“I varfri”/ Karriera dhe rënia e shokut “Bojaxhi”

0
260

Ndonëse në rastin e Bojaxhiut tonë, aktualizimi i personazhit të “shokut Zylo” ndoshta çalon në disa karakteristika, vlen të theksohet se rasti i fundit i atij që është cilësuar në media si skandali me kompaninë “Everest Oil” i përshtatet më së miri frazës “nga shkëlqimi në rënie”.

“Shkëlqimi dhe rënia e shokut Zylo”, padyshim është një ndër romanët më të arrirë në fushën e satirës. Shkrimtari Dritëro Agolli, përmes mjeshtërisë së tij ka përcjellë në roman kronikën e karrierës së palavdishme të një zyrtari, nga ngritja, shkëlqimi e deri tek rënia nga posti në piramidën e Ministrisë së Kulturës. Zylyftar Kamberi, personazh butaforik që njihej si shoku “Zylo” në fakt përbën një fenomen që nuk i shkon vetëm për shtat kohës së regjimit por edhe kohës postkomuniste. Shpeshherë në këto 25 vite, personazhi kryesor i këtij romani është aktualizuar me personazhe të ndryshme të jetës politike, sociale e kulturore të vendit. “Si u bëre fiks si shoku Zylo”, “Shkëlqimi dhe rënia e ….”, “jeni bërë të dy si Zylo e Demka”, janë disa nga frazat që janë përdorur e vazhdojnë të përdoren në përditshmërinë shqiptare. Për një personazh që vjen nga një e shkuar pa shumë lavdi dhe që “ngrihet” e “shkëlqen” në karrierë pa merita e në fund bie në “humnerën” e kotësisë, shprehja më e saktë e përdorur është ajo e titullit të romanit të Agollit: “Shkëlqimi dhe rënia e shokut…”. Ndonëse në rastin e Bojaxhiut tonë, aktualizimi i personazhit të “shokut Zylo” ndoshta çalon në disa karakteristika, vlen të theksohet se rasti i fundit i atij që është cilësuar në media si skandali me kompaninë “Everest Oil” i përshtatet më së miri frazës “nga shkëlqimi në rënie”. Por si nisi Bojaxhiu karrierën e tij në Shqipëri? Cilët ishin sponsorizuesit e tij? Si u zgjodh në postin e zv.ministrit? Deri ku arritën “lojërat e brendshme” që ai kreu për të marrë rolin e kreut të KESH? Pse nisi përplasjen e fortë me PD-në pas dëshirës që kishte për tu bërë kryetar i demokratëve të Tiranës? Si u shkëput për disa vite nga politika dhe si ndodhi rikthimi i “sponsorizuar” për garën e Bashkisë së Tiranës në 2015-ës?

 

