Prindër, ruani fëmijët nga interneti

0
260

Nga Dr. Albano Zhapaj

 

Tashmë në jetën tonë të përditshme, nëpër klasa, në shkolla, në institucione, në media, në ambiente publike e private apo edhe në familje, termi “Internet” , për nga sasia e përdorimit si fjalë, zë një vend aq të rëndësishëm, saqë  për të rinj apo profesionistë përbën pa dyshim “bukën e përditshme” të komunikimit dhe bisedave ndërmjet tyre.

“Intenet” është një fjalë e përbërë që vjen tek ne nga gjuha angleze si kombinim i dy fjalëve; “Inter”(ndër) që është shkurtim i fjalës “International”(ndërkombëtar), si dhe “Net” që do të thotë “rrjet”. Pra e përkthyer në gjuhën shqipe ka kuptimin “Rrjet Ndërkombëtar”. Interneti mundëson shkëmbim informacioni dhe komunikimi nga një kompjuter në tjetrin (pra nga një person në tjetrin) me një shpejtësi të habitshme (në pak sekonda), në çdo skaj të botës qofshin.

Interneti ky “oqean i pafund” informacionesh dhe komunikimi, të krijon mundësinë e marrjes së njohurive, navigimit pa fund, shikimit të pamjeve, fotografive apo edhe filmimeve të çdo skaji të globit. Informacioni në të është nga të gjitha llojet dhe për të gjithë naviguesit(vizituesit) e tij, pa asnjë dallim moshe, gjinie, niveli social apo shkollimi.

Natyrisht që ekzistojnë në internet me qindra e mijëra faqe, site apo dhe kanaleve të dobishme që mundësojnë shtimin e njohurive personale, profesionale e intelektuale, por ekzistojnë gjithashtu edhe qindra e mijëra faqe site apo kanale, të cilat jo vetëm që janë të dëmshme por ngandonjëherë janë edhe të rrezikshme për shfrytëzuesit e internetit, kur informacioni është i pakontrollueshëm dhe pa kriter. Të rrezikshme pasi mund të dëmtojnë shëndetin mendor të vizituesit, komunikimin e tij me botën reale deri në dëmtim të personalitetit të tij.

Mjaft të kujtojmë se shikimi i disa videove në disa Website të vendeve arabe, ku ekzekutojnë pengje, civilë, ushtarakë të kapur rob në konfliktet lokale, apo të tjera si këto mund të rezultojë tejet i dëmshëm për vizituesin. Ndodh që navigimi pa kriter (kur një person vihet përpara kompjuterit dhe viziton faqe interneti pa kërkuar diçka specifike) bën që shpesh herë inter-koneksioni që përshkon informacionet të hedh nga njëra “degë në tjetrën” pra  udhëheq interneti personin dhe jo e kundërta. Për mos të përmendur këtu faktin që shumë  faqe interneti janë bërë enkas nga “mjeshtra” të shitjes së reklamave apo të gjërave që ata vetë duan që vizituesit të shohin.

Fëmijët si shtresa më e ndjeshme e shoqërisë për shkak edhe të vet moshës së tyre , më lehtë se çdokush tjetër mund të bien viktimë e internetit, meshkuj apo femra qofshin. Rreziqet më të mëdha që përmban interneti për fëmijët janë pa dyshim aksesi në lorja (video-game) të dhunshme, mundësia e të shikuarit fotosh e filmimeve jo të përshtatshme (lexo edhe të hijshme) për moshën, si dhe ajo e përdorimit të një fjalori jo qytetar, gjëra që normalisht gjenden pa kufi në faqet e internetit me përmbajtje pornografike.

Psikologët këshillojnë se fëmijët parashkollor , ata të shkollës fillore, si dhe komplet cikli shkollor i detyruar,  për sa i përket internetit është mirë të luajnë dhe navigojnë në kompjuter vetëm nën mbikëqyrjen e një aduti, pra prindit, mësuesit apo kujdestarit. Kjo është e kuptueshme për të gjitha ato arsye që u përmendën më lart dhe po aq e rëndësishme për tu zbatuar konkretisht pasi kompjuteri tani konsiderohet është mjet i domosdoshëm bashkëkohor që u shërben padyshim edhe fëmijëve,  qoftë për detyrat e tyre shkollore, qoftë edhe për t`u përgatitur për të ardhmen e tyre profesionale që gjithmonë e më shumë pritet të bëhet digjitale. Shumë prindër kanë blerë kompjuterë apo celularë androidë, si për interesin e tyre personal ashtu edhe për fëmijëve të tyre, madje në shumë raste kanë edhe internetin e lidhur, duke menduar se ky është edhe një ndihmesë më shumë për fëmijët e tyre.

