Shqipëria, vendi i katërt në Evropë ku nuk funksionon hekurudha

0
142

Teksa Ministria e Transporteve ka përgatitur një masterplan ambicioz, që kërkon 1.4 miliardë euro dhe ndër të tjera synon rigjallërimin e transportit hekurudhor në vend, në mënyrë ironike, trenat kanë ndalur prej disa ditësh. Mungesa e karburantit dhe borxhet e akumuluara citohen nga drejtuesit e hekurudhës si arsyet kryesore që kanë çuar në këtë ndërprerje. Prej vitesh sistemi hekurudhor në Shqipëri ka qenë në gjendje të amortizuar. Rrjeti hekurudhor në Shqipëri është ndërtuar në periudhën 1946 – 1986, kryesisht për t’i shërbyer industrisë. Në total, rrjeti hekurudhor ka një gjatësi prej 420 km, sipas burimeve nga Ministria e Transportit. Sektori hekurudhor ka degjeneruar tërësisht në 10 vitet e fundit. Ai mund të përshkruhet si sektori më pak i zhvilluar dhe më pak tërheqës në Ballkanin Perëndimor (së bashku me sektorin hekurudhor të Kosovës). Janë 147 shtete në Botë që kanë sistem hekurudhor, sipas të dhënave nga Unioni Ndërkombëtar i Hekurudhave. Teorikisht, Shqipëria pozicionohet relativisht mirë, pasi është e 67-a në botë sipas gjurmës për km hekurudhë për popullsi, duke mbuluar rreth 7500 banorë.

Një sërë shtetesh kanë në planet e tyre ndërtimet e hekurudhave, si Kuvajti, Katari, Ruanda, Jemeni etj. Në Europë deri tani kishte tre shtete pa system hekurudhor dhe Shqipëria bëhet i katërti. Qipro ka operuar me hekurudha nga vitet 1905-1951 dhe Malta nga 1883-1931 (të dy këto shtete kanë plane ta rigjallërojnë sistemin e transporti me tren). Edhe Islanda nuk ka transport hekurudhor, për shkak të sipërfaqes së vogël, terrenit të ashpër dhe konkurrencës së madhe nga automjetet. Sidomos në Europë dendësia e hekurudhave është shumë e lartë, pasi ato shërbejnë si një mjet i rëndësishëm për komunikimin mes vendeve të Bashkimit Europian.

Sipas masterplanit të transporteve, Ministria e Transportit synon të vitalizojë edhe transportin hekurudhor, ku brenda vitit do të paraqitet projekti për linjën Tiranë-Rinas-Durrës, për të vijuar me projektet për lidhjen hekurudhore, Durrës-Elbasan-Përrenjas-Lin-Pogradec, duke hapur perspektivën për t’u lidhur me rrjetin hekurudhor grek dhe maqedonas. Ndërsa për aksin verior synohet edhe lidhja me Malin e Zi. Deri në vitin 2020, në lidhje me transportin hekurudhor do të synohet realizimi i reformës së thellë për të krijuar një treg të hapur për investitorët e ndryshëm, si në aspektin operacional të menaxhimit, ashtu edhe të infrastrukturës. Pikë tjetër do të jetë forcimi i kapaciteteve në të gjitha nivelet, duke bërë të mundur administrimin për t’iu përgjigjur në mënyrë efektive standardeve europiane. Gjithashtu do të synohet krijimi i kushteve të favorshme ligjore dhe institucionale për tërheqjen e investimeve të huaja. Dhe objektivi tjetër do të jetë ndërveprimi me sektorët e tjerë të transportit.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here