në drejtësi është drejt miratimit.

 

Eduard Selami: Na keni futur në kurthin e sherrit me ndërkombëtarët. Premtove se pas nenit 88 do e votoje, nuk e kuptoj pse nuk e jepni zgjidhjen?

 

Lulzim Basha: Nuk ka asnjë sherr të PD me ndërkombëtarët. Opozita që nga fillimi e deri më tani ka qenë mbështetëse kryesore e përfshirjes së ndërkombëtarëve në proces. Por ne nuk mund të pranojmë që operacioni të ketë të drejtë të përjashtojë pa fakte kandidatë nga aplikimi. Kjo bie ndesh me kushtetutën.

 

Majlinda Bregu: Ne duhet të dalim me një zgjidhje. Duhet të votojmë reformën, ne sot jemi nevojtarë edhe për të vendosur veten në krahun e kësaj partie. Nuk mund të fshihemi pas

detajeve. Nuk mund ti shpallim luftë ambasadës dhe t’i lëmë përralat me disversantë. Ne duhet të votojmë.

 

Astrit Patozi: Duhet të llogarisim forcat, numrat. Nuk mund të mbajmë në kurriz edhe njollën si anti perëndim dhe reforma të kalojë pa ato garancitë që thoni ju.

 

Igli Cara: rama manovër me element teknik që ne mos të votojmë. Ndërkombëtarët do vënë gishtin mbi ato që nuk e deshën

 

Lulzim Basha: Konsensusi u prish, do të vazhdojmë negociatat!

 

 

Selami: Vota ime pro reformës edhe pa PD

 

Deputeti demokrat Eduard Selami ka deklaruar votën e tij pro, reformës, paavrësisht se cili do të jetë qëndrimi zyrtar I partisë Demokratike. Në një intervistë për Zërin e Amerikëes Selami u shpreh se vota e tij do të jetë proreformës, duke thënë se tashmë janë plotësuar kushtet që demokratët kërkonin, me draftin hibrid. “Dëshira ime si demokrat është që zoti Basha të pranojë konsensusin, të pranojë draftin nga zonja Nuland, të pranojë draftin euroamerikan. Përndryshe kjo do të jetë me pasoja shumë të mëdha për vetë zotin Basha. Nëse kjo nuk ndodh, është plotësisht e mundur që kjo të kalojë në parlament. Unë jam një prej tyre. Deklaroj votën time pro Reformës, është votë për Shqipërinë europiane, është votë kundër korrupsionit, është votë për të ardhmen e Shqipërisë. Mirënjohje Amerikës. Kanë votën time. Dhe si unë janë mjaft demokratë që deri dje mbështetën Bashën, kurse pas plotësimit të këtyre kushteve nuk ka për të patur mbështetje. Dhe ky është mendim që mbizotëron në anëtarësinë e Partisë demokratike,” – deklaroi ai. Selami theksoi se në rast se konsensusi nuk arrihet ateherë fatura e përgjegjësisë i shkon kryetarit Basha dhe jo Partisë Demokratike.

 

 

rama

Kryeministri i qëndron rolit të ndërkombëtarëve

Rama: Vija e kuqe s’preket, garanton fshesën e hekurt mbi drejtësinë. Mazhoranca voton në bllok

 

“Nuk mund t’ia plotësonim dhe nuk mund t’ia plotësojmë dot kërkesën PD për t’u bashkuar në një front kundër Shteteve të Bashkuara dhe BE. Bashës i  kemi dhënë konsensus për gjithçka të negociueshme”

 

Gëzim Saliu

 

 