Shtimi i interesit të internetit nga ana e të rinjve, përmirësimi i teknologjisë dhe shtimi i telefonave portalë, androidë ose I phone, bëjnë që aksesi i fëmijëve në internet të jetë pothuaj i palimitur dhe i pakontrolluar. Me këto aparate telefonikë fëmijët kanë kanë mundësi të luajnë ashtu si edhe të vizitojnë site të ndryshme e rrjedhimisht  të shohin, qoftë edhe pa qëllim materiale të dhunshme apo pornografike.

Shikimi i pamjeve të tilla nga ana e fëmijëve, në ndonjë rast bëhet nga kurioziteti apo edhe pse në shtëpi druhen se i “zbulojnë” prindërit. Në shkolla ka ndodhur që fëmijë të dhënë shumë pas internetit dhe videogame-ve për shkak të asaj që shohin kanë sjellje agresive ndaj shokëve,  janë të prirur ta përdorin dhunën për më të voglën arsye duke imituar kështu “lojën” e parë në internet.

Të gjithë jemi dëshmitarë se sa të aftë janë fëmijët tanë për të përdorur lojrat elektronike, telefonat celularë nga më të sofistikuarit, kompjuterët, e luajtur me ta. Por akoma më të aftë janë ata që prodhojnë  programe, lojra për fëmijë, e reklama apo produkte, të cilat shtojnë kuriozitetin dhe vullnetin e fëmijëve për ti njohur e përdorur ato më tej. Këto “inovacione”, natyrisht, që kanë një kosto për familjet tona, kosto këto që shpesh herë nuk janë vetëm ekonomike.

Me të rejat që sjell çdo ditë e më shumë teknologjia dhe përdorimi i internetit duhen mësuar edhe fëmijët se si dhe sa duhet ta përdorin internetin, duhen kontrolluar në një farë mënyre dhe duhet komunikuar me ta për rreziqet. Të mos gënjehemi nga e reja dhe e bukura që sjell komunikimi on-line dhe njohjet pa kufi që mund të bëjmë nëpërmjet rrjetit. Kujdes dhe komunikim me fëmijën duhet edhe në përdorimin e faqeve internet që reklamohen si arritje të mëdha, si mund të jetë “Facebook”-u i ditëve të sotme.

Moskujdesi dhe mos njohja e kritereve të përdorimit të këtyre programeve nga fëmijët mund të sjellë pasoja të pakëndshme për ta, pasi në rrjet ka edhe shumë “mashtrues” që së pari dëshirojnë ta njohin fëmijën përmes internetit (kur ky i fundit ka një adresë e-mail ose është i regjistruar në Facebook), sillen e komunikojnë si të ishin me të vërtetë moshatarë,  e më vonë arrijnë të depërtojnë në sekretet e fëmijës derisa të marrin takim me të jashtë shtëpisë.

Normalisht që emocioni për këtë “njohje të re” nga ana e fëmijës bën që ky i fundit ndonjëherë të mos u tregoj prindërve dhe pasojat mund të jenë të pakorrigjueshme. Ç`rregullimet e karakterit, pagjumësia apo dhimbjet e syve e të kokës, zakonisht janë më të përhapura tek fëmijët që frekuentojnë pa kufi internetin.

Prodhuesit e lojërave për vetë faktin e interesit sa më shumë për fitim në biznesin e tyre,  e konsiderojnë të lejueshme çdo lloj metode vetëm e vetëm që t’i tërheqin fëmijët drejt lojërave e kompjuterëve, por vetë ata nuk mbajnë as edhe një përgjegjësi se ç`bën fëmija në kompjuter një herë që ulet përpara tij.

Nuk ka asnjë dyshim se në internet ka lojëra e materiale të dobishme të cilat zhvillojnë inteligjencën e fëmijës nëse ato shfrytëzohen me rregull dhe orar të caktuar. Mirëpo, nëse fëmija lihet pa kontroll në lojërat kompjuterike të internetit, ka më shumë mundësi që ai ta dëmtoj inteligjencën se sa ta zhvillojë.

Prandaj është më e udhës se kurrë që për ti ruajtur fëmijët nga interneti i tepruar , ashtu si edhe shumë ekspertë  këshillojnë, duhet të bisedojmë me fëmijët që edhe ata vetë të krijojnë vetëdijen për rrezikun e navigimit dhe komunikimit pa kufi e të pakontrolluar në rrjet, ti mësojmë ata se alternativa  tjetër më e mirë  për të mësuar e shtuar dituritë e tyre, për vetë moshën që kanë, është ende libri.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here