Ish-kooperativat bujqësore dhe jetesa në fshat (Me rastin e 70 vjetorit të fillimit të ngritjes së tyre dhe 15 vjetorit te shpërbërjës)

0
4214

20130120-kucla_zdojan enveri 2 download (5) jiefang-458x252

 

 

Nga Ymer Hysa

 

 

Reforma agrare që përfundoi në nëntor të vitit 1946, e konsideruar si revolucioni i parë në mardhënjet ekonomiko-shoqërore në fshat nga qeveria komuniste e asaj kohe, hapi rrugën për masa të tjera në përgatitjen e kushteve për revolucionin e dytë, kolektivizimin e bujqësisë, dukee quajtur si rrugën e vetme për ndërtimin e socializmit në fshat. Kjo reformë agrare radikale shpronësoi pronarë të mëdhenj e të mesëm të tokave, përfshiu toka në pronësi shtetërore, në pronësi të institucioneve fetare etj. Pothuajse pa mbaruar mirë reforma agrare, me 11 nëntor të vitit 1946 do të ngriheje para kooperativë bujqësore në fshatin Krutje të Myzeqesë. Pastaj për dhjetë vite me radhë nga 1946 deri më 1955 që do të ishte faza e parë e kolektivizimit të bujqësisë për të krijuar bindjet te masat fshatare mbi epërsinë e ekonomisë kolektive, thënë ndryshe përgatitja për tja marrë përsëri tokën fshatarit dhe nga vitet 1956 deri më 1960 do të bëhej kolektivizimi i plotë i gjithë zonës fushore të vendit dhe i një pjese të zonës kodrinore, duke bërë të mundur që në fund të vitit 1960 kolektivizimi të përfshinte 80% të sipërfaqes që zotëronte fshatarësia. Nuk do të kalonin shumë vite dhe në nëntor të vitit 1966 do të hidhej parrulla : ‘’ Tu qepemi kodrave dhe maleve, t’i zbukurojmë dhe ti bëjmë ato pjellore si dhe fushat’’’, objektiv që do të arrihej duke përfunduar kolektivizimin e bujqësisë dhe në zonat malore më të thella. Kështu e gjithë popullsia fshatare ju nënshtrua kolektivizimit duke u futur në kooperativa bujqësore apo ndërmarrje bujqësore, ku kooperativat bujqësore zinin rreth 76%, rreth 21% zinin ndërmarrjet bujqësore dhe vetëm 3% zinin kopshtet individuale. Juridikisht ky proçes përfundoi në vitin 1976 me aprovimin e kushtetutës së re, e cila sanksiononte eliminimin e pronës private mbi tokën dhe transformimin e saj në pronë shtetërore. E gjithë toka bujqësore, organizimi i prodhimit, tregëtimi dhe mjetet e prodhimit ishin të gjitha të strukturuara e administruara në kooperativa bujqësore e ferma shtetërore. Kështu në vitin1979 në Shqipëri nuk kishte më asnjë fermë individuale private.

Me të ardhurat që do të krijoheshin nga puna në këto kooperativa do të varej dhe jetesa e fshatarësisë kooperativiste. Fillimisht kolektivizimi dhe përfshirja në këto organizma prodhues u duk se po shkonte mirë. U sistemuan tokat arë që ishin ekzistuese në sipërfaqe të mëdha,u futën nën kulturë toka të reja, u bonifikuan shumë këneta, u krye një sistem kanalesh kullues dhe vaditës me studime të veçanta, u fut mekanizimi duke lehtësuar mjaftë punën e krahut, u futën raca të reja kafshësh, fidanë drufrutorë, hardhi e agrume duke u krijuar deri në plantacione të mëdha, etj. Në dispozicion të këtyre kooperativave dhe ndërmarrjeve bujqësore shteti ngriti dhe institute shkencore, si Instituti i Lartë Bujqësor që do të nxirrte specialistë dhe drejtues të aftë deri në shkencëtarë, Instituti i Studimit të Tokave, Instituti i Perimeve dhe Patateve, Instituti i Misrit dhe i Orizit, Instituti i Veterinarisë I K V, Instituti i Zooteknisë, Instituti i Studimeve Foragjere, Instituti i Farave, Instituti i Ullirit etj. qe do te kujdeseshin drejtëpërdrejtë në rritjen e rendimentit të kulturave bujqësore blegtorale etj.  U ngritën uzina që do të prodhonin plehra kimike për shtimin e rendimentit të kulturave bujqësore siç ishte Uzina e Superfosfatit në Laç dhe ajo euresë sëAzotikut në Fier. Në mbështetje të kooperativave bujqësore u vunë dhe SMT- (Stacionet e makinave dhe të traktorëve), u akorduan fonde në financim të prodhimit nëpërmjet Bankës Bujqësore. Gjithashtu u ngrit dhe industria agropërpunuese dhe të gjithë këto organizma prodhues do të zinin me punë pothuajse të gjithë masën fshatare, ku në saj të punës së tyre bujqësia dhe prodhimi agroushqimor do të arrinin tregues të vlerësueshëm në fushën e rendimenteve dhe nivelit të prodhimit, si niveli i mekanizimit, kimizimit, vaditja u rrit në shkallë të lartë, u rrit niveli i transportit dhe përpunimit të produkteve agroushqimore, u përmirësuan format e drejtimit dhe të organizimit etj.