Kryeministri Rama deklaroi dje se koalicioni i majtë do të votojë nesër në bllok pro miratimit të draftit me ndryshime kushtetuese për reformën në drejtësi, duke theksuar se propozimi hibrid është e vetmja mundësi konsensusi. “Vija e kuqe e SHBA dhe BE ka rezultuar e kapërcyeshme për pretendimin e PD për të hequr nga projekti kushtetues Operacionin Ndërkombëtar të Monitorimit dhe për të ndryshuar kornizën e veprimtarisë së këtij operacioni në funksion të pastrimit të sistemit të drejtësisë nga gjykatësit dhe prokurorët e korruptuar. Propozimi “hibrid” i kompromisit të paraqitur nga Ndihmës Sekretarja e Shtetit Viktoria Nuland është e vetmja mundësi për konsensusin parlamentar të 21 korrikut. Asgjë më shumë. Asgjë më pak”, u shpreh Rama. Sipas kreut të qeverisë në Parlament do të votohet ose në emër të Shqipërisë dhe njerëzve të zakonshëm të këtij vendi, që kërkojnë çlirimin sipas tij nga kthetrat e të korruptuarve që kanë marrë peng drejtësinë, ose të votohet në emër të frikës nga drejtësia. ““Aleanca për Shqipërinë Europiane” do të votojë në bllok për çlirimin, jo për pengmarrësit. Ose të votojmë faqebardhë për të çelur rrugën e negociatave për anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian dhe për t’u përgatitur që të ulemi me dinjitet, pas një shekulli e kusur shtet shqiptar në tryezën e bashkuar të Familjes Europiane, ose të votojmë për faqen e zezë të Shqipërisë kundër Shteteve të Bashkuara dhe kundër Bashkimit Europian e ta bëjmë Shqipërinë vendin që do damkoset, sepse refuzoi botërisht ndihmën e partnerëve strategjikë, për pastrimin e shtëpisë sonë nga plehrat e korrupsionit në sistemin e drejtësisë”.

 

Deklaratat për PD

 

Në konferencën për mediat, kryeministri i vendit i bëri thirrje kreut  të Partisë Demokratike që të sillet si lider që ka mbi supe sipas tij përgjegjësinë e një barre nga ato që historia nuk i sjell çdo ditë në udhëheqjen e një opozite. “I  kemi dhënë konsensus për gjithçka të negociueshme. I kemi plotësuar opozitës kërkesën themelore për barazi të plotë në procesin e jetësimit të reformës. Nuk mund t’ia plotësonim dhe nuk mund t’ia plotësojmë dot kërkesën për t’u bashkuar në një front kundër Shteteve të Bashkuara dhe BE. Vija e tyre e kuqe është vija mbrojtëse për Shqipërinë dhe shqiptarët, e cila garanton suksesin e fshesës së hekurt mbi të korruptuarit në sistemin e drejtësisë.  Partia Demokratike as nuk mund të kërkojë e as nuk mund të marrë atë që nuk i takon e që i bie ndesh rrugës tonë të përbashkët për të bërë një shtet dinjitoz të shqiptarëve, me shqiptarët dhe për shqiptarët, jo të partive, me partitë dhe për partitë”. Nga ana tjetër Rama foli edhe lidhur me thirrjet e tij për deputetët e PD-së si edhe artikulimet për peshkime votash, duke e cilësuar këtë si një tentativë që i vjen për shtat kryeministrit të vendit. “Thirrja ime për ndërgjegjen e çdo deputeti opozitar nuk është as blerje dhe as dhunim i konsensusit, por detyra ime si Kryeministër, si lider i Partisë më të madhe shqiptare që nuk mund të mos lërë gur pa lëvizur nga muri shurdh i Partisë Demokratike. Ndërsa kërcënimet, shantazhet, presionet dhe bllofet me djegie mandatesh, me baltosje të individëve që mund të shkëputen nga blloku antieuropian dhe antiamerikan i Reformës në Drejtësi, janë shprehje alarmante të kulturës diktatoriale të linçimit të armiqve të brendshëm, që bashkëpunojnë me agjenturat e huaja kundër partisë së tyre”. Në fund Rama tha se ka qenë është dhe do të jetë deri në orën 10:00 të datës 21 korrik për konsensus, po nënvizoi se,: “mes kërkesës për konsensus deri në absurd, që bllokon reformën, dhe miratimit të reformës që zhbllokon rrugën e një revolucioni që pritet prej 25 vjetësh në drejtësi, unë, “Aleanca për Shqipërinë Europiane” zgjedh vendosmërisht këtë të dytën”.

