Drafti kushtetues dhe 7 ligjet themelore futen në kalendarin e punimeve të Kuvendit, beteja e fundit më 21 korrik

0
115

Mazhoranca me numër minimum votash miratoi futjen në kalendarin e punimeve të Kuvendit draftin me ndryshimet kushtetuese dhe 7 ligjet themelore që e shoqërojnë atë. Pavarësisht debateve të bëra në mbledhjen e Konferencës së Kryetarëve, para nisjes së seancës plenare, mazhoranca unifikoi votat dhe i futi në kalendarin e diskutimeve ndryshimet kushtetuese dhe ligjet që e bëjnë të zbatueshme. Kalendari me draftin e ndryshimeve kushtetuese, që u ishte shpërndarë gjithë deputetëve në sallën e Parlamentit, kaloi vetëm me 71 vota, çka dëshmon se votimi më 21 korrik është i pasigurt. Nga ana tjetër në kalendar u futën edhe 7 ligjet, edhe pse vetëm dje u depozituan. Sipas opozitës kjo është në shkelje të Kushtetutës. Mazhoranca nuk i ka të unifikuara votat e saj, ndërsa opozita e ka shprehur qëndrimin e saj kundër miratimit të reformës, me argumentin se është e njëanshme. Deputetët e Lëvizjes Socialiste për Integrim ishin të gjithë të pranishëm në sallën e parlamentit dhe votuan futjen në kalendar të draftit me ndryshimet kushtetuese dhe 7 ligjet që e shoqërojnë. Ndërkaq, në sallë nuk ndodheshin në fillim dhe as në momentin e votimit deputetët e PDIU. Seancën e braktisi në momentin e votimit edhe deputeti socialist, Ben Blushi dhe deputeti i pavarur Tom Doshi, ndërkaq mungonte kryeministri Rama, deputetja Arta Dade, deputeti Bashkim Fino, etj. Partia Demokratike përmes deputetit Oerd Bylykbashit arsyetoi votën e saj kundër. “Nuk mund të kemi një Kushtetutë që ka në bazë konfliktin”, tha Bylykbashi. Deputetët demokratë votuan kundër me argumentin se procedura është antikushtetuese dhe institucionet që synohet të krijohen janë pa bazë në ligjin themeltar.

 

Debati në Konferencën e Kryetarëve

Mbledhja e djeshme e Konferencës së Kryetarëve është shoqëruar me debate, ndërsa ndarja mes palëve ka qenë e qartë. PD, përmes Edi Palokës ka kundërshtuar futjen në kalendar të draftit të ndryshimeve kushtetuese dhe po ashtu 7 ligjet, diskutimi i të cilëve ende nuk ka përfunduar. Paloka e ka quajtur tërësisht në shkelje të Rregullores së Kuvendit dërgimin për miratim të ndryshimeve në Kushtetutë. Ndërsa kryetari i grupit parlamentar socialist, Gramoz Ruçi ka përmendur afatet, ndërsa ka thënë se drafti është i bazuar në konsulencën e specializuar të Komisionit të Venecias. Ndërsa kryetari i Konferencës së Kryetarëve, Ilir Meta pasi ka dëgjuar palët është shprehur se, tashmë prioritet është kapja e afateve kohore. Burime nga Konferenca e Kryetarëve kanë bërë me dije se Meta ka kërkuar që procedura të shkojë përpara për të kapur afatet e vendosura për në korrik, ndërkohë që ka theksuar se palët duhet të punojnë për të arritur konsensus.

 

Kriza në mazhorancë

Pavarësisht se ndryshimet kushtetuese, edhe pse me debate, u futën në kalendarin e punimeve të Kuvendit, votimi i draftit më 21 korrik nuk është i sigurt. Kryeministri Edi Rama ka deklaruar me këmbëngulje se reforma në drejtësi do të votohet sipas parashikimit, pra më 21 korrik, por pavarësisht deklaratave faktet flasin për krizë në mazhorancë. Sfida finale do të jetë më 21 korrik. Shanset që Rama të mund të mbledh votat e nevojshme nga deputetët demokrat janë minimale, ndërsa numri nga mazhoranca duket edhe më i pasigurt. Deputetët e LSI votuan pro futjes së drafti në kalendarin e punimeve të Kuvendit por kjo nuk është votë e sigurt që ata do ta votojnë reformën më 21 korrik. Nga ana e LSI nuk ka një qëndrim të qartë sa i përket votimit, ndërsa jo pak herë është deklaruar nga kjo forcë politike se drafti i ndryshimeve kushtetuese duhet të votohet me konsensus, pra vota e PD është e domosdoshme. Vetë kreu i LSI ka deklaruar se qëndrimin e saj LSI-ja do të shpreh me votë më 21 korrik. Ndërkaq, nuk janë të sigurta as 5 votat e PDIU dhe këtë e dëshmoi mungesa e deputetëve dje në Parlament. Duket se mazhoranca ndodhet në krizë numrash dhe Rama i ka të sigurt vetëm votat e socialistëve. Edhe aleatët e tjerë si Vangjel Dule dhe Nard Ndoka kanë deklaruar se nuk do të votojnë një draft për të cilin nuk ka konsensus nga opozita. Beteja e fundit do të zhvillohet më 21 Korrik. Nëse votimi dështon alternativat e paralajmëruara janë zgjedhjet e parakohshme dhe referendumi për kalimin e draftit me ndryshimet kushtetuese.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here