Pse Rama rihapi pas dy vitesh dyert e selisë së PS. Asambleja Kombëtare mblidhet të shtunën

0
117

Kryeministri: SHBA, një mbështetëse e fuqishme e shqiptarëve kërkon një reformë të thellë të drejtësisë shqiptare dhe që të mos pengohet nga askush

 

Gëzim Saliu

 

 

Gazetarët thuajse e kishin harruar pamjen e brendshme të katit të dytë të selisë së purpurt, ambient nga ku grupi parlamentar socialist zhvillon mbledhjet e përjavshme parlamentare. Njoftimi sipas së cilit mbledhja nën drejtimin e kryeministrit Rama do të ishte me dyer të hapura për mediat i kapi të gjithë ne befasi. Thuajse pas dy vitesh, një mbledhje e grupit parlamentar do të zhvillohej me praninë e kamerave. Megjithëse në këto kohë në jetën politike të vendit e sidomos në PS nuk është se kanë munguar zhvillimet, gjithnjë mbledhjet e grupit kuvendor socialist janë zhvilluar pa praninë e medias. Por duket se vizita e kryeministrit në SHBA dhe përcjellja e mesazheve kryesore të saj u cilësua nga vetë Rama si një çështje që duhej të shmangte në këtë rast rregullin e pa shkruar në PS. Në daljen publike, kreu i qeverisë tha se SHBA nuk do të lejojnë asnjë parti politike në Shqipëri  të pengojë reformën në drejtësi. Sipas Ramës kjo reformë do të jetë një test edhe për raportet mes dy vendeve, që tashmë do të kenë edhe një grup miqësie të përbashkët. “Kyçe është cilësuar reforma në drejtësi. Kjo reformë, përveç të tjerash përbën në sytë e SHBA edhe një test të të gjitha palëve, mbi seriozitetin e marrëdhënieve me SHBA. E thënë qartë, SHBA, një mbështetëse e fuqishme e shqiptarëve, aspiron për një reformë të thellë të drejtësisë shqiptare, të mos pengohet nga askush. SHBA janë një avokat i fuqishëm për procesin e integrimit Europian të Shqipërisë në BE. SHBA pret që asnjë palët politike në Parlament të mos e pengojë heqjen e kësaj pengese”, tha ai. Po ashtu kryeministri duke folur para deputetëve socialistë komentoi edhe marrëveshjen me FBI-në, ndërsa nuk nguroi të vinte theksin tek pritja në zyrën ovale në Shtëpinë e Bardhë.  “Bashkëbisedimi me Presidentin, zv/presidentin, ishte një takim që i kaloi pritshmëritë tona, apo presidenti kapërceu protokollin duke hapur derën e zyrës ovale, ku u shprehën vlerësime të konsiderueshme për rolin e Shqipërisë në Ballkan si dhe për rrugën e reformave”. Por mbledhja e grupit nuk kaloi vetëm përmes përshtypjeve të kryeministrit për vizitën në SHBA, pasi deputetja e qarkut të Shkodrës Mimoza Hafizi  në pjesë me dyer të mbyllura ngriti shqetësimin për kërcënimin e kandidatit për Rektor të Universitetit të Tiranës Mynyr Koni. “Kërkova të kem informacione rreth atij akti që i është referuar në media, nëse është e vërtetë është e paprecedentë, nuk ka ndodhur ndonjëherë në historinë e arsimit të lartë që banditizmi të afrohet kaq afër universitetit dhe përgjigja ishte që Prokuroria po heton çështjen dhe gjithashtu që qeveria ka marrë shumë të mira për kandidatin e kërcënuar”- tha deputetja pas përfundimit të mbledhjes.  Po ashtu gjatë mbledhjes kryeministri u kërkoi ministrave të Financave, Ekonomisë dhe atij të Jashtëm që para daljes së çdo raporti ndërkombëtar për Shqipërinë në çdo sektor qoftë, të paraqesin informacion tek deputetët. Kjo sipas tij nuk do t’i gjejë të papërgatitur nga keqpërdorimet e këtyre raporteve nga opozita.

 

Asambleja

 

Në pjesën pa media të mbledhjes së grupit parlamentar, Rama ka informuar  për thirrjen e Asamblesë Kombëtare të PS, të shtunën në orën 10. Në këtë mbledhje të forumit më të lartë në PS  do të zgjidhet Sekretari i Përgjithshëm i Partisë, kryesia dhe sekretariati. Prej kohësh në PS ka nis lobimi për emrat e rinj  që mund të përfshihen në këto struktura me rëndësi vendimmarrëse në parti. Po ashtu pritet që  debati i brendshëm të ndizet me garën e mundshme mes kryetarit të grupit parlamentar Gramoz Ruçi me deputetin e Vlorës Koço Kokëdhima, për postin e Sekretarit të Përgjithshëm.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here