 

Reformë apo zgjedhje?

Rama takim me Idrizin dhe Rakipin për votat e reformës e koalicionit, drekë edhe me krerët e PS

 

Kryeministri Rama zhvilloi paraditen e djeshme në hotel Rogner, aty ku më pas u takuan kryeparlamentari Meta dhe kryedemokrati Basha, një takim me kreun e PDIU-së Shpëtim Idrizi dhe deputetin e kësaj force Aqif Rakipi. Mësohet se në qendër të diskutimit ka qenë çështja e reformës në drejtësi dhe votat e PDIU-së për këtë çështje. Por burimet bën të ditur se ky takim ka qenë edhe një diskutim paraprak edhe për mundësinë e dështimit të reformës dhe zhvillimit të zgjedhjeve të parakohshme, ku Rama kërkon të mbajë postin e kryeministrit me vota brenda parlamentit. Ndërkohë të tjera burime jo zyrtare bën të ditur se në këtë takim është folur edhe për një “dhuratë” për PDIU-në sipas së cilës Rama i ka ofruar kësaj force pozicionin e drejtorit të doganës së Durrësit. Pas hyrjes në qeveri PDIU ka marrë disa drejtori të rëndësishme siç është AKU-ja, ISSH-ja, si dhe përfaqësohet me zv.ministër. Nw përfundim tw takimit Idrizi deklaroi se,: “Unë mbetem besimplotë që ekspertët do gjejnë konsensusin dhe që të enjten të votojmë dhe ti japim shqiptarëve atë gjë aq të çmuar, reformën në drejtësi. Ne jemi të fokuasuar në dy ditët e mbetura që kjo reformë të kryhet dhe ky është një detyrim qe ne ja kemi shqiptarëve. Kjo është një reformë komplekse. Qëndrimi i PDIU është që ne rast e se nuk gjejnë kompromisin për nenin 88, dhe besoj se nuk mund t’ja mohojmë qytetareve reformën ne drejtësi, atëherë ne duhet ti drejtohemi për referendum”.  Ndërkohë më vonë kryeministri Rama zhvilloi një tjetër takim me drejtuesit e PS. Në përpjekje për ti paraprirë një qeverie teknike, për më tepër zgjedhjeve të parakohshme, ai ka mblodhi dje drejtuesit vendorë të PS-së. Qëllimi i takimit lidhet me testimin e partisë, për gatishmërinë e mundshme të saj, për hyrjen në zgjedhjet e parakohshme. Këto takime pasojnë takimet e dy netëve të kaluar të Ramës, me ministra, deputetë e drejtues të lartë të PS-së, në vilat qeveritare, në Durrës e Tiranë.

 

 

Mblidhet Komisioni i posaçëm

Diskutohet drafti final dhe propozimi për seancën, opozita s’merr pjesë. Xhafa: Negociatat vazhdojnë

 

Komisioni i Posaçëm i Reformës në Drejtësi u mblodh dje pasdite, por opozita nuk ka qenë pjesë e tij  Burimet bën të ditur se në mbledhje u diskutua për draftin final që do i çohet Parlamentit ditën e nesërme në seancën plenare në të cilën pritet që të miratohet ose jo Reforma në Drejtësi. Në këtë mbledhje përveç anëtarëve të komisionit ishin edhe ekspertët vendas. Në përfundim të mbledhjes, kreu socialist i Komisionit të posaçëm Fatmir Xhafaj deklaroi se takimi ishte lidhur me raportin që do i paraqitet seancës. “Mbledhje procedurale për të përgatitur raportin që do i paraqitet seancës. Kemi hequr një pjesë të neneve që janë konsideruar si dispozita që nuk janë të lidhur jo drejtpërsëdrejti me mandatin e Komisionit dhe që janë çështje të kapitullit të parë. Kemi formulën hibride në draftin kushtetues. Një gjë është e sigurt që negociatat vazhdojnë për të gjetur një zgjidhje lidhur me çështjen e vettingut, me rolin e ONM. Shpresojmë dhe besojmë se do gjendet gjuhë e përbashkët”, tha Xhafaj.