Ecejaket e Bojaxhiut

Bojaxhiu erdhi dhe iku nga Partia Demokratike si shumë personazhe të tjerë, pa dhënë ndonjë kontribut special apo pa ju njohur ndonjë meritë specifike përveç asaj të drejtimit të fadromës duke prishur vetë ndërtimet pa leje. Bojaxhiu u angazhua në politikën shqiptare në vitin 2005 përmes KOP-it (Komiteti i Politikave Drejtuese) për tu emëruar më pas kur demokratët erdhën në pushte si zv.ministër i Ekonomisë në qeverinë e parë Berisha. Në këto kohë thuhet se për shkak edhe të lobimit të Rulit, Bojaxhiu arriti të marrë këtë post të cilin e mbajti deri në vitin 2007. Pikërisht në këto kohë në vitin 2006 kur ai punonte si zv/ministër, qeveria Berisha rishikoi disa kontrata energjetike të dhëna nga ish-kryeministri Nano, ndër to edhe TEC-I i Vlorës e Petrolifera. Kjo e fundit ishte pjesë kryesore e aktivitetit të Bojaxhiut, pasi ai u përshi në negociata në emër të qeverisë dhe pas bisedimeve të vështira u firmos vënia në punë e Petroliferës me kapacitet të plotë, një koncensionar me të ardhura të mëdha. Por ndërkohë që në këtë pikë siguroi “fitoren”, Bojaxhiu mendoi të shkonte më sipër në rrugën e tij. Nisja e një lufte në hije me Andi Belën, ish-drejtorin e KESH të asaj kohe ishte në qendër të aktivitetit të Bojaxhiut në vitin 2007. Për shkak edhe të përzgjedhjes së duhur të “lobuesve” ai arriti të marrë postin e drejtorit të KESH, të cilin e mbajti deri në vitin 2009. Në këtë post Bojaxhiu u dallua si i vetmi drejtor i Korporatës Elektroenergjitike Shqiptare që ka hipur vetë nëpër shtyllat e tensionit për të prerë telat e cilësuar të paligjshme të lidhjeve të energjisë. Një aksion që më së shumti vendoste në qendër vetë Bojaxhiun si personazh se sa nevojën për ti dhënë fund paligjshmërisë së lidhjeve të dritave, pasi edhe rezultatet në këtë aspekt ishin thuajse zero. Po ashtu në kohën kur ishte drejtor i KESH, Bojaxhiu siguroi dy “shokë” me të cilët zhvilloi ortakëri në biznes, duke siguruar të ardhura jo të vogla. Ndonëse emrat e tyre nuk janë pjesë e ndonjë dosje “top sekret”, pasi pjesa më e madhe e demokratëve të asaj kohe i njohin mirë ata dhe miqësinë e lidhur me Bojaxhiun në atë kohë, po zgjedhim të mos i përmendim duke i konsideruar si personazhe periferikë të shkrimit.
Pas detyrës si zv.ministër dhe më pas si drejtor i KESH, Bojaxhiu do të kërkonte edhe më shumë dhe kësaj here objektivi ishte roli brenda PD-së. Në vitin 2009 Bojaxhiu do të niste një betejë të brendshme me Aldo Bumçin duke synuar detyrën e kreut të PD-së së Tiranës. Por ndryshe nga më parë, këtë herë Bojaxhiu nuk siguroi rezultatin e dëshiruar. Kjo humbje e parë i la një shije të hidhur ish-drejtorit me pinca në dorë te KESH-it, aq sa edhe vuri në diskutim edhe numërimin e votave. Në atë kohë ai siguroi “ndihmën” e televizioni “Top Channel” për të tentuar të përcjellë në publik atë që e cilësonte si manipulim votimi. Por realisht e vërteta tregoi se Bojaxhiu nuk kishte atë mbështetje që mendonte brenda radhëve të demokratëve. Në fakt prej vitesh Bojaxhiu është i njohur si një personazh me afeksion special për “TCH”, megjithëse ishte pikërisht ky televizion që solli i pari në publik pak ditë më parë atë që u cilësua skandali i kompanisë ku ai është aksioner. Ndoshta tashmë ai nuk është më personazh i përkëdhelur i këtij televizioni, por fundja kjo pikë nuk është epiqendra e shkrimit tonë.
Humbja në 2009 bëri që Bojaxhiu të niste një valë sulmesh ndaj përfaqësuesve më të lartë të PD-së, ndaj atyre që i dhanë atij postet më të larta të administratës në vitet 2005-2009. Nuk po flitej më për kritikë konstruktive apo qëndrime të kundërta me partinë ku militonte, por për sulme ballore me akuza të mbështetura në qëndrime të atyre që njiheshin si “urryesit” më të mëdhenj të atij pushteti. Por edhe kjo taktikë nuk i dha Bojaxhiut atë çfarë kërkonte. Për një periudhë kohe ai u zhduk nga skena politike e vendit duke u rikthyer në Everest….
Ngjitja në malin e Everestit me rastin e 100-vjetorit të Pavarësisë së vendit u mor nga shumëkush si një tërheqje përfundimtare e “shokut Bojaxhi” nga skena politike. Mjekra e gjatë që ia mbante në atë kohë e bënte te ngjashëm me aktorin Leonardo Di Caprio në filmin e fundit të tij “The revenant”. Por rikthimi i socialistëve në pushtet solli edhe “ringjalljen” e Bojaxhiut. Fillimisht si i angazhuar në forumin për trashëgiminë kulturore dhe më pas me riangazhimin në jetën politike të vendit. Përfshirja e tij në garën për bashkinë e Tiranës ishte një akt i paralajmëruar më parë në media, ku ishte folur për një sponsorizim nga socialistët të Bojaxhiut për ti ulur sa më shumë votat kandidatit të djathtë. Fushata e tij si e një njeriu të barabartë me pjesën më të madhe të shoqërisë, ku në takimet elektorale në Tiranë nuk nguroi të merrte edhe dhinë në duar, nuk solli suksesin e reklamuar me aq “mund”. Ngjarja e fundit e zbuluar në media me ato që cilësohen nga “Panama Papers” si kompani “guackë” tregoi se Bojaxhiu nuk ishte një njeri i radhëve të thjeshta.

