Blushi dhe Hafizi akuzojnë Ramën si shkaktarin e parregullsive dhe manipulimeve në referendum

0
410
Deputetë dhe figura kritike të së majtës shqiptare kanë mbikëqyrur në terren procesin e votimit të anëtarëve socialistë për mandatin e kreut të Partisë Socialiste. Grupi “Blushi” ka hasur parregullsi dhe manipulim të procesit të votimit në referendum, si reduktim i numrit të anëtarëve socialistë, mos verifikim i listës së votuesve, mungesa e vëzhguesve gjatë procesit të votimit, anëtarë që votonin me dy fletë, dyshime se kutitë e votimit ishin mbushur një ditë përpara votimit, etj. Deputeti Ben Blushi ka reaguar duke denoncuar referendumin për kreun e PS. Blushi konfirmoi edhe një herë se nuk mori pjesë në votim, ndërsa tha se lista e zgjedhësve u manipulua. “Sot (dje) nuk votova për referendumin që u sajua për të më hequr të drejtën e kandidimit personalisht mua dhe të drejtën e zgjedhjes gjithë anëtarësisë të Partisë Socialiste. Ky referendum u krye në shkelje të plotë të Statutit dhe rregullave të Partisë. Lista e zgjedhësve u manipulua duke u reduktuar me afro 20 për qind për të bërë të mundur pjesëmarrjen, e cila duhet të jetë 50 plus 1 në mënyrë që referendumi të quhet i vlefshëm. Tre javë më parë, lista e anëtarësisë ishte rreth 94 mijë, ndërsa sot ajo ishte 81 mijë”, deklaroi Blushi. Ai akuzoi Ramën se qëllimisht nuk lejoi që të kishte palë kundërshtare në referendum. “Arbitrarisht në këtë referendum nuk u lejua të kishte palë kundër megjithëse ky është rregulli numër një universal i çdo referendumi. Nëse nuk ka palë, nuk ka pse të ketë referendum dhe as pyetje të diskutueshme. Nuk u lejua të ketë fushatë, nuk u lejua të ketë vëzhgues, nuk u lejua të verifikohet lista e zgjedhësve dhe nuk u lejua të ketë numërues. Pyetja është kush e vëzhgoi këtë proces? Kush vendosi, kush është dhe kush nuk është në listën e votimit? Kush do t’i numërojë votat?”, u shpreh Blushi.
Referndumi, i kontrolluar
Ben Blushi u shpreh se referendumi u kontrollua nga Rilindja. “Gjithë procesi u përgatit dhe u kontrollua nga Rilindja kundër Partisë Socialiste. Rilindja e organizoi e trukoi e vëzhgoi dhe do e numërojë. Megjithatë, nga shumë socialistë cilët sot kanë vëzhguar procesin në mbrojtje të dinjitetit të tyre jam informuar gjatë gjithë ditës për shkeljet, abuzimet me listat, komisionet e ndryshuara, pjesëmarrjen fiktive dhe mbushjet e kutive sidomos në fshatra, ku pjesëmarrja rezulton të jetë nën 30 për qind mesatarisht. Ben Blushi ndryshe nga socialistët pranë Ramës, u shpreh se nuk është arritur 50 përqindëshi. “Nga të dhënat që kam mbledhur deri në orën 14:00 rezulton se pjesëmarrja përveçse në Tiranë dhe Durrës pothuajse askund nuk ka kaluar 50 për qind të listës. Në Vlorë 39 për qind. Në Korçë 46 për qind. Në Elbasan 41 për qind. Në Gjirokastër 38 për qind. Në Dibër 34 për qind. Në Shkodër rreth 40 për qind. Në Lezhë nën 40 për qind. Në Fier 48 për qind. Këto të dhëna natyrisht do përgënjeshtrohen, por unë dua të falenderoj gjithë socialistët, të cilët e refuzuan këtë referendum që i heq atyre të drejtën e votës. Sigurisht që pas kësaj, beteja për të rikthyer zgjedhjet dhe lirinë brenda PS do të vazhdojë pa u ndalur”, u shpreh Blushi.
Reagimi i Hafizit
Deputetja Mimoza Hafizi, e cila e ka konsideruar të paligjshëm referendumin, i drejtoi një letër Komisionit Zgjedhor të Partisë Socialiste, Bashkisë Shkodër, ku i kërkoi që të njihet me përbërjen e këtij komisioni, por nuk mori asnjë përgjigje. “Kërkoj të njihem në mënyrë zyrtare me përbërjen e re të komisionit tuaj, e cila është vendosur dje pasdite, siç ma konfirmuan nga zyra e organizimit e selisë së PS. Kërkoj të kem një fotokopje të shkresës zyrtare të emërimit. Kërkoj të di se pse KZPB Shkodër nuk është mbledhur asnjëherë, të paktën deri dje pasdite. Kërkoj të më jepet lista me adresat e të gjitha qendrave të votimit në Bashkinë Shkodër. Kam mbi 24 orë që përpiqem ta kontaktoj KZPB Shkodër, me qëllim për të akredituar vëzhguesit e mi për procesin e referendumit në Bashkinë Shkodër. Në momentin e tanishëm sigurisht ky akreditim s’mund të ketë më vlerë. Në mungesë të vëzhguesve, kërkoj që në fund të procesit të pajisem me fotokopjen e listave të pjesëmarrësve në procesin e votimit, me nënshkrimet e votuesve, për të gjitha qendrat e votimit të Bashkisë Shkodër”, shkruan Hafizi.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here