Fillimisht kooperativat bujqësore janë drejtuar në përgjithësi nga njerëz të pa shkolluar, por të zgjedhur si njerëz të zot dhe të ndershëm. Më vonë, me përfundimin e shkollave të mesme profesionale bujqësore si Agronomi, Veterinari Zootekni etj, si dhe të studimeve të larta në ILB, filloi zëvendësimi i tyre me specialistë të kualifikuar.

Por ç’po ndodhte me kooperativat bujqësore? Ndonëse e gjithë prona dhe pasuria ishte shtetërore, kooperativa i detyrohej shtetit në të gjithë drejtimet. Politikat ekonomike centralizuese ndiqeshin hollësisht. Për mjetet mekanike bujqësore, behët fjalë për traktorë, makina shirëse, makina mbjellëse, të transportit e etj që i viheshin në dispozicion kooperativave bujqësore nga SMT (Stacionet e makinave traktorëve) ishin të përcaktuara qartë tarifat e pagesave për punën e kryer që do tu bënte kooperativa nga të ardhurat që do të siguronte pas shitjes së mallit të saj. Po kështu ndodhte dhe me farërat, plehrat, ujin e vaditjes etj. Në dukje të parë prodhimi dukej se shtohej, por ç’far ndodhte në fakt. Pothuajse i gjithë prodhimi bujqësor dhe blegtoral që prodhohej dorëzohej në ndëmarrje shtetërore, si ë ishin ato të grumbullimit, me përjashtim të një sasie që llogaritej për nevojat e konsumit të kooperativistëve. Malli në magazinat shtetërore apo ndërmarrjet e përpunimit dorëzohej bruto, duke i lënë në dorë shtetit të përcaktonte cilësinë dhe vlerën, thënë shqip ta “thante në kandar”. Jo vetëm kaq por shteti i përcaktonte dhe çmimin sa duhej të shiste kooperativa mallin e saj. Kjo thënë troç le të prodhojë sa të donte kooperativa, të ardhurat i kishin në dorë organizma të tjerë të shtetit, duke bërë të mundur që niveli i jetesës të ngelte pothuajse në vend, ose me pak rritje.

Nga këto të ardhura që siguronte kooperativisti do të varej dhe niveli i jetesës në fshat. Të gjithë që e kemi jetuar atë kohë e mbajmë mënd se si ushqeheshim, si visheshim etj. Ushqimi ishte tepër i varfër si nga sasia dhe cilësia, thënë ndryshe sa për të mbajtur frymën gjallë. Shumicën e muajve të vitit konsumohej vetëm bukë misri dhe si ushqime pak zarzavate e perime, pak qumësht që shumicën e rasteve bëhej dhallë dukee holluar disa herë me ujë. Sa i përket konsumimit të mishit ai ishte me racion 0.5 kg/frymë në raste festash d.m.th. 2-3 herë në vit dhe në 30 kg për familje në raste fejesash apo dasmash. Veç ushqimeve, skandaloze ishte dhe veshja. Kooperativa bujqësore me të ardhurat që u mundësonte anëtarëve të saj nuk i siguronte asnjë mundësi që të visheshin si duhej, rrobat me arna nuk do ti bënin përshtypje asnjeriu, pasi pothuajse të gjithë ashtu visheshin. Duket paradoksale, por në raste festash apo dasmash njerëzit merrnin rrobat e ndonjë personi që kishte trup të njëjtë për ti përdorur si të reja.  Më pak problem veshjen e kishin djemtë rinj që kur kryenin shërbimin ushtarak të detyruar, rrobat që merrnin me vete nga reparti i përdornin disa vite. Po kështu ndodhte dhe me femrat që i nënshtroheshin zboreve ushtarake, rrobat i mbanin në përdorim të përditshëm. E mjerueshme ishte dhe gjendja e orendive shtëpiake, pothuajse në të gjithë familjet mungonte komodideti, Thjeshtë një raft buke, një minder artizanal me dërrasë dhe komerdare llastiku, hedhur mbi të një qilim lecke, një tavolinë dërrase dhe katër karrike portative të prodhuara nga zdrukthtarët e kooperativës. Shumica e familjeve kishte një radio dhe tek tuk dikush që punonte në punë shtetërore, apo kishte më shumë forca pune në kooperative kishte një TV, që merrte si kanal vetënm TVSH dhe ky me orar të reduktuar transmetimi. Me gjithë vështirësitë ekonomike që kalonte kooperativisti, mjetet e propagandës nuk mungonin, Të gjithë fshatrat kishin një vatër kulture, me një bibloteke me vepra të sistemit komunist, ku propagandohej epërsia e këtij sistemi në botë, shfaqeshin filma propagandistikë njëherë në muaj për edukimin e njeriut të ri etj.