 

Kompania

Hetimi i skandalit të firmave të karburanteve përfshiu edhe emra të mëdhenj si “Petrolifera”. Situata u bë më e komplikuar pasi policia përfshiu në hetime si të dyshuar të përfshira në këtë skemë edhe dy kompani të tjera. E para kompania “Everest Oil” e themeluar nga shoqëria “Superba S.R.L”, shoqëri italiane me seli në Napoli më 17 qershor 2014. Kompania emeton kuotat e reja të kompanisë për të cilat është paguar shuma prej 10 mijë dollarësh nga shtetasi Gjergji Bojaxhi, i cili ka qenë administrator i kompanisë që prej themelimit të saj. Ndërsa në ate 19.12.2014 ortaku, Lumturi Hasanmataj atell aksionet e saj 30 për qind në shumën 26.000 Eurove shtetasit Qazim Qazimi. “Futja e menjëhershme në treg e EVEREST OIL SHA, ndërkohë që shoqëria Italiane ortake kryesore në vitin 2012 sapo kishte filluar aktivitetin; Lidhja e rezultuar me Petroliferën Shqiptare, e cila zotërohet thuaj tërësisht nga grupi që kontrollon shoqërinë EVEREST OIL Sha; Përfshirja e gruas dhe vjehrrës së shtetasit Gjergj Bojaxhi si ortake dhe jo e vetë atij (fillimisht) direkt në këtë shoqëri; Investimet në pasuri të paluajtshme të Gjergj Bojaxhi dhe marrje kredie bankare duke lënë kolateral një pronë të blerë me një çmim të deklaruar shumë të ulët (jo real)”, shkruhej ndër të tjera në raportin e policisë. Sipas policisë janë evidente dyshimet për krijimin, zhvillimin dhe operacionet financiare të kësaj kompanie. “Në deklarimet doganore kompania “Everest Oil” ka marrëdhënie tregtare me dy kompanitë “Lab Oil” dhe “Hip Petrol”, të cilat ushtrojnë aktivitetin në Kosovë. Kompania “Lab Oil” është e lidhur me shoqërinë “ARMO”, të cilës i ka dhënë kredi në shuma të konsiderueshme. “Lab Oil”, sipas deklarimeve, ka kredi të konsiderueshme; duke vendosur si kolateral disa prona në Sarandë në emër të shtetasit Raif Gashi”, theksonte raporti.

 

 

energy-oil_rig-1ok

Si rriti fitimet në mënyrë të “frikshme” kompania Everest Oil SHA në tre vitet e fundit

Disa kompani nafte kanë njohur rritje të administrueshme të fitimeve të tyre që datojnë nga viti 2013. Ato ose janë themeluar në këtë vit ose janë themeluar më herët por kanë qenë minore. Këto kompani janë duke konkuruar bindshëm kompani që kanë vite në treg dhe që kanë bërë investime të mëdha, duke lënë dyshime për konkurencë e pandershme. Ekstrakti i QKR thekson se kompania Everest Oil SHA në vitin 2012 raportonte shitje-vjetore në vlerën rreth 3.3 miliardë lekë. Por në vitin 2013 shitjet e kompanisë shkojnë në vlerën e 16.3 miliardë lekë. Ndërkohë që fitimet në vitin 2012 ka qenë 19 milionë lekë, ndërsa në vitin pasardhës rezultonin të ketë fituar 204 milionë lekë. Aksioneri Gjergj Bojaxhi dhe ortakja tjetër e Everest Oil, Jola Bojaxhi (gruaja) kanë 10- fishuar fitimet gjatë qeverisjes së majtë. Interesante janë edhe shifrat e vitit 2014 për këtë kompani. Everest Oil në vitin 2014 ka arritur të fitojë 282 milionë lekë ose 78 mln më shumë se në vitin 2013. Kjo kompania ka kapur tregun e shumicës dhe nuk ka pika karburanti për tregtinë me pakicë. Shifrat e përdorura në këtë shkrim janë marrë në faqen online të QKR. Open data dhe revista monitor kanë bërë gjithashtu analiza për kompanitë e naftës dhe ndryshimet që ato kanë pësuar në treg.

 

panamapapers_1xx

 

Intervista

Bojaxhi: “Everest” ka paguar të gjitha taksat, kompania s’transferon fonde jashtë, përveç kur paguan dividentin

Cila është e vërteta e bizneseve, e hetimit dhe fatit të tij politik, e përse Gjergj Bojaxhi duket sot i kërkuar dhe i sulmuar nga të gjithë? Për këtë dhe të tjera u fol dje në emisionin “Top Story” të gazetarit Sokol Balla, ku vet Gjergj Bojaxhi u ka dhënë përgjigje këtyre pyetjeve.