 

 

FZH_2562

 

Qëndrimi i kryeparlamentarit

Meta: Mos mendojmë asnjë plan B e C, plani i vetëm votimi me konsensus sipas Venecias

Kuvendi i Shqipërisë fillon punën dhe nuk do të mbarojë deri sa të miratohet kjo reformë me konsensus dhe sipas Venecias, siç i takon një vendi anëtar të NATO-s

 

Gëzim Saliu

 

 

Pas një takimi që zhvilloi me kryedemokratin Basha në kuadër të negociatave për gjetjen e konsensusit për reformën në drejtësi, kreu i Kuvendit Ilir Meta deklaroi dje me besim se drafti me ndryshimet kushtetuese do të kalojë me konsensus nesër në seancën parlamentare. Sipas Metës nuk duhet menduar asnjë plan B apo C,por theksoi kryeparlamentari, koha është që të votohet për një reformë konsensuale sipas rekomandimeve të Venecias. “Kam deklaruar që ne krye të procesit se Reforma në Drejtësi do të votohet dhe miratohet. Kam deklaruar gjithashtu që ka vetëm një plan. Të mos mendojmë asnjë çast plan B, C e kështu me radhë. Plani për miratimin e Reformës në Drejtësi është votimi i saj me konsensus sipas parimeve të vendosura në Opinionin e Komisionit të Venecias. Jemi shumë pranë marrëveshjes. Dua t’ju siguroj se ditën e enjte në orën 10:00, Kuvendi i Shqipërisë pa asnjë diskutim do të fillojë procedurën për miratimin e kësaj çështje madhore. Dua gjithashtu të siguroj Ëashington-in zyrtar dhe Brukselin zyrtar se pavarësisht retorikave dhe zhurmave mediatike këtu, Republika e Shqipërisë do të hedhë një hap të vërtetë madhor dhe historik për dekadat që vijnë në drejtim të forcimit të shtetit ligjor, të luftës kundër korrupsionit dhe kundër krimit të organizuar përmes konsensusit dhe respektimit të parimeve të Komisionit të Venecias”, u shpreh Meta. Në këtë kontekst kreu i Kuvendit theksoi se nuk mundet të luftohet korrupsioni me korrupsion dhe aq më keq me krim të organizuar. “Kjo do të thotë se ditën e enjte në orën 10:00, Kuvendi i Shqipërisë fillon punën dhe nuk do të mbarojë deri sa të miratohet kjo reformë me konsensus dhe sipas Venecias, siç i takon një vendi anëtar të NATO-s, një vendi kandidat për anëtarësim në Bashkimin Europian. Shpreh bindjen absolute që Shqipëria do të hedhë një hap të jashtëzakonshëm dhe historik ditën e enjte, më datë 21 Korrik”.

 

