Kredia për shtëpi, në nivelet më të ulëta, por rriten përsëri kreditë e këqija

0
207

Rënia e interesave të depozitave me afat në lekë, që aktualisht është rreth 1-1.3% ka dekurajuar kursimtarët, që po përpiqen të gjejnë alternativa të tjera

 

 

Ervin Kaduku

Tregu financiar shqiptar paraqit më konfuz se kurrë ndonjëherë. Aspekti pozitiv përfaqësohet nga fakti se sigurimi i financimit për blerjen e një shtëpie nga familjet është në momentin më të favorshëm. Interesat e kredisë për blerjen e pasurive të paluajtshme kanë zbritur në nivele më të ulët se kurrë. Mbështetur në të dhënat e Shoqatës Shqiptare të Bankave, në muajin Janar të këtij viti, interesi mesatar për kreditë e reja për blerjen e pasurive të paluajtshme në lekë ishte 4.19%, ndërkohë që një vit më parë kishte qenë 5.35%. E njëjta tendencë vërehet edhe për euron, ku interesi i kredive të reja hipotekore ka zbritur në 3.68%, nga 4.53% që kishte qenë një vit më parë.

Kreditë për blerjen e shtëpive nga individët janë statistikisht ato me performancën më të mirë cilësore dhe nivelin më të ulët të kredive me probleme. Duke qenë se rreziku është relativisht më i ulët, bankat po e synojnë shumë këtë segment të tregut. Ulja e interesave të kredive është mbështetur shumë edhe nga rënia e interesave të depozitave dhe bonove të thesarit.

 

Ku t’i gjejmë paratë

Po problem që shtrohet sot është se ku t’i gjejnë shqiptarët paratë për të shlyer kreditë e shtëpisë, pavarësisht nga fakti që interesat e tyre janë të ulta. Depozitat e tyre nëpër banka shënuan rritjen më të ulët historike në gjithë ekonominë e tranzicionit që pas vitit 1992, kur raportohen të dhënat nga Banka e Shqipërisë. Sipas statistikave, stoku i depozitave në fund të dhjetorit arriti në 987.3 miliardë lekë, me një rritje me bazë vjetore prej vetëm 1%. Efektin kryesor në këtë ecuri negative e ka dhënë rënia e ndjeshme e kursimeve me afat në lekë të individëve në banka, që u tkurrën me rreth 30 miliardë lekë (217 milionë euro), apo me 8.6%. Që prej shtatorit të vitit 2013 këto depozita po shënojnë vetëm trend rënës.

Rënia e interesave të depozitave me afat në lekë, që aktualisht është rreth 1-1.3% ka dekurajuar kursimtarët, që po përpiqen të gjejnë alternativa të tjera, duke shkuar drejt afateve më të gjata të maturimit, apo duke blerë obligacione (letra me vlerë të qeverisë me afat më të gjatë se dy vjet). Disa dukuri të rrezikshme u shfaqën apo u intensifikuan, si dhënia e parave me fajde, në kërkim të interesave të larta, apo skemat e investimit në bursa jashtë, në pjesën më të madhe të orfuara nga kompani fantazmë të palicencuara. Edhe Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare ka tërhequr shpesh vëmendjen së fundmi për skemat e palicencuara që ofrojnë investime në bursa dhe rreziqet e tyre.

 

Kredia e keqe

Por, nga ana tjetër, po zbehet suksesi i shpallur me bujë nga Banka e Shqipërisë për një ulje drastike të kredisë së keqe. Ndonëse totali i kredive të humbura në banka po vjen në rënie, shifrat e Bankës së Shqipërisë tregojnë për një rritje domethënëse të kredive të humbura rishtas më 2015, të cilat arritën vlerën e 14 miliardë lekëve. Sipas burimeve zyrtare nga BSH gjatë vitit të kaluar bankat kanë fshirë nga bilancet e tyre rreth 27 miliardë lekë kredi të humbura (mbi një vit vonesë dhe që nuk kanë shpresë arkëtimi). Por në fakt kreditë e humbura me 2015 janë reduktuar vetëm më 13 miliardë lekë, çka do të thotë se, përveç fshirjes ka patur një fluks të ri huash që janë vonuar më shumë se 365 ditë, që kanë frenuar rënien e mëtejshme të treguesit.

Sipas të dhënave zyrtare kreditë e humbura shënuan 57 miliardë lekë në fund të 2015 nga rreth 70 miliardë lekë në fund të 2014. Ndërsa diferenca e stokut te NPL-ve të humbura është vetëm 13 miliardë lekë, bankat kanë raportuar fshirje për 2015 dyfishin e kësaj shume.

Banka e Shqipërisë ka konsideruar zhvillimet në ekonominë reale si një rrezik të vazhdueshëm për rritjen e kredive me probleme. Shpallja këto ditë e falimentit nga kompania Kurum, një nga më të mëdhatë në vend pritet të rrisë më tej huanë e keqe te këtij viti.

Kompania e ka ekspozimin e huave të pakthyeshme në bankat shqiptare në rreth 30 milionë euro, sipas bilancit të saj. Ndërsa konsumi i dobët dhe çmimet e ulta të naftës dhe minerale në tregjet ndërkombëtare kanë vënë në vështirësi kompanitë e sektorit.

Burimet nga tregu i koncesioneve të naftës bëjnë më dije se shumë nga kompanitë janë me humbje dhe kryejnë pagesat me overdrafte. Në këtë situatë ndodhet edhe kompania shtetërore e naftës Albpetrol, e cila po mbulon humbjet me te ardhurat që siguron nga shitja e naftës që merr nga koncesionarët.

Në fund të vitit 2015, huaja me probleme zbriti nën 18% nga mbi 22% që ishte në fillim të vitit. Arsyeja kryesore e këtij përmirësimi lidhet me fshirjen nga bilanci të huave të humbura (për të cilat në fakt bankat vazhdojnë përpjekjet për t’i mbledhur dhe nëse mblidhen do të reflektohen si e ardhur e jashtëzakonshme në bilanc). Në kahun tjetër kredia standarde (deri në 30 ditë vonesë) ka vijuar uljen ndërsa huaja në ndjekje (30-90 ditë vonesë), por që ende nuk llogaritet si borxh problematike, po shënon rritje që nga gjysma e dytë e vitit të kaluar. Si rrjedhojë, huaja me probleme u rrit sërish lehtë në janar në 18.4%, sipas Shoqatës së Bankave.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here