Loja e rrezikshme/ “Shterimi” i qeverisë, a po krijohen “Sudet” e reja?! Kompanitë shesin borxhet

0
153

–  A po krijohen “Sudet” e reja? Shteti ka shteruar aftësinë për të investuar në ekonomi, ndërkohë që bankat, me barrën serioze të kredive të këqia, e kanë të vështirë të japin kredi

 

 Ervin Kaduku

 

 

Qeveria emeton bono thesari apo obligacione për të mbuluar nevojat e saj për likuiditet. Kohët e fundit ka dalë një njoftim se edhe kompani private në Shqipëri kanë filluar të emetojnë dëftesat e tyre tregtare të borxhit. Fjala është për të dhënë premtim për pagesa afatshkurtra, ndërsa blerësi do të marrë në momentin e maturimit paratë e investuara dhe një interes që është 2 pikë përqindjeje më i lartë se ai i bonove të thesarit (aktualisht interesat e bonove 12-mujore janë 1.2%; 6-mujore 0.95% dhe 3-mujore 0.9%). Dikur këto lloj dëftesash njiheshin me emrin kambiale.

Në botë instrumentet financiare janë mjaft të zhvilluara për kompanitë, ndërsa në Shqipëri nuk përdoren për një sërë faktorësh si mungesa e një tregu të zhvilluar kapitalesh, informaliteti i lartë, niveli relativisht i ulët i zhvillimit të kompanive etj. Por, teksa kredia në banka është shtrënguar nga njëra anë dhe disa grupe të mëdha po zhvillohen dhe kërkojnë më shumë alternativa nga ana tjetër, fazat e para të tregut të kapitaleve po formësohen në Shqipëri, ndonëse bursa ende mungon. Por duket se qeveria i ka mbaruar mundësitë për investime publike, që deri tani kanë çuar përpara ekonominë, me ritme rritjeje edhe afro 8 për qind në vit. Borxhe nga jashtë nuk të jep kush, si për shkak të krizës botërore, ashtu edhe për rrezikun e mosshlyerjes nga subjektet dhe shteti shqiptar. Kështu, subjektet po nxiten nga shteti dhe bankat që të lëshojnë kambiale, duke shitur në këtë mënyrë borxhe, që rrezikojnë të krijojnë “Sudet” e radhës…

Dëftesat tregtare sipas Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare janë premtim-pagesa afatshkurtra që emetohen kryesisht për të mbuluar nevojat e financimit të shpenzimeve korente (llogarive të arkëtueshme) të korporatave. Këto instrumente emetohen praktikisht vetëm nga korporatat e mëdha dhe me kredibilitet të lartë dhe renditen si investime shumë të sigurta. Janë instrument i tregtueshëm, por shumë investitorë preferojnë t’i mbajnë ato deri në maturim. Parashikohet që dëftesat e para do të ofrohen në shumën 10 milionë lekë dhe shuma maksimale në qarkullim do të jetë 560 milionë lekë.

 

 A jemi mirë?

 

Ndërkohë që në lojën e financimeve të dyshimta po hyjnë edhe kompanitë, nuk mund të mohohet se biznesi po shtyhet në një lojë të rrezikshme, që mund të ketë pasoja. Dhe kjo, në një kohë që qeveria nuk pranon as kritikat e shoqatave kryesore të biznesit shqiptar e të huaj, madje tallet me konstatimet serioze dhe shkencore të tyre. Në takimin që patën me sipërmarrësit në Këshillin Ekonomik Kombëtar, si kryeministri Edi Rama, ashtu edhe ministri i Financave, Arben Ahmetaj, nuk u dukën aspak të kënaqur me raportet e publikuara nga shumë dhoma të huaja të tregtisë se klima e biznesit ishte përkeqësuar. Krahasimin e bënë me qeverinë e shkuar dhe i kujtuan biznesit “vuajtjet” që ata kishin më parë. “Klima e biznesit në Shqipëri ka vend për përmirësime të mëtejshme. Ajo që kemi bërë është e pamjaftueshme, se nuk do të ishim më këtu sot. Unë e kuptoj shumë mirë reagimin e biznesit, por të më thoni mua që është përkeqësuar klima këta 32 muaj, ju që nuk merrnit dot një TVSH mbrapsht pa paguar 50% të saj, a mos më shumë te Tatimet, është pak e çuditshme. Të më thoni që është përkeqësuar klima kur nuk guxonit të hapnit gojën, sepse me paratë tuaja kishit shtruar rrugë e nuk merrnit dot ndërkohë që ishit në prag falimenti, nuk mund ta besoj”.

