Vorë/ Mishi ruhej në kushte të papërshtatshme, bllokohet thertorja me 10 kv

0
138

Rreth 10 kuintal mish u bllokua në një thertore në Vorë, pasi kishin kohë që ruheshin aty në kushte të papërshtatshme dhe konsumimi i tij është i rrezikshëm. Inspektorë të Autoritetit Kombëtar të Ushqimit, njoftuan edhe gjobitjen e tregtarëve që shesin pesticide të skaduara si dhe paralajmërim për fermerët që i spërkasin me kimikate perimet deri dhe dy ditë para se t’i hedhin në treg. Autoriteti Kombëtar i Ushqimit ka pezulluar një thertore që furnizon disa dyqane mishi në kryeqytet  e, cila mbante të magazinuar prej kohësh rreth 10 kv produkte mishi në kushte të papërshtatshme. Hetimi i zinxhirit të dyqaneve që furnizon kjo thertore do të nxjerrë në pah nëse kjo sasi  e produkteve të mishit mbahej për asgjësim apo jo. “U evidentuan sasi të konsiderueshme mishi në gjendje jo të përshtatshme. Dëmtimi i tyre ishte shkaktuar për shkak të defekteve frigoriferike apo edhe gjatë transportit”, shprehet Isuf Shehu, drejtor i AKU. Kjo thertore ndodhet në Marqinet të Vorës. AKU ka dërguar për ndjekje penale edhe dy inspektorë të saj, të cilët dyshohet se kanë lejuar një aktivitet të tillë, duke mos raportuar për këtë situatë në inspektimet e mëparshme. Por, ndërkohë drejtori i AKU ka vërejtur me shqetësim edhe mosrespektimin e procedurës teknike në spërkatjen e bimëve me pesticide nga disa fermerë të Lushnjës, që sipas tij i spërkasin dy-tre ditë para se të dalin në treg. “Nuk respektohet protokolli dhe koha e përdorimit të pesticideve. Për një produkt të caktuar, i cili shkon në treg, spërkatja me pesticide duhet të bëhet brenda një kohe të caktuar dhe kurrsesi në momentet kur ajo nxirret në treg”, thotë drejtori i AKU. AKU ka ndëshkuar rreth 11 subjekte, të cilat tregtonin pesticide  që nuk bënin pjesë në listën  e pesticideve të lejuara nga BE-ja apo i tregtonin ato të skaduara.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here