Lejet e ndërtimit / IKMT padit Bashën, Bashkia: Fushatë shpifjesh, lejet në përputhje me planin vendor

0
174

PALLATET-640x340

“Koeficienti i shfrytëzimit të pronës është 40%, siç parashikohet në planin e përgjithshëm vendor, planet e detajuara vendore dhe ligjin e planifikimit të territorit, shumë larg lejeve me koeficient 80% – 120%, të miratuara nga Rama më parë”

Inspektorati Kombëtar për Mbrojtjen e Territorit ka dorëzuar në Prokurori një kallëzim ndaj kryetarit të Bashkisë Lulzim Basha, kreut të INUV Florenc Hoxha si dhe ndaj anëtarëve të Këshillit Teknik të Bashkisë. Kreu i Inspektoratit Kombëtar të Mbrojtjes së Territorit, Dallëndyshe Bici, gjatë një konference për shtyp tha se bëhet fjalë për një objekt shumëkatësh multifunksional, që po ndërtohet mes dy objekteve publike në Rrugën e Elbasanit, shtëpia e fëmijës “Zyber Hallulli” dhe shkolla e mesme e gjuhëve të huaja “Asim Vokshi”. “Leja e dhënë për këtë objekt nga kryetari i Bashkisë së Tiranës është miratuar në kundërshtim me parashikimet ligjore dhe në mungesë të një plani të detajuar vendor për zonën ku kryhet ndërtimi. Sipas parashikimeve ligjore, çdo fazë e miratimit të një leje ndërtimi duhet të publikohet në regjistrin e planifikimit të territorit, gjë që nuk është bërë. Në çastin e miratimit të lejes, subjekti ndërtues ishte i mangët në dokumentacionin tekniko-ligjor. Përveç këtyre, leja për ndërtimin e objektin nuk respekton asnjë nga kushtet zhvillimore. Mund të përmend disa detaje: Ky objekt, është kaq afër shkollës sa që për rrethim po përdor faqen e saj. Nga ana tjetër nuk ka parashikuar asnjë metër largësi nga rruga, (edhe në leje është shkruar kufiri nga rruga 0.00 m). Ndërkohë që dy godinat publike janë vetëm tre kate lartësi, për objektin në fjalë lartësia maksimale është parashikuar 9 kate”, – deklaroi Dallëndyshe Bici.

 

Bashkia

Për Bashkinë e Tiranës Kryeministri Edi Rama po nis një fushatë shpifjesh dhe për këtë ka zgjedhur figurën e dhunës dhe korrupsionit qeveritar të shkatërrimit të pasurive dhe gjobave korruptive ndaj qytetarëve, drejtoreshën famëkeqe të INUK-ut, Dallëndyshe Bicaj. “Leja e miratuar nga Bashkia Tiranë është në përputhje të plotë me planin e përgjithshëm vendor dhe legjislacionin në fuqi për planifikimin e territorit. Përputhshmëria e dokumentacionit të çdo leje të miratuar nga Bashkia, me përcaktimet e PPV apo legjislacionit në fuqi është lehtësisht e verifikueshme nga çdo autoritet apo palë e interesuar. Është respektuar lartësia e propozuar nga plani i përgjithshëm vendor për strukturat e kategorisë banim, lartësi e cila është saktësuar edhe në planin e Detajuar Vendor, mbështetur në përcaktimet e nenit 11 dhe 25 të Rregullores së planit të përgjithshëm vendor të Bashkisë Tiranë dhe lartësinë e propozuar për çdo nënnjësi, siç sqaruam më sipër. Janë respektuar të gjitha distancat e përcaktuara në nenin 40 të rregullores uniforme të kontrollit të zhvillimit të territorit, miratuar me VKM nr. 502, dt. 13.7.2011, si ato mes strukturave, nga kufiri i pronës që zhvillohet apo nga trupi i rrugës (vija e ndërtimit e krijuar nga ndërtimet ekzistuese ose e përcaktuar nga PDV, sipas përcaktimeve të pikës 13 të këtij neni)”, – thuhet në një njoftim të Bashkisë së Tiranës

 

Shpjegimi

Sipas Bashkisë, koeficienti i shfrytëzimit të pronës është 40%, siç parashikohet në planin e përgjithshëm vendor dhe planet e detajuara vendore dhe ligjin e planifikimit të territorit, shumë larg lejeve me koeficient 80% – 120%, të miratuara nga Rama më parë, vetëm pak metra më larg. “Sipas planit të përgjithshëm vendor është bërë shpërndarja e barabartë e metrave katrorë ndërtim për çdo metër katror pronë që i nënshtrohet zhvillimit. Pra, bien të gjitha mashtrimet e Edi Ramës përmes drejtoreshës famëkeqe të INUK, Dallëndyshe Bici ndaj së cilës Bashkia e Tiranës po përgatit kallëzim penal për veprën penale, kallëzim të rremë, parashikuar në nenin 305 i Kodit Penal”, – përfundon reagimi i Bashkisë. Gjithashtu, Bashkia e Tiranës i ka kujtuar kreut të INUK-ut se janë të shumtë qytetarë, të cilët po ankohen për gjobat korruptive të Inspektoratit Kombëtar të Mbrojtjes së Territorit.