 Deklarata

Në qëndrimin e tij për mediat, Meta tha se i ka kërkuar të gjitha palëve që të jenë të qetë, të përqendrohen tek çështjet dhe të mos bëjnë politikë më këtë proces madhor, sepse sipas tij politika nuk e ndihmon drejtësinë, sidomos një politikë konfliktuale, një politikë armiqësore, një politikë përjashtuese.  “Në 21 Korrik, të gjithë shqiptarët duhet të dalin të bashkuar, sepse janë 91 për qind e shqiptarëve që e duan reformën në drejtësi. Duhet të dalim të bashkuar dhe me besim të plotë se Shqipëria do të hedhë një hap madhor, historik, të besueshëm për shqiptarët, por njëkohësisht edhe për të gjithë partnerët tanë ndërkombëtarë”. I pyetur nëse ka besim se do zgjidhen edhe dy çështjet e lëna pezull nga negociatat që vazhduan për 8 orë me radhë mes ekspertëve, kreu i Kuvendit tha se,: “Padyshim që do të zgjidhen edhe këto dy çështje, sipas parimeve të Komisionit të Venecias dhe askush të mos shpresojë dhe ëndërrojë se do të arrijë të minojë konsensusin dhe do t’i vërë një njollë Shqipërisë, e cila do të miratojë një Kushtetutë të re, sepse kjo Kushtetutë nuk meriton të miratohet me vota të diskutueshme”. Sa i përket qëndrimit të opozitës, kryeparlamentari tha se ka marrë sigurinë nga Basha se ajo do ta votojë reformën në drejtësi. “Patjetër të shkojë z. Basha në Bruksel. Edhe unë jam i gatshëm të shkoj me z. Basha, nëse është e nevojshme. Ia kam konfirmuar këtë gjë dhe ai më ka premtuar që votat e PD-së do të jenë ne datë 21 Korrik për miratimin e reformës sipas Venecias. Ajo që pengon marrëveshjen dhe konsensusin është retorika helmuese publike. Prandaj, u bëj thirrje të gjitha palëve në takimeve me aktorëve vendas, por edhe ndërkombëtarë, që të përqendrohemi tek çështjet konkrete dhe tek Opinioni i Komisionit të Venecias”. Në fund gazetarët insistuan të dinin mendimin e kryeparlamentarit nëse nuk do kishte konsensus mes palëve dhe Meta nënvizoi se,: “Jam i bindur se do të ketë konsensus, patjetër. Ka vetëm një plan, miratimi i reformës sipas Venecias. Gjithashtu, jam i bindur se Washington-i zyrtar, dhe Brukseli zyrtar do ta duartrokasin këtë marrëveshje. Të jeni të sigurt!”. Ndërsa lidhur me qëndrimin e Kryeministrit, Meta pati këtë përgjigje,: “Kryeministri është më konstruktivi nga të gjithë ne katër aktorët e tjerë, sepse thotë zgjidheni sipas SHBA-së dhe BE-së dhe ne kështu do ta zgjidhim, sipas SHBA-së dhe BE-së dhe Venecias”.

 

 

Meta fut në rend dite draftin e reformës

“Populizmi s’është transparencë, seanca nuk mbyllet pa miratimin e Kushtetutës së re”