Kjo nuk është hera e parë që kryeministri komunikon në këtë mënyrë me biznesin. Fillimisht ai e quajti marrëzi informalitetin e lartë në Shqipëri dhe i vazhdoi të njëjtat akuza për dy vite me radhë, derisa më në fund qeveria vjen në tryezë me ta me një paketë e cila fal deklarimet e gabuara dhe ndihmon sipërmarrjen. Pas shumë ndryshimesh ligjore me rritje taksash, me sa duket tani u kuptua se nuk ka ndonjë marrëzi mes sipërmarrjes. Në fund “kulaçi” për ta ishte një fjali e ministrit Ahmetaj se qeveria do të ulë taksat. “Ky është një vit i mbarë ekonomik, e kemi lënë vërtet krizën prapa dhe kemi arritur në konkluzionin se ka nevojë vetëm për thjeshtësim procedurash, nuk ka nevojë më të preken taksat, pra nuk ka rritje taksash, në potencë do të ketë rishikim për ulje”. Ndërkohë, investimet, sikurse pohoi edhe bilanci i realizimit të zërave buxhetore për pesëmujorin, vijon të mbetet gjithnjë negative përsa i takon investimeve, shpenzimeve kapitale. Në këto kushte, tallja me biznesin vijon me nxitjen për të përdorur letra private me vlerë, që do të rritin sërish borxhet e kompanive, pasi norma e interest do të jetë më e lartë. Një rreth vicioz që nuk mund të parathotë asgjë të mirë për ekonominë shqiptare. Që, në këto kushte, nuk mund të pretendohet se po “rilind”…

 

download (14)

 

Blerësit realë të Aeroportit, me zero xhiro vjetore

 

Si zakonisht, në Shqipëri po ftohen të investojnë vetëm kompani të dyshimta. Kjo del edhe nga materiali i përgatitur nga Autoriteti i Konkurrencës, i cili ka miratuar shitjen e Tirana International Airport tek Keen Dynamics Limited. Sipas informacionit të dhënë nga Autoriteti, blerësi kinez, i regjistruar në Ishujt Cayman, ka pasur një xhiro zero me 2015, por kjo mbulohet me faktin se kompania mëmë China Everbright Limited kishte një qarkullim vjetor prej 1.2 miliardë euro. Kurse kompania tjetër mëmë, Fredman Pacific Asset Management, kishte një xhiro vjetore prej më pak se 100 mijë euro.

Keen Dynamic Limited në cilësinë e Blerësit është një shoqëri e themeluar në 31 mars të këtij viti dhe që funksionon në bazë të legjislacionit të ishujve Cayman me seli në adresen: Offshore incoporation (Cayman) Limited, Willlou House, Cricket Square e regjistruar me numër 309439. Objekti i shoqërisë është të ushtrojë biznesin e një shoqërie investimi dhe të veprojë si nxitës dhe sipërmarrës, të zhvillojë biznesin financiar, koncensionar, broker, tregtar, agjent, importues dhe eksportues dhe kryejë të gjitha llojet e operacioneve investuese, financiare tregtare etj. Tirana International Airport në cilësinë e ndërmarrjes së shitur është zotërohej deri para shitjes nga, Avi Allaiance GmbH, Deutche investitions und Entwicklungsgesellschaft (DEG).