Të flasim për kompaninë që ju keni ngritur. E çfarë natyre?
Kompania “Everest” është regjistruar në korrik të 2012-s dhe ka marrë këtë emër nga aksionerët e kompanisë, sigurisht edhe për arritjen tonë që ngjitëm majën më të lartë të botës.
Vet “Superba” është themeluar shumë pak kohë nga themelimi i “Everestit”, në fund të të cilës del emri i Otto Lenghit, si pronar i gjithçkaje.
Kompania ime nuk është themeluar nga “Superba”, le ta ndihmojmë edhe Policinë e Shtetit të marrë informacione më të sakta. Nuk kishin pse të lodheshin kaq shumë dhe mund të më kishin thirrur për t’iu dhënë informacion. Shoqëria është krijuar nga disa aksionerë, përfshi edhe bashkëshorten time. Këtu nuk ka gjë për t’u fshehur, sepse informacioni është publik në faqen e QKR-së, ku mund të gjendet i gjithë historiku. Asgjë nuk është jonormale në këtë mes. Unë jam emëruar si administrator i kompanisë dhe 10% më është dhënë për të pasur mundësi të jem aksioner, në mënyrë që të punoj duke mbajtur përgjegjësi për këtë. Otto Lenghi ka punuar me shtetin shqiptar që në vitin 2004, kur është punuar për Petroliferën në Vlorë, është takuar me të gjithë politikanët në pushtet dhe opozitën e asaj kohe. Është një qytetar i rregullt dhe një investitor shumë i rëndësishëm dhe serioz. Deri këtu çdo gjë është publike dhe në përputhje me ligjin, kështu që nuk kuptoj se çfarë ka për t’u trajtuar si pjesë e një hetimi. Nuk besoj se ndonjëri të jetë kundër barazisë gjinore në këto aksione. Ne kemi të deklaruara të gjitha të ardhurat e fituara në emigracion, por edhe gjatë punëve të ndryshme.
Të qëndrojmë te zoti Lenghi, që është pronar i Petroliferës rumune, pronare e përgjithshme edhe e Petroliferës shqiptare. Por a ka një lidhje interesash mes këtyre kompanive?
Këto kompani janë zbatueset më të rregullta të ligjeve kudo ku shtrihen, në Itali, Rumani apo Shqipëri. Lidhje pronësie mes këtyre bizneseve ka, por është në përputhje të plotë me ligjin, dhe nuk kuptoj se çfarë ka këtu që shkel ligjet apo moralin. Nuk e di ende problemin e policisë.
A mund të quhet kjo një skemë e ngjashme me kompanitë guackë, siç u zbulua skandali i fundit “Panama Papers”?
Nuk jam jurist, megjithatë nga informacioni që unë kam, nuk ka asgjë që Everesti të ketë të bëjë me kompanitë e tjera. Ajo është e regjistruar në Shqipëri dhe paguan dividentin dhe taksë për dividentin rregullisht. Policia e Shtetit nuk dëshiron ta marrë informacionin e plotë dhe gjoba që na është vënë është vendosur nga drejtori i Tatimeve të Tiranës, i cili sot është nën arrest. Ajo është apeluar brenda institucioneve të Tatimeve dhe Apeli e ka rrëzuar këtë, sikurse edhe Gjykata Administrative. Raporti është qartazi me informacion të vjetër. Kompania Everest ka paguar aq shumë taksë vitin e kaluar, saqë shteti shqiptar na ka detyrim të na kthejë diçka, pasi kemi paguar më shumë se ç’duhej. “Everesti” nuk transferon fonde jashtë, përveçse kur paguan dividentin, që tatohet sipas ligjit shqiptar. Ne kemi kompani telekomunikacioni në Shqipëri, që fitimet i bëjnë këtu dhe i transferojnë në vende të tjera pa paguar taksë. Unë nuk di si bëhen kompanitë guackë, por ju siguroj se me të gjithë punën që bëjmë e kemi transparente, duke zbatuar ligjet dhe standardet e shtetit shqiptar.
A ka lidhje mes aksionerëve tuaj dhe “Superbas”? Cili është fokusi i aktivitetit të “Everest Oil”, kompanisë që ju administroni?
Kompania ime nuk ka bërë import apo eksport, por ndërmjetësim të produkteve të kompanive të mëdha, sepse kompanitë e mëdha nuk kanë përfaqësi në Shqipëri. Ata gjejnë kompani lokale dhe në bazë të tyre bëjnë shitjet e tyre. Në Vlorë kemi një kontratë depozitimi, duke paguar qira për çdo ngarkesë, ndaj dhe të gjitha gjërat e thëna për xhirot e mëdha janë të pasakta. Ne thjesht menaxhojmë shitjet dhe volumin, por nuk marrim risk mbi vete, ndaj dhe nuk deklarohet i gjithë volumi si fitim i yni. Kemi deklaruar çdo gjë që nga dita e themelimit e deri më sot. E gjitha kjo skenë e madhe e ndërtuar nuk ka justifikim normal sesi shteti trajton një biznes. Ne si kompani nuk kemi bërë kurrë transaksione me kompani shtetërore shqiptare, as nuk kemi bërë ndonjë tender, por e vetmja marrëdhënie me shtetin tonë është pagesa e taksave në mënyrë të rregullt.