Përmes një konference të posaccme nga Kryesia e Kuvendit, kryeparlamentari Ilir Meta bëri të ditur dje se ka përfshirë në rendin e ditës së seancën së nesërme parlamentare projektligjin me ndryshimet kushtetuese në kuadër të reformës në drejtësi. “Në zbatim të Rregullores së Kuvendit, Neni 27, Pika 5, sapo kam miratuar rendin e ditës për Seancën Plenare të datës 21 korrik 2016, ku Projektligji “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 8417, të datës 21.10.1998 “Kushtetuta  e  Republikës  së  Shqipërisë“, i ndryshuar” do të jetë çështja e parë dhe kryesore e punimeve të Kuvendit të Shqipërisë.Kjo është seanca më e rëndësishme e Kuvendit të Shqipërisë, ndoshta pikërisht që nga dita kur u votua Kushtetuta e vendit tonë, sepse do të na duhet të miratojmë me konsensus ndryshimet Kushtetuese të cilat përbëjnë pothuajse një Kushtetutë të re, që Ristrukturojnë drejtësinë të dekadave të ardhshme për vendin tonë dhe për të gjithë qytetarët tanë”, tha Meta. Sipas kreut të Kuvendit janë ende dy momente fare të vogla që kërkojnë dakordësinë përfundimtare të ekspertëve vendas të deleguar nga tryeza e dy netëve më parë dhe atyre ndërkombëtarë. “Ekspertët negociatorë janë të mandatuar të ushqejnë qëndrimet konsensuale të tryezës politike të mbajtur dje mbështetur vetëm mbi propozimin hibrid të paraqitur nga Ndihmës Sekretarja e Shtetit Viktoria Nuland dhe që ka mbështetjen e Shteteve të Bashkuara dhe të Bashkimit Europian. Ajo që unë kërkoj si Kryetar i Kuvendit të Shqipërisë është që diskutimet tashmë ti bëjë të hapura e transparente për mediat dhe gjithë qytetarët shqiptarë, por edhe partnerët tanë ndërkombëtarë. Populizmi nuk është transparencë!  Kjo seancë plenare nuk do të përmbyllet pa miratimin e kësaj Kushtetute të re dhe në këtë frymë përgjegjshmërie e serioziteti ftoj të jenë të pranishëm të gjithë përfaqësuesit ndërkombëtarë të përfshirë në procesin parapërgatitor të reformës në drejtësi”, u shpreh Meta. Në këtë kontekst kryeparlamentari tha se i duhet thënë stop përbetimit se kush e do më shumë reformën në drejtësi sepse theksoi ai, populizmi e ka dëmtuar mjaft këtë reformë, tani është koha për transparencë.

 

PD vlerëson propozimin e Metës: Negociatat të jenë të hapura për mediat

 

Partia Demokratike vlerësoi dje propozimin e Kryetarit të Kuvendit, Ilir Meta dhe shprehu gatishmërinë për t’u ulur menjëherë në tryezën e bisedimeve me negociatorët e mazhorancës dhe ekspertet e huaj për të konkluduar pozitivisht  me zgjidhje, për dy çështjet e mbetura, që u dakordësuan mbrëmë, e më pas papritur u zhbënë në orët e vona të natës. “Me qëllim që negociatat të jenë transparente dhe në sytë e mbarë shqiptarëve PD mbështet propozimin që këto negociata të jenë hapura për median. Zgjidhja është afër dhe Partia Demokratike është gati të japë edhe njëherë kontributin e saj pozitiv për një draft kushtetues sipas propozimit hibrid dhe në përputhje të plotë me Komisionin e Venecias. Shqiptaret nuk meritojnë provokime të ulëta dhe as lojëra politike me reformën në drejtësi, ndaj ftojmë mazhorancën të ulemi së bashku dhe të negociojmë në kushte transparence totale para shqiptareve për t’u dhënë zgjidhjen që ata meritojnë”, thuhej në njoftimin për shtyp të selisë blu.

 

 

 

lujaa

Lu: Pasoja negative nga SHBA për ata udhëheqës që nuk votojnë reformën

 

“Është e qartë se disa nga këta politikanë nuk duan marrëveshje. Koha për të vendosur është tani. Miratojeni këtë reformë”

 

Ambrozia Meta

 

 