Në kooperativë ishin të detyruar të punonin të gjithë anëtarët madhorë që kur përfundonin klasën e tetë e deri sa të dilnin në pension, asnjëri nuk lejohej të rrinte i pa punë, përndryshe dënoheshe. Sistemit kooperativist do ti nënshtroheshin në formë stazhi dhe nxënësit që mbaronin shkollën e mesme dhe pretendonin të vazhdonin studimet e larta universitare, do ti nënshtroheshin dhe të rinj e të reja qytetarë para se të sistemoheshin në punë shtetërore, do ti nënshtroheshin dhe qytetarët që punonin në ndërmarrje shtetërore nëpërmjet aksioneve në bujqësi, nxënësit e shkollave, po ashtu ushtarët, do ti nënshtroheshin dhe kandidatët për anëtarë të PPSH. Absurditeti më i madh do te ishte se shpesh herë kooperativa bujqësore ka shërbyer si masë ndëshkimore për të gjithë të pabindurit e sistemit, të cilët para se të dërgoheshin në burg, i sillnin për riedukim nëpërmjet punës në kooperativë. Kooperativistët, ndryshe nga punonjësit e tjerë të ndërmarrjeve shtetërore nuk kishin orar pune, e fillonin punën kur të lindte dielli dhe e përfundonin kur të përfundonte ai. Të drejtën e lejes së zakonshme një mujore, që e kishin të gjithë punonjësit nuk e gëzonin jo vetëm kooperativistët e thjesht, por as specialistët e lartë. Kështu kooperativa bujqësore ishte shndërruar në një ferr të vërtetë për masën e saj.

Vetë nomeklatura e lartë dhe pse e shihte se si ishte gjendja, kërkonte në emër të mbrojtjes së doktrinës ‘’rrugë të reja e origjinale’’ siç ishin krijimi i ‘’kooperativave bujqësore të tipit të lartë’’, krijimi i ‘’tufëzave dhe arëzave’’ etj, që nuk dhanë asgjë, veç një kolapsi ekonomik agroushqimor dhe duke çuar vendin në një situatë të vështirë ushqimore deri në vendosjen e sistemit të tollonëve ushqimorë dhe shtimin e radhëve në dyqanet ushqimore për pjesën më të konsiderueshme të popullsisë. Veç kësaj në fillim të viteve 1990 sistemi pluralist e futi Shqipërinë në një periudhë tranzicioni nga një ekonomi e centralizuar në një ekonomi tregu. Kalimi në kushte të tilla do të sillte përkeqësimin e kushteve të jetesës nga rritja e shpejtë e çmime vetë produkteve ushqimore, liberalizimi i të cilave nisi që në fillim të gushtit 1992 që krahasuar me ato të vitit 1990 u rritën disa herë. Gjithashtu kolaps të madh, pothuajse total pati dhe prodhimi agro-ushqimor në të gjithë produktet. Gjithashtu rreth 46% e familjeve shqiptare  ose 75% e popullsisë rurale të konvertuara në 380000 familje, morën tokën duke patur tendencën e prodhimit për konsum vetjak. Të gjithë këto ndryshime tronditën mentalitetin e fshatarit, për të qenë i lidhur me tokën dhe me fshatin. Kështu përfundoi dhe sistemi kooperativist.

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here