 

Xhiro e blerësve për 2015

 

China Everbright Limited                1.2 miliardë euro

Fredman Pacific Asset Management        93 mijë euro

Keen Dynamics Limited (blrësi)          0

Blerësi i fundit                        0

Xhiro e Aeroportit Rinas               35 milionë euro

 

download (13)

 

Misioni i FMN mbërriti në Tiranë, sjell konsulent për sjelljen e tatimorëve

 

Ka nisur dje nga puna misioni i radhës i Fondit Monetar Ndërkombëtar, që mbërriti në Tiranë për rishikimin e tetë të marrëveshjes trevjeçare. Takimet e para po kryhen me ministrin e Financave, Arben Ahmetaj dhe guvernatorin e Bankës së Shqipërisë, Genti Sejko. Ky mision vjen pas miratimit të transhit të rradhës të kredisë që institucioni i ka dhënë qeverisë shqiptare. Situata ekonomiko-­financiare, pas marrëveshjes për kredinë për vendin tonë, e kanë shtuar pritshmërinë dhe diskutimin rreth rolit të FMN­-së dhe marrëdhënieve të këtij institucioni me qeverinë.

Ekipi që mbërrin në Tiranë do të analizojë të gjithë sistemin e financave publike. Në axhendën e takimeve janë parashikuar të analizohen zhvillimet e fundit makroekonomike dhe prespektiva e rritjes dhe kushtet fiskale. Gjithashtu, do të analizohen struktura e borxhit dhe parashikimet, qëndrueshmëria e borxhit, diskutimi i strategjisë së menaxhimit të borxhit të brendshëm, por edhe të jashtëm. Përveç monitorimit të marrëveshjes, në fokus do të jetë edhe rishikimi i buxhetit, performanca fiskale, shpenzimet dhe deficiti buxhetor dhe ecuria e borxhit. Pjesë e konsultimeve do të jenë edhe ndryshimet në paketën fiskale. Në këtë misionin Fondi ka sjellë edhe një ekspert që do të asistojë Tatimet për të përmirësuar komunikimin e biznesin. Kjo shihet si një përpjekje për të korrigjuar punën e administratës, pas vërejtjeve të shumta nga komunitetet e ndryshme të biznesit kohët e fundit.

 

KLSH çon në Prokurori drejtorin e ALUIZNI-t Gjirokastër, 10 milionë lekë dëme

 

Kontrolli i Lartë i Shtetit ka audituar Agjencinë Rajonale të Legalizimit, Urbanizimit dhe Integrimit të Zonave/Ndërtimeve Informale (ALUIZNI) Gjirokastër, për periudhën janar 2013-tetor 2015. Nga ky auditim, u konstatuan një sërë shkeljesh të dispozitave ligjore, ndër të cilat më kryesoret janë shkelje, të meta e mangësi, në zbatimin e procedurave ligjore në mbledhjen, përpunimin dhe administrimin e të dhënave për ndërtimet pa leje, në përgatitjen e dokumentacionit për kualifikimin dhe certifikimin e objektit informal (leje legalizimi), shqyrtimin dhe miratimin e kërkesave për objektet informale, si dhe në përgatitjen dhe dërgimin e dokumentacionit  për kalimin e pronësisë  së parcelës ndërtimore të objekteve informale nga Shteti tek poseduesi i ndërtimit pa leje.

Po kështu, lejim të parregullsive në plotësimin e dosjeve, duke legalizuar objekte në kundërshtim me ligjin. PSh në 4 raste, objektet informale janë pozicionuar brenda zonës së lirë (tampon), të përcaktuar sipas hartës së zonifikimit qytet-muze të Gjirokastrës; në 9 raste objektet informale janë legalizuar në pronat e Kryegjyshatës Botërore Bektashiane. Ndërsa në një rast nuk janë zbatuar të gjitha procedurat përkatëse ligjore në legalizimin e objektit informal, duke legalizuar objektin informal, pronësia mbi të cilin ka qenë në proces gjyqësor të papërfunduar. Nga ana tjetër, në 11 praktika të tjera tarifa e parcelës ndërtimore nuk është llogaritur, duke sjellë një dëm ekonomik prej 7.355.260 lekësh në Buxhetin e Shtetit për fondin e kompensimit të ish-pronarëve. Në 142 praktika, KLSH ka konstatuar se për poseduesit e objekteve informale, të cilët janë pajisur me leje legalizimi, nuk janë llogaritur dhe paguar detyrimet për taksën e ndikimit në infrastructure. Dëmi: 3.584.364 lekë.