Ambasadori amerikan Donald Lu ka qenë sërish i ashpër me politikën shqiptare duke deklaruar do të  ketë pasoja negative nga SHBA për ata udhëheqës që nuk e votojnë reformën. Lu u shpreh se saksionet nga Washingtoni do të jetë afatgjata dhe të rënda. “Do të ketë pasoja specifike negative nga Shtetet e Bashkuara për ata udhëheqës politikë që do të votojnë kundër kësaj reforme. Unë jam duke u dorëzuar partive politike hollësitë mbi këto pasoja sipas udhëzimeve specifike nga Uashingtoni. Ju siguroj se këto pasoja do të jenë të rënda dhe afatgjata,” – tha ai.  Ambasadori, i cili iu bashkua protestës që po organizohej përpara Kryesisë së Kuvendit, deklaroi se pas 18 muajsh negociata ai  ka dalë në konkuzionin që disa politikanë nuk duan marrëveshje. “Dje, pas takimit të shkurtër midis Z. Rama, Z. Meta dhe Z. Basha, ekspertët tanë u takuan për 8 orë negociatash deri në orën 2 të mëngjesit.Por nuk arritën dot një marrëveshje. Pas 18 muajsh negociata, pse nuk arrijmë kurrë një marrëveshje?”Pse? Është e qartë se disa nga këta politikanë nuk duan marrëveshje,” – theksoi ambasadori amerikan.Donald Lu komentoi  qëndrimin e demokratëve për rolin që ndërkombëtarët duhet në Veting, duke theksuar se qëndrimi i tyre ka ndryshuar.” Dy javë më parë, dëgjova me zë të fortë nga Basha dhe Bylykbashi se nëse e zgjidhnim paragrafin 88, ata do ta votonin reformën që të nesërmen.Më 9 korrik e zgjidhëm paragrafin 88. Në fund, Rama u dorëzua dhe u ofroi atyre saktësisht atë që Basha kishte kërkuar, një proces përzgjedhjeje të quajtur 6 plus 6.Por kjo nuk mjaftonte. Tani, për herë të parë, ata thonë se për shkak të sovranitetit kombëtar, nuk mund të pranojnë që të huajt të bëjnë vlerësimet për kualifikimet e komisionerëve. Epo kjo është e çuditshme. Më 19 maj Basha na tha ne dhe Ambasadores Vlahutin se të huajt ishin të vetmit persona që mund ta pastronin peshkun nga koka. U tha të njëjtën gjë edhe deputetëve të PE-së, Kukan dhe Fleckenstein. Bylykbashi e përfshiu këtë në mënyrë të qartë në propozimin e tij zyrtar, të shkruar, që na dërgoi. Tani papritur po ndryshojnë qëndrimin e tyre,” – nënvizoi diplomati amerikan.

 

Qëndrimi

Ambasadori i SHBA – së , Donald Lu i cili prej gati 2 vitesh ka negociuar mes palëve poltike me qëllim arritjn e një marrjeveshjeje për të finalizuar me sukses reformën, u rikujtoi shqiptarëve që tani është koha për ta miratuar atë. “Shqipëria u themelua më shumë se 100 vite më parë nga burra dhe gra të guximshëm. Burra si Ismail Qemali rrezikuan jetën e tyre për pavarësinë e këtij vendi. Është përsëri koha t’u kërkohet shqiptarëve kurajo dhe besim për të bërë atë që është e drejtë.Koha për të vendosur është tani. Miratojeni këtë reformë,” – përfundoi Lu.

 

Lu në protestën e fondacionit Soros dhe mbështetësve të PS

Apelin për miratimin e reformës në drejtësi dhe kostot e ashpra që dovuajnë politikanët që do votojnë kundër, ambasadori Lu e bëri  para kryesisë së Kuvendit, në protestën e organizuar nga një grup qytetarësh. Megjithëse u prezantua si protestë e shoqërisë civile, për ditën e dytë radhazi në protestë ishin të pranishëm pjestarët e fondacionit Soros. Fondacioni I miliarderit Soros ka qenë nismëtar dhe finnacues I draftit të parë të reformës në drejtësi.Kjo reformë është realizuar nga njerzit e Soros me financime ilegale dhe të tjera para që janë futur në formë bakshishesh në duart e aktorëve ndërkombëtarë dhe atyre vendas. Në organizimin  e “Shoqërisë civile” një pjesë  e madhe e protestuesve ishin pjestarë të Asamblesë Socialiste.