 

 

 

 

 

Viruset

Problemet nga gripi, fluks vizitash në qendrat shëndetësore

 

Gripi që po qarkullon në vendin tonë ka shtuar numrin e pacientëve që paraqiten për të marrë ndihmë mjekësore. Fëmijët e moshës deri një vjeç, por edhe të moshuarit janë më të rrezikuarit nga virusi i tij, i cili nëse nuk trajtohet si duhet, sipas mjekëve, shkakton edhe komplikacione të rënda në organizëm të shoqëruara me bronkopneumoni. “Vizitat janë shtuar në numër, 10-15-20. Fëmijët sidomos 0-1 vjeç dhe të moshuarit ka shumë ndërlikime. Nga të parët janë aparati respirator, fillon me një laringo-trako bronkit i cili për dy ditë po s’u mjekua tamam jep rëndim të rrugëve të frymëmarrjes”, – thotë Xhemal Peposhi, mjek infeksionist. Problemi për mjekët e qendrave shëndetësore vazhdon të mbeten pacientët që mjekohen sipas këshillave të farmacistëve, ku këta të fundit shpesh herë gabojnë edhe në dozat që u rekomandojnë pacientëve. Mjekët shprehen se nuk janë të pakta rastet e pacientëve që marrin mjekimin apo dozën e gabuar. “Në farmaci duhet të kenë kujdes të mos japin antibiotik pa recetën e mjekut, të mos rekomandojnë dozat, se unë jam mjek dhe e di se sa jepet për një bronkopneumoni i njëjti ilaç dhe sa jepet për meningjit”, – vijon Peposhi. Sipas autoriteteve të shëndetit publik, rastet e pacientëve me grip pritet të shtohen dhe të arrijnë pikun gjatë javës së parë të muajit shkurt, ndërkohë që në mars sipas tendencave të vëzhgimit që i është bërë situatës epidemiologjike të kemi një ulje të numrit të rasteve. Deri tani fatmirësisht nuk janë raportuar vdekje nga gripi.

 

 

 

Nga 1 shkurti

Embargoja ruse për grurin, pritet rritje e çmimit të bukës

 

Vendosja e embargos ruse mbi grurin pritet të japë efekte në tregun shqiptar duke rritur çmimin e bukës. Vendimi hyn në fuqi në datën 1 shkurt dhe parashikon vendosjen e një takse prej 35 eurosh për ton grur. Prodhuesit e miellit në Shqipëri shpjegojnë se kjo taksë do të rrisë kostot me 15% duke e dhënë efektin direkt në xhepat e qytetarëve. Ndërkohë rritja e dollarit që është monedha me të cilën blihet drithi sipas tyre është një tjetër shtesë e kostos për këtë produkt i cili përdoret në masë nga qytetarët shqiptarë. Shqipëria importon pjesën më të madhe të grurit i cili përdoret për miell nga Russia dhe kjo pritet të vërë në vështirësi industrinë e përpunimit të miellit. Ndërkohë burime nga Ministria e Bujqësisë bëjnë me dije se ky problem po ndiqet nga afër dhe ditën e hënë Ministri do të diskutojë me prodhues të miellit për të gjtur një zgjidhje. Sipas ministrisë gjetja e tregjeve të reja për importin e grurit është një prej zgjidhjeve që do ti jepet prodhuesve të miellit. Por për vetë përfaqësuesit e kësaj industrie gjetja e burimeve te tjera për furnizim është e vështirë dhe do kohë. Shiqpëria importon mbi 50 % të grurit nga Rusia dhe pjesën e mbetur nga Serbia e cila gjithashtu e importon grurin nga ky vend. Rusia ka vendosur embargo për një sërë produktesh që eksporton si një kundërpërgjigje për sanksionet e vendosura nga BE ndaj këtij vendi por edhe si një mënyrë për të frenuar inflacionin në këtë vend. Embargoja e vendosur nga Rusia pritet të prekë një sërë vendesh europiane pasi është transportuesi i katërt më i madh i drithërave në botë.

 

 

Kursi i këmbimit

Dollari arrin kulmin, shkëmbehet me rreth 125 lekë

 

Dollari amerikan vazhdon të fitojë pikë fuqishëm ndaj lekut shqiptar. Në kursin zyrtar të këmbimit valutor të Bankës së Shqipërisë një dollar është shkëmbyer me 124.48 lekë një kuotë kjo më e larta e arritur që prej 2003. Ndërkohë që leku shqiptar vijon të dobësohet ndjeshëm ndaj monedhave ndërkombëtare. Monedha europiane edhe pse në tregjet ndërkombëtare është zhvlersuar në minimum në 11 vitet e fundit duke u shkëmbyer me 1.15 dollarë në Shqipëri vazhdon të ruajë të njëjtin pozicion. Një euro sipas kursit zyrtar të BSH-së është shkëmbyer me rreth 140 lekë një kuotë mjaft e lartë dhe e dëmshme për ekonominë. Sipas ekspertëve forcimi i dollarit tashmë ka ardhur e ndikuar edhe si pasojë e vendimit për hedhjen e 1.3 trilionë eurosh nga Banka Qendrore Europiane. Në tregjet ndërkombëtare euro është zhvlerësuar ndjeshëm ndaj dollarit.Por pozicioni i lartë i Euros ndaj Lekut shqiptar shpjegohet me faktin e kërkesave të larta për këtë valutë si dhe kryerjen e 40% të shkëmbimeve me Euro. Për njohësit e ekonomisë zhvlerësimi i Lekut shqiptar ndaj Euros dhe Dollarit është një tregues për një ecuri të dobët të ekononomisë. Forcimi i Euros në Shqipëri lidhet edhe me uljen e investimeve të huaja dhe me uljen e remitancave gjatë vitit që lamë pas.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency