5 mijë dosje pezull/ Shtyhet me 1 vit e gjysmë afati për dhënien e titujve të pronësisë. Deputetët skeptikë: Ju del kaq kohë?!

0
152

Bylykbashi: Kjo duket si zgjidhje aspirinë shtyrja përkon edhe me  vit zgjedhor. Vasili: Kemi qenë dëshmitar të tre apo katër shtyrjeve, ndoshta duhet më shumë kohë. Zv.ministri: jemi të sigurt

 

Gëzim Saliu

 

 

Komisioni parlamentar i ligjeve miratoi dje në tërësi projektligjin për përfundimin e procedurave të kalimit të tokës bujqësore të ish ndërmarrjeve bujqësore në pronësi të përfituesve si dhe atë për shqyrtimin e vlefshmërisë ligjore të krijimit të titujve të pronësisë mbi tokën bujqësore. Por afati i përcaktuar për të shtyrë me vetëm 1 vit e gjysmë dhënien e titujve të pronësisë, domethënë deri në dhjetor të 2017 – ës , u prit me skepticizëm nga mazhoranca dhe opozita në komision. Sipas deputetëve për përfundimin e shqyrtimit të rreth 5 mijë dosjeve të mbetura pezull do të duhet edhe më shumë kohë. Por nga ana e saj ministria e Bujqësisë përmes zv.ministrit Jaku u shpreh e bindur se do ta mbyllë çështjen brenda afatit.

 

Diskutimet

 

Në nisje të diskutimit për projektligjin, zv.ministri i Bujqësisë Gjok Jaku deklaroi se kërkohet një shtyrje të afatit të mbylljes së procesit për dhënien e titujve të pronësisë deri më dhjetor të 2017-ës. “Propozimi që bëjmë  për shkak të numrit të madh të dosjeve që janë prezente, janë më shumë se 5 mijë dosje të pashqyrtuara, në kohë fizike është e pamundur dhe ne kërkojmë shtyrjen me 1 vit e gjysmë të afatit deri në dhjetor të 2017-ës me qëllim që të gjitha dosjet e paraqitura të kenë afat kohor të mjaftueshëm për të përmbyll procesin”, tha ai. Por me radhë deputetët e Komisionit, si ata të majtë ashtu edhe ata të djathtë, si rrallë herë në të tilla diskutime, kërkuan të dinin nëse ishte e mjaftueshme kjo shtyrje kohore dhe nëse mos duhej që ajo të ishte më e gjatë.  “75 % e kërkesave nuk janë shqyrtuar në gjykata? Sa janë në shkallë të parë e sa në shkallë të dytë? Këto mund të shkojnë me vite, dhe ju kërkoni 1 vit e gjysmë…”, tha deputetja socialiste Hysi. Po ashtu edhe demokrati Bylykbashi nguli këmbë tek kjo pjesë dhe kërkoi një tjetër zgjidhje. “A mos po mungon ndonjë mekanizëm që ta bëjë efektive këtë proces. Nëse do ti lihet voluntarizmit të bashkive të reja, ndoshta përsëri pas një viti do jemi sërish në këtë diskutim. Mos jemi përpara një zgjidhje si aspirinë, thjesht duke e shtyrë, duke pasur parasysh që shtyrja do përkojë me një vit zgjedhor”, tha ai. Por zv.ministri u shpreh me bindje se ky afat do sigurojë dhënien e titujve të pronësisë në tokën bujqësore brenda afatit të kërkuar në projektligj. “Unë gjykoj se kaq kohë është krijuar maksimalisht një eksperiencë në dokumentacion në njohjen e problematikës”, tha ai. Në fund të mbledhjes, mazhoranca votoi pro shtyrjes së afatit për dhënien e titujve të pronësisë për tokën bujqësore me 1 vit e gjysmë, ndërsa opozita abstenoi.

 

20160524_155410_24051610-5_dMXRAzy

Diskutimi në Komisionin, pse deputetët këmbëngulën për shtyrjen e mëtejshme të afatit

 

 

Gjok Jaku. zv.ministri i bujqësisë– Ligji aktual parashikonte për dhënien e titujve të pronësisë deri në fund të vitit 2016. Propozimi që bëjmë  për shkak të numrit të madh të dosjeve që janë prezente, janë më shumë se 5 mijë dosje të pashqyrtuara, në kohë fizike është e pamundur dhe ne kërkojmë shtyrjen me 1 vit e gjysmë të afatit deri në dhjetor të 2017-ës me qëllim që të gjitha dosjet e paraqitura të kenë afat kohor të mjaftueshëm për të përmbyll procesin.

Ulsi Manja: Afati 31 dhjetor 2017, është i mjaftueshëm për tu përmbyllur ky proces? Ndoshta keni afat m,ë të gjatë?

Jaku: Vërtet procesi ka ndryshuar nga një kohë në tjetrën,. Ne jemi të bindur se shtyrja për 1 vit e gjysmë është kohë e mjaftueshme që të gjitha komisionet por edhe bashkitë të mbyllin punën. Është i mjaftueshëm.

Vasilika Hysi: 75 % e kërkesave nuk janë shqyrtuar në gjykata? Sa janë në shkallë të parë e sa në shkallë të dytë? Këto mund të shkojnë me vite, dhe ju kërkoni 1 vit e gjysmë…

Jaku: Ne i qëndrojmë mendimit se vërtet bashkitë nuk kanë pasur kohën e nevojshme ti hynë një procesi problematik. Por nga ana tjetër ne gjykojmë se gjykatat kanë një limit kohor për shqyrtimin e kërkesave, ato administrative. Sigurisht ne nuk jemi autoritetin që mund të gjykojmë për praktikat e gjykatave, që janë deri në 60 ditë.

Oerd Bylykbashi- Mos ju duket si e pamjaftueshme, ju thoni po mjafton, jam i sigurt se edhe kur është shtyrë herën e fundit kështu është thënë. A mos po mungon ndonjë mekanizëm që ta bëjë efektive këtë proces. Nëse do ti lihet voluntarizmit të bashkive të reja, ndoshta përsëri pas një viti do jemi sërish në këtë diskutim. Mos jemi përpara një zgjidhje si aspirinë, thjesht duke e shtyrë, duke pasur parasysh që shtyrja do përkojë me një vit zgjedhor.

Jaku: E nënvizova dhe ka qenë mendimi jonë që ky proces të shtyhet për 1 vit e gjysmë dhe gjykojmë që është kohë e mjaftueshme të shqyrtohen dosjet e mbetura. Ne themi se numri i dosjeve që janë pashqyrtuar, koha fizike është e mundur për përfundimin e tyre. Kjo është bindja jonë, është koincidencë fakti që 1 vit e gjysmë përkon me situatën e re politike.

Petrit Vasili: Ne kemi qenë dëshmitar të tre apo katër shtyrje të njëpasnjëshme. Nuk e keni parë mundësinë që të shtyni edhe pak por kjo të jetë përfundimtare dhe në rrugë e sipër del më mirë procesi i shqyrtimit. Ua them prapë me të njëjtën bindje si shtyrjet e tjera kanë ardhur edhe më parë. Mos duhet të jetë më i gjatë…

Jaku: Në fakt ardhja deri tek propozimi është në konsultë me komisionin e pronësisë dhe me konsultë me secilin nga prefektët. Këto janë organet kryesore që merren me titujt e pronësisë.

Hysi: Nuk e dimë nëse buxhetin e 2016-ës do kenë fonde të mjaftueshme për të marrë një kompetencë që nuk e kanë pasur më parë. Pra të merren me titujt e pronësisë. Keni 5 mijë vendime të pashqyrtuara dhe 75 % e vendimeve në proces gjyqësor? Jeni konsultuar me kryetarët e bashkive?

Jaku: Problemi i tokës bujqësore dhe tituj e pronësisë nuk është problem i panjohur. Gjykimi jonë është se 1 vit e gjysmë është mjaftueshëm për mbylljen e procesit.

Byklykbashi: nga 2008 e deri më sot janë marrë 18 mijë e 500 çështje dhe janë zgjidhur 13 mijë. Duke qenë se ka një mesatare pune për vit që është 1 mijë e disa çështje në vit. Për 1 vit e gjysëm kush janë kapacitet e shtuara që të kemi një mesatare përpunimi dosjesh më shumë se

Jaku: Bashkitë më probleme janë ato në Veri, ato më me pak tokë. Ka raste që është shku në kufijtë e vjetër të asaj toke pamjaftueshmërisht ta banorëve të atyre zonave. Këto janë probleme që janë mbart. Unë gjykoj se kaq kohë është krijuar maksimalisht një eksperiencë në dokumentacion në njohjen e problematikës.

Xhafaj: Tani ne duam ta shtyjmë ju thoni jo, ne kemi hallin e atyre atje.  Gjithsesi…

Vasili: tani halli jonë është që ne për herë të parë duam ta shtyjmë dhe për herë të parë propozuesit s’pranojnë, po edhe kjo gjë e mirë është….

 

 

 Verifikim të titujve të pronësisë edhe sipas ligjit të 2014-ës Majko: Legalizimi i toka të ndara pas 2013-ës, akt korruptiv

 

E pyetur nga deputeti socialist Pandeli Majko nëse në çështjen e diskutuar bëhet fjalë për tituj pronësisë që janë shpërndara përpara vitit 2013 apo nëse ka proces për dhënie tituj edhe pas 2013-ës, këshilltarja e ministrisë së Bujqësise Mallinda Bozgo bëri të ditur se,:  “Ligji 9948 bën fjalë për vlerësimin e titujve të pronësisë të krijuara deri në 15 gusht i vitit 2008. Komisionet verifikojnë komisionet nga më parë e deri. Në 2012-ën u hartua ligji 57 për plotësimin e titujve të pronësisë në territoret e fermave ku qytetarët e kanë tokën në përdorim.  Aktualisht komisionet vendore kanë edhe detyrën që të verifikojnë edhe detyrën e titujve të rinj të pronësisë gjithashtu edhe të ligjit të ri të vitit 2014. Kanë detyrimin ti kontrollojnë nëse i paraqitet ankesë nga qytetarët apo institucionet”. Por në përfundim të mbledhje në pjesën e diskutimeve, socialisti Majko foli sërish lidhur me këtë pjesë duke e cilësuar një akt më shumë se korruptiv legalizimin e tokave të ndara pas 2013-ës. “Shqetësimi ka të bëjë nëse ky proces do keqpërdoret për toka që mund të ndahen tani. Dhe shqetësimi i dytë nëse fondi i kompensimit të pronave është aq sa ka qenë apo është zvogëluar edhe në funksion të këtij procesi.  Më mirë tokën me kompensim real se sa eurot dhe dollarët me kompensimet e Strasburgut. Në asnjë rast ky proces nuk mund të jetë pjesë e ndonjë falsiteti për të legalizuar toka të ndara pas 2013-ës, ky do ishte një akt i pastër më shumë se korruptim”, u shpreh Majko.

 

 

 

 

 

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here