 

 

Oerd_Bylykbashi25mars_2

Bylykbashi: Kandidatët s’mund të përjashtohen pa arsye,Gjosha: Reforma pa konsensus mund të sjellë destabilitet

 

Bregu parlajmëron votën pro reformës, Vlahutin e cilëson 22 korrikun si ditën e një beteje të re

Mbledhja e Këshillit të Integrimit ditën e djeshme u fokusua tek reforma në drejtësi. Deputeti demokrat Oerd Bylykbashi, njëri prej 3 negociatorëve për çështjet që kanë mbetur pezull, u shpreh se u arrit një marrëveshje rreth orës 2 të natës, e cila u prish më pas nga socialistët. Bylykbashi shpjegoi se çështja që prishi marrëveshjen mes palëve është fakti që kandidatët nuk mund të përjashtohen nga gara pa arsye dhe pa i ditur ato. “Drafti ishte thuajse gati rreth orës 02;00 të mëngjesit. Mbrëmë nuk arritëm dot ta mbyllnim reformën, gjithçka u draftua dhe ishte gati. Besoj se çdo shqiptar e ka kuptuar mirë se ka ikur koha, që dikush nuk duhet të ketë të drejtë për të konkuruar për një pozicion, për një post publik, pasi kjo është e drejta e secilit prej nesh. Mund edhe të mos zgjidhesh në një funksion publik, por ama të drejtën për të konkuruar e ka çdo shtetas i Republikës së Shqipërisë. Kjo e drejtë, nuk mund të pengohet pa u garantuar se dikush duhet të shohë arsyen pse. Këtu kemi të bëjmë me dinjitetin dhe jo me sovranitetin tonë. Po ashtu mendoj se jemi një vend që duhet të bëjë një proces dinjitoz për reformën në drejtësit,” – deklaroi Bykykbashi, negociatori i demokratëve. Ndërkohë ministrja e Integrimit, Klajda Gjosha këmbënguli që reforma në drejtësi duhet të kalojë me konsensus, sepse në të kundërt, mund të sjellë destabilitet politik. “Reforma pa konsensus nuk dihet se çfarë do të sjellë ditën e nesërme. Reforma pa konsensus mund të sjellë destabilitetin politik. Unë nuk mendoj në asnjë moment se ka këtu ndonjë përfaqësues të politikës shqiptare, shoqërisë civile, të çdo qytetari por edhe ndërkombëtarëve prezent në këtë tryezë por edhe të Komisionit Europian dhe SHBA-ve që dëshirojnë destabilitetin e këtij vendi,” – nënvizoi ministrja.

 

 

Qëndrimi

Këshilli i Integrimit mblodhi në një tryezë ambasadorët e Be – së, Hollandës, Gjermanisë dhe përfaqësues të shoqërisë civile. Ne fjalën e saj, ambasadorja e Bashkimit Europian, Romana Vlahutin shprehu bindjen se reforma do miratohet të enjten, ndërsa e cilësoi datën 22 korrik si fillimin e një  beteje të re. “Kam besim se reforma do te votohet të enjten më 21 korrik. Duhet t’i përfaqësoni denjësisht qytetarët që ju kanë zgjedhur. 22 korriku të jetë dita e parë e një beteje të re. Zbatimi i reformës në drejtësi do kërkojë durim dhe përpjekje.Pas gati dy vitesh punë del se problemi i vetëm është roli i ndërkombëtarëve,”- tha ambasadorja Vlahutin. Ndërkohë , kryetarja e Këshillit të  Intregrimi, demokratja Majlinda Bregu deklaroi se mosvotimi i reformave është një politikë antishqiptare, duke paralajmëruar votën pro reformës,. “ Reforma në drejtësi duhet të votohet nga të gjithë. Bllokimi dhe mos votimi i reformave të rëndësishme në parlament, ka qenë politika antishqiptare më e turpshme që orientonte opozitën e djeshme. Nuk mund ta vrasim reformën në drejtësi dhe të ndalim projektin altar të shqiptarëve për të qenë si gjithë Europa!Votimi i reformës në drejtësi nga të gjithë ne është interesi kombëtar i shqiptarëve! Mosvotimi i saj është kundër interesit të shqiptarëve dhe nuk është interesi politik i asnjë force politike,” – tha Bregu.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here