Për shkak të detyrës, ju jeni marrë me Petroliferën dhe e dini aktivitetin e saj, që i ndalon marrjen për tregti me pakicë të karburanteve. A mund të thuhet se ka një pikëpyetje mbi veprimtarinë e dy firmave që të kenë shfrytëzuar me zotësi vakuumet ligjore?
Nëse kompania ime ka shkelur licencën, shteti shqiptar le ta çojë për hetim dhe gjykim. Kontrata e koncesionit është aty, nëse duan që kjo kompani të heqë dorë nga funksionaliteti i saj, atëherë le të vijnë dhe ne u kërkojmë aksionerëve dorëheqjen. Nuk ka asgjë të paligjshme që aksionerët e Everestit të jenë në këtë kompani. Shteti shqiptar ka pasur 4 vite kohë që ta shqyrtonte këtë çështje, megjithëse përpara disa vitesh Autoriteti i Konkurrencës e ka trajtuar këtë dhe është konkluduar që nuk ka asnjë shkelje të ligjit. Unë s’kam asnjë interes si administrator, që Superba të jetë aksionere, por nëse duan që të largohet, le ta bëjnë të ditur.
Në fakt aksionet nuk është se i janë dhënë një personi që nuk ka fare informacion, por një prej biznesmenëve më të shquar në fushën e karburanteve. Pse kompania i shet aksionet kaq lirë?
Të gjitha shitjet dhe transaksionet janë të hapura dhe të regjistruara në QKR, ndaj dhe të gjitha aksionet janë bërë mbi vlerën aktuale dhe parashikimet. Edhe në vitin 2015 që zotërinjtë kanë hetuar, ka pasur një rënie krahasuar me vitin 2014. Aksionet e një kompanie rriten e bien sipas ciklit të kompanisë. Sa i përket dividentëve, u janë paguar aksionerëve dhe janë paguar taksat. E vetmja gjë që ka mbetur është kapitali fillestar dhe parashikimi sesi do të jetë kompania në vitin e ardhshëm. E keqja këtu është se policia mbledh të dhënat për një proces rutinë të një kompanie, e cila vazhdon edhe sot e kësaj dite të bëjë të njëjtat transaksione. Këtu është e vështirë që një administrator kompania të tregojë punën e përditshme ndaj publikut, sepse është diçka shumë teknike.
Policia thotë se, nga zoti Bojaxhi janë depozituar “cash” miliona dollarë si administrator i kompanisë, jo si individ. Miliona të tjera janë hyrje, ndërsa totali i kreditimit është më i ulët. Ka një diferencë apo jo?
Vlera e xhiros që ka kaluar përmes kësaj kompanie është edhe më e madhe sesa këta kanë thënë. Të gjitha blerjet dhe shitjet që janë bërë, bëhen me transaksione bankare, që regjistrohen dhe paguhen tatime për këto. Këtu zotërinjtë nuk kanë pse të marrin vlerat e xhiros, sepse nuk ka të bëjë me fitimin. Edhe kompanitë që i bëjnë marketing kompanive të telekomunikacionit në Shqipëri janë të vogla, por administrojnë parà të shumta. Kjo nuk do të thotë se janë parà të tyre, por thjesht menaxhojnë këtë sasi. Kompania jonë nuk blen anije nafte, nuk bëjmë çdoganime, por brenda magazinës së lirë. E blejmë si broker dhe e shesim me letra brenda portit të Vlorës. Për këtë arsye ne nuk kemi nevojë të kemi shumë punonjës, madje kurrë nuk kemi pasur 11 punonjës siç thotë hetimet e policisë, por deri në 5-6 njerëz. Kemi pasur mundësi që duke qenë të besueshëm te kompanitë shqiptare dhe duke qenë korrekt, kemi pasur mundësinë të ngrejmë biznesin. Kjo kompani po bën një punë shumë të mirë.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here