KLSH ka kryer kallëzim penal për shpërdorim detyre për Drejtorin TH.M., ish-Drejtorin  D.M. të Drejtorisë Rajonale të ALUIZNI-t Gjirokastër dhe për specialistët V.K., Q.L., L.B., N.XH., R,GJ. e B.T., të cilët në mospërmbushje të detyrës së tyre funksionale dhe në shkelje të dispozitave ligjore, kanë konsumuar elementët e veprës penale të “Shpërdorimit të detyrës”.

 

 

Porti Durrës, rriten ndjeshëm importet, ulen eksportet

 

Sipas të dhënave nga Autoriteti Portual i Durrësit, në periudhën janar-maj të këtij viti u përpunuan rreth 1.3 ton milionë mallra të ndryshme. Në katër terminalet e Portit u përpunuan 216 anije tregtare dhe 409 tragete, ndërsa u ankoruan 5 kroçera dhe 37 jahte.

Gjatë 5-mujorit, importet nga porti i Durrësit u rritën me 26%, duke arritur shifrën prej 965,618 ton mallra, ose 202.228 ton më shumë se sa e njejta periudhë e vitit të kaluar. Ndërsa eksportet pësuan rënie me 28% ose me 246 mijë ton më pak se sa periudha 5-mujore e vitit 2015.

 

BSH favorizon përdorimin e lekut në ekonominë e vendit

 

Banka e Shqipërisë vlerëson se situata financiare e sektorit bankar është e qëndrueshme ndërkohë që kreditimi në monedhën kombëtare dhe ecuria në tërësi e depozitave është në nivele të mira. Në mbledhjen e radhës së Grupit Këshillimor të Stabilitetit Financiar (GKSF), duke analizuar treguesit përkatës të rrisqeve për veprimtarinë bankare, rezultoi se nivelet e mira të kapitalizimit dhe të likuiditetit të sektorit bankar, ofrojnë mbrojtje të mjaftueshme ndaj rreziqeve të veprimtarisë bankare. Nga ana tjetër, u diskutua mbi nevojën për të forcuar prirjen rritëse të përdorimit të monedhës vendase në ekonominë shqiptare dhe në sistemin financiar, si një instrument që përmirëson efektivitetin e mekanizmit të transmetimit të politikës monetare dhe ul rreziqet për stabilitetin e sistemit financiar.

 

Borxh-480x337

 

Çfarë do të ndodhë pas “Brexit”? Britania përgatitet për emergjencën

 

Kreu i financave britanike, George Osborne, deklaroi se do të prezantojë një buxhet emergjence në rast se britanikët do të votojnë pro daljes nga Bashkimi Europian. Por kjo deklaratë ka shkaktuar jo pak kritika. Madje, 57 ligjvënës të partisë së tij kanë shprehur pakënaqësi, duke deklaruar se nuk do ta votojnë një iniciativë të tillë. Osborne është rreshtuar krah kryeministrit David Cameron duke bërë thirrje për qëndrim brenda Unionit. “Neve do të na duhet, ose të rrisim taksat, si ajo e të ardhuarve, ose të ulim shpenzimet publike, si ato për kujdesin shëndetësor, apo atë të mbrojtjes a të arsimit”­ deklaroi Osborne, duke theksuar se, në rast të daljes duhen bërë ndryshime rrënjësore dhe britanikët duhet të votojnë duke pasur parasysh çdo gjë. “Vendi nuk ka një plan të daljes. Do të zgjoheshim në harkun e një jave, pa plan për ekonominë e vendit, me paqëndrueshmëri financiare dhe me vite të tjera plot me pasiguri. Vendi nuk do të ishte në gjendje të përballonte shpenzimet publike”,­ shtoi Osborne, i cili është kandidati numër një për të pasuar David Cameronin në postin e kryeministrit.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here