Testi i ri për klasat e pesta i gjen shkollat të papërgatitura

0
144

Ministria e Arsimit dhe Sportit urdhëroi një javë më parë mbajtjen e një testi të vlerësimit të arritjeve për klasat e pesta në maj 2016, duke u dhënë kështu shkollave vetëm një muaj kohë të përgatiten.

Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Lindita Nikolla përmes një udhëzimi të datës 11 prill 2016, i cili hyri menjëherë në fuqi, zuri në befasi mësuesit dhe nxënësit e arsimit fillor shqiptar kur urdhëroi zhvillimin e testit të vlerësimit të arritjeve të nxënësve të klasave të 5-ta më 23 maj 2016.

Testimi me shkrim do të përfshijë lëndën e gjuhës shqipe, matematikës dhe shkencave. Ai do të zgjasë për një orë e gjysmë dhe do t’i nënshtrohen nxënësit kalues të klasave të 5-ta nga e gjithë Shqipëria.

Ky testim prezanton një fazë të tretë provimi të njohurive të nxënësve, përveç provimit të lirimit të klasave të 9-ta dhe provimit të maturës së klasave të 12-a.

Në të njëjtën datë me lajmërimin e mbajtjes së vlerësimit të arritjeve të nxënësve të klasave të 5-ta, ministrja e arsimit, Nikolla ka nënshkruar miratimin e rregullores “Për organizimin dhe zhvillimin e vlerësimit të arritjeve të nxënësve të klasës së pestë të arsimit fillor 2016”.

Urdhri imponon krijimin e menjëhershëm të Komisionit për Zhvillimin e Vlerësimit të Arritjeve të Nxënësve të Arsimit Fillor në DAR/ZA dhe Komisionit Shkollor të Vlerësimit të Arritjeve të Nxënësve të Arsimit Fillor në Shkolla, të dyja komisione të përkohshme. Ministria i jep dy komisioneve vetëm katër ditë kohë të hartojnë listën e nxënësve kalues, të shpallen mjediset e testimit, të përgatiten mjediset e testimit dhe të informojë për personat mbikëqyrës të testimit.

Urdhri i Ministrisë së Arsimit dhe Sportit parashikon procedura të rrepta, të ngjashme me testimin e Lirimit dhe të Maturës.

“Largësia përmes nxënësve të jetë jo më pak se 120 cm; në mjediset e testimit nuk duhet të ketë postera; nxënësit ulen me fytyrë nga i njëjti drejtim dhe provimi mbikëqyret nga një administrator që nuk i përket shkollës ku po kryhet testimi” shkruan urdhri.

 

Procedurat e zhvillimit të testit përfshijnë struktura arsimore si Agjencia Kombëtare e Provimeve, Institutin e Zhvillimit të Arsimit, Njësitë Arsimore Vendore, qendrën e vlerësimit të testeve në DAR/ZA, administratorë gjatë testimit, administratorë të sekretimit.

Rregullorja parashikon vlerësimin e nxënësve me pikë, sipas formatit të vlerësimit të AKP. “Vlerësimi i testeve do të kalojë nëpër tre faza, dy të vlerësuesve të pavarur dhe një vlerësuesi të tretë përfundimtar, ku do të këqyret me kujdes mundësia e kopjimit” thotë rregullorja.

Megjithatë urdhri i ministres Lindita Nikolla nuk shpjegon se cili do të jetë fati i nxënësve ngelës dhe nëse ky test do të shërbejë që të kufizojë vazhdimin e nxënies në klasën e gjashtë për ata që nuk arrijnë ta kalojnë testin me sukses.

Burime nga sistemi arsimor i thanë BIRN se ky provim është në fazë eksperimentale dhe se nuk është përcaktuar ende nëse do të jetë një test barrierë apo një vlerësim formal për ciklin fillor.

Kushtetuta e Shqipërisë garanton të drejtën e arsimimit për çdo shtetas shqiptar dhe e bën arsimin 9-vjeçar të detyrueshëm.

“Arsimi bazë me kohë të plotë është i detyrueshëm për të gjithë fëmijët që janë shtetas shqiptarë me banim në Republikën e Shqipërisë nga mosha gjashtë vjeç deri në moshën gjashtëmbëdhjetë vjeç, me përjashtim të rasteve të parashikuara në këtë ligj,” thotë Kushtetuta.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here