Zbulimi i emrit të vrasësit të djalit të tyre, ka tronditur për të dytën herë familjarët e Bledar Terpollarit. 25 vjeçari dyshohet se u vra nga kushëriri i tij, Krenar Terpollari që jetonte pak metra larg shtëpisë së tij në Skrapar. Vrasësi i kishte prerë kokën dhe e kishte futur në një çantë për ta dërguar tek porositësi i vrasjes. Në një intervistë për Gazeta Shqiptare, babai i Terpollarit tregon i shokuar se vrasësin e të birit e ka ushqyer në shtëpinë e tij.
“Emrin e personit që ka vrarë djalin tim e kam mësuar prej medias. Në momentin që dëgjova këtë kam ngrirë, jam shokuar nga tronditja. Kjo për faktin se Krenarin e njohim dhe biem kushërinj të largët me të. Ai e ka shtëpinë afër nesh. Pastaj e kam ushqyer me këto duar edhe pse mezi ngopja barkun e fëmijëve të mi me bukë, pasi jemi shumë të varfër. Është e tmerrshme të dëgjoj se personit që i kam dhënë bukën e gojës masakroi tim bir”
Babai i 27-vjeçarit të masakruar më 9 maj në fshatin Gliki të Igumenicës nuk ngushëllohet dot, edhe pse dy personat e tjerë të dyshuar si pjesëmarrës në ngjarjen e rëndë janë arrestuar nga policia greke. Bëhet fjalë për dy 28-vjeçarët nga Tepelena, Emiljano Nana dhe Pajtim